Emiliano ia doli...

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Emiliano ia doli...

Historia e djalit të verbër, që për 11 të premte krah Alketa Vejsiut drejtoi një nga formatet më të ndjekura televizive. Dilemat e stafit, paragjykimet e njerëzve dhe premtimi emocionues i Grabockës. Të gjitha mes rrëfimit të Emiliano Lules, që di të falë më shumë dashuri...

Suadela Balliu



Në mbledhjen e radhës, të nesërmen, fill pasi Emiliano Lule u bë zyrtarisht bashkëprezantues i spektaklit “Më shumë dashuri”, regjisorja Vera Grabocka, skenaristja Dalina Buzi, prezantuesja Alketa Vejsiu dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit lidhën sytë me shalle të zinj dhe nisën të ecin kuturu nëpër zyrën ku duhej të diskutohej mbi natën e dytë të spektaklit.

Kjo ishte pika e parë që do të trajtohej në atë mbledhje: të gjithë duhet të përpiqeshin qoftë edhe për një çast të kuptonin botën e kolegut të tyre më të ri. Të ndjenin qoftë edhe për disa hapa ç’do të thotë të mos e kesh dritën si shoqëruesen tënde. Të të duhet të përfytyrosh gjithçka, të ndërtosh harta konjuktive, me të cilat të përpiqesh të zëvendësosh shikimin e humbur. Për të kuptuar Emilianon ndërsa do të dialogonte me Alketën, pa e parë asnjëherë portretin e saj. Për të ndier atë që do të ndiente ai, ndërsa do të intervistonte të ftuarit. Për të përjetuar atë që do përjetonte ai, kur do të gjendej fare vetëm mbi skenë. Të përballonin situatën në terr, ashtu si Emiliano do të përballonte një publik të tërë, të cilin duhej ta imagjinonte se ku ishte vendosur, të drejtohej kah kamerave, dritat e kuqe të të cilave nuk mund t’i dallonte, dhe të intervistonte një të ftuar, të cilin as nuk e shihte dhe as kishte mundësinë të shihej prej tij, pasi – ashtu si Emilianoja – ai nuk mund të shihte. Të mund t’ia dilnin mbanë teksa imitonin lëvizjen e dikujt që kishin parë atëherë kur ende mbështeteshin tek shikimi, ashtu si Emilianoja ngriti duart drejt qiellit duke imituar Besim Zekthin në vallen e famshme të shqiponjës. Apo të bënin ca lëvizje të llogaritura mirë, por pa e ditur se ku i hidhnin këmbët, ashtu si Emilianoja do të bënte natën kur, bashkë me Alketën, do të vallëzonin tangon e fundit të sezonit të parë të spektaklit “Më shumë dashuri”.

Ishin vetëm pak çaste ato që stafi organizues kaloi në terr. Megjithatë mjaftuan për të ndjerë një grimcë të asaj që Emilianoja ndjen në çdo çast të ditës. Ata nuk do mundeshin dot të qëndronin ashtu veçse për ca çaste, ndërsa ai do ia dilte mbanë për 11 javë të prezantonte ashtu, me shallin e zi të fatit, lidhur në sy.



Emiliano Lule ka ditur ta pranojë këtë fat dhe nuk harron për asnjë çast të prezantojë shoqëruesin e tij më besnik: optimizmin, që duket se nuk e ka braktisur asnjë ditë, qyshse ai humbi shikimin. Kjo ishte edhe arsyeja që ai nuk hezitoi t’i thoshte “po” ftesës së Vera Grabockës për të prezantuar bashkë 11 netët e spektaklit “Më shumë dashuri”.

Po ashtu si nuk hezitoi të pranonte krejt natyrshëm fjalët, fjalitë që skenaristja Dalina Buzi ia shtonte herë me doza të vogla e herë me doza të mëdha, me qëllimin që ai të përfshihej gjithnjë e më shumë në këtë rol të ri.

Optimizmi i Emilianos, këndvështrimi i tij për jetën, e kishte befasuar regjisoren dhe gjithë stafin e saj. “Vera Grabocka u godit nga optimizmi im, ndërsa mua më prekën shumë fjalët e saj. Ajo më tha: “Nëse do të ketë një klinikë në ndonjë vend të botës ku ti mund të operohesh, unë do të të çoj patjetër”. Ajo e ktheu çështjen time në sfidë personale”. Ashtu siç ishte sfidë personale edhe shfaqja e Emilianos për 12 javë në “Më shumë dashuri”.

Ai u shfaq në ekranin e TV Klan-it me mendimin se vetëm për një natë, për disa minuta, do të ulej në kolltukun e bardhë të skenës dhe do t’i tregonte një publiku të gjerë historinë e tij. U shfaq për të përçuar mesazhin se mund t’ia dalësh fare mirë edhe kur je i kushtëzuar fizikisht. Se mund të arrish aty ku do vetëm nëse dëshiron, por propozimin për të prezantuar bashkë me Alketën nuk e kishte menduar në asnjë ditë të atyre gjashtë muajve që kishte njohur Vera Grabockën, as edhe një ditë të atyre tre muajve kur kishin nisur përgatitjet për nisjen e spektaklit “Më shumë dashuri”. “E kisha menduar dhe analizuar gjatë me mendjen time se çfarë surprize mund të më bënin. Kisha menduar ndonjë master pas studimeve universitare. Por surprizat aty nuk mbaronin. E para ishte puna te kompania “Infosoft”. Dhe propozimin për të qenë bashkëprezantues as që e kisha imagjinuar ndonjëherë”.

Ishte pikërisht dashuria fjalëkyçi që hapi një botë të re për Emilianon. Një botë, së cilës ai nuk e pati aspak të vështirë t’i përshtatej, edhe pse i duhej të bënte një punë shumë më të madhe se kolegët e tij prezantues...



“Kur ma bënë propozimin të isha prezantues i spektaklit pranë Alketës, në një sekondë m’u desh të analizoja të gjitha alternativat e mundshme se pse duhet të isha unë në rolin e prezantuesit. Ata më thanë: meqë na ke falur kaq shumë pozitivitet dhe optimizëm, përse të mos ua falësh edhe të tjerëve...?!”.

Emilianoja ia doli të përçonte energjitë pozitive, dashurinë e tij për jetën, dëshirën për të studiuar, pasionin e tij për elektronikën, që në natën e parë. Njerëzit e kishin ndjekur nga ekrani, ishin bërë pjesë e historisë së tij, ishin goditur aq shumë nga optimizmi dhe dëshira e tij për të jetuar krejt normalisht dhe nuk do të nguronin t’i mbushnin “Inbox”-in e telefonit me mesazhe urimi. “Impaktin që kisha pasur te njerëzit munda ta kuptoja vetëm në netët në vijim. Ndërsa rëndësinë e të qenit prezantues munda ta kuptoja vetëm në natën e fundit. Atëherë kur u gjenda mes 15 artistësh, të cilët nuk e kisha menduar kurrë se do i takoja në atë mënyrë” .

Pas natës së parë, do të niste edhe sfida e vërtetë e Emiliano Lules. Ajo sfidë që do ta bënte të kapërcente jetën normale me hapa të mëdhenj. Për vite me radhë ai kishte treguar që mundej të ishte njësoj si të gjithë ata që shihnin. Se ai mund t’u kthehej edhe njëherë studimeve universitare, që iu desh t’i ndërpriste si pasojë e aksidentit që i mori dritën e syve. Se me anë të teknologjisë, ai mund të pajiste kompjuterin dhe telefonin celular me programe të veçanta, që vokalizojnë të gjithë mesazhet në postën e tij elektronike dhe mesazhet e shkurtra në telefon.

Prandaj ndodh të të lërë pa fjalë kur përpiqesh t’ia përsëritësh për të dytën herë që e telefonon nga redaksia e revistës “One”, ndërsa ai, pa e mbaruar ende fjalinë, të përgjigjet “E di, se ju mbajta mend numrin” . “Unë karakterizohem nga sensi i humorit. Një miku im më mori në telefon një ditë, por numrin e tij nuk e kisha të regjistruar në bllokun e kontakteve dhe i përgjigjem: Shoh në ekranin tim një numër të cilin nuk e njoh, pra që do të thotë se nuk jeni i regjistruar në kontaktet e mia. Mund të më thoni kush jeni ju?”. Janë këto shpikje të reja teknologjike që e bëjnë Emilianon të ndihet më i pavarur dhe ia lehtësojnë punët në jetën e përditshme, por për të bërë prezantuesin, sigurisht, i duheshin edhe ndihma të tjera. Kur nis të falënderojë të gjithë pjesëtarët e stafit, të cilët treguan shumë dashuri dhe përkushtim ndaj tij, që e bënë të ndihet i vlerësuar dhe i pavarur, që i dhanë mundësinë të shpaloste veten, vendin e parë e zë skenaristja e spektaklit, Dalina Buzi. “Pasi përfundonin provat në orën 14:00, unë dhe Dalina rrinim edhe katër orë të tjera. Ajo tregohej e duruar me mua, ndërsa së bashku përsërisnim skenarin. Dalina më rrëfeu një ditë se në fillim nuk kishte besuar se unë mund t’ia dilja mbanë, por më në fund u bind. Njerëzit me probleme të dukshme, si unë, është e vështirë të fitojnë besim. Ne njerëzit jemi prej natyre paragjykuese. Paragjykojmë pamjen, të ecurit, mënyrën e të folurit, veshjen, dhe jo më një problem kaq të madh. Megjithatë, unë e kalova edhe këtë pengesë”, tregon Emilianoja, i cili shton se pa dashuri nuk do të mund të bënte asgjë nga të gjitha ato që ka bërë.

Nuk do të mund të ishte kurrë prezantues i 44 historive njerëzore, nga ato që janë treguar javë pas jave në ekranin e TV Klan-it. Sepse, nëse do ta kishte ndier veten qoftë edhe për një herë të lënë mënjanë, nuk do ta kishte pasur kurrë motivimin për të punuar.



Nuk do të kishte motivimin për të punuar nëse stafi do t’i kishte kursyer kritikat për të. “Më pëlqen kur njerëzit më kritikojnë, sepse tregon vlerësim. Do të thotë që janë ndalur më gjatë dhe i kanë ndjekur me vëmendje fjalët e mia, kanë analizuar veprimet e mia. Më pëlqente shumë kur më kritikonte regjisorja Grabocka. Dhe sa më shumë më kritikonte ajo, aq më shumë e doja”. Nuk do të kishte kurrë motivimin për të punuar nëse nuk do të kërkonte nga vetja çdo herë më shumë. Nuk do të ndihej i kënaqur nëse nuk do të gjente diçka që nuk shkonte në performancën e tij, në fjalët që thoshte, në gjestet që bënte. Nuk do ta kishte pasur motivimin t’ia dilte mbanë, edhe në situatën që është ndier më ngushtë, nëse nuk do të ishte optimist se mund t’ia dilte.

“E kam ndier veten ngushtë kur u gjenda vetëm në mes të skenës dhe më duhej të intervistoja një të ftuar. Më duhej të lëvizja normalisht në skenë, të imagjinoja publikun në sallë, të mbaja vëmendjen e atyre që na ndiqnin nga ekrani, t’i drejtohesha kamerës në transmetim pa e parë dritën e kuqe dhe të respektoja të ftuarin, i cili, për më tepër – ashtu si unë – nuk mundej të shihte. Megjithatë, ia dola mbanë”.

Nuk do ta kishte motivimin për t’i hyrë fund e krye emocioneve që shkundin çdo të premte mbrëma skenën e emisionit “Më shumë dashuri”, nëse ai vetë nuk do ta jepte këtë dashuri me dozat me të cilat e merrte. Edhe pse rrëfen se është më tepër racional se sa emocional dhe e ka më të lehtë t’i menaxhojë emocionet se sa t’i shfaqë ato, momentet kur i ka shfaqur kanë qenë jo të rralla. اdo fund, spektakli kishte frytet e veta të kënaqësisë. Dhe dashuria ishte fryti më i mirë që kishin mbjellë dhe korrur njëkohësisht.

Edhe pse nuk mund t’i shohë buzëqeshjet e përzemërta të kalimtarëve në rrugë, ai mund ta ndiejë dashurinë e tyre, ndërsa i afrohen dhe e përgëzojnë. E përgëzojnë për kurajën e tij, e përgëzojnë për optimizmin që e ndan me ta çdo të premte.

Sepse kjo nuk ishte vetëm gjetje televizive, ashtu siç pohoi edhe këngëtarja Elsa Lila në një nga netët e spektaklit: “Në asnjë vend të botës nuk di të kenë guxuar të përfshijnë një person që nuk shikon në një emision televiziv”. Kjo ishte mundësia e Emilianos të shpaloste personalitetin e tij dhe t’u jepte njerëzve një tjetër këndvështrim për jetën.

Këtë përvojë Emilianoja shpreson të mund ta përsëritë në sezonin e dytë. Por deri në vjeshtë i duhet të ketë vënë ca punë në brazdë: nëse vendos të bëjë master-in në Tiranë, nëse gjen një konsensus me kompaninë “Infosoft”...

Por tani që ai ka krijuar figurën e tij televizive si prezantues – së cilës suksesi nuk i mungoi aspak – mund t’i vinë edhe oferta të tjera për të prezantuar. Ai shprehet i hapur për to dhe do të pranonte me kënaqësi. Me kushtin e vetëm: T’i falnin po aq dashuri sa “Më shumë dashuri”.





Box

Tangoja me Alketën

Të gjithë u mrekulluan kur e panë Emilianon të vallëzonte me Alketën në natën e fundit të spektaklit “Më shumë dashuri” . Dukej si tangoja e shkëputur nga filmi “Aromë gruaje” , ku aktori i njohur hollivudian Al Pacino, në rolin e një të verbri, vallëzon mrekullisht me partneren e bukur. Por Emilianoja ia doli më së miri, edhe pse nuk ishte në rolin e askujt. “Ajo ishte surpriza që i bëra unë stafit. Asnjë nuk e dinte që unë do vallëzoja me Alketën. Fshehurazi tyre, unë bëja prova me koreografin Albi Nako”. Në çdo hap, përkulje trupi, rrotullim elegant, Emilianoja diti ta sjellë plot jetë intrigën dhe joshjen legjendare të tangos. Dhe për këtë nuk ishin të nevojshëm aspak sytë, sepse vetëm pasioni i përmbushte të gjitha.

Box

Studimet për psikologji

Emilianoja studion në vitin e tretë në Fakultetin e Psikologjisë dhe diplomohet pikërisht këtë muaj. Ka zgjedhur ta mbrojë diplomën me temën “Vetëvlerësimi te njerëzit e verbër”, temë të cilën pedagogët ishin të një mendjeje se më mirë se ai nuk mund ta trajtonte askush. Para disa vitesh, Emilianos iu desh të ndërpriste studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike, për shkak të humbjes së shikimit. Megjithatë, diti ta kapë ritmin dhe pasioni për elektronikën e bënë të kërkonte e të gjente krijimet e fundit të teknologjisë, ku të gjitha materialet i përkthehen në audio dhe ai mund t’i dëgjojë dhe memorizojë. Eksperimentoi në shumë degë të ndryshme derisa gjeti veten tek Psikologjia. “Psikologjia për mua ka qenë një terapi më vete, sepse më ka ndihmuar të kuptoj se ku jam dhe të kuptoj nëpërmjet meje dhe psikikën njerëzore”.

Jo vetëm e ka ndihmuar të ndihet më pozitiv dhe optimist, por i ka mësuar edhe moton me të cilën Emiliano kapërcen çdo vështirësi. “Në Psikologji ka vetëm një përgjigje mbi suksesin: Nuk ka kufizim fizik apo mendor për atë që kërkon” .

Box

Aksidenti që i ndryshoi jetën

Në fund të marsit në vitin 1997, Emilianoja, në atë kohë gjimnazist, u tërhoq nga kurioziteti i armëve dhe bashkë me shokët e tij gjeti një granatë, së cilës pa ditur dhe padashur i hoqi siguresën. Granata, e hedhur pak metra larg këmbëve, shpërthen pikërisht atëherë kur Emilianoja vendosi t’i afrohej. Për katër vjet pas aksidentit ai pa normalisht, por mjekët ishin të alarmuar mbi situatën e tij, sepse një copë metalike e mbetur në sy mund t’ia rrezikonte seriozisht shikimin.

Pasi përfundon vitin e dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike, niset drejt Rusisë me shpresën se do të gjejë kurim. U nis me shikimin e plotë dhe u kthye me shikim zero. Me gjithë ulje-ngritjet, periudhat dilematike dhe të vështira të jetës, Emilianoja ia doli mbanë, ndërsa tani ka mësuar ta shijojë jetën në një mënyrë të ndryshme. “Jam një optimist i pashërueshëm dhe jeta ka shumë gjëra të bukura. Ia vlen të jetohet dhe kur mungon shikimi. Unë nuk mund të shoh si gjithë të tjerët, por jam duke kërkuar formën alternative të shijimit të jetës, që është bukuria e brendshme, atje ku njerëzit e mençur investojnë”, rrëfen Emilianoja, i cili ka ditur ta fitojë më së miri këtë sprovë që jeta i vuri përpara.

Sommario

“E kam ndier veten ngushtë kur u gjenda vetëm në mes të skenës dhe më duhej të intervistoja një të ftuar. Më duhej të lëvizja normalisht në skenë, të imagjinoja publikun në sallë, të mbaja vëmendjen e atyre që na ndiqnin nga ekrani, t’i drejtohesha kamerës në transmetim pa e parë dritën e kuqe dhe të respektoja të ftuarin, i cili, për më tepër – ashtu si unë – nuk mundej të shihte. Megjithatë, ia dola mbanë”



“Kur e propozuan Emilianon të ishte prezantues në krah të Alketës, stafi i spektaklit mendoi: meqë na ke falur kaq shumë pozitivitet dhe optimizëm, përse të mos ua falësh edhe të tjerëve?”





Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top