Ekskluzive/Nafiz Bezhani, rrëfen ngjarjen më të bujshme pas vdekjes së Enver Hoxhës.

WxP

Staf në FV.AL
Ekskluzive/Nafiz Bezhani, rrëfen ngjarjen më të bujshme pas vdekjes së Enver Hoxhës. Futja e Popajve në Ambasadën italiane dhe gjithë përgjimet e sofistikuara të Sigurimit të Shtetit

Arratisja e familjes Popa dhe lufta mes Sigurimit dhe agjenturave Italiane


Nga Nafiz Bezhani


Ajo që ndodhi më 12 dhjetor 1985, ishte një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur gjatë gjithë kohës të regjimit monist. Shumëkush mendonte se, pas saj, do të “priteshin koka sigurimsash”, por, çuditërisht, ndodhi ajo që nuk besohej. Edhe pse ngjarja u krahasua me një tërmet serioz, lëkundjet e tij ishin aq të vogla, sa krijuan vetëm disa plasaritje në themelet e të ashtuquajturit pushtet popullor, që, për më shumë se 40 vjet, ishte propaganduar si i pavdekshëm.

Por, kjo krisje në themele, pa dyshim, tregon pleqërinë dhe fundin e tij. Disa analistë, janë shprehur se tërmeti i parë, i madh dhe tronditës për themelet e të ashtuquajturit pushtet popullor, ka ndodhur më 11 prill 1985, kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Kjo ngjarje u mbulua me një farë dhembje masive dhe me betimin e fansave të tij, për të ndjekur vendosmërisht rrugën që diktoi Enveri, për ndërtimin socialist të vendit. Në fakt, shumë pak njerëz u besonin premtimeve të tyre. Me vdekjen e Enverit, aparati i tij burokratik, mbeti pa kultin e diktatorit, si dhe me një depresion moral, herë-herë edhe panik, apo frikë për të ardhmen e shtetit. Ndonse ishin marrë masa për zëvendësimin e tij me zotin Ramiz Alia, kulti i zëvendësuesit ishte shumë larg, krahasuar me atë të Enverit. ثshtë e sigurtë se ata organizuan edhe ngjarjen e 12 dhjetorit të vitit 1985, atë ngjarje befasuse, e të paimagjinueshme, kur nga dera e pasme e ambasadës italiane në Tiranë, hynë qetësisht, si të ishin dasmorë, gjashtë vëllezër të familjes Popa, të ardhur nga Durrësi, nga të cilët, motrat Ermioni, Eftigjeni, Zhaneta dhe Liliana, si dhe vëllezërit Nikolla dhe Akili, të deklaruar emigrant politik.

Si u fut në ambasadën italiane familja Popa

Familja Popa ka qenë e cilësuar familje e deklasuar, për shkak se babai i tyre, Moisi Popa, ka qenë bashkëpunëtor i fashistëve italianë, pas 7 prillit 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Si e tillë, ishte degdisur në fshatin Kullë të Sukthit. Kishte kaluar dekada në gjendje ferri, dhe pa parë dritë në fund të tunelit. Njeriu është ndeshur dhe ka përballuar kushte tepër të vështira ekonomike, por kur mbi këtë mjerim ekonomik rëndojnë persekucionet çnjerëzore të luftës së klasave, kur çdo gjë duket e zezë dhe e pashpresë, njeriu kërkon rrugë shpëtimi edhe midis rreziqeve. Pikërisht, këto kushte përjetonte familja Popa, në vitin 1985, në këto kushte e mori ajo vendimin për t’u futur në ambasadën italiane në Tiranë, për të kërkuar strehim politik. Dhe realizimi i kësaj ëndrre, u bë në mënyrën më të përsosur, duke u shkaktuar një tronditje të rëndë organeve të shtetit. Për një kohë të gjatë, kjo ngjarje u bë një nga objektet më të rëndësishme të masmedias dhe, gjithashtu, një nga problemet kryesore të shtetit monist, që kërkonte zgjidhje tepër të kujdesshme. Hyrja në ambasadën italiane në Tiranë e familjes Popa, ishte aq befasuese, sa tronditi të gjithë politikën shqiptare.

Gjithçka u bë nën hundën e Sigurimit të Shtetit

Ndër të parët u vu në dijeni drejtori i Sigurimit të Shtetit, nga i cili priteshin sqarime të mëtejshme edhe nga eprorët e jerarkisë shtetërore. Por, në ato çaste, ai jo vetëm që nuk kishte asnjë të dhënë tjetër, por, përkundrazi, edhe informata që kishte marrë, nuk ishte e saktë. Në vend të familjes Popa, atij i kishin thënë se ishte familja Papa, që do të thotë se kërkimet duhet t’i bënin në pistën e Shqipërisë së jugut. Prandaj, ai thirri menjëherë Tomin, oficerin e drejtimit të kësaj linje, të cilit i thotë: “Para një ore, nën hundën tonë, hynë ilegalisht në ambasadën italiane në Tiranë, katër motra dhe dy vëllezër të familjes Papa. A e kupton ti se ç’do të thotë për ne kjo? Provokacion! Provokacion tepër serioz!” Tomi mbeti paksa i hutuar dhe pastaj u përgjigj: “Me sa di unë, shoku drejtor, në Tiranë kemi rreth 20 familje me mbiemrin Papa, nga Gjirokastra, Dropulli dhe Vlora, por asnjë nga këto nuk ka katër motra e dy vëllezër”. “Nuk ju kërkova të tillë përgjigje, studjoje çështjen me përgjegjësi dhe brenda dy orëve të më raportosh hollësitë e nevojshme. Je i lirë”, i thotë drejtori i Sigurimit. I gjori Tomi, nuk dinte nga t’ia mbante. Doli nga zyra e drejtorit i hutuar dhe, si të ishte në shkretëtirë, pa busull, i hodhi hapat drejt korridorit, pa ditur ku duhet të shkonte. Mendoi, për një çast, të hetonte nëpërmjet bashkëpunëtorëve të trupit diplomatik, por kjo paraqiste edhe vështirësitë e saj. اështja ishte e ngutshme, ndërsa marrja e informacionit nëpërmjet bashkëpunëtorëve të trupit diplomatik, kërkonte kohë. Por shpesh herë, probleme të vështira, i zgjidh vetë rastësia. Pikërisht, kur Tomi ndodhej para këtij ekuacioni të vështirë, një koleg i tij, i sjell lajmin e sigurtë, se familja që ishte futur në ambasadën italiane në Tiranë, nuk ishte Papa, por Popa, me banim të detyrueshëm në fshatin Kullë të Sukthit. E po, ky ishte çelësi për të plotësuar kërkesën që i kishte bërë drejtori. Ai e kishte të lehtë të gjente begraundin e tyre, qoftë edhe nga koha e Princ Vidit. U kthye përsëri për përgatitjen e raportit, që shpresonte ta mbaronte para afatit të caktuar. Krahas të dhënave të hollësishme për familjen Popa, si dhe për secilin nga të gjashtë vëllezërit, në raport jepej edhe mendimi personal për mundësinë e implikimit të tyre në rrjete të huaja të informacionit. Ai thoshte se, ndonëse kjo familje është e deklasuar dhe e trajtuar për një kohë të gjatë me të drejta të kufizuara, nga dokumentacioni përkatës rezulton se asnjë nga këta nuk ka patur lidhje me persona që ndiqen nga ne si agjentë të dyshuar, në shërbim të fuqive të huaja. Në këto kushte, mbetet për të gjetur motivet e kryerjes të kësaj vepre nga ana e tyre.

Sigurimi përgjonte gjithçka në ambasadë

Kur Tomi i shpuri raportin drejtorit, ai ishte përqëndruar mbi një material tjetër dhe nuk ja vuri fare veshin atij. “Lere mbi tavolinë”, i tha ai, pa i kërkuar asnjë hollësi. Ndoshta ishte informuar nga burime të tjera. Tomi lëshoi raportin mbi tavolinë dhe u nis të dilte nga zyra. Në këtë kohë drejtori, si të zgjohej nga gjumi, i foli: “Dëgjo, dëgjo, Tomi, merr edhe Gramozin dhe ejani së bashku”. U duk se zëri i tij, këtë herë, ishte paksa më i butë. Ndoshta kishte marrë kontakt me superiorët e tij dhe, pa dyshim, kishte matur pulsin e tyre. Kjo doli edhe më e qartë kur Tomi me Gramozin shkuan në zyrën e tij. Tomi pa se raportin, që i kishte dorëzuar para pak minutave, nuk e kishte zënë me dorë. Kjo do të thoshte se ai ishte mirinformuar në rrugë të tjera dhe, veç kësaj, kishte marrë edhe porositë përkatëse për veprimet e mëtejshme. “Dëgjoni, u tha ai dy oficerëve. Këtë skandal duhet ta përballojmë me atë profesionalizmë dhe përgjegjësi që kemi kryer të gjitha detyrat që na ka ngarkuar Partia. Përgjimi i tyre do të bëhet nën drejtimin tuaj. Duhet të organizoni një përgjim të plotë audio-viziv dhe të sofistikuar. I kam parasysh vështirësitë që do të hasni për një veprimtari të tillë, në një ambasadë të huaj, veçanërisht në situatën e krijuar, kur është vënë në alarm edhe zbulimi i huaj. Kërkohet kujdes dhe mençuri, për të kryer të gjitha veprimet pa rënë në sy të tyre. Gjithçka do të kini nevojë, do t’iu plotësohet. Dakord?” Fill pas këtij takimi, oficerët e specializuar nuk humbën kohë. Ata organizuan vendosjen në përgjim të ambasadës italiane dhe territorit të saj, veçanërisht të godinës së vogël, që gjendej paksa e veçuar, ku ishin strehuar të gjashtë vëllezërit e familjes Popa. Në të gjitha krahët u vendos një karantinë e rreptë. Krahas këqyrjes së jashtme të këtyre objekteve, u bënë studimet për këqyrjen e sofistikuar, sidomos për vendosjen e aparateve brenda ambasadës, si dhe për vendosjen në pozicionet më të përshtatshme, të aparaturave audio-vizive jashtë ambasadës. Ndërsa për përgjimin auditiv, u zgjodh një rrugicë përballë portës kryesore, ku u vendos një automjet i tipit ZIM, i pajisur me aparaturat përkatëse të sistemit të ndërlidhjes, i cili do të përdorej edhe si zyrë për shtabin operativ, ndërsa, në krahun tjetër, u vendos një automjet i tipit IFA, me monitorë përgjues, që do të ishte në gatishmëri të plotë gjatë 24 orëve, çdo ditë. Ajo do të regjistronte sinjalet e disa kamerave të vendosura brenda ambasadës, si dhe do të mbikëqyrte, më aparate të posaçme vizive, lëvizjet që do të bënin pjesëtarët e familjes Popa.

Si e thanë pemën e ambasadës që pengonte punën e aparaturave përgjuese

Për aparatet vizive, të vendosura në vendin më të përshtatshëm, me hapësirë dhe pamje direkte të mjaftueshme për kontrollin e lëvizjeve të pjesëtarëve të familjes Popa, me kalimin e kohës, ndodhi, papritur një problem serioz. Një nga pemët, që gjendej në oborrin e ambasadës, filloi të çelë gjethe, të cilat pengonin pamjen vizive. U studiua mundësia e lëvizjes së aparaturave, por nuk u gjend asnjë pozicion tjetër i përshtatshëm. Mbeti vetëm një rrugë: të merreshin masa të menjëhershme, për të tharë atë pemë. Për këtë qëllim, u dërguan persona të posaçëm në Institutin e Kërkimeve Bujqësore, për të kërkuar ndihmën e tyre. Brenda ditës u bënë studimet përkatëse dhe u përcaktua një kimikat shumë i fuqishëm, i cili duhej të hidhej në fund të pemës, në një diametër jo më shumë se një metër, duke e shpërndarë në mënyrë uniforme. Për të mos rënë sy, u urdhërua fillimi i punimeve nga pemët e tjera dhe, kur radha i erdhi asaj që pengonte pamjen, u zbatuan udhëzimet me përpikmëri. Kështu, u deshën vetëm pakë ditë që fletët e lulëzuara të thahen e të bien për tokë. Kaloi një kohë e gjatë me diskutime e propozime nga më të ndryshmet, por asnjë zgjidhje nuk u pranua nga vëllezërit Popa.

Bisedimet me senatorët italianë

Nga Italia erdhi edhe një grup senatorësh, nga të cilët dy ishin demokristianë, një socialist dhe një komunist. Bisedimet u zhvilluan në podrumin e ambasadës, me qëllim që të ishin sa më të rezervuara e të sigurta. Senatori demokristian bëri prezantimin, kur, pa mbaruar fjalë, iu përgjigj Liliana Popa me një italishte të përsosur: “Komunistët të dalin jashtë, ata nuk duam t’i dëgjojmë, për shkak se nga ata kemi vuajtur e po vuajmë”. “Zonjë, u përgjegj qetësisht Senatori demokristian, ne jemi një grup senatorësh që përfaqësojmë forcat politike të Italisë. Ju nuk kini të drejtë të bëni të tilla dallime”. “Zotëri, tha ajo me zë më të vendosur. Familja jonë është sakrifikuar për Italinë, prandaj ju jeni në borxh me familjen tonë”.

“Mund të jeni më të qartë?”, e pyeti ambasadori. “Natyrisht. Babai im, në vitin 1939, ndihmoi italianët me të gjithë fuqinë e tij ekonomike. Pikërisht për këtë po na persekutojnë komunistët”.

“Zonjë, babai juaj ka ndihmuar fashizmin, që është dënuar edhe në Itali, dakord?”, vijoi ambasadori. Pas këtij dialogu, gjakrat u qetësuan, por, edhe pse bisedimet vazhduan më me qetësi, ato nuk dhanë asnjë përfundim. Palët kishin mbetur në pozicione të palëvizura. Nga njëra anë, qeveria shqiptare, që e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj në deklaratën që publikoi Agjencia Telegrafike Shqiptare më 22 dhjetor të vitit 1985, sipas të cilës “6 shtetasit, të komprometuar me veprimtari antishtetërore, në shërbim të një shteti të huaj… të mos mendojnë se do të dalin nga Shqipëria”. Kësaj deklarate, iu shtua më vonë edhe një deklaratë tjetër, që shprehte vendosmërinë e shtetit shqiptar për të mos lejuar, në asnjë mënyrë, të dalin jashtë kufive të gjashtë vëllezërit e familjes Popa. Ministri i Brendshëm, zoti Hekuran Isaj, deklaroi: “… edhe po të vdesin, do të varrosen në krevatin e ambasadorit italian”. Ky ishte pra, qëndrimi i pandryshuar që kishte shteti shqiptar, ndërsa, nga ana tjetër, kemi qëndrimin e qeverisë italiane dhe të pjesëtarëve të familjes Popa, të cilët nuk pranonin asnjë alternativë tjetër, veç pajisjen me pasaporta dhe me vizat përkatëse për të gjashtë të strehuarit në ambasadën italiane, për të dalë jashtë shtetit. Kryeministri italian, Betino Kraksi, kishte deklaruar se ishte disponibël për një zgjidhje paqësore, por në fakt, këmbëngulja e tyre, pa paraqitur alternativa të pranueshme, tregon se bisedimet kishin ngecur dhe ishin larg një zgjidhjeje paqësore. Në shikim të parë, njeriu krijon përshtypjen se futja në ambasadën italiane e familjes Popa, nuk motivon gjithë këtë angazhim të organeve të Sigurimit të Shtetit, por, në fakt, kjo ngjarje është e jashtëzakonshme në praktikën e regjimit monist, dhe, shoqërimi i saj me bujë e komente nga më të ndryshmet, sidomos nga masmedia e shteteve fqinjë, tregon, pa dyshim, se kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar për qëllime të caktuara. Ndonëse nuk ka asnjë të dhënë që pjesëtarët e kësaj familjeje të kenë patur marrëdhënie me rrjete të ndryshme informative, që veprojnë në Shqipëri, ngrihej hipoteza se ajo mund të ishte viktimë e një kurthi të qëllimshëm.

Kontrollet e rrepta të policisë, incidenti me ambasadorin italian

Ato ditë u përhapën zëra, sipas të cilave, po kërkoheshin maska për t’i nxjerrë nga ambasada me dokumentacione të falsifikuara. Për këtë qëllim, u urdhërua policia rrugore që të kryente kontroll të rreptë në të gjitha automjetet që dilnin nga ambasada. Thonë, se kur të djeg qulli, i fryn edhe kosit! Policia, nga frika se mos kalonte ndonjë i fshehur në makinë, kontrollonte gjithçka, bile edhe bagazhet e vogla. Një ditë kishte ndodhur edhe një skandal, por u mbyll shpejtë. Kur kishte dalë personalisht ambasadori, i shoqëruar nga zonja e tij, policia rrugore e kishte ndaluar makinën e tij dhe e kishte kontrolluar imtësisht. Polici, me mëndjelehtësi, i kishte kërkuar zonjës së ambasadorit, për t’i kontrolluar edhe çantën e dorës, por ajo ishte revoltuar: “Në çantën time, zoti polic, nuk futen dot vëllezërit Popa. Mos doni gjë tjetër?”, i kthehet ambasadori. Polici e kishte kuptuar që kishte bërë gabim dhe i kërkoi falje, por zonja e nderuar ishte në një emocion reaktiv dhe i tha ambasadorit: “Këto veprime fyese nuk duhet të falen, duhet protestuar menjëherë”. Ambasadori kishte qeshur dhe i ishte përgjigjur me ironi: “Policë janë këta, e dashur, kështu i lamë edhe në Romë”.

Përgjuesi në bishtin e fshesës

Por ajo që shkaktoi një bujë të madhe, ishte gjetja e një aparati të vogël përgjimi në bishtin e një fshese. Shtypi italian e konsideroi këtë si një fitore të SISMI-t, kundër përpjekjeve të organeve të Sigurimit të Shtetit, që, sipas tyre, u përpoqën pa sukses, të shtynin në ambasadë aparate përgjimi, me anë të një punonjëse pastrimi. Një gazetë prestigjioze e Romës, shkruante me titull të madh: Sigurimi shqiptar pësoi një dështim të turpshëm, para vigjilencës të organeve të shërbimit informativ italian. Italia krenohet me njerëz të tillë. Tani, kur gjithçka është bërë e qartë, të duken shumë qesharake lëvdatat që i bënte shtypi organeve të sigurimit italian, që zbuluan një aparat të vogël në bishtin e një fshese. Aparate të tilla, ishin vendosur në të gjitha objektet e ambasadës, duke përfshirë podrumet dhe ثC-të, pa lënë bosh as zyrën e ambasadorit. Të gjitha këto masa, tregonin për panikun që kishte provokuar ky grup i disidentëve të pushtetit, tanimë, në strehimin dhe mbrojtjen e ambasadës italiane. اdo ditë që po kalonte, shtonte më tej tensionet, çdo ditë e më shumë po bëhej më e qartë ky provokim i përgatitur me kujdes, me pasoja të paparashikuara. Po kalonin ditë, javë e muaj, me biseda diplomatike e të nëndheshme, por pa arritur në asnjë përfundim...

“Panorama” shpall “Mëkatarët 3”

Mëkatarët, duket se nuk do të bëjnë gjumë të qetë derisa avokat Nafiz Bezhani, të pushojë së botuari fakte, dosje dhe informacione për ta. “Mëkatarët 3”, është libri i serialit, ku Bezhani, i vetmi “eksplorator” civil me liçensë ligjore i arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, del së shpejti me librin e tretë. Bëhet fjalë për një prerje tërthore, që ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Figurës së Zyrtarëve, Bezhani, i bën klasës aktuale politike dhe gjithë zyrtarëve të nivelit të lartë dhe të mesëm të administratës shqiptare. Gazeta “Panorama”, duke nisur që sot, me lejen e autorit, fillon botimin e një seriali shkrimesh të përzgjedhura nga “Mëkatarët 3”. Sot dhe nesër do të lexoni historinë e familjes së parë shqiptare (Popa) që kërkoi azil politik në ambasadën italiane në vitin 1985 dhe lojën e sigurimit në ngjarjen më të bujshme të atyre viteve. Gjithashtu, në vazhdim, gazeta do të botojë përpara daljes në qarkullim të këtij libri, fakte dhe informacione interesante dhe komprometuese, për disa figura të njohura të politikës aktuale, të majtë e të djathtë. Avokat Bezhani, pasi ka zbërthyer klasën politike shqiptare “në demokraci”, duke zbardhur lidhjet e saj me Sigurimin e Shtetit, vazhdon të zbardhë dosjet që ka pasur në dispozicion, gjithmonë duke ruajtur sekretin. Interesante ashtu si te “Mëkatarët 1”, janë lidhjet e politikanëve dhe familjarëve të tyre me shërbimet e huaja. Nga “Mëkatarët 3”, “Panorama” së shpejti do publikojë rolin e lobingjeve greko-amerikane në politikën dhe ekonominë aktuale shqiptare…
 
kete ngjarje e mbaj mend kur kishte ndodhur,atehere isha i vogel por fliteshe shume per kete ngjarje ne lagje dhe kudo neper shtepira.ishte shume tronditese per sistemin e atehershem.
te vetmen gje qe nuk dija dhe po e mesoj tani eshte se babi i tyre ishte bashkepunetor i ngushte i fashisteve ne '39,ndoshta dhe spiun i tyre.po te jete keshtu atehere mire jau bene qe i degdisen ne kulle.
tradhetaret e luftes NC duheshin denuar dhe jo agallaret,bejleret apo te thjeshtit.
 
Titulli: Ekskluzive/Nafiz Bezhani, rrëfen ngjarjen më të bujshme pas vdekjes së Enver

kete ngjarje e mbaj mend kur kishte ndodhur,atehere isha i vogel por fliteshe shume per kete ngjarje ne lagje dhe kudo neper shtepira.ishte shume tronditese per sistemin e atehershem.
te vetmen gje qe nuk dija dhe po e mesoj tani eshte se babi i tyre ishte bashkepunetor i ngushte i fashisteve ne '39,ndoshta dhe spiun i tyre.po te jete keshtu atehere mire jau bene qe i degdisen ne kulle.
tradhetaret e luftes NC duheshin denuar dhe jo agallaret,bejleret apo te thjeshtit.

Edhe sikur i jati te ishte fashist, ata nuk duheshin te denoheshin. E para njeriu duhet te denohet vetem per krimet qe bene vete. Sikur te denoheshin femijet per krimet e te jatit, ateher femijet e Enver Hoxhes e Mehemt Shehut qe bene krimet me te ndyra qe ka njohur historia Shqipetare, duhet te denohen me vdekje, jo vetem femijet po edhe femijet e femijeve. Per me shume, i jati i Skender Gjinushit ishte kriminel, duhet ne te denojme Skender Gjinushin?

E dyata, denimi duhet te jet proportional te krimi. Njeriu qe bene nje krim te vogel, duhet te marr nje denim te vogel. Vetem qeverit barbare, japin denime shume te medha per krime te vogla, sepse ne kete menyre ato krijojne nje fryme frike, dhe qendrojen ne fuqi.

E treta dhe e fundit, kudo ne Everope kishte njerez qe colaboruan me fashizmin o nazizmin, dhe ata qe bene krime u denuan ne Evropen Perendimore nga gjygje te drejta. Qe do te thote njerzit nuk ishin torturuar, gjykatesit nuk mbanin anenen e qeveris, dhe kishte avukat mbrojtes. Keto gjygje nuk u bene ne Shqiperi, keshtu asnje nuk e di kush ishte kriminel, e kush u denua padrejtesisht sepse Enveri dhe krimbat e tij donin te rinin ne qeveri.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top