Darius
DENY IGNORANCE
Pas afro 18 vjetësh që kishte “braktisur” de facto Partinë Demokratike, Eduard Selami, ish kryetari i saj, është rikthyer një herë e mirë duke u afruar sërish me Berishën.
TIRANE- Pas afro 18 vjetësh që kishte “braktisur” de facto Partinë Demokratike, Eduard Selami, ish kryetari i saj, është rikthyer një herë e mirë duke u afruar sërish me Berishën. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” në Tv Klan, Selami theksoi faktin se ai asnjëherë nuk ishte larguar nga PD formalisht dhe se ende sot është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
A keni ju një ftesë konkrete për t’u angazhuar në politikë?
Unë asnjëherë nuk jam larguar përfundimisht, por nuk është se në çdo fushatë që vjen unë mezi pres që të afrohem.
Keni pasur oferta më parë?
Kam pasur kontakte dhe sugjerime, por asnjëherë ato nuk janë zyrtarizuar.
Kanë munguar ftesat apo ka munguar dëshira?
Nuk them se ka munguar dëshira ime, por them se pozicioni im është paksa delikat se kam qenë larg. Por unë jam pjesë e strukturave të PD, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
E keni ushtruar këtë detyrë si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD?
Sipas mënyrës sime po, edhe ky prononcim që jap sot flet për këtë. Kam dhënë mendimin tim, ka zëra të ndryshëm, ka mendime të ndryshme, ka njerëz që janë në distancë. Unë jam takuar me njerëz të ndryshëm, jam takuar edhe me z.Berisha.
Pse duhet të kemi besim tek ju kur ndarja juaj me PD ka qenë e vështirë?
E vështirë jo, problematike jo, u ndamë për shkak të një vizioni që kishim. Siç ishte Kushtetuta, nuk fitoi me votim dhe ne u ndamë. Ju keni qenë dëshmitar si gazetar kur ju kam bërë thirrje PD për ta votuar në Kuvend dhe jo me referendum. Unë dhe mund të mos e thosha dhe nuk më rrezikohej posti i kryetarit.
Pas largimit tuaj, keni bërë thirrje që të tjerët të mos largohen?
Jo drejtpërdrejt, por unë prapë isha kryetar i delegacionit të Këshillit të Europës dhe dhashë kontributin tim. Nuk kandidova në asnjë forum dhe mendova e mendoj se kam bërë një nga veprimet më të mira, pra vendimi për t’u rikthyer në karrierën time akademike.
Keni gati 18 vjet “divorc” me PD, si ka qenë raporti juaj gjatë kësaj kohe?
Kam qenë gjithmonë i lidhur me PD sepse nuk ka pasur divorc. Kam qenë gjithmonë përkrah PD-së, asnjëherë nuk jam larguar prej saj.
Ka pasur komente që ju do të kandidoni për një forcë politike të re?
As nuk jam kontaktuar dhe as nuk është një çështje.
Nëse do të angazhoheni në politikë kë do të zgjidhnit?
Forca që unë i përkas. Nuk ka asnjë ndryshim, asnjë dyshim, me PD.
Pra po të kishte ftesë nga PD do ta pranonit?
Me kënaqësi do ta pranoja ftesën për ta mbështetur.
Tani jeni i gatshëm ta lini jetën tuaj stabël në SHBA?
ثshtë mbase një nga vendimet e mia të vështira në jetë. Nëse PD do të kërkojë të më kandidojë, me kënaqësi do t’i përgjigjesha.
Keni pasur bisedime konkrete?
Me drejtues të PD, po, por kandidimi vjen nëpërmjet strukturave të partisë. Nuk kemi shkuar aq larg me biseda, këtu me ju është biseda që kemi shkuar më larg.
Pse besoni se PD ka ndryshuar sot?
Në çfarë kuptimi?
Në kuptimin e zhvillimeve të brendshme të PD dhe kontributeve që jep për vendin...
Unë mendoj se edhe më parë PD ka dhënë kontribut dhe kontributi më i madh është fakti që e solli Shqipërinë në rrugën e progresit siç bëri kur shembi komunizmin dhe e futi Shqipërinë në progres. Unë nuk kam menduar se PD nuk është një forcë progresive, po ta kisha këtë mendim, nuk do kisha mbështetur.
Edhe pas dy mandatesh?
Patjetër, nuk ka në Shqipëri ndonjë ligj, që të thotë se nuk ke të drejtë të qeverisësh pas dy mandatesh.
Cilat janë shanset e PD për një mandat të tretë?
Nuk do të jetë e lehtë, por shanset janë, është elektorati që vendos, por shanset janë.
Me çfarë shansesh del PD?
Me një bilanc pozitiv. Ka një shprehje: fushata elektorale bëhet në poezi zgjedhjet bëhen në prozë, ka shanse për një fitore të mundshme të PD. Shqiptarët me votën e lirë do ta vendosin.
Raportet tuaja me kryetarin e PD, pasi ju jeni takuar si janë. A ka pasur hije pas një takimi të gjatë?
Ka qenë një takim mjaft i sinqertë dhe i hapur, me vlerësime të dyanshme dhe nuk ka asnjë problem në këtë drejtim.
Pse ndarjet e viteve ’90 kanë qenë dramatike?
Unë nuk e quaj kështu, mbase dhe mungesa e eksperiencës dhe emocionet kanë qenë shumë më të forta në atë kohë. Sado dramatike të kenë qenë, shumica e atyre që janë larguar janë kthyer sërish në PD. Unë nuk jam larguar, por jeta ime ka marrë një drejtim tjetër.
Si e gjeni shoqërinë shqiptare sa herë ju ktheheni në vend?
Me kënaqësi e gjej me një progres të vazhdueshëm. Shqipëria e sotme është shumë herë më e mirë sesa Shqipëria e viteve të shkuara dhe unë për këtë jam i gëzuar.
A është Shqipëria, ajo që keni ëndërruar 22 vjet më parë?
Një përgjigje shkurt, PO. Dhe kjo më bën krenar, është një Shqipëri që ecën drejt Europës një vend në Këshillin e Europës, në NATO, një vend pranë Europës, një Shqipëri që ecën në të gjitha aspektet, një vend që është shumë pranë futjes në BE. Ka ikur ajo zymtësia e së kaluar.
Cilat kanë qenë gabimet më të mëdha të klasës politike?
Mendoj se është mungesa e eksperiencës, demokracia ka nevojë për të dyja palët, si për pozitën dhe opozitën, por ka gabime që mbajnë tensione të panevojshme. Duhet bashkëpunim. Sepse aty ku Shqipëria ka ecur më shpejt gjithmonë aty ku ka pasur një bashkëpunim. Kur tensionet politike ngrihen, Shqipëria është ajo që dëmtohet.
Cila është merita më e madhe e klasës politike?
Ajo që Shqipëria është në rrugën evropiane, në rrugën e forcimit të institucioneve. Unë e shikoj me kënaqësi debatin, ka pjekuri klasa politike siç ka edhe shoqëria shqiptare.
A mendoni se do të ketë largime drejt FRD, do të krijohen pakënaqësi në PD?
Këto kanë ndodhur gjithmonë në PD dhe janë kthyer sërish pranë saj. Kjo nuk e dëmton PD.
Si e shihni ju një koalicion të një force të djathtë si PD me një forcë të majtë si LSI dhe a ka funksionuar ky koalicion?
Si një pragmatizëm politik, si shenjë të pjekurisë të PD, nuk është një marrëveshje e bërë mbi bazën e ndjenjave dhe unë mendoj se Shqipëria ka përfituar nga kjo, megjithëse unë mendoj se ka mjaft në PD,që janë të pakënaqur. Por unë mendoj se i ka shërbyer Shqipërisë, sepse Shqipëria ka bërë hapa më progresive në këto katër vjet. Mendoj se ky koalicion ka futur elementë të rinj të kulturës demokratike. Ka të tjerë që mendojnë se janë pazare por unë nuk e shikoj kështu. E shikoj si një shenje maturie dhe pjekurie nga ana e PD dhe e politikës shqiptare. E kam uruar z. Meta për këtë hap që ka ndërmarrë, i kam thënë që është për të mirën e Shqipërisë dhe i qëndroj sërish kësaj pas katër viteve.
Ka pasur një deklaratë të SHBA për 21 janarin, si e shikoni?
Vendimi është akoma në proces, nuk ka mbaruar. Kështu që unë rezervoj një përgjigje. Sa për prononcimin e ambasadorit, ai vjen nga dëshira për të ndihmuar. Nuk duhet lexuar më shumë sesa duhet.
Ka pasur një reagim të SHBA për shtimin e deklaratave të nacionalizmit?
Nëse vjen nga ambasadori, ajo është linja zyrtare e SHBA. Unë mendoj se pati një rritje të natyrshme të patriotizmit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Shqetësimin e tyre unë e quaj të drejtë, sepse një ekstrem ushqen ekstremin tjetër dhe gjërat dalin nga duart. Ne nuk na intereson si Shqipëri që të futemi në rrugët e nacionalizmit. اështja shqiptare është në ditët e saj më të mira.
(e.m/GSH/BalkanWeb)