E megjithatë, Durrësi është Durrës……

E megjithatë, Durrësi është Durrës……si në të gjitha epokat historike, madhështor dhe hijerëndë



Shiko fotografinë 1787859
Si gjithë qytetet e Shqipërisë edhe Durrësi sot vuan “kusuret” e një kohe të vështirë të një kaosi urban në brendësi të qytetit, në periferi, por më tepër gjatë vijës bregdetare. Si gjithë qytetet e Shqipërisë ai është i ndotur nën dhé e mbi dhé. Si gjithë qytetet e Shqipërisë, por ky më shumë, përbmbytet e përbaltet me një vesë shi. Si në gjithë qytetet e Shqipërisë, edhe këtu s’ka punë, ka varfëri, madje edhe uri. Si asnjë qytet i Shqipërisë ai ka një bregdet, një det dhe një rërë që e ka pasur dhe e ka zili bota, por, fatkeqësisht, aq të populluara, sa të kall krupën uji i detit ku derdhen ujërat e zeza dhe mbeturinat njerëzore, rëra e pisët dhe “gardhimi anglez”, që i kanë bërë asaj pronarët e lokaleve, rrëmuja e çdo ore të ditës dhe të natës që të bën me dhimbjmë e koke. E, Megjithatë, Durrësi është Durrës, potencial dhe me peshë ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në të gjithë jetën e vendit, me një port nga më të dëgjuarit në Mesdhe dhe më i madhi në Ballkan, me një histori Antike e Mesjetare të pakrahasueshme dhe të admirueshme në Shqipëri, por edhe më gjerë…

Qyteti 3000-mijë vjeçar që ndodhet në zemër të Evropës krahasohet me qytetet më të mëdha të mesdheut Antik dhe Mesjetar. Qyteti Epidamn Dyrak u ndërtua nga Ilirët Taulant, dallëndyshasit në shekuj XIII-XI p.K. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë iliret të quajtur Dyrah dhe Epidamn. Mbreti Epidamn, ndërtoi pjesën e fortifikuar të qytetit në juglindje të Malit të Durrësit, kurse nipi i tij Dyrrak, ndërtoi Portin, që për shumë e shumë shekuj mban emrin e tij. Nga këto dy emra mbijetoi deri në ditët tona, emri Dyrrah-Durrësi, për vetë rolin e tij si liman-port. Emri i vërtetë i mbretit vendas Dyrrah, identifikohej dhe me konfiguracionin gadishullor të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahe), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit.

“Derë dhe dritare e Europës”

Qyteti i Durrësit në fillimet e tij, u zhvillua me shpejtësi për të mundësuar zëvendësimin e rolit të Trojës, duke u bërë pika më e përshtatshme ndërlidhëse midis Pelegi-Evropë dhe Hesperisë të populluar nga Tuskë e Dardanë. Në shekujt X-VIII p.K u krijua Federata Taulante. Në shekujt VII-III p.K Federata Taulante e shndërroi Taulaninë në shtetin kryesor Ilirisë të Ultësirës Perëndimore Panadriatike, duke e bërë kryeqendrën Dyrrah, qytet me zhvillim të gjithanshëm “Derë e dritare” të Evropës. Në shekujt II p.K deri X era e re, Evropa Perëndimore e njihte si shtet të pavarur brenda Perandorisë Romakë-Bizantine.

Në periudhën bizantin, kryeqendra e “Epirit të i Ri”

Gjatë periudhës Bizantine Durrësi, vazhdoi të mbetej qyteti më i rëndësishëm në brigjet perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Ai ishte kryeqendra e Provincës “Epiri i Ri”, ku përfshiheshin krahinat nga lumi Mat deri tek lumi Vjosa. Në kohën e Perandorit të Anastasit I (491-519) dhe Justiniani I (527-565), qyteti pësoi transformime të ndjeshme në strukturën urbane duke marrë tiparet e një qyteti tipik bizantino-kristian. Në shekujt VIII u formua në Durrës, Njësia Administrative “Ahrondia e Dyrrahut”, formë vetëqeverisëse e qytetit me krahinat përreth. Në vitet e para të shek. IX u themelua “Thema e Dyrrahut”, që kishte për qëllim mbrojtjen nga rreziku i sulmeve të Arabëve dhe Frëngëve si dhe për të përballuar presionet tregtare të Venedikut. Kjo njësi ushtarake-administrative, përfshinte trojet nga Tivari në veri e deri në Gjirin e Vlorës në jug. Ndërsa në lindje kufizohej më lumin Drin.

Mesjeta në Durrës

Me Durrësin, si kryeqendër të saj, u krijua dhe u përhap Qytetërimi Mesjetar, kultura arbnore, u kalua në sistemin feudal dhe në krijimin gradual të një shtresë fisnikësh të rinj. Gjithë ky proces, çoi nga formalizmi deri tek shkëputja e plotë e lidhjeve të zonës së Durrësit nga Bizanti.

Durrësi nën pushtimin osman

Pushtimi Osman pati pasoja të rënda për Durrësin. Qyteti më i madh dhe hijerëndë, u shndërrua në një qytezë më 100-120 shtëpi, dukë mbetur i tillë për një periudhë relativisht të gjatë. Vetëm në shekullin XVII, qyteti filloi të rimarrë vetën dukë u bërë qendër e tregtisë transite dhe skela kryesore Shqipërisë së Mesme. Në reformën administrative të vitit 1888, Durrësi ishte Sanxhak i vilajetit të Shkodrës. Në fillim të vitit 1912 qyteti më rreth 4700 banorë, ishte një linjë kryesore ndërlidhjeje midis qendrave të lëvizjes kombëtare.

Durrësi sot

Në qendër të Durrësit, ndodhet Amfiteatri më unik në të gjithë Ballkanin. Trashëgimia arkeologjike e qytetit e bën të natyrshme që çdo qytetar Durrsak të ndjehet krenar për qytetin e tij. Durrësi i cilësuar si Taverna e Adriatikut, mirëpret në kohët moderne, turistë dhe vizitorë nga e gjithë bota. Tashmë Durrësi është përfshirë në projekte të fuqishme të Bankës Botërorë dhe Agjensive të rëndësishme ndërkombëtare. Ai ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik lokal. Turizmi dhe vlerat arkeologjike, presin çdo turist dhe vizitor për të shijuar bukuritë natyrore dhe për të prekur dhe parë nga afër lashtësinë. Zhvillimi ekonomik dhe interesi i madh për të sjellë në Durrës eksperiencat më të mira të vendeve të zhvilluara, i ofrojnë investitorëve dhe biznesmenëve mundësi dhe terren për të arritur sukses në aktivitetet e tyre. Mjedisi shumë i favorshëm, mundëson krijimin e zonave industriale, krijimin e plazheve elitarë në zona të virgjëra, studime e master plane, zbulime arkeologjike, si edhe ndërtime të rrugëve të reja në përmirësimin e infrastrukturës. Politikat ekonomikë financiarë lokale, lehtësojnë investitorët në sipërmarrjet e tyre. Përpos gjithçkaje qyteti legjendë i 3 mijë viteve më parë në ditët e sotme është një nyje kryesore e vendit për transportin detar, rrugor, dhe hekurudhor.

Monumente historike
Shiko fotografinë 1787860
Amfitetari i Durrësit është unik në llojin e tij në Shqipëri dhe më gjerë, me vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion, krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha, me kapacitet 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi

Mozaikët

Mozaiku i Orfeut në qytetin e Durrësit është i fundit zbuluar në Durrës. Ai prezanton figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Mozaiku duhet të jetë punuar aty nga fundi i shekullit III pas Krishtit. Në Durrës, qytet, dhe periferitë e tij, janë zbuluar disa nga mozaikët më të bukur në vend, të cilët i përkasin periudhave të ndryshme historike. Përveç mozaikut të njohur “Bukuroshja e Durrësit” që i përket shek. IV para Krishtit dhe është ekspozuar në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë, i vizitueshëm është dhe mozaiku i Amfiteatrit, që vetëm në raste të veçanta hapet, dhe ai i bazilikës së Arapajt. Ndërkohë mozaiku i Hipokampit ose Kalit të Detit, ai i Pallatit të Sportit, mozaiku pranë depos së ujit etj., do të ngelen të konservuar, në pritje të një kohe tjetër dhe të të tjera kushteve për ekspozim.

Durrësi i vjetër…

…nën ujë…

Burimet e shkruara tregojnë për tre tërmete të tmerrshëm dhe për ujin e detit që përmbyti një pjesë të qytetit të lashtë të Durrësit e që herë pas here “ndërroi vendin”. Arkeologu dhe studiuesi i njohur durrsak, Hasan Ulqini, jep të dhëna për fatkesitë dhe inondatat natyrore që ka kaluar Durrësi. Të vjetrit kanë treguar për një mur të lashtë nën ujë në zonën e Currilave, plazhi në afërsi të Durrësit, por që nuk është studiuar. Një mur tjetër është ndeshur qindra larg molit të vogël të Portëzës, ku sot derdhet hidrovori. Rreth dhjetë milje larg bregut, në vijë të drejtë me Bishtin e Pallës deri në afërsi të Kepit të Rodonit, është një zonë e tërë që detarët e quajnë “qyteti”. Rrjetat e hedhura këtu herë pas here kanë nxjerrë dhe objekte të lashtësisë, amfora, solene, fragmente arkitektonike etj. që dëshmojnë për një Durrës të lashtë nënujor.

…dhe nën pallate

Durrësi ka një specifikë të veçantë, ai shtrihet i gjithi mbi qytetin e vjetër. Jo vetëm tani, por edhe në shekuj e vite historikë, në qyetërime dhe periudha të ndryshme ndërtimet janë mbivendosur mbi gërmadha dhe zona arkeologjike. Në çdo kohë ndërtimet e reja kanë paraqitur rrezik arkeologjik për qytetin. Mendohet se shumë thesare fshihen ende nën themelet e ndërtesave të vjetra. Por është për të ardhur keq se në “vitet e demokracisë” Durrësi është “masakruar” nga ana e objekteve kulturore. Shumë objekte arkeologjike janë shkatërruar natën për të hedhur themelet e pallateve të reja. Ndërtimi në Durrës është një çështje me ndjeshmëri të madhe, pasi përmban konflikt të madh interesash midis arkeologëve dhe studiuesve dhe ndërtuesve apo pronarëve të trojeve përkatëse.

Gjiri i Durrësit, i gjithi plazh

Gjiri i Durrësit është 18 km i gjatë dhe 3.8 km i gjerë duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke përfunduar tek Kepi i Bishtit të Barbaut. Durrësi ofron një vijë të bollshme bregdetare me një numër të konsiderueshëm plazhesh, lokalesh e argëtimesh të pafund, deri në Kavajë, ku ndodhet një nga vendet më të pëlqyer për plazhin e të rinjve “Shkëmbi i Kavajës”. E gjithë vija bregdetare e Gjirit të Durrësit, veç pjesës së qytetit ëshë e kthyer në plazh, një ndër plazhet më interesantë dhe modernë ku çdokush preferon të shkojë për t’u relaksuar. Shumë pranë Tiranës për gjithsecilin është një zgjedhje e shpejtë dhe e leverdishme. Duket se kohët e fundit interesi ndaj Durrësit është rritur sidomos nga shqiptarët jashtë kufirit si kosovarët, apo shqiptarët e Malit të Zi, të cilët kanë ngritur edhe biznese e vila pushimi aty. Autostrada që lidh qytetin bregdetar me kryeqytetin bën që atje të shkohet mjaft lehtë, pavarësisht trafikut që me stinën e verës vjen e rëndohet, kryesisht nga dyndja e pushuesve dhe mbërritja e refugjatëve. Ajo çfarë të shtyn drejt pushimeve në Durrës, është edhe mundësia për të njohur historinë e këtij qyteti të lashtë.



Porti i Durrësit
Shiko fotografinë 1787861
Porti i Durrësit ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1,4 km² dhe një akuatorium prej 0,67 km². Kanali i hyrjes është 9,5 m i thellë, 40 m i gjerë dhe 1,2 milje i gjatë. Në port funksionojnë 11 kalata operues nga 6,6-11 m të thella më një gjatësi rreth 2.200 m. Sipërfaqja totale për depozitimin e mallrave është 270.000 m² nga të cilat 27.000 m² janë të mbuluara. Në portin e Durrësit ngarkohen dhe shkarkohen të gjitha llojet e mallrave mineralëe, karburante, çimento dhe artikuj të kategorive të ndryshme. Në port gjendët dhe terminali i trageteve, i cili ka në dispozicion një nga kalatë me gjatësi 186 m dhe zhytje që varion nga 7,40-7,90 m. Në këtë terminal, gjatë vitit 2002, u përpunuan 1.683 tragete më 600.500 pasagjerë, 138.000 automjete dhe 368.000 ton mallra. Terminali i konteniereve është në fazën ndërtimore. Përveç kalates dhe sheshit që ka në dispozicion, në ndihmë të terminalit të konteniereve në portin e Durrësit ndodhen edhe një sërë pajisjesh që ndihmojnë në ngarkim-shkarkimin e tyre. Porti i Durrësit ka përfituar gjithashtu një kredi prej 17 milion euro nga Banka evropianë e Zhvillimit. Projekti përfshin ndërtimin e terminalit të ri të trageteve dhe rikonstruksionin e tij ekzistues. Në port funksionojnë rreth 75 agjenci detare nga të cilat 6 agjenci detare që trajtojnë 14 tragete udhëtarësh dhe automjetesh. اdo javë në këtë port akostohen rreth 40 tragete që lidhin Durrësin më portet e tjera të Mesdheut. Durrësi është një ndër qytetet e të gjitha llojeve të transportit. Porti i Durrësit, është një nga portet më të vjetra të Evropës në detin Adriatik dhe një nga kryeurat ballkanikë të komunikimit të perëndimit më lindjen dhe anasjelltas. Ai është përcaktuar si një pikë hyrje për Korridorin e 8-të të transportit që fillon nga Shqipëria, kalon nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë për të mbërritur në portin e Varnas dhe Burgasit në Detin e Zi. Ky port është më i madhi në vend, i cili mbulon rreth 85 % të import-eksporteve shqiptarë të mallrave dhe më i rëndësishmi në Shqipëri për transportin detar të udhëtarëve.
Lajmi më i fundit

Pardje Ministria e Kulturës në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit kanë mundësuar dëmshpërblimin e banorëve që jetojnë mbi amfiteatër për t’i krijuar mundësi gërmimeve të mëtejshme për zbulimin e plotë të tij. Banesat e ndërtuara dekada më parë mbi arenën e amfiteatrit antik, prej vitesh ishin bërë pengesë për zbulimin e plotë të tij. Me largimin e tyre, arena e amfiteatrit do të hapet plotesisht, duke u kthyer ndër sitet me atraktive për t’u vizituar. Gjithçka do të kryhet në mënyrë të kujdesshme, që të mos ketë asnjë lloj dëmtimi, për zonën arkeologjike.
dita
 
Titulli: E megjithatë, Durrësi është Durrës……

Durresi eshte i rendesishem pasi ka portin detar me te madh ne vend!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top