Decentralizimi - standard i obligueshëm vetëm për shqiptarët në Ballkan?!

Ado

FISEBILIL-LAH
Decentralizimi - standard i obligueshëm vetëm për shqiptarët në Ballkan?!

Prof.dr. Mehdi Hyseni
Prof.dr. Mehdi Hyseni

Në etapën vendimtare historike, kur Kosova i plotëson të gjitha kushtet juridiko-politike dhe ligjore sipas së drejtës ndërkombëtare, që të njihet si shtet i pavarur sovran në Ballkan, UNMIK-u, Qeveria mulate e Kosovës dhe Serbia kanë rënë në ujdi të përbashkët, që në Kosovë, së pari të fillojë zbatimi i procesit të decentralizimit, ashtu, siç është sanksionuar paraprakisht ky “institut juridik” në dokumentet ligjore të Qeverisë dhe të Parlamentit të Republikës së Serbisë për Kosovën, sipas të cilave “Kosova parashikohet pjesë integrale e territorit etnik dhe administrativ të Serbisë”. Pse Serbia e ndihmuar nga UNMIK-u dhe nga Bashkimi Evropian (BE) nuk po zgjedh mjete dhe forma për të decentralizuar Kosovën në favor të së “drejtës së autorësisë” koloniale të Serbisë dhe të Malit të Zi, nuk është kurrfarë novus-i, duke qenë se sipas kushtetutës në fuqi të Republikës së Serbisë dhe të Kartës kushtetuese të Unionit të SMZ-së, “Kosova është pjesë e Serbisë, përkatësisht e SMZ-së”.

Mirëpo, habit fakti se si qeveria dhe politika zyrtare e Kosovës (para se të zgjidhej statusi përfundimtar i Kosovës) janë pajtuar me politikën zyrtare të qeverisë së Serbisë, të UNMIK-ut dhe të BE-së, që të zbatohet procesi i decentralizimit të imponuar në territorin e Kosovës, në emër dhe, për hir të “mbrojtjes” së të drejtave dhe lirive të minoritetit serbomalazez në Kosovë,”mbrojtje” kjo, e cila Serbisë i garanton statusin e mëtejmë të sovranitetit kolonial mbi Kosovën shqiptare. Bashkëpjesëmarrja e qeverisë së Kosovës në hartimin, në mbështetjen, në miratmin dhe në zbatimin e drafteve të saj “piloteske” të decentralizimit, sipas alfabetit=brumit serbomalazez dhe euro-ndërkombëtar: “A, B, C” të analfabetëve politikë shqiptarë të qeverisë mulate të Kosovës, justifikon dhe legjitimon të drejtën historike dhe juridike kolonialiste të Serbisë, përkatësisht të Unionit të SMZ-së mbi Kosovën si “pjesë integrale e tyre”, ashtu siç parashikojnë: Kushtetuta, plani, rezoluta, deklarata për Kosovën, të miratuara nga Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë “demokratike” me të cilën, fatkeqësisht, qeveria e sotme e Kosovës ka gjetur gjuhë të përbashkët dhe interesa komplementare për të zbatuar decentralizimin si “proces ligjor-historik” serbomadh në kurriz të ricopëtimit të territorit etnik shqiptar të Kosovës.

(1) Ricopëtimi i Kosovës sipas “drafteve juridike” të politikës centralizuese-kolonialiste të Serbisë

Bazënisje për të hapur “portën e ndryrë” të negociatave me politikën zyrtare të qeverisë së Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe së bashku me qeverinë serbe të Beogradit me kohë ka sonduar terrenin (duke e bojkotuar dhe akuzuar UNMIK-un qe gjashtë vjet radhazi/1999-2005/, se kine së bashku me palën shqiptare janë fajtorët kryesorë për “mohimin” e të drejtave dhe lirive të serbëve në Kosovë) politiko-propagandistik dhe diplomatik para bashkësisë ndërkombëtare, duke nxjerrë tre akte kryesore ligjore për “shpëtimin” e minoritetit serb në Kosovë, përkatësisht për rikthimin e Kosovës në sovranitetin e vjetër kolonial të Serbisë: (I) “Deklarata për Kosovën, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, më 27 gusht 2003”.

Në pikët 8 dhe 10 të konkluzioneve të kësaj Deklarate, thuhet: “ Për statusin e Kosovës nuk mund të fillohet kurrfarë debatimi, përderisa të mos plotësohen standardet për jetën mulitetnike dhe të mos zbatohet decentralizimi i Kosovës në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara (10.VI.1999), me rekomandimet e “Projektrezolutës për autonominë speciale të Kosovës” së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (24.06.2003), me dispozitat e Marrëveshjes tekniko-ushtarake për Kosovën (9.VI.1999), si dhe me Dokumentin e përbashkët për bashkëpunimin e RFJ-së me UNMIK-un (5.XI.2001), që të gjitha këto akte normative-juridike dhe politike, ndër të tjera, parashikojnë (dy pika kyç): (1) Kthimin e të shpërngulurve serbomalazezë dhe, (2) fillimin e zbatimit të procesit të decentralizimit të Kosovës, si mekanizëm i garancisë së statusit kolektiv dhe të drejtave kolektive të bashkësisë nacionale serbe në Kosovë”. (Burimi:”SG RS ,br.36, 23. 08. 2003); (II) ”Rezoluta për Kosovën”(26.04.2004), e hartuar dhe e miratuar nga Kuvendi Popullor i Repubikës së Serbisë, sipas Nenit 73 pika 2 (qëndrim-kërkesa nën /a/), thuhet: “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë dhe e Bashkësisë Shtetërore Serbia dhe Mali I Zi”. (Burimi: SG RS,br.26.26.03.2004); (III) Në “Planin për zgjidhjen politike të situatës së tanishme në Kosovë” (29.IV.2004), i hartuar dhe i miratuar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, sipas Nenit 73 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, thuhet se: “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë dhe e Bashkësisë Shtetërore Serbia dhe Mali i Zi”.(Burimi:SG RS, br.33, 29.04.2004).

Duhet të nënvizojmë se të gjitha këto dokumente me peshë ligjore dhe politike, të miratuara nga qeveria dhe kuvendi i Serbisë për Kosovën përbëjnë bazën e platformës politike kolonialiste të Serbisë, përkatësisht të Unionit të SMZ-së, që përmes institucionit decentralizim, të dekompozojnë territorin etnik shqiptar të Kosovës në pjesë të veçanta të enklavave të minoritetit serb (pa marrë parasysh sesa do të jetë numri i krijimit të komunave serbomalazeze në truallin etnik shqiptar të Kosovës). Një copëtim i këtillë i territorit etnik të Kosovës, e parashikon edhe kjo “klauzolë” e Planit të Serbisë për Kosovën: “ Plani i propozuar duhet të caktojë parimet, suazat dhe institucionet e autonomisë territoriale për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshqiptare.

Ky Plan nuk do të rrezikonte tërësinë territoriale të Krahinës, as të drejtat ligjore të komunitetit etnik shqiptar. Parimi i "autonomisë brenda autonomisë" nuk është heqje dorë nga parimi i ndërtimit të shoqërisë multietnike e multikulturore të Krahinës, por përkundrazi, është e vetmja mënyrë e realizimit të këtyre parimeve. (Po aty, “Palni i Serbisë për Kosovën”, nr.33.29.04.2004). Ja, pra edhe ky paragraf i “Planit të Serbisë për Kosovën” haptazi nxjerrë në shesh synimin e fundit të politikës serbomadhe të Beogradit ndaj neokolonizimit të territorit të Kosovës, duke kërkuar krijimin dhe njohjen e “autonomisë territoriale dhe politike serbe” në kuadrin e autonomisë territoriale e gjeopolitike shqiptare të Kosovës. Për më tepër, përmbajtja e këtij paragrafi: “autonomi brenda autonomisë” si para opinionit të brendshëm, ashtu edhe para atij ndërkombëtar, pretendon që “ligjërisht” përmes zbatimit të “standardit ndërkombëtar” të decentralizimit të justifikojë të “drejtën e autorësisë” koloniale dhe neokoloniale serbe të Beogradit mbi Kosovën indigjene të Shqipërisë Etnike.

Mirëpo, pavarësisht nga interpretimi serb i “parimit”: “autonomi brenda autonomisë”, kjo “formulë” e vjetër e kolonialzimit dhe e militarizmit serbomadh, juridikisht as ligjërisht nuk ka kurrfarë baze të vlefshme që të zbatohet në praktikë, edhe pse është shprehur në frymën e floskulës politiko-propagandistike të Beogradit zyrtar, i cili edhe pa prezencën e ish-kryetarit të Serbisë gjenocidale (diktatorit), Slobodan Milosheviq, po orvatet që këtë ta jusitifikojë para OKB-së, OSBE-së, BE-së etj. si “parim me bazë ligjore-juridike” për krijimin e një Kosove “ të re multietnike dhe multikulturore”, në përputhje me “standardet ndërkombëtare”, por vetëm në kuadrin e jurisdikskionit territorial dhe shtetëror të sovranitetit kolonial të Serbisë, përkatësisht të Unionit të SMZ-së. Pavarësisht se kjo “formulë” serbomadhe për ricopëtimin dhe rikolonizimin e mëtejmë të Kosovës ( përmes decentralizimit, ashtu siç parashikojnë të tre dokumentet e theksuara të qeverisë dhe të kuvendit të Serbisë, se “Kosova është pjesë e Serbisë, përkatësisht e SMZ-së”) ka gjetur mbështetje direkte nga ana e disa faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare (UNMIK, OSBE, BE), qeveria as populli shqiptar i Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojnë zbatimin e një “formule” të tillë, sepse është me bazament të kolonializmit dhe të imperializmit të vjetër dhe të ri të Serbisë së madhe në kurriz të përthithjes së territorit të Kosovës dhe të territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike.

2. Së pari, decentralizimi i Serbisë, i Malit të Zi, i Greqisë dhe i Maqedonisë e pastaj decentralizimi i Kosovës!

Shumë thjesht, meqë procesi i decentralizimit qenka “parim juridik ndërkombëtar” për zgjidhjen e konflikteve koloniale dhe ndëretnike në dimensione ndërkombëtare, atëherë edhe politika shqiptare në të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike, nuk do të kishte asnjë arsye pse të mos e pranonte zbatimin e këtij mekanizimi ligjor për zgjidhjen graduale të çështjes koloniale shqiptare në Ballkan. Natyrisht, këtë “formulë shpëtimtare” si politika shqiptare, ashtu edhe i gjithë kombi shqiptar në rajonin ballkanik, duhet ta kenë pranuar vetëm me këtë kusht reciprociteti: - Së pari, decentralizimi i SMZ-së, i Maqedonisë dhe i Greqisë, pastaj i Kosovës, përkatësisht i Shqipërisë Etnike.

Vërtet, po qe se përfaqësuesit kompetentë të BE-së, të OKB-së, të OSBE-së etj. (sipas marrëveshjeve dhe ligjeve të tyre të miratuara në favor të integrimit, të rajonizimit dhe të decentralizimit të Evropës, së këndejmi edhe të Ballkanit) konsiderojnë se decentralizimi është instrument i pashmangshëm ligjor dhe universal demokratik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve ndëretnike rajonale dhe ndërajonale në Evropë, atëherë, patjetër, ata, duhet të revidojnë “itinerarin” e zbatimit të decentralizimit, të cilin e kanë filluar në Kosovë, si mbështetje direkte të planeve dhe të ligjeve rikolonizuese të Serbisë.

Për të mos rënë viktimë të politikës ditore shqiptare, të politikës pushtuese kolonialiste të Serbisë, si dhe të mbështetësve të tyre evro-ndërkombëtarë (BE, OKB, OSBE etj.), se me zbatimin e “formulës së decentralizimit” në Kosovë në llogari të “mbrojtjes” së të drejtave elementare të minoritetit serbomalazez, do të arrihej “pajtimi, siguria, paqja dhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë si bashkësi multietnike, por në tërë rajonin ballkanik”, shqiptarët e Kosovës dhe të të gjithave treva të tjera të Shqipërisë Etnike, të kolonizuar nga serbosllavët, njëzëri dhe pa vonuar, duhet të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare, që procesin e decentralizimit universal, (BE-ja, OKB-ja dhe OSBE-ja), së pari ta fillojnë në Serbi, në Mali të Zi, në Maqedoni dhe në Greqi, (jo në Kosovës, as në Shqipëri) ku të drejtat dhe liritë e minoriteteve josllave: të shqiptarëve, të hungarezëve, të myslimanëve dhe të kroatëve janë nën çdo minimum të standardit të respektimit dhe të përligjjes së tyre sipas marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të minoriteteve.

(A) Duke qenë se, veç problemit kolonial të Kosovës, Serbia dhe Mali i Zi po ballafaqohen edhe me problemet e pazgjidhura shekullore të minoriteteve (shqiptare, kroate, myslimane dhe hungareze etj.) në “Luginën e Preshevës” (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë etj.), ku shumica dërrmuese e popullatës është shqiptare, ku sipas së drejtës së tyre historike (sepse Anamorava është pjesë integrale e Shqipërisë Etnike) dhe të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj evropiane, kanë plotësisht të drejtë ligjore në realizimin e kërkesës së autonomisë së tyre territoriale, politike dhe kulturore (gjithsesi më shumë) sesa po kërkon Serbia me planet, me rezolutat, me kushtetutat dhe me deklaratat e saj për minoritetin e saj serbomalazez në Kosovë, ku identiteti i përgjithshëm i tyre nuk mund të krahasohet me identitetin e shqiptarëve të Anamoravës, sepse minoriteti serbo-malazez në Kosovë ka statusin e kolonizatorit në tokë të huaj, që nga viti 1912 e deri më sot, kurse shqiptarët në Preshevë, në Bujanoc, në Medvegjë etj., që nga viti 1876 kanë statusin e kolonizuar vasal nën Serbi, edhe pse ata janë në token e tyre indigjene të Shqipërisë Etnike.

Pra, në rastin konkret, tërheqja e një paralelizimi mes minoritetit kolonizues serbomalazez në Kosovën shqiptare dhe minoritet shqiptar, të kolonizuar nën Serbi, historikisht, ligjërisht dhe juridikisht nuk është i barasvlershëm në asnjë segment të pozitës së tyre, kur është fjala për realizimin e të drejtave dhe të kërkesave të tyre për autonominë e tyre territoriale dhe politike. Edhe sipas parimit të decentralizimit, pala shqiptare në Anamoravë, e gëzon të drejtën e autonomisë së plotë brenda kufijve ekzistues artificialë administrativë të Serbisë, kurse pala e minoritet serbomalazez në Kosovë nuk e gëzon një të drejtë të tillë, sepse është minoritet në përqindje 10%, kurse shqiptarët në trekëndshin e theksuar të Anamoravës përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë rreth 90%, si dhe janë në tokën e tyre stërgjyshore, kurse 10% serbomalzez është element ardhacak-pjellë e politikës pushtuese barbarike të Serbisë dhe të Malit të Zi, i cili nuk gëzon asnjë të drejtë, që të realizojë ndonjë “autonomi mbi autonomi” (sipas planeve dhe drafteve “ligjore” dhe “demokratike”, të miratuara të Serbisë, sipas të cilave “Kosova është pjesë e Serbisë+Malit të Zi) në kurriz të copëtiomit të ndonjë pjese të territorit të Kosovës shqiptare.

Shikuar realisht dhe drejtësisht gjendja e përgjithshme e shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës së kolonizuar dhe të terrorizuar nga sundimi kolonial shekullor serb, së pari, kërkon zbatimin urgjent të procesit të decentralizimit dhe të rajonizimit të Serbisë, e jo të Kosovës në asnjë mënyrë, sepse nuk ekziston asnjë arsye humane, as ligjore, që Kosova në emër të “decentralzimit universal”, të ricopëtohet në favor të enklavave dhe të eksklavave serbomnalazeze kolonizuese, duke iu njohur autonominë e tyre të plotë territoriale dhe politike (autonomi mbi autonomi-shtet mbi shtet) me institucionet e tyre përkatëse të pushtetit shtetëror si pandan të pushtettit shtetëror shqiptar në Kosovë.

(B) Gjithashtu, do të ishte amorale, jodemokratike dhe joligjore, që Bashkimi Evropian (BE) si dhe të gjitha instancat e tij vepruese, të angazhohen në përfundmin e marrëveshjeve të ndryshme me Unionin e SMZ-së, që ky shtet me hipotekë të paamnistueshme gjenocidale (1990-1999) kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve, në një të ardhme të afërt të aderojë në “familjen” e BE-së, si dhe, ç’është edhe më e keqe dhe më fatale ta decentralizojë-ricopëtojë rajonin e Kosovës shqiptare në favor të sundimit kolonial të Serbisë, para se të jetë decentralizuar në kuptimin politik dhe territorial vetë Serbia dhe Mali i Zi, duke iu njohur dhe garantuar ligjërisht (sipas rregullave dhe normave ndërkombëtare) autonominë e plotë shqiptarëve në “Luginën e Preshevës” (Anamoravës, historikisht pjesë e natyrshme e territorit të Shqipërisë Etnike); myslimanëve boshnjakë (me prejardhje shqiptare, por të asimiluar me dhunë dhe me terror gjenocid nga sundimet e deristome kolonialiste serbomalazeze) në “Novi Pazar” (Tregu i Ri), që territorialisht i përket Kosovës, përkatësisht Shqipërisë Etnike; shqiptarëve në Mal të Zi; kroatëve në Vojvodinë etj.

Me një fjalë, para se të jetë rrubullakësuar procesi i dcentralizimit dhe i rajonizimit të Serbisë dhe të Malit të Zi në favor të minoriteteve të theksuara shqiptare, kroate, myslimane etj., shqiptarët nuk do të duhej të pranonin asnjë lloj decentralizimi në Kosovë (pavarësisht nga planet grabitçare kolonilaiste të Serbisë dhe të Malit të Zi, si dhe të ultimatumeve e diktateve të BE-së, OSBE-së dhe të OKB-së, që në rastin konkret të decentralizimit të Kosovës sheshazi e favorizojnë “formulën” e vjetër me përmbajtje serbomadhe: “Kosovë multietnike-decentralizuese” nën jurisdiksionin e deritashëm kolonial të Serbisë), sepse ky virus, ia shtuquajtur “parim juridiko-demokratik”, i legalziuar dhe i mbështetur nga BE-ja, nga Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe e Boris Tadiqit, e Vojislav Koshtunicës, e Nebojsha اoviqit, e vladika Artmeijes, si dhe nga qeveria mulate e Bajram Kosumit, ka për qëllim jo vetëm ricopëtimin e territorit të Kosovës, por edhe të territorit të Veriut dhe të Jugut të Shqipërisë së sotme (50%) të pavarur ngase atje sipas “parimit decentralizues” të BE-së, të Unionit të SMZ-së, të Greqisë dhe të Maqedonisë, minoriteti serbomalazez dhe greko-maqedonas, tanimë kanë përgatitur “draftet piloteske” “A, B, C”, që të zbatohen edhe në enklavat dhe në eksklavat e tyre në rajonet e theksuara të Shqipërisë, duke marrë për bazë rastin drastik dhe iracional të “decentralizimit” të Kosovës.

(C) Nëse, vërtet, fenomeni i decentralizimit është “insitut juridik”dhe “demokratik” ndërkombëtar, me peshë detyruese të zbatimit të tij për zgjidhjen e problemeve ndëretnike në Ballkan, dhe më gjerë, atëherë pse ky parim të zbatohet në mënyrë selektive dhe të njëanshme vetëm ndaj shqiptarëve, pikë së pari në Kosovën, e cila që nga 10 qershori 1999 ndodhet nën protektoratin juridik dhe administraiv ndërkombëtar, kur dihet, se në kuptimin e cilësisë së subjektivitetit juridik ndërkombëtar Kosova ende nuk ka atributet elementare, as përkatëse të shtetit demokratik apo të centralizuar, sepse de jure ende është koloni-“pjesë integrale e territorit të SMZ-së”,sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pra, sipas kësaj logjike të politikës dhe të “drejtësisë” ndërkombëtare, si OKB-ja, BE-ja, ashtu edhe OSBE-ja, së pari, ligjërisht janë të obliguara të zgjidhin problemin kolonial të shumicës dërrmuese (mbi 90% shqiptarë me histori dhe me cilësinë autoktone të vazhdimësisë natyrore gjeopolitike dhe tradicionale të Shqipërisë Etnike), e si hap të dytë, me t’u krijuar Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, sikurse shtetet e tjera në Ballkan, Serbia (kuptohet sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e minoriteteve) ka të drejtë, që të interesohet për mbrojtjen dhe liritë e të drejtave të pakicës serbomalazeze, si fundërrinë e mbetur e sistemit kolonialist serbomadh.

Ndryshe, siç ka filluar tani Serbia me ricopëtimin e Kosovës përmes “decentralizimit evro-ndërkombëtar” (mjerisht, të mbështetur verbërisht, antikombëtarisht, andiligjërisht dhe antidemokratikisht edhe nga Qeveria mulate e Kosovës, e cila pa dyshim se, do të mbajë përgjegjësi të paamnistueshme para historisë dhe popullit të kolonizuar të Kosovës, po qe se realizohet “decentralizimi” i Kosovës sipas planeve kolonialiste të “shoferëve demokratë” të Serbisë së madhe dhe të “pilotëve stinorë” të Bashkimit Evropian(BE) dhe të OKB-së.

Derisa nuk është bërë vonë, qeveria e Kosovës dhe të gjitha strukturat e saj përcjellëse, do të ishte potez racional politik, kombëtar dhe demokratik, që sa më parë të jetë e mundur, të anulojnë çdo vendim të gabuar dhe proserb, që ka për qëllim decentralizimin-ricopëtimin e Kosovës në favor të krijimit të autonomisë territoriale dhe politike të minoritetit kolon serbomalazez, ashtu siç po kërkon Beogradi dhe aleatetët e tij mbështetës evro-ndërkombëtarë (BE-ja, OKB-ja dhe OSBE-ja), dhe në vend të zbatimit të të ashtuquajturave “drafte piloteske” (serbo-ervropiane) në Kosovë, së pari, në mënyrë ligjotre dhe demokratike, të marrin pëlqimin shumicës dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë, duke kërkuar, që ai në mënyrë të vullnetshme dhe demokratike, të deklarohet përmes institutit të Referendumit, pajtohet apo nuk pajtohet me zbatimin e procesit të “decentralziimit” dhe të rajonizimit të Kosovës, i cili do të ishte në dobi të njohjes së krijimit të autonomisë territoriale dhe politike të pakicës serbomalazeze, e jo të krijimit të asnjë bashkësie multietnike, as demokratike, siç propagandojnë në mënyrën më bizare antiligjore, antidemokratike dhe antishqiptare makroplanet “piloteske” të politikës pushtuese kolonialiste të Beogradit dhe të mbështetësve të tyre euro-ndërkombëtarë.

Prandaj, duke marrë për bazë realitetet e krijuara në Kosovë, si dhe të drejtën historike dhe të vetëvendosjes (si kushte dhe kategori të pashmangshme morale, ligjore dhe demokratike) së Kosovës së kolonizuar, qeveria e Kosovës, “topin” e procesit të decentralzimit, së pari, duhet ta rishkelmojë drejt në “portën” kryesore të Beogradit, i cili, patjetër, duhet ta ketë kusht të domosdoshëm si për hyrjen e Serbisë në negociata me Kosovën, ashtu edhe për kandidaturën e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian(BE). Pa plotësimin e këtyre dy kushteve:

Së pari (1), pa decentralizimin dhe rajonizimin e Serbisë (procese këto që nënkuptojnë shkëputjen e vazhdimësisë historike dhe politike nga Serbia gjenocidale dhe kolonialiste e Slobodan Milosheviqit, si dhe e pasardhësve të tij, si antitezë e domosdoshme e demokratizimit të Serbisë, si kusht për krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë në rajon), të mos fillohet asnjë lloj decentralizimi në Kosovë dhe, së dyti (2), pa njohjen e pavarësisë dhe të së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) nuk ka asnjë bazë të vlefshme ligjore, as morale, që ta ketë pranuar në radhët e “familjes “ intgeruese si anëtar të tij me të drejta dhe detyrime të barabarta as sot e as nesër, sepse SMZ-ja, së pari, duhet të “shkundet” ndërkombëtarisht (ashtu, sikurse Gjermania nazifashiste e Hitlerit dhe e bashkëpunëtorëve të tij kriminelë, më 1945 në Procesin historik gjykues të Nyrnbergut) nga hipoteka e saj gjenocidale dhe kolonialiste shekullore dhe e sotme (1990-1999), e pastaj, si shtet i ri demokratik dhe i decentralizuar, t’i hapen dyert edhe në BE, OKB,OSBE, NATO..., etj. Ndryshe, problemi kolonial i shqiptarëve në Ballkan, do të mbetet i pazgjidhur dhe me rreziqe të mëdha dhe të paparashikuara si për paqen, për qëndrueshmërinë, ashtu edhe për sigurinë e bashkëpunimin në rajon. Telegrafi.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 20.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 10.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 20.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 2 10.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 5 25.0%
Back
Top