Burra dhe joburra..

Love

βeℓℓe â๓e
NGA: ARDIAN VEHBIU

اështja e homoseksualitetit ndër shqiptarë kthehet herë pas here në debatet publike me protagonistë debatues zakonisht meshkuj. Që homoseksualiteti i deklaruar po shqetëson veçanërisht mashkullin shqiptar, kjo besoj unë ka lidhje të ngushtë me vetë çështjen e debatuar.

1_2935.jpg


Duke lexuar e dëgjuar reagimet e vetvetishme të personave të ndryshëm, shpesh anonimë, ndaj homoseksualitetit në Shqipërinë urbane dhe metropolitane, nuk mund të mos vësh re se një pjesë e mirë e tyre tradhtojnë një ambiguitet serioz në mënyrën si mashkulli shqiptar modern e përjeton seksualitetin në përgjithësi dhe mashkullsinë në veçanti.

Kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me perceptimin e dyzuar që i bëhet homoseksualit – më një anë si një njeri që “e ka mendjen te by..” dhe më anë tjetër si një “by......”, ose njeri që “e përjeton seksualitetin e vet nëpërmjet by...”. Këto dy modele, ku i njëjti surrogat gjenital – anusi – paraqitet një herë i lakmuar, ose si objekt i dëshirës; dhe një herë tjetër si vegël identifikimi, ose instrument i dëshirës, mbeten të papajtueshme mes tyre.

Ka edhe më. Këtij modeli të dyzuar, i mbivendoset një model i dytë, ku mashkulli homoseksual nuk është veçse një mashkull që ka hequr dorë nga mashkullsia për t’u shndërruar në femër (nëpërmjet manierizmave të sjelljes dhe të të folurit, zakoneve kurioze të higjienës vetjake si depilimi ose makijazhi ose lyerja e flokëve, veshjes ekzibicioniste, etj., por sidomos duke u tërhequr pas mashkullit pronar dhe përdorues i penisit); dhe një model i tretë, ku mashkulli homoseksual zakonisht i moshuar, këtë herë i quajtur gjithnjë pederast, interesohet për çuna të rinj ose dylberë, duke u paraqitur si një version beninj (legal) i pedofilit.

ثshtë për t’u vënë re që emërtimi pederast, i cili në gjuhët e origjinës përdoret me kuptimin “pedofil”, në shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike përdoret me kuptimin “homoseksual aktiv”.

Megjithatë, diskursi i sotëm popullor dhe populist për homoseksualët meshkuj në Shqipëri mbizotërohet nga imazhi i gay-t të femërzuar, i cili e përjeton seksualitetin anal në mënyrë pasive; ose që kërkon të depërtohet, jo të depërtojë. Ky është pikërisht edhe imazhi që u ofrohet masave për ta përbuzur dhe për t’u distancuar; sepse në vetvete është një kombinim djallëzor i dy sekseve tradicionale që vë në krizë pikërisht dallimet mes tyre dhe krejt institucionet sociale që mbështeten në këto dallime, duke filluar nga familja vetë.

Këtu nuk mund të mos mendosh se imazhi i seksualitetit që duket se sundon opinionin publik në Shqipëri i përgjigjet jo aq modelit të mbështetur në inventarin gjenital dhe në ndarjen e roleve gjatë riprodhimit; por një modeli tjetër, i cili themelohet mbi dallimin funksional midis një seksi aktiv (depërtues) dhe një seksi pasiv (të depërtuar).

Shtoj këtu se këtë dallim e gjen të shtjelluar qartë te Foucault (The History of Sexuality II, The Use of Pleasure, Vintage Books Edition 1990, f. 46 dhe vijim), i cili i referohet ndër të tjera edhe Aristotelit, kur analizon perceptimin e seksit, të diferencave seksuale dhe të seksualitetit në Greqinë e lashtë, duke dalluar mes seksit “aktiv” ose agens nga seksi “pasiv” ose patiens, në kuadrin e çka grekët e quanin aphrodisia (latinisht: venerea), ose veprimtarisë seksuale si burim kënaqësie.

Vetë Aristoteli, gjithnjë sipas Foucault, e bën të qartë shprehimisht se “femra, si femër, është pasive; dhe mashkulli, si mashkull, është aktiv.”

Foucault shpjegon, në vijim të kësaj ideje, se një koncept i tillë i seksualitetit vetvetiu do t’i ndante njerëzit në aktorë aktivë dhe në aktorë pasivë, sa i përket dramës së kënaqësisë; me të parët si subjekte të veprimtarisë seksuale dhe të dytët si partnerë-objekte.

Në Greqinë klasike aktorët aktivë ishin, gjithnjë sipas këtij këndvështrimi, të gjithë meshkuj të rritur dhe të lirë; të dytët përbënin, përkundrazi, një grup heterogjen, që përfshinte jo vetëm gratë, por edhe “djemtë” dhe “skllevërit”.

Një vizion i ngjashëm, në mos i njëjtë për seksualitetin, edhe pse jo i arsyetuar si në Greqinë e lashtë por më tepër instinktiv dhe impulsiv, do të ketë mbijetuar për bukuri ndër shqiptarët e sotëm; mes të cilëve dallimet midis seksit “aktiv” dhe seksit “pasiv” duket se marrin përparësi ndaj atyre thjesht gjenitale, midis meshkujve që kanë kokeshpullë dhe femrave që kanë vaginë.

Të jesh mashkull, brenda këtij vizioni, do të thotë jo vetëm të zotërosh kokeshpullë, por edhe ta përdorësh penisin aktivisht, pavarësisht nëse me funksione riprodhuese ose thjesht kënaqësie; përndryshe, një mashkull “anatomik” që, me përkufizim, tërhiqet seksualisht ndaj meshkujve depërtues, do ta vërë ndarjen e sekseve në krizë, meqë do të paraqitet në publik si “mashkull” që kërkon të jetë njëkohësisht edhe “femër”; mashkull për shkak të anatomisë dhe identitetit vetjak, femër për shkak të rolit pasiv që kërkon të luajë brenda marrëdhënies seksuale (ose interesimit erotik për persona të të njëjtit seks me të).

Dukurinë e ka analizuar mirë dhe në hollësi Nicola Mai, në artikullin e vet “Mashkulloriteti shqiptar, puna e seksit dhe emigrimi: homoseksualiteti, SIDA dhe kërcënime të tjera morale,”, botuar në revistën Përpjekja, nr. 17 (verë 2003), f. 62-78, i cili dallon, edhe në Shqipëri, si gjetiu në Ballkan, “një rend simbolik fallocentrik dhe heteropatriarkal, […sipas të cilit] vetëm burrat e vërtetë […] janë ruajtësit dhe mbajtësit e rendit dhe të respektit dhe kanë të drejtën të administrojnë pushtetin duke afirmuar mbizotërimin dhe dominimin e tyre mbi ‘të tjerë’ me më pak nder apo më pak mashkulloritet.”

Mai studion, në këtë kontekst, edhe zakonet seksuale të të ashtuquajturve punëtorë të seksit në Itali, të cilët shkojnë, përkundrejt një pagese, me homoseksualë pasivë vendas; dhe që, ironikisht, pas një stazhi disavjeçar në këtë profesion, emancipohen në administratorë ose mbrojtës prostitutash femra, derisa të shkëputen përfundimisht nga tregu i punës seksuale, për të kaluar në veprimtari të tjera joseksuale, edhe pse gjithnjë me natyrë kriminale. Edhe njëri rol edhe tjetri, sipas të intervistuarve nga Mai, nuk e vënë në dyshim mashkullsinë e perceptuar të këtyre individëve, e cila gjithsesi shprehet nëpërmjet depërtimit; çka konfirmon edhe përshtypjen, mjaft të përhapur, se , homoseksuali aktiv nuk perceptohet po aq mirë sa partneri i tij pasiv nga opinioni publik pak a shumë folklorik ose tradicional; dhe se ndarja e meshkujve homoseksualë në aktivë dhe pasivë nuk është njëlloj funksionale dhe e dukshme sa ndarja tjetër, analoge, në homoseksualë burra, në thelb të padallueshëm nga heteroseksualët madje edhe kur nuk kanë kurrfarë interesi për seksin e kundërt, dhe homoseksualë gra, ose pasivë, ose Rrugaçë, motra, teze, etj., të cilët janë në thelb të asimilueshëm me gratë.

Kështu mund të shpjegohet pse opinioni publik, së paku në Tiranë, gjithnjë ka treguar interes të veçantë për homoseksualët pasivë – disa prej të cilëve i kanë identifikuar botërisht dhe ndonjëherë edhe ngacmuar në rrugë; në një kohë që homoseksualët aktivë, ose partnerët e detyrueshëm dhe të pashmangshëm, pse plotësues, të këtyre pasivëve, nuk është kujdesur as shqetësuar kush për t’i njohur dhe identifikuar (me përjashtim të pederastëve dhe të pedofilëve të dyshuar, të cilët duhen njohur dhe stigmatizuar, kryesisht për të mbrojtur fëmijët prej tyre).

Rëndësi ka, në këtë kontekst, akti depërtues, jo aq natyra specifike ose identiteti i objektit të depërtuar.

Brenda këtij modeli alternativ të seksualitetit ka qenë gjithnjë vështirë t’u bëhet vend edhe femrave homoseksuale, ose lesbikeve; të cilat zakonisht janë shpërfillur krejt, meqë aphrodisia e tyre, si rregull, nuk shoqërohet me ndonjë lloj depërtimi – pavarësisht nga rolet që mund të luhen dhe lojërat seksuale pak a shumë simbolike që mund të eksperimentohen brenda çiftit lesbik.

Kjo ndoshta shpjegon edhe pse, në debatet e sotme për homoseksualitetin, femrat nuk duken shumë të shqetësuara, as të rrezikuara në seksualitetin e tyre; jo aq sepse janë më të emancipuara dhe toleruese se meshkujt përkatës, as për hir të solidaritetit me gay-t pasivë përballë pushtetit dhe “dhunës” së mashkullit depërtues tradicional; por më tepër, besoj unë, për shkak se vetëdeklarimi homoseksual, brenda modelit aktiv/pasiv të seksualitetit të cilit vijon t’i referohet opinioni publik ndërshqiptar, nuk përfaqëson ndonjë farë kërcënimi për femërsinë.

Kriza e sotme në opinionin publik shqiptar, me fjalë të tjera, ka të bëjë drejtpërdrejt me konfliktin midis dy modeleve të papajtueshme të seksualitetit – modelit riprodhues, që mbështetet në funksionin gjenital parësor; dhe modelit tjetër, ose “skenik”, që mbështetet në ndarjen e roleve në aktive dhe pasive, gjatë marrëdhënies seksuale. Ky konflikt është serioz sa s’bëhet, meqë perceptimi që ia bën mashkulli shqiptar seksualitetit të vet qëndron në themel të strukturave autoritare ekzistuese të familjes, të komuniteteve dhe të institucioneve sociale e politike; dhe si çdo konflikt tjetër serioz, nuk mund të gjejë zgjidhje, veçse gradualisht, me mirëkuptim nga të gjitha palët e përfshira.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 57.1%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 0 0.0%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 3 42.9%
Back
Top