Bulqiza amerikane...

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
29425_11.jpg



Me këta “barkthatët” e minierës së Bulqizës, shteti ynë as është marrë e as do merret, përderisa ata, bashkë me kromin, ia bëri pajë asaj zonjës së rëndë diku jashtë vendit, e cila ashtu “me të keq”, mezi i nxjerr ato 500 milionë euro fitim, duke bërë të vetmin shpenzim, pra duke mbajtur mbi kryet e tyre një vegël, për drejtor e merr rrogën, të cilën e ka zënë nga të dyja këmbët dhe me kokën e tij, u bie kokave të minatorëve. Minatorët e shkretë, i kërkojnë me ngulm ageshës së tyre, t’u ndërrojë...qehajain! Këta të mjerë të kujtojnë lëvizjen çartiste, se mendojnë se fajin ua ka vegla, pra rrogëtari që me kokën e vet u bie kokave të tyre... Por me këtë Bulqizën këtu brenda kufijve administrativë, do bëjmë si të bëjmë, se “në kohë” jemi. Doemos, sepse ne eksperimentuam që, nga feudalizmi zogolljan, të kalonim në socializmin enverian, e kështu me radhë në “kapitalizmin modern” nanojan e berishjan, e kushedi sesa “Joanër” të tjerë do të shugurojnë Athina dhe Beogradi për të “drejtuar” këtë vend...
Miniera e vërtetë, që mëton të na nxjerrë nga fukarallëku mendor e shtetëror, është “Bulqiza” amerikane-shprehur me kryefjalën e ditës, lixe-t e ambasadës amerikane. Pyetja e parë dhe e fundit që të shkon ndërmend kur njihesh me përmbajtjen e tyre, është vërtet, çfarë mund të ketë shkruar mbrëmë në “kabllot” e tij, ambasadori amerikan në Tiranë, dhe ç`mund t`i ketë postuar shtetit të tij ambasadori Arvizu ditën që doli i lodhur nga palestra e shkollës “Vasil Shanto, por edhe ditën kur u shpall “rezultati i zgjedhjeve” të 8 majit, të cilat për hir të së vërtetës ende nuk kanë përfunduar në Shqipëri?
Nga ç‘ka dalë deri më tani, më së pari njeriu mendon që ai “qerrata” Uidhers nuk e paska “ngrënë thatë koromanen” këtu në Tiranë.
Përkundrazi, ai paska qenë një “punëtor operativ” i zoti nga ata që kishim dikur, i cili dinte se ku pillte edhe pula në fshatin më të largët. Njësoj si atëherë kur punëtori operativ i mësonte këto nga bashkëpunëtorët e deklaruar dhe të pa deklaruar të tij, edhe ambasadori Uidhers, po nga bashkëpunëtorët e tij i mësonte, të majtë e të djathtë. Por nëse mekanizmi dhe “brumi” është i njëjtë, kontingjentet nuk janë ata, e qëllimet s`ka si të jenë po ato. Bashkëpunëtorët e atëhershëm ishin ose njerëz me atë “dregëzën” e luftës së klasave, ose njerëz që “për partinë thernin djalin”, ose të paktët(por dhe të aftët), ata që me meritë merrnin 1200 lekëshin....
Kurse sot, domethënë këto vite, kontingjentet ndryshojnë: Ata janë siç u pëlqen të vetëquhen “elita” e këtij vendi, ata janë ata që një herë në katër vjet shkojnë tek çartistët e shekullit të XXI dhe u thonë “sovranër”, ata janë “të majtë” e “të djathtë” që kanë qeverisur e qeverisin këtë vend.
Ky “operativi” sot, nuk mundohet fare t`i thërresë bashkëpunëtorët. Përkundrazi, këta të fundit, edhe kur puna nuk i lidh asfare me ambasadorët, mundohen t`u afrohen, sikur të kishin mundësi të drekonin me ta, pa lere sikur të kishin fatin të bënin një fotografi me ta, dhe ashtu, “në intimitet” t`i thoshin diçka në vesh edhe për “at` vllaun e keq”, mbase ndonjërës nga pjellat e tyre i jepet ndonjë e drejtë studimi falas, e shumë e shumë të tjera. Madje, nder dhe krenari “e ligjshme” për ta është edhe sikur njërin nga vartësit e “operativit” të takojnë e të pinë kafe me të...
Nga ato që janë botuar deri më sot, nuk të kap syri ndonjë vlerësim pozitiv sa i takon profesionalizmit të njërit apo të tjetrit, nuk gjen vlerësim për personalitetin e askujt-mesa duket të tillë s‘paskemi, pa lere të lexosh në ndonjë rresht se filan politikan...kërkoi ndihmë për vendin e tij nga SHBA-të për të bërë një vepër në shërbim të... çartistëve të shekullit në vazhdim. Jo dhe jo!-thotë “njëri nga ne”, çartistët. Asnjë, për bé!!!
E dyta mes shumë të tjerave që të bën përshtypje, është se ambasadori nuk bën fjalë për institucione, ose edhe kur u referohet, bën fjalë vetëm për katandisjen e tyre. Pra ai me kujdes anashkalon termin shtet në kuptimin e mirëfilltë të tij, e jo fjalën shtet, të cilën e përdor sa herë që dëshiron të satirizojë termin në realitetin shqiptar.
E si mund të bëjë fjalë për institucione në këtë vend, kur njëri nga ata bashkëpunëtorët e djeshëm të Sigurimit, individi që ende e ka pseudonimin “Rjepësi”, ish zëdhënës i Komitetit të Partisë së një rrethi të kategorisë së parë, ish gazetar i emëruar në “Zërin e Popullit”, pasi rrasi në burg plot 76 persona asokohe, “rrëmbeu flamurin e demokracisë” dhe çan përpara si njëri nga pasanikët më të mëdhenj të këtij vendi me një paçavure në dorë së cilës i vuri emrin e nenit ogurzi të diktaturës, dhe pikërisht këtë nen ogurzi e zbaton me partishëmri të habitshme sot, duke bërë politikën e kuadrit në njërin nga dikasteret më të rëndësishëm(ose që të paktën duhej të ishte i rëndësishëm) të Sigurisë së këtij vendi. Ai dërgoi në atë dikaster lukuninë e tij injorante e të keqshqyer prej vetë tij, duke u thënë atyre që shqipen s`e kanë gjuhë nëne: Shkoni merrni rrogat e siguracionet në ministri, dhe bëni ndonjë gjë edhe për paçavuren! Ky vend ishte dhe mbeti në dorën e “Rjepës-it-ve”, madje jashtë thonjëzave pseudonimi, pasi përputhet mrekullisht me kuptimin përmbajtjesor të individit mbartës. I njihte mirë partia, pastaj sipas shpirtit i pagëzonte me pseudonim. Më mirë të themi, i vetmi institucion të cilit i ka besuar ambasadori, ka qenë shtypi i përditshëm, kuptohet, jo i gjithi, e jo përditë. Në këtë kuptim, ai na jep zemër të gjithëve ne, se diçka bëkemi, edhe kur na duket se shkruajmë kot, se në këtë vend segmentet e shtetit të munguar si askund në botë, nuk lexojnë shtyp. Të paktën na i lexoka Amerika, e ky është ngushëllimi më i madh për ne.
Por ajo që thellësisht të bën përshtypje, është dashuria që ambasadori kishte për këtë vend dhe për këtë popull. Ndoshta kjo dashuri niste tek ai nga pozitat e hallqarjes së tij për atë ç‘ka i ka zënë çartistët e këtij shekulli në këtë vend, por ndoshta nis atje ku nisin të gjitha dashuritë për popujt dhe mbaron po aty tek hallqarja e tij. Sido që ta kthesh, rreth vicioz, si “institucionet” e këtij “shteti”, rreth vicioz, si vorbulla e halleve të këtij mileti-pasi për të tillë bëhet fjalë mirëfilli tanimë, e jo për popull...
...Para një jave, mafia e ndërtimit që ka marrë edhe ish Klubin “Partizani”, në oborrin e shtëpisë së vet masakroi me goditje shtazarake dhe me tyta revolesh të drejtuara mbi kokën e tij, një Nënkolonel në rezervë të Forcave të Armatosura. Në ish-lavanderinë e atij objekti, para 17 vjetësh Ministria e Mbrojtjes kishte strehuar familjen e oficerit, i cili me kartërat e Bashkisë së Tiranës qysh atëherë ka statusin e të pastrehut. Por mafies së dehur edhe nga “fitorja” e votimeve, “nuk i bën dritë syri”, shkon në oborr të shtëpisë duke shkelur çdo të drejtë të tokës dhe të qiellit dhe, përpara fëmijëve dhe gjitonëve, gjakos të zotin e shtëpisë. Oficeri duhet të ikë që andej, bashkë me familjet e tjera, pasi mafies i ikin ditët e fitimit në betonizim. Si shumë miq dhe shokë, edhe shkruesi i këtyre radhëve, i bëri një vizitë në spital ku trajtohet përveç me ilaçe mjekues për plagët, edhe me qetësues të rëndë, të cilëve s`dihet kur nuk do t`ua ketë nevojën. Në fund të bisedës, më tha:-Them t`i shkruaj, ose po munda të takoj ambasadorin Arvizu! ا`mendim më jep ti? اfarë t`i thuash këtij njeriu?!?! Cili është detyrimi që mund të ketë ambasadori i Amerikës për një oficer të ushtrisë shqiptare, të cilin falangat e mafies që mëton të quhet edhe shtet(i tij), e masakrojnë, e depersonalizojnë, duke terrorizuar familjen dhe fqinjët e tij, të cilët pa tjetër e morën “mesazhin demokratik” të saj? Se mos e pati fatin të merrte shtetësinë amerikane, pa llafosesha vetë me Arvizun tonë, i cili na do po aq sa paraardhësi i vet ne si popull.-Publiku- tha ai, duhet t’i lexojë e të nxjerrë vetë konkluzionet. ا`të na thotë tjetër?
Nënkoloneli për vite të tëra ka qenë gazetar i Shtypit Ushtarak të Forcave të Armatosura, anëtar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, madje edhe sot është prezent në faqet e të përditshmeve me probleme të kohës.
Nuk i dhashë asnjë përgjigje, as dje, në vizitën e radhës që i bëra në spital. Ndoshta kurrë s‘kam për t‘i dhënë përgjigje. Por një gjë e di mirë. Që në njërin nga kabllogramet e këtyre ditëve, ambasadori Arvizu, do t‘i shkruajë Shtetit të tij “Në qendër të Tiranës, më 31 gusht mafia shtetërore e ndërtimit, keqtrajtoi(besoj këtë fjalë do të zgjedhë ai si diplomat), një nënkolonel në rezervë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”. Për këtë jam i sigurt. Ajo ç‘ka sot nuk mund të them me siguri, është se çfarë do të thotë “elita” pa personalitet e këtij vendi, kur të dalin “kabllogramet Arvizu”...//balkanweb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 3 50.0%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 0 0.0%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 3 50.0%
Back
Top