Borges, një mjeshtër modern

paul-de-man.jpg



Nga Paul de Man



Edhe pse ka shkruar poezi, tregime dhe ese kritike me cilësinë më të lartë që nga 1923, shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges është ende shumë më tepër i njohur në Amerikën Latine sesa në Shtetet e Bashkuara. Për përkthyesin e John Peale Bishop, Hart Crane, E. E. Cummings, William Faulkner, Edgar Lee Masters, Robert Penn Warren dhe Wallace Stevens kjo mospërfillje është disi e padrejtë. Ka shenja sidoqoftë që ai është zbuluar në këtë vend me njëfarë entuziazmi të njëjtë si ai që e përshëndeti atë në Francë, ku mori vëmendjen më të madhe të kritikës dhe është përkthyer më së miri. Disa vëllime me përkthime në Anglisht janë shfaqur së fundi, duke përfshirë një edicion fin të librit të tij më të fundit El Hacedor (Dreamtigers) dhe një botim i ri i Labirinteve i cili doli për herë të parë më 1962. Kritikët amerikanë dhe anglezë e kanë quajtur atë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë sot, por nuk kanë bërë deri tani (me sa di unë) kontribute thelbësore në interpretimin e kësaj vepre. Ekzistojnë arsye të forta për këtë vonesë. Borges është një shkrimtar kompleks veçanërisht i vështirë për ta sistemuar. Komentuesit vijnë rrotull më kot për pika të përshtatshme krahasimi dhe admirimet letrare të pranuara prej tij e shtojnë konfuzionin. Njëlloj si Kafka dhe shkrimtarët bashkëkohorë të ekzistencializmit francez, ai është parë shpesh si një moralist, në rebelim kundër kohërave. Por një qasje e tillë është çorientuese.

ثshtë e vërtetë që, veçanërisht në veprat e tij të hershme, Borges shkruan rreth horrave. Përmbledhja Historia e Poshtërsisë (Historia universal de la infamia, 1935) përmban një galeri tërheqëse të horrave. Por Borges-i nuk e konsideronte poshtërsinë së pari një temë morale, tregimet në asnjë mënyrë nuk sugjerojnë një padi ndaj shoqërisë, ndaj natyrës humane ose ndaj destinit. Ato nuk sugjerojnë as pikëpamjen gazmore si të heroit Nietzsche-an të Gide-it që quhet Lafcadio. Në vend të saj, poshtërsia funksionon këtu si një princip formal estetik. Fiksionet, drejtpërsëdrejti, nuk do të kishin mundur të merrnin formë po të përjashtonim praninë e poshtërsisë mu në zemër të tyre. Shumë botë të ndryshme janë thirrur lart – plantacionet e pambukut gjatë lumit Mississipi, detet jugorë të mbushur me piratë, lagjet e varfra të Perëndimit të egër në New York, oborret mbretërore japoneze, shkretëtira arabike, e të tjera – gjithçka prej së cilës do të ishte e paformë pa praninë rregulluese të një horri pikërisht në qendër.

Një ilustrim i mirë mund të merret nga esetë imagjinare mbi subjektet letrare që Borges po i shkruante në të njëjtën kohë me Historinë e poshtërsisë. Duke huazuar konvencionet stilistike të shkrimit kritik erudit, esetë lexohen si një kombinacion i Empson, Paulhan dhe PMLA, përveçse ato janë shumë më të ngjeshura dhe më të tërthorta. Në një ese mbi përkthimet e Njëmijë e një Netëve, Borges përmend një listë impresive shembujsh duke treguar se si përkthyes pas përkthyesi pamëshirshëm u pre, u zgjerua, u shformua dhe u falsifikua origjinali me qëllim për ta bërë atë në pajtim me normat e vetë atij (përkthyesit) dhe me normat artistike dhe morale të audiencës së tij. Lista, e cila përmbledh në fakt një katalog të plotë të mëkateve humane, kulmon në karakterin e pastër të Enna Littmann, botimi i së cilës më 1923 – 1928 është përpikmërisht i saktë. “I paaftë si George Washington, për të thënë qoftë edhe një gënjeshtër, vepra e tij nuk zbulon asgjë përveçse sinqeritet gjerman.” Ky përkthim është shumë inferior, në sytë e Borges-it, ndaj gjithë të tjerëve. Ai humbet pasurinë e asociacioneve letrare që lejojnë të tjerët, përkthyesit e ulët për të dhënë thellësinë e gjuhës së tyre, sugjestivitet, ambiguitet – me një fjalë, stilin. Artisti ka për të veshur maskën e të poshtrit me qëllim që të krijojë një stil.

Deri tani mirë. Të gjithë ne e dimë që poeti është në skuadrën e djallit dhe që mëkati ndihmon për tregime më të mira sesa ndihmon virtyti. Do një lloj përpjekjeje për të parapëlqyer La nouvelle Héloise ndaj Les liasons dangereuses, apo, për më tepër, për të parapëlqyer pjesën e dytë të Nouvelle Héloise ndaj së parës. Tema e Borges për poshtërsinë mund të jetë vetëm një formë tjetër e estetizmit fin-de-siècle, një gulç i fundit i agonisë romantike. Apo, mbase më keq, ai mund të jetë duke shkruar nga dëshpërimi moral si një ikje nga kurthet e stilit. Por supozime të tilla shkojnë kundër karakterit të një shkrimtari angazhimi i të cilit ndaj stilit mbetet i palëkundur, çfarëdo qofshin ankthet ekzistenciale të Borge, ato kanë pak të përbashkëta me pikëpamjen e fuqishme prozaike të Sartre-it për letërsinë, me seriozitetin e moralizmit të Camus-së, ose me thellësinë me peshë të mendimit ekzistencial gjerman. Më tepër, ato janë ekspansione të qëndrueshme të një ndërgjegje pastërtisht poetike drejt limiteve të saj më të largëta.

Tregimet që formojnë korpusin e veprës letrare të Borges nuk janë fabula ose parabola morale si ato të Kafka-s, me të cilat ato janë krahasuar shpeshherë në mënyrë çorientuese, madje më pak orvatje për analizë psikologjike. Analogjia letrare më pak e papërshtatshme do të ishte me conte philosophique të shekullit të tetëmbëdhjetë, bota e tyre është paraqitja, jo e një eksperience aktuale, por e një propozimi intelektual. Dikush nuk shpreson të njëjtin lloj të depërtimit të thellë psikologjik ose të njëjtën drejtpërdrejtshmëri të eksperiencës personale nga Candide njëlloj si nga Madame Bovary, dhe Borges duhet të lexohet me shpresa më të afërta me ato që e qasin me përrallën e Voltaire-t sesa me romanin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai ndryshon, sidoqoftë, nga paraardhësit e tij të shekullit të tetëmbëdhjetë në atë që subjekti i tregimeve është krijim i vetë stilit, në këtë Borges është me shumë siguri post-romantik dhe madje post-simbolist. Karakteret e tij kryesore janë prototipe për shkrimtarin dhe botët e tij janë prototipe për një lloj shumë të stilizuar të poezisë apo fiksionit. Pavarësisht nga shumëllojshmëria e tyre në tonalitet dhe mjedis, tregimet e ndryshme të gjitha kanë një pikë të ngjashme të nisjes, një strukturë të ngjashme, një pikë kulmore të ngjashme dhe një përfundim të ngjashëm; bindja e brendshme që lidh këto katër momente së bashku formon stilin e dallueshëm të Borges, po ashtu edhe komentin e tij mbi stilin. Tregimet e tij janë rreth stilit në të cilin ato janë shkruar.

Në qendër të tyre, siç kam thënë, gjithmonë qëndron akti i poshtërisë. Tregimi i parë në Labirintet, “Tlِn, Uqbar, Orbis Tertius”, përshkruan një botë totalisht imagjinare të një planeti fiksional; bota së pari është shfaqur në një enciklopedi e cila është vetë një rishtypje kriminale e Britannica-s. Në “Forma e Shpatës”, një irlandez i pabesë i cili, siç rezulton në fund, tradhtoi njeriun që i shpëtoi jetën, vendoset i maskuar në vend të viktimës së tij me qëllim që të tregojë historinë e tij në një mënyrë sa më interesante. Në “Kopshti i Rrugicave të Degëzuara” heroi është një kinez i cili, gjatë Luftës së Parë Botërore, spiunon Britanikët më së shumti për kënaqësinë e fshehjes labirintike të stërholluar. Të gjitha këto krime janë keqbërje si puna e plagjiaturës, shtirjes si tjetri, spiunimi në të cilat dikush që pretendon të jetë si ajo gjë që nuk është, zëvendëson me një pamje të jashtme mashtruese qenien e tij të vërtetë. Një nga tregimet e hershme më të bukura përshkruan heroizmin e mashtruesit religjioz Hakim i cili e fsheh fytyrën e tij pas një maske të artë. Hakim së pari ishte një ngjyrosës, domethënë, dikush i cili prezanton në ngjyra të mrekullueshme dhe të shkëlqyera atë që ishte në të vërtetë e zymtë dhe gri. Në këtë pikë, ai i përngjan artistit i cili i vesh papërmbajtshëm cilësitë atraktive mbi diçka që nuk i zotëron detyrimisht ato.

Krijimi i bukurisë kështu fillon si një akt i dyzimit. Shkrimtari sjell një vetje tjetër është këmbimi i tij pasqyronjës. Në këtë anti-vetje, virtytet dhe veset e origjinalit janë shfytyruar dhe këmbyer çuditshëm. Borges-i përshkruan procesin dallueshëm në një tekst më të vonë të quajtur “Borges dhe Unë” (ai ndodhet tek Labirintet dhe gjithashtu në një përkthim disi më të mirë në Dreamtigers). Edhe pse ai e di “zakonin pervers të falsifikimit dhe ekzagjerimit” të Borges-it tjetër, ai i jep shumë e më shumë kësaj maske poetike “e cila ndan preferencat [e tij], por në një mënyrë të kotë që i konverton ato në atributet e një aktori”. Ky akt, me anën e të cilit një njeri humb vetveten në imazhin që ai ka krijuar, është për Borges-in e pandashme nga madhështia poetike. Cervantes-i e arriti atë kur ai trilloi dhe u bë Don Quixote. Valéry e arriti kur ai konceptoi dhe u bë Monsieur Teste. Dyzimi i artistit, fisnikëria po aq sa mjerimi i vokacionit të tij, është një temë e shpeshtë e lidhur ngushtë me temën e poshtërsisë. Ndoshta trajtimi i saj më i plotë shfaqet në tregimin “Pierre Ménard, Autori i Quixote-it” në Labirintet. Vepra dhe jeta e një shkrimtari imagjinar është përshkruar nga një biograf i përkushtuar. Pasi tregimi hapet, disa prej detajeve fillojnë të kenë një tingull familjar: madje atmosfera hipokrite, komerciale, snobe mesdhetare duket se na rikujton një person aktual dhe kur na është thënë që Ménard publikoi një sonet të hershëm në një revistë të quajtur La conque, lexuesi i Valéry-së do të identifikojë modelin pa gabuar. (Disa nga poezitë e hershme të Valéry-së në fakt do të shfaqen në La conque, e cila ishte botuar nga Pierre louys, edhe pse disi në një datë më hershme sesa ajo që ka dhënë Borges-i për botimin e parë të Ménard-it.) Kur, pak më vonë, ne zbulojmë që Ménard-i është autori i një sharjeje kundër Paul Valéry-së si edhe autor i krimit tronditës stilistik për ta kthyer “Le cimetiére marin” në vargje aleksandrine (Valéry gjithnjë kishte insistuar që pikërisht thelbi i kësaj poeme të famshme qëndron në metrin e saj dekasilabik), ne nuk mund të dyshojmë më tutje që ne jemi duke u marrë me kundër-vetjen e Valéry-së, me fjalë të tjera me Monsieur Teste. Gjërat bëhen shumë më të komplikuara disa paragrafë më poshtë, kur Ménard starton projektin e çuditshëm të ri-trillimit të Qon Quixote-it fjalë për fjalë, dhe ndërkohë që Borges-i na servir tek një “lexim të mbyllur” me dy pasazhe identike nga Don Quixote-i, një i shkruar nga Cervantes-i, tjetri i shkruar nga Pierre Ménard (i cili është gjithashtu Monsieur Teste, i cili është gjithashtu Valéry) një grupim i tillë kompleks i ironive, parodive, refleksioneve dhe përfundimeve janë në lojë saqë asnjë komentar i shkurtër nuk mund të fillojë dhe të vendosë drejtësinë mes tyre.

Trillimi poetik fillon me dyzimin, por ai nuk mbaron më atje. Sepse dyzimi i veçantë i shkrimtarit (imazhi i ngjyrosësit tek “Hakim”) buron nga fakti që ai paraqet formën e trilluar sikur ajo zotëron atributet e realitetit, duke e lejuar atë në këtë mënyrë të riprodhohet mimetikisht, në kthimin e saj, në një tjetër imazh-pasqyrë që merr pseudorealitetin paraprirës për pikënisjen e vet. Ai është shtyrë “nga synimi blasfemues për atribuimin e kategorisë hyjnore të qenies, disa [entiteteve] të thjeshta”. Si pasojë, dyzimi shpërthen në një shumim të imazheve pasqyruese të njëpasnjëshme. Tek “Tlِn, Uqbar, Orbis Tertius”, për shembull, enciklopedia e bërë plagjiat është falsifikuar nga dikush i cili shton një fjalë hyrëse mbi regjionin imagjinar të Uqbar, duke prezantuar atë si të ishte pjesë e një vendi imagjinar, si pikën e tij startuese, një falsifikator tjetër (i cili, meqë ra fjala, është një milioner jugor përçarës) thërret me magji, me ndihmën e një grupi ekspertësh të errët, një enciklopedi të plotë të një planeti fiksional të quajtur Tlِn – një pseudo-realitet i barabartë për nga madhësia me botën tonë reale. Ky botim do të ndiqet nga ana e tij nga një botim i rishikuar dhe madje më i detajuar i shkruar jo në anglisht, por në një nga gjuhët e Tlِn dhe i titulluar Orbius Tertius.

Të gjitha tregimet kanë një strukturë të ngjashme me pasqyrimin, edhe pse mekanizmat variojnë me një zgjuarsi diabolike. Nganjëherë, ka vetëm një efekt pasqyrë, si atëherë kur në mbyllje të “Forma e Shpatës” Vincent Moon shfaq identitetin e tij të vërtetë si horri, dhe jo si heroi, i rrëfimit të vet. Por në shumicën e tregimeve të Borges-it, ekzistojnë disa shtresa të refleksionit. Tek “Temë e Tradhtarit dhe Heroit” nga Labirintet ne kemi: (1) një ngjarje aktuale historike – një lider revolucionar tradhton aleatët e tij dhe duhet të ekzekutohet; (2) një tregim fiksional rreth një dukurie të tillë (edhe pse në formë të kundërt) – Julius Caesar i Shakespeare; (3) një ngjarje aktuale historike e cila kopjon fiksionin: ekzekutimi kryhet sipas subjektit të Shakespeare, për të qenë i sigurt që do të ishte një shfaqje e mirë; (4) historianin e mëdyshur që reflekton mbi alternimin e çuditshëm të ngjarjeve fiksionale dhe historike që janë identike, dhe duke përftuar një teori false të arketipave historikë prej tyre; (5) historianin më të zgjuar Borges (apo, më mirë, anti-vetja e tij dyzuese) që reflekton mbi historianin naiv dhe që rikonstrukton rrjedhën e vërtetë të ngjarjeve. Në tregime të tjera nga Labirintet, “I Pavdekshmi”, “Zahiri” ose “Vdekja dhe Kompasi”, komplikimi është shtyrë kaq shumë saqë është virtualisht e pamundur për ta përshkruar.

Ky shumim i ngjashëm me pasqyrimin formon, për Borges-in, një të dhënë për suksesin poetik. Veprat e letërsisë që ai më së shumti admiron përmbajnë këtë element; ai është magjepsur nga efekte të tilla pasqyruese si drama Elisabetiane brenda dramës, personazhi Don Quixote që lexon Don Quixote, Sheherazade që fillon një natë të ritregojë fjalë për fjalë tregimet e Njëmijë e Një Netëve. Sepse çdo imazh i pasqyruar është stilistikisht superior ndaj atij paraprirës, njëlloj si rroba e ngjyrosur është më e bukur se e thjeshta, përkthimi i deformuar më i pasur se origjinali, Quixote i Ménard-it estetikisht më kompleks sesa i Cervantes-it. Duke e shpënë këtë proces në limitet e tij, poeti mund të arrijë suksesin përfundimtar – një pikturë e porositur e realitetit që përmban tonalitetin e të gjithë gjërave, transformuar dhe pasuruar me finesë nga procesi imagjinativ që i lindi ato. Bota imagjinare e Tlِn-it është një shembull i kësaj arritjeje poetike; ajo përsëritet përgjatë veprës së Borges-it dhe formon, në fakt, imazhin qendror, kulmor rreth të cilit çdonjëra nga tregimet është organizuar. Mund të jetë paketa e normave filozofikisht koherente që formon universin mental të Tlِn-it, ose mund të jetë bota fantastike e një njeriu e bekuar (dhe po aq i dënuar) me dhuntinë frikuese të një kujtese totale, një njeriu “i cili e dinte përmendësh format e reve australe të agut të 30 prillit 1882” dhe gjithashtu “jelet e gufuara të një mëzi, zjarrin luhatës dhe hirin e panumërt” (“Funes Kujtonjësi,” në Labirintet). Mund të jetë shumë e zgjeruar, njëlloj si labirinti pafundësisht kompleks që është gjithashtu një libër i pafund në “Kopshti më Rrugica të Bigëzuara”, apo e ngjeshur së tepërmi, njëlloj pike në njëfarë shtëpie nga e cila dikush mund të vëzhgojë të gjithë universin (“Alef”), apo një monedhë e vetme e cila, edhe pse e parëndësishme në vetvete, përmban “historinë universale dhe vargëzimin e shkakut dhe pasojës” (“Zahir”). Të gjitha këto pika ose sfera të vizionit total simbolizojnë rezultatin tërësisht të suksesshëm dhe mashtronjës të shtytjes së pafrenueshme të poetëve për rregull.

Suksesi i këtyre botëve poetike është shprehur nga plotëria e tyre gjithëpërfshirëse dhe e rregulluar. Natyra e tyre mashtronjëse është vështirë të përcaktohet, por thelbësore për një kuptim të Borges-it. Imazhet pasqyruese janë vërtet dublikata të realitetit, por ato ndryshojnë natyrën e përkohshme të këtij realiteti në një stil të fshehtë, madje – mund të theksojë veçanërisht dikush – kur imitimi është krejtësisht i suksesshëm (si tek Quixote i Ménard-it). Në përvojën aktuale, koha na shfaqet si e vazhdueshme, por e pafundme; kjo vazhdimësi mund të duket bindëse, meqë ajo na jep njëfarë ndjenje të identitetit, por është gjithashtu tmerronjëse, meqë na tërheq pakthyeshmërisht drejt një të ardhmeje të panjohshme. Universi ynë “real” është si hapësira: i qëndrueshëm, por kaotik. Nëse, me një akt të mendimit të krahasueshëm me vullnetin e Borges-it për stilin, ne e rregullojmë këtë kaos, ne fare mirë mund të arrijmë në kryerjen e një rregullimi të llojeve, por ne tretim substancën lidhëse spaciale që e mbante universin tonë kaotik të bashkuar. Në vend të një mase të lëndës që s’ka fund, ne kemi një numër të fundmë të ngjarjeve të izoluara, të paafta për të vendosur marrëdhënie me njëra-tjetrën. Banorët e botës tërësisht poetike të Uqbar-it të Borges-it “nuk e konceptojnë që hapësinorja përsëritet në kohë. Perceptimi i një reje tymi në horizont, pastaj i fushës që digjet, pastaj i cigares gjysmë të shuar që krijoi zjarrin konsiderohet një shembull i shoqërimit të ideve.” Ky stil tek Borges-i bëhet akt renditës përveç aktit prishës që transformon unitetin e përvojës në enumeracionin e pjesëve të saj të shkëputura. Prej këtu fillon edhe mohimi i tij i style lié dhe preferenca e tij për atë që gramatikanët e quajnë parataksis, vetëm vendosja e ngjarjeve krahpërkrah, pa lidhje; prej këtu fillon gjithashtu përcaktimi i tij për stilin e vet si barok “stil që shteron qëllimisht (ose përpiqet të shterojë) të gjitha mundësitë e tij.” Stili është një pasqyrë, por ndryshe nga pasqyra e realistëve që kurrë nuk na lejon të harrojmë për një moment, ajo krijon atë çka ajo imiton.

Ndoshta sepse Borges-i është një shkrimtar i tillë brilant, bota pasqyrë e tij është gjithashtu thellësisht, edhe pse gjithmonë ironikisht, ogurzezë. Ngjyrimet e terrorit variojnë prej shijes kriminale të Historisë së Poshtërsisë deri tek bota më e errët dhe më e rrëgjuar e Ficciones së tij të mëvonshme, ndërsa në Dreamtigers dhuna është madje më e zymtë dhe më e errët, më e afërt, supozoj, me atmosferën e Argjentinës amtare të Borges-it. Në tregimin e 1935-s Hakim-i mashtrues deklaron: “Toka ku ne jetojmë është një gabim, një parodi e çliruar nga autoriteti. Pasqyrat dhe atësia janë gjëra të neveritshme, sepse ato shumojnë këtë tokë.” Ky pohim ruan vazhdimësinë përgjatë veprës së tij të mëvonshme, por bëhet akoma më i kuptueshëm këtu. Pa ndaluar së qeni metafora kryesore e stilit, pasqyra merr fuqi vdektare – një motiv që vijon përgjatë gjithë letërsisë perëndimore, por tek e cila versioni i Borges-it është veçanërisht i pasur dhe kompleks. Në veprën e tij të hershme, pasqyra e artit përfaqësonte synimin për të mbajtur rrjedhën e kohës nga të humburit e saj përgjithmonë në boshllëkun e paformë të pafundësisë. Njëlloj si spekulimet e filozofëve, stili është një orvatje drejt pavdekësisë. Por kjo orvatje është e detyruar të dështojë. Për të cituar një nga librat e preferuar të Borges-it, Hydrothapia, Urne-Burial (1658) të Sir Thomas Browne: “Nuk ekziston ndonjë kundërhelm për Opiumin e kohës, i cili përkohësisht gjykon të gjitha gjërat…” Kjo nuk ndodh, siç është thënë, sepse Zoti i Borges-it luan të njëjtën dredhi mbi poetin, që poeti vetë e luan mbi realitetin; Zoti nuk del të jetë kryemashtrues i vendosur për ta mashtruar njeriun brenda një iluzioni të përjetësisë. Impulsi poetik me gjithë dyzimin e tij, i përket vetëm njeriut, e shenjon atë si thelbësisht human. Por Zoti shfaqet në vendngjarje si fuqia e vetë realitetit, në formën e një vdekjeje që demonstron dështimin e poezisë. Kjo është një arsye më e thellë për dhunën që mbizotëron në gjithë tregimet e Borges-it. Zoti është në anën e realitetit kaotik dhe stili është i pafuqishëm ta mundë atë. Shfaqja e tij është si fytyra e neveritshme e Hakim-it kur ai humb maskën vezulluese që ka mbajtur dhe shfaq një fytyrë të grirë nga lebra. Shumimi i pasqyrave është shumë më tepër tmerronjës sepse çdo imazh i ri na qas një hap më pranë me fytyrën e tij.

Ndërsa Borges-i plaket dhe vështrimi i tij dobësohet gradualisht, kjo përballje finale hedh hijen e saj të errët mbi gjithë veprën e tij, pa shuar, sidoqoftë, kthjelltësinë e gjuhës së tij. Edhe pse reflektimi i fundit mund të jetë fytyra e Zotit vetë, me shfaqjen e tij jeta e poezisë i qaset fundit. Situata është shumë e ngjashme me atë të njeriut estetik të Kierkegard-it, me ndryshimin që Borges-i refuzon të dorëzojë shqetësimin e tij poetik për një kapërcim në besim. Kjo krijon një lavdi të zymtë në faqet e Dreamtigers, kaq të ndryshme nga shkëlqimi verbues i tregimeve në Labirintet. Për të kuptuar kompleksitetin e plotë të kësaj gjendjeje shpirtërore më të vonë, gjithsecili duhet të ketë ndjekur sipërmarrjen e Borges-it që nga fillimi dhe ta shohë atë si shpalosje e një destini poetik. Kjo nuk të kërkonte vetëm përkthimin në anglisht të veprës më të hershme të Borges-it, por gjithashtu studime kritike serioze të denja për këtë shkrimtar të madh.
mapo
*Përktheu nga origjinali anglisht: Neli NAاO
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top