Sërish surpriza nga Bleona Qereti. Ndërsa pak javë më parë, fraza e saj “tani jam amerikane” u kthye në subjektin kryesor për shumë nga gazetat rozë në Shqipëri, këngëtarja e suksesshme sjell këtë herë një tjetër deklaratë. Edhe pse më parë, fillimisht përmes një intervistë ekskluzive në Gazeta Shqiptare, e më tej me përgjigjet në disa media të tjera, Bleona e kishte sqaruar se gjithçka ishte një keqkuptim dhe se Shqipëria ishte vendi i saj, vendi që donte më shumë se gjithçka tjetër, tek ne kishte ende nga ata skeptikë që nuk besonin, e që përsëri e gjykonin në forume virtuale. Pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre mosbesuesve, Bleona ka folur shqip në intervistën e radhës që ka dhënë për kanalin e modës “Fashion News Live”, për të njëjtin gazetar që realizoi edhe intervistën e mëparshme. Këngëtarja ka marrë mikrofonin dhe ka përshëndetur në shqip të gjithë shikuesit, ndërkohë që intervista ka pasuar me disa pyetje të gazetarit, i cili ishte vënë në dijeni për popullaritetin që kishte fituar në Shqipëri si pasojë e intervistës së parë (pasi e pyeti natyrisht për veshjen dhe aksesorët). Ndërsa, Bleona tregon për problemet që i janë krijuar pas prononcimit dhe pasi i thotë shqiptarëve se i do shumë, i lë radhën gazetarit, i cili përshëndet gjithashtu në shqip pas instruksioneve që këngëtarja i bën. Në këtë intervistë Bleona ka sqaruar gjithashtu se është e martuar, pas ngacmimeve të moderatorit për të krijuar bashkë një familje me shumë fëmijë të bukur shqiptarë. Bleona ka marrë gjithë komplimentet e mundshme nga gazetari, ku përveç epiteteve e bukur, seksi, etj., ai ka shtuar se shqiptarët duhet të ndihen krenarë për përpjekjet që Bleona po bën në Amerikë për të prezantuar Shqipërinë.///kuriozitete.al