Bin Laden apo Ndjekja qe vazhdon…

Зngjεll

___________
Njeriu më i kërkuar në botë besohet se fshihet në malet në kufirin mes Pakistanit e Afganistanit. Ajo që mund të thuhet me njëfarë sigurie deri tani është se nuk ka vdekur.

ثshtë ende gjallë. Kjo mund të thuhet këto ditë me njëfarë sigurie për Bin Ladenin. Të paktën ishte ende gjallë në fillim të këtij muaji, kur televizionit "Al-Jazeera" iu dërgua një regjistrim audiofonik, me një zë shumë të njohur. Sipas shërbimeve të fshehta amerikane e britanike, zëri është i Bin Ladenit dhe referencat ndaj ngjarjeve të ndodhura gjatë këtyre kohëve përbëjnë një provë se është regjistruar pak para transmetimit.

Por, pikërisht me atë regjistrim mbarojnë edhe qartësitë, faktet bëhen përsëri të mjegullta e nuk ka vend për tjetër gjë veç hamendësimeve. Nuk e dimë ç‘pamje ka në ditët e sotme. Dhjetë mesazhet e tij të fundit kanë qenë zanore. Nuk ekziston asnjë pamje filmike e tij që prej shtatorit të vitit 2007, madje edhe për të nuk mund të thuhet me saktësi data e regjistrimit.

Numri një i terrorizmit botëror mund të jetë i sëmurë rëndë - ka pasur shumë fjalë për një problem të rëndë në veshka - ose mund të ketë rruar mjekrën aq tipike apo t‘i jetë nënshtruar ndonjë operacioni plastik. Tek e fundit, një shembull që na tregon sa e lehtë është të fshihesh në një identitet tjetër, është ai i Radovan Karaxhiçit, i cili thjesht duke lënë mjekër jetoi për vite i patrazuar mes bashkëqytetarëve të vet.

Kanë kaluar tetë vite që kur George Bushi e cilësoi Bin Ladenin "të kërkuar, gjallë a vdekur" dhe e quajti kapjen e tij prioritet kombëtar. Bushi sot bën jetë të qetë prej ish-presidenti, ndërsa Bin Laden mbetet po aq i pakapshëm sa gjithmonë, pavarësisht energjive të shumëfishta që ka shpenzuar Perëndimi për ta shtënë në dorë.

Sipas shërbimeve të fshehta të Londrës e Washingtonit, hamendësimi më i mirë mbi vendndodhjen e Bin Ladenit është se fshihet diku në malet e zhveshura të Waziristanit verior, një rajon fisnor gjysmë autonom në kufirin mes Afganistanit e Pakistanit. Por, kufiri i stërgjatë afgan ofron edhe vende të tjera për t‘u fshehur. Sipas rrëfimeve të pjesëtarëve të "Al Qaedas" të arrestuar, fshihet në Chitral, një rajon paqësor i mbuluar nga bora gjatë katër stinëve të vitit. Kjo mund të shpjegojë edhe vëmendjen që tregon së fundmi CIA për atë zonë. Një kompleks misterioz vëzhgimi po ndërtohet këto ditë në atë rajon, gjithnjë pranë kufirit, për të cilin vendasit thonë se nuk mund të jetë tjetër veç amerikan.

Ndërtesa është krejt e veçantë nga çdo banesë tjetër në zonë, ndërkohë që për të shkurajuar vizitorët, Ministria e Turizmit nuk jep më lejekalimi. Vendasit thonë se gjithsesi Bin Ladeni mund të fshihet vetëm maleve, por jo fshatrave, pasi diçka e tillë do të mësohej shumë shpejt nga i madh e i vogël.

Në shkurt të këtij viti, një skuadër akademikësh nga Universiteti i Californias deklaroi se i kishte ngushtuar kërkimet mbi vendndodhjen e kryeterroristit, falë imazheve satelitore dhe "pamjeve gjeografike". Arritën në atë pikë sa të thoshin me garanci se kërkimet duheshin përqendruar në zonën fisnore të Kurramit. Zona gjendet më pak se 20 kilometra larg nga mali plot shpella Tora Bora, ku në vitin 2001 forcat amerikane menduan për një çast se më në fund e zunë në çark Bin Ladenin. Falë kapjes së komunikimeve përmes radiove të terroristëve, kjo është edhe vendndodhja e fundit e saktë që ekziston për Bin Ladenin.

"Kapja e një personi të vetëm është tepër e vështirë. Izraelitëve iu deshën 15 vite për të gjetur Eichmann", thotë Peter Bergen, gazetar, ekspert terrorizmi dhe një prej perëndimorëve të paktë që e ka takuar personalisht Bin Ladenin - për më saktë, e ka intervistuar në vitin 1997. Edhe ai mendon se terroristi fshihet diku në zonën e Chitralit ose diku në rajonin fisnor të Bajaur-it.

Bindja e përgjithshme se Bin Ladeni fshihet përgjatë kufirit malor bazohet kryesisht te logjika dhe historia e tij personale. Terreni është ideal për një ikanak të mësuar të jetojë pa shumë lukse përreth, i mbushur me gropa e shpella dhe shkëmbinj të thepisur që ngrihen thikë. ثshtë një zonë tepër e përshtatshme për t‘u fshehur, edhe për shkak të Kodit Pashtunvali, kod nderi që i detyron fiset lokale të mbrojnë deri në kufijtë e vetëmohimit miqtë e tyre.

Shërbimet e fshehta amerikane e britanike besojnë se Bin Ladeni fshihet në Waziristanin verior, pjesërisht për shkak të faktit se aty ka një numër të madh miqsh besnikë. Prej kohësh mban një miqësi të ngushtë me Jalaluddin Haqqanin dhe birin e tij Sirajuddinin, dy luftëtarë të famshëm, perandoria militante e të cilëve shtrihet në një zonë tepër të gjerë. ثshtë njohur me dy luftëtarët që në kohën kur vendosi t‘i bashkohej Xhihadit (luftës së shenjtë) kundër trupave pushtuese sovjetike në Afganistan. Bazën e vet të parë Bin Laden e ndërtoi në terrenin e kontrolluar nga Haqqani.

Shërbimet e inteligjencës kanë tani në dorë të dhëna që tregojnë se Bin Ladeni u është kthyer rrugëve të dikurshme. Kjo mbështetet nga rrëfimet e pjesëtarëve të "Al Qaedas" të marrë në pyetje, zëra, madje edhe ndonjë dëshmi më e pranueshme. Vincent Cannistraro, ish-kreu i Qendrës Kundër Terrorizmit në CIA, thotë se ekzistojnë disa raporte inteligjence që vërtetojnë se Bin Laden ka qenë në Waziristanin verior apo në zonat përreth, "megjithëse asnjë prej informacioneve nuk është ‘në kohë reale‘. Pak a shumë ideja është e tillë: ‘Ka qenë këtu, por sigurisht jo sot‘", thotë Cannistraro.

Ndërkohë që CIA deklaron se operacionet e saj kanë vlejtur për të nxjerrë nga skena liderë të tjerë të lartë të "Al Qaedas". Nga një raport i publikuar në "Washington Post" ditët e para të këtij muaji mësohej se ushtarakët e lartë pakistanezë qenë të bindur se gjysma e 20 emrave më të kërkuar në listën e amerikanëve qenë vrarë nga sulmet me avionët e komanduar në distancë. Por, raketat e këtyre mjeteve pa pilotë kanë vrarë edhe dhjetëra banorë të pafajshëm.

E me gjithë rrebeshin e raketave që bie mbi fshatrat e rajoneve fisnore, amerikanët kurrë nuk kanë deklaruar se i janë afruar vetë Bin Ladenit, sikur ai të ishte një shënjestër thuajse e pakapshme. /express/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 20.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 10.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 20.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 2 10.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 5 25.0%
Back
Top