Në Champions Ligë, episodet, përqëndrimi dhe yjet janë elementë që mund të bëjnë diferencën, dhe në dy sfidat e para, ndërthuren pikërisht këto tre detaje, për të nxjerrë rrezultatet e akteve të para. Bajerni i Mynihut, dominon por për të arritur te goli ka nevojë, për dy gabime të portierit të Juventusit, Bufon, që tradhëton në ndeshjen më të rëndësishme me bavarezët që fitojnë 2-0. Ndërsa në Park De Prince, janë deri diku Mesi, dhe Ibrahimovic që vendosin sfidën, por dëmtimi i argjentinasit dhe episodi i golit të barazimit të parizienëve, me suedezin dukshëm në pozicion jashtë loje i dhanë një tjetër rrjedhë kësaj ndeshjeje, të cilën nuk mundën dot ta ndryshonin as golat e Xavi Hernandez dhe të Matuidi, me shifrat që në fund në tabelën elektronike të impiantit parizien u fiksuan në 2-2.
Sigurisht që të gjesh përballë Bajernin e Mynihut këto kohë, është një mallkim i fatit. Juventus ishte i ndërgjegjshëm, se shorti u tregua kapricoz me ta në fazën cerekfinale, por përpos koeficentit të vështirësisë, bardhezinjtë nuk gjejnë mbështetje të Xhanluixhi Bufon. Bavarezët në fakt, e kanë ndeshjen nën kontroll në pjesën më të madhe të saj, por fati i puth në të dyja faqet, që në sekondën e 25-të, kur një goditje e Alabas, u devijua në portë nga Vidal, duke i dalë nga trajektorja dhe portierit të bardhezinjve. Një 1-0 që rrezikon shpeshherë të bëhet 2-0, por Roben, që zëvendësoi Kros të dëmtuar, vonon shumë manovrën sulmuese të Bajernit, me mbajtje topi të ekzagjeruara. Gjithsesi në pjesën e dytë, Bajerni e konkretizon superioritetin e tij, sërish falë një rrëshkitje të Bufon, që nuk e thith sic duhet topin duke e lënë në këmbët e Mandzukic, që dhuron një pasim të artë për Myler, që thjesht shtyn drejt fundit të rrjetës për golin e 2-0.
Juventus përpiqet të reagojë, por 2-3 goditje drejt portës së Neuer janë shumë pak për të pretenduar më shumë. Bajerni fiton pastër dhe hedh një këmbë drejt gjysmëfinaleve, ndërsa Juventus me siguri nuk do të dorëzohet por javën e ardhshme në kthim, bardhezinjtë do të kenë nevojë për ndeshjen perfekte. Nuk mund të cilësohet një rezultat i keq 2-2 ai i regjistruar nga Barcelona në Paris, në një ndeshje spektakolare, ku u përgjigjën në apel dhe dy yjet e dy skuadrave. Mesi shënoi i pari në të 38-tën, por doli nga fusha e lojës në fundin e pjesës së parë si pasojë e një problemi muskular, që bën me dhimbje koke Vilanovën që në rikthimin e tij. Manovra e Barcelonës nuk ka të njëjtin efikasitet pa argjentinasin, dhe po t’i shtosh këtu dhe një gol jashtë loje të Ibrahimovic siguirsht që ndeshja fillon të peshojë nga parizienët. Goli i Xavit madje nga pika e bardhë nuk arriti t’i japë fitoren katalanasve, pasi Matuidi i mbërtheu në fund, duke lënë në frymëmarrjen e fundit shpresën e parizienëve për një kualifikim për ndeshjen e kthimit në Camp Nou.
/BeratiLive