Arti që lind nga natyra

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Arti që lind nga natyra​
Për të kuptuar një skulpturë të Hevzi Nuhiut duhet të kuptosh natyrën. "Skulptura ime është në dru e gur. Frymëzimi është gjithmonë natyra, pasi çdo gjë që e duam e gjejmë në natyrë", thotë ai. Nuhiu përdor shpesh drurin e ullirit, këtë degë kaq romantike, që gjendet lehtë në vendin ku ai jeton prej vitesh në Kalabri. Kjo e fundit është një tjetër detaj interesant në jetën e artistit nga Kosova, që është zhvendosur në vendin ku qindra vite më parë shqiptarët ngritën një tjetër ishull të tyre.

Skulptori Hevzi Nuhiu bashkohet me arbëreshët e Kalabrisë në vitin 1983. Pasioni i tij për skulpturën në dru, por edhe në gur, ka lindur herët, që në fëmijëri, kur jetonte në një fshat malor në Preshevë të Kosovës. Që atëherë, duart e tij prej artisti transformojnë trungjet e pemëve të mbledhura në pyje në figura joshëse femrash, kthehen në fëmijë, apo në të tjera personazhe, të cilët duken sikur marrin jetë për t‘u transformuar në mite të fantazisë. "Frymëzimi im lind nga natyra. Mendoj se ne çdo gjë që duam e gjejmë aty, në natyrë. Në Kalabri, në vendin ku unë jetoj, ullirin e gjen ngado. Unë përdor kryesisht këtë pemë, pasi mendoj se në vetvete druri i ullirit është një skulpturë edhe pa i dhënë formë artisti. Unë vetëm mundohem të bashkëngjis krijimtarinë time, me krijimtarinë e vetë natyrës, duke u munduar të mos e prish atë që kjo e fundit është munduar ta bëjë për shekuj me radhë.

Në skulpturën e Hevzi Nuhiut, figura e gruas vjen gjysmë njeri e gjysmë pemë, ato janë energjike, të vërteta dhe ndërhyrja e artistit i fal atyre formë e linja. Por në veprën e tij, shpërfaqen edhe personazhe dinamike, të cilat vijnë në harmoni me kontrastet shpirtërore të artistit, në një pështjellim të gjithhershëm mes reales dhe fantastikes. Fytyrat e krijimeve të Hevziut pasqyrojnë jo vetëm ndjeshmërinë e traditës dhe idealeve që sa vijnë e zhduken, por edhe bukurinë e nostalgjinë e autorit për vendin dhe njerëzit e tij, nuk mungon aty edhe dëshira për të zbuluar vlera të reja në një botë të lirë dhe të drejtë. Vepra e tij është si një lloj udhëtimi i mbetur pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes. Shqipëria dhe Kosova kanë lënë pashmangërisht shenjë tek artisti, edhe pse ai gjithnjë është përpjekur të gjejë e të krijojë "tokën" e vet kulturore. Piktori shqiptar, Ibrahim Kodra, me të cilin skulptori kosovar ka ruajtur një miqësi 20- vjeçare, ka thënë se "Hevzi Nuhiu arrin me shumë thjeshtësi t‘i japë formë gjithçkaje që ka vlerë, sidomos në jetën e popullit të tij". E në të vërtetë, në veprat e skulptorit kosovar gjen të pasqyruar edhe tragjedinë e Kosovës, ku nëpërmjet artit të tij të konsoliduar ai shpreh vuajtjet e një populli prej spastrimit etnik serb. Nuhiu ka jetuar përherë me ankthin e ngjarjeve tragjike të vendit të tij. Skulpturat e tij komunikojnë vuajtjet antike dhe moderne të një vendi, që gjithnjë i është dashur të lajë hesapet me fatin e trishtë dhe të mundimshëm. Por, nëna dhe gruaja janë figurat më të dashura, të cilat gjejnë vend dhe hapësirë në krijimtarinë e tij, e cila u konsolidua më tepër 30 vjet më parë, kohë kur edhe mbërriti në Kalabri. Që nga ajo kohë, atij i është dashur një punë vërtet e madhe për t‘u bërë pjesë e hapësirave kulturore italiane. Por ia ka dalë mbanë. Tashmë, ai ekspozon jo vetëm në Itali, por edhe në Belgjikë, Kanada, Zvicër etj., me një dëshirë të madhe në zemër. Shumë shpejt dëshiron të çelë edhe një ekspozitë në Shqipëri, një ekspozitë me të cilën t‘i jepet mundësia të njihet edhe nga dashamirësit shqiptarë të artit. Karakteristikë e shumë prej skulpturave të Nuhiut është se ato vijnë në një stil modern, një stil i cili e afron atë me skulptorë të tjerë të famshëm të brezit të tij si Moore, Marini, Metrovic e shumë të tjerë. Krijimtaria e tij është pasuruar së tepërmi edhe nga komuniteti arbëresh, me të cilin ai jeton prej vitesh. E ka shprehur dashurinë për vendin e arbëreshëve, San Demetrio Corone nëpërmjet peizazheve të gdhendura me art. Ndërsa nuk mungojnë as simboli i flamurit kombëtar, shqiponja, poeti Jeronim De Rada, ashtu si edhe miku i tij, Ibrahim Kodra, miqësia me të cilin ka lindur herët. Ata kanë bashkëpunuar dhe jetuar me veprat e njëri-tjetrit. "Unë them se gjëja më e bukur që më ka ndodhur ndonjëherë në jetë është pikërisht miqësia e madhe me mjeshtrin Kodra. Ne jemi njohur prej 20 vitesh. Ai më ka dashur si fëmijën e vet, kemi bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Unë jam i mendimit se ai në mënyrë të padiskutueshme është një nga artistët më të mirë të kombit tonë", kujton Hevziu. Për të, mjeshtri Kodra ka qenë një enciklopedi më vete, një ndihmë e madhe për vetë skulptorin jo vetëm nga ana artistike, por edhe si njeri. "Mjeshtri Kodra gjatë gjithë jetës së vet ka bashkëpunuar e ka njohur artistë të mëdhenj, komunikonte me filozofë e shkencëtarë të mëdhenj të kohës sonë", vazhdon më tej ai. Hevzi Nuhiu kujton më tej se vitet e fundit të jetës së tij piktori shqiptar nuk merrej shumë me artin e tij, nuk e shqetësonte më as shitja e veprave, ajo për të cilën kishte më shumë nevojë ishte një lloj vëmendjeje, një lloj mirënjohjeje dhe miqësie të vazhdueshme me njerëzit. E tillë ishte edhe miqësia mes tyre, e cila zgjati deri në fund të jetës së mjeshtrit Kodra.G Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top