Ali Pashë Tepelena, burrë shteti apo bandit?

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
E mbajtur vetëm pak ditë më parë në Tiranë, një konferencë ndërkombëtare ka synuar të hedhë dritë mbi këtë figurë historike. Kjo konferencë ishte më shumë një takim që përmes referateve dhe studimeve të mbështetur në dokumente arkivash theksonte rolin e Ali Pashë Tepelena, ende sot e kësaj dite mbetet një figurë e diskutueshme për historinë shqiptare. Informacionet e deri më tanishme kanë ardhur nga botimet e librave me shënime e kujtime të udhëtarëve bashkëkohës të tij apo të pak viteve më vonë.

Kryesisht në përshkrimet e tyre, me në krye Pukëvilin, veç drejtimit të Pashallëkut, flitet për një Ali Pashë Tepelenë mizor e kriminel. Cili ishte Ali Pasha, shtetar apo bandit? Një konferencë ndërkombëtare e organizuar pak ditë më parë në Tiranë, me pjesëmarrjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë, është nxitur nga qëllimi për t‘i "gjetur" vendin e duhur kësaj figure. Organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bajronit, Instituti i Historisë dhe universiteti "Ufo", kjo konferencë ishte më shumë një takim që përmes referateve dhe studimeve të mbështetur në dokumente arkivash theksonte rolin e Ali Pashës si burrë shteti, ndonëse gjatë konferencës u debatua për këtë përcaktim ndaj tij. "

Ndonëse Ali Pasha nuk kishte simbolet e një shteti (flamurin dhe himnin e tij) studimet e fundit e nxjerrin Pashallëkun e tij si një shtet të pavarur në fillesat e veta. Mjaft kumtesa të mbajtura në këtë konferencë e vërtetojnë rolin e tij si burrë shteti. Qoftë në pikëpamje të marrëdhënieve ndërkombëtare që nuk vareshin nga Porta e Lartë, të drejtimit të Pashallëkut, të politikës ekonomike, tregtare, arsimore e fetare që ndoqi brenda Pashallëkut të tij, tregojnë aftësitë e një burrë shteti dhe të drejtat ligjore që i kishte dhënë vetes. Librat që na kanë ardhur nga bashkëkohësit e Ali Pashës dhe pak vjet pas tij, nuk kanë qenë të mbështetur në dokumente.

Për më tepër, përveç librave të Sabri Godos dhe Irakli Koçollarit, te ne mungojnë studimet e mirëfillta historike", shprehet profesor Afrim Karagjozi, organizator i konferencës. Referuar mungesës së studimeve, Karagjozi vë në dukje se ka ende dokumente që duhen parë për t‘i dhënë vendin e duhur Ali Pashës. Për këtë ai përmend se vetëm pak kohë më parë, në Greqi janë botuar katër vëllime që përmbajnë më shumë se 1400 letërkëmbime me personalitete të kohës dhe dokumente të tjera që, sipas tij, hedhin dritë mbi këtë figurë. Të njëjtit mendim i qëndron edhe studiuesi Dritan Egro.

Duke folur për fillimet e nacionalizmit shqiptar, që sipas tij i ka fillesat në Pashallëqet shqiptare e jo në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, referuar një letre të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë, dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit "për të diskutuar për avenirin e Shqipërisë, Egro shpjegon se veç marrëdhënieve ndërkombëtare, Pashallëku i Janinës ishte një institucion që kishte vendosur urat e njohjes dhe komunikimit mes elitës shqiptare.

Por gjithsesi, ai sugjeron një studim të plotë të dokumentacionit për të arritur në përfundime historike. I ftuar i kësaj konference ka qenë edhe akademiku rus, Gregory Arch, i cili ka folur mbi marrëdhëniet sekrete të Ali Pashë Tepelenës me Rusinë, si një dëshmi e politikës së jashtme të pavarur të Ali Pashë Tepelenës.

Dr. Irakli Koçollari është ndalur mbi rolin që duhet të ketë në historiografi Ali Pasha; proto-nacionalizmin dhe efektet e tij në formimin e identiteteve kombëtare në pashallëkun e Janinës janë trajtuar nga studiuesi Dorian Koçi, Dr.Ramiz Zeka mbajti një kumtesë mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës nëpërmjet dokumentacionit turk dhe arab, studiuesja turke, Noura Bozbora, e ka parë figurën e Ali Pashës në periudhën republikane në Turqi, heraldika si element shtetformues është trajtuar nga studiuesi Gjin Varfi, ndërsa studiuesi nga Kosova, Shkëlzen Raça, është ndalur në marrëdhëniet e Ali Pashës me komunitetet e tjera në Pashallëkun e tij.

"Grupi akademik i konferencës do të bëjë përçapje në të ardhmen që ta nxisë shtetin shqiptar të bëjë diçka më shumë se monumenti që ka vënë në Tepelenë. Kjo figurë historike duhet të reflektohet ashtu si i takon edhe në tekstet tona të historisë të çdo niveli", shprehet karagjozi. Referatet e kësaj konference do të botohen në një vëllim anglisht dhe shqip. Gazeta Shqip
 
Rilindasit dhe Ali pasha

Në përgjithësi, rilindasit shqiptarë, qoftë arbëreshë të Italisë së jugut, qoftë përfaqësues të kolonive të ndryshme të kryeqyteteve evropiane e ballkanike, qoftë pjesëtarë të administratës dhe elitës së Turqisë, ishin iluministë dhe Evropën e përparuar e shihnin si ideal të vetëm për kombin dhe shtetin e ardhshëm shqiptar. Kjo vetiu i bënte të ishin entuziastë për figurat më të ndriçuara të Renesansës e të Iluminizmit, të Revolucionit Frëng, filozofëve dhe ideologëve të Kohës së re. Sikurse kuptohet lehtë, përfytyrimet dhe vlerësimin për Aliun ata i morën në radhë të parë nga vepra e Pukëvilit, ajo e Liikut dhe disa bashkëkohësve të tjerë evropianë, që arritën ta njohin mirë pashain e Janinës.

Bie në sy veçanërisht, qëndrimi i qartë e i prerë i Sami Frashërit në artikullin e tij për Aliun te Enciklopedia Turke (Botuar te libri: Sami Frashëri, Personalitete shqiptare në Kâmûs al-a'làm, Shkup 2002). Pasi përmend faktet kryesore të jetës së tij ashtu siç i gjejmë te Pukëvili, kryeideologu i Rilindjes sonë kombëtare vjen në këto përfundime: "Ali Pasha megjithëse ishte njeri analfabet dhe pa shkollë, ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti.

Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirësuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant, në sytë e tij bëheshin tortura të tmerrshme e të shumëllojshme, nga të cilat kënaqej duke i parë.

Sa i rritej forca, pushteti dhe pasuria, aq i shtoheshin dredhitë dhe intrigat dhe shumë njerëz i fuste në dorë me mënyra djallëzore madje dhe i zhdukte. Shumë herë bënte që të vritej vëllai me vëllanë dhe pastaj atë që mbetej gjallë e dënonte me vdekje. E tillë ka qenë ngjarja e kardhiqiotëve.

Kudo që gjendej në Shqipëri një familje e parë, me influencë dhe e denjë, Ali Pasha nuk mund ta duronte, prandaj niste dhe zhdukte pjesëtarët e saj, ose e dëbonte familjen haptas, apo me dredhi dhe intriga.

Ata që mbeteshin, për të shpëtuar nderin dhe jetën e tyre, shtrëngoheshin ta linin vendin dhe iknin në vende të largëta. Popullsia e vobekët nga keqbërjet e ndryshme e sidomos nga punët angari, nuk mund të ngrinte kokën. Vajzat dhe gratë e bukura, duke e quajtur bukurinë e tyre një faj të madh dhe shkaktare të fatkeqësisë, qenë shtrënguar të fshiheshin..."

Nuk mund të thuhet se Sami Frashëri i shkroi këto radhë që të konformohej disi me politikën dhe historinë zyrtare të Perandorisë osmane. Nga njëra anë, duket qartë në gjithë artikullin qëndrimi i tij i iluminuar kur gjykon për shtetin, për burrin e shtetit dhe virtytet që duhet të ketë ky ndaj popullit që udhëheq; të kundërtat gjen tek Aliu, ndaj dhe penelatat janë të forta, pak a shumë siç i ndeshim te Pukëvili.

Nga ana tjetër, nuk mund të mendohet kurrsesi se ka patur droje në të shkruar ky frashërlli që në veprën e tij "Shqipëria çka qenë ç'është e ç'do dë bënetë" e paraqiti Perandorinë osmane si një karabina të mbaruar e cila duhet të shpërbëhej një orë e më parë e shqiptarët të përfitonin prej kësaj.

Aq më pak, mund të pritet droje te një përfaqësues tjetër i rëndësishëm i Rilindjes kombëtare, për një kohë edhe guvernator i Libanit në shërbim të Perandorisë, Pashko Vasa.

Tek flet për Kara Mahmutin e Shkodrës dhe Ali pashën, ai shënon: "Njëri sundonte mbi Shqipërinë e Sipërme dhe tjetri mbi të Poshtmen, me pak ndryshim si feudalët e mëdhenj të mesjetës. Që të dy ditën të bashkonin elementin mysliman dhe elementin e krishterë në të njëjtën ide patriotike dhe në të njëjtin vrull për lavdi ushtarake...

Por rivaliteti që ishte shfaqur midis tyre ua hëngri kokën më në fund, ata ishin bërë tiranë, qeverisnin vendin me një despotizëm të tepruar dhe populli i braktisi në dënimin që u dha sulltani".

(Pashko Vasa, Vepra Letrare 1, Tiranë 1987, fq.95-96).
Një tjetër frashërlli dhe përfaqësues i kombëtarizmës, Mehdi Frashëri vjen në këtë përfundim te "Një studim kritik për vrasjen e Ali Pashës": "...Një nga këto fuqi jashtëqëndrore ishte edhe ajo e Ali Pashës.

Ky faqeza thoshte se ishte Asllani i Dovletit, por në realitet mpronte me qëllim që të çdukte fuqitë lokale të Toskërisë dhe, si të mbetej i vetëm, kur t'i vinte rasti, kundrejt Turqisë deklaronte indipendencën e tij, si një satrap që përfiton nga rasti dhe jo si një burrë-shteti që ka për qëllim ringjalljen e Kombit të tij, nën kryesinë e tij" (te Walsh, R., Koka e Ali Pashë Tepelenës dhe rrethanat e vrasjes, Tiranë 1934.).

Për njerëz që e kanë vënë si qëllim të jetës së tyre ngritjen në këmbë të kombit është e natyrshme që shembulli i Aliut nuk entuziazmon: satrap që përfiton nga rasti dhe jo një burrë-shteti që ka për qëllim ringjalljen e Kombit - ja një përkufizim që është e vështirë ta lëvizësh.

Ali pasha nuk përfaqësoi ose nxiti idealin kombëtar - përveçse ndoshta në fund të jetës, kur e gjeti veten ngushtë dhe Porta kishte kthyer armët kundër tij. E pra duke mbajtur parasysh të gjitha këto, ai nuk mund të ishte ideal prapavajtës i rilindasve tanë, një shembull që provonte aftësinë e shqiptarëve për t'u vetëqeverisur; ndryshe ndodhi me Skënderbeun, në të vërtetë e vetmja figurë politike nga e kaluara që mund t'i shërbente zgjimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

Mirëpo nuk është gjithkund kështu. Për çudi ndeshim një gjykim krejt të kundërt te një tjetër kampion i kombëtarizmës, Faik Konica, sikurse në artikullin e tij "Ali Pasha i Tepelenit": "Shqiptarët u ngjallnë, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundim të tij... Shihet sheshit se mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë... Provat gjenden me qindra në jetë të Ali pashës...

Princi i Meternikut, kancelari i athershëm i Perandorisë austriake shkruan në kujtimet e tij: ‹Ali pasha më dërgoi më 3 mars 1822 një njeri të besës me një letër... për të bërë një konstitucion për Shqipërinë›..." (Albania 1902, shih Vepra, Tiranë 1993):
Më 3 mars Aliu nuk jetonte më, vetëm koka e tij rrinte e ekspozuar prej 23 shkurtit në hyrje të Portës perandorake.

Letra e Aliut për princin e Meternikut dëshmon edhe një herë që të vetmet shprehje të kombëtarizmës ose për një Shqipëri të pavarur (më saktë për një Shqipëri-Greqi të pavarur) ai i lëshoi kur humbi çdo përkrahje nga Stambolli dhe kishin ardhur t'i merrnin kokën.

Këto fakte prapëseprapë nuk e pengojnë Konicën të vijë në përfundimin: "është turp të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë... Por kur mendohemi se çfarë shqiptarë janë ata që duan të mbulojnë me këlbaza emrin e luanit që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi".

Mjetet me të cilat operon Konica në këtë artikull propagandistik janë ato të propagandës. Thotë p.sh.: "Njerëz si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbreti Gustav-Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të" - mirëpo dihet fare mirë se për t'u pjekur vetëm Bajroni u poq me të, kurse simpatitë që mund të kenë shprehur dy të tjerët, ndryshojnë nga takime reale që kurrë nuk ndodhën.

Mendoj se çelësi që shpjegon admirimin e Ali pashës nga Konica, ky europian kaq i kultivuar, vetë armik i dhunës e i gjakderdhjeve mes shqiptarëve, gjendet te prejardhja e tij: e ëma e Aliut, Hankoja, ka qenë nga dera e bejlerëve të Konicës.

Shkruan ai vetë te "Autobiografi e Faik Konicës" (1922, Vepra, f. 5-7): "Shtëpia nga e cila lindi Faik Konica është jo vetëm një nga më të vjetrat e Shqipërisë dhe të Epirit, po dhe një nga më të nderuarat për të shkuarën e saj të pastër.

Duke qenë se e ëma e Ali Pashë Tepelenës ishte prej kësaj familjeje, të gjithë biografët inglizë, frëngj dhe grekë patnë rastin të flasin për derën e Bejlerëve të vjetër të Konicës dhe të gjithë me një zë e mburrin." Në vijim mësojmë se stërgjyshi i Faikut, Sulejmani e ka patur hallë Hankon, të ëmën e Aliut.

Në këtë pikë mund të themi se Faik Konica ngjan me jo pak shqiptarë që mburren për të parët e tyre fisnikë, pavarësisht ç'mund të kenë bërë këta të parë.

Nuk mund të thuhet se Faiku ka qenë i vetëm në admirimin e tij për Aliun; vlerësim pozitiv gjejmë edhe më parë p.sh. te Dora d`Istria ("Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore", artikull në Revue des deux mondes, 1866), ku autorja e quan një burrë shteti të krahasueshëm me burra të tjerë shteti europianë.

Studiuesja Nathalie Clayer në veprën e saj "Fillimet e nacionalizmit shqiptar" (aktualisht në shtyp) vëren: "Fabrikimi i "panteonit kombëtar", filluar shumë më parë se 1896-a, përmblidhte personazhe të tilla si Aleksandri i Madh, Pirroja, Bushatllinjtë dhe Ali pashë Tepelena..."

Edhe pse ndër rilindasit admiruesit e pashait të Janinës, si njeri me aftësi të jashtëzakonshme që u përpoq për një shtet të mëvetshëm shqiptar, janë një pakicë, në tërësi mund të thuhet se deri në Luftën e dytë botërore, për këtë figurë mbijetuan dy lloj vlerësimesh herë-herë diametralisht të kundërta.
Sido të ishte, librat e Pukëvilit, biografit kryesor të tij, asnjëherë nuk u vunë në diskutim.







 
Me aq sa kemi lexuar lexuar per jeteshkrimin e Ali pashe Tepelenes te krijohet pershtypja se fati e ka ndihmuar ate te ngjitet ne majat e hierarkise ne perandorine otomane.Por sidoqofte nje njeri i zakonshem nuk mund te arrinte ato grada dhe te korrte ato suksese ne nje perandori aq te madhe dhe ne nje territor te banuar me shqiptare dhe greke.Rezultatet e punes se tij gjate qeverisjes se pashallekut te Janines qene me te vertete te admirueshme .Ai vendosi rregullin dhe ligjin ne nje territor ku prej kohesh ligjin e benin bandat e kacakeve.Keto vleresime ekzistojne ne dokumenta te perandorise otomane por edhe ne kronika te kohes se tij.Tendenca e tij ishte per te krijuar nje shtet shqiptar brenda nje teritori te caktuar.Ai me fodullekun qe e karakterizonte nuk arriti te krijonte nje bashkerendim te perpjekjeve te tij me pashallaret e tjere shqiptare qe qeverisnin ne vilajetin e shkodres apo te kosoves per te krijuar nje shtet brenda teritoreve te banuar me shqiptare.Levizjet e tij duke vepruar i vetem me teper ndihmuan ne shpalljen e pavaresise se shtetit grek se sa ne realizimin e endres se tij per te krijuar nje shtet shqiptar.Perfundimisht mund te themi se Ali pasha njihet si burre shteti sepse ai beri histori gjate qendrimit ne krye te vilajetit te Janines,por sbesoj se ia vlen te rradhitet ne figurat e ndritura te kombit tone per liri e pavaresi.
 
Enver Hoxha dhe Ali Tepelena
Trajtimi i veçantë që gëzoi Aliu në kohën e Shqipërisë komuniste u shpreh si në monumentin e ngritur në Tepelenë, ashtu edhe në një numër monografish e botimesh më të vogla, po ashtu edhe në ndalimin e plotë të veprës dokumentare mbi të, në radhë të parë asaj të Pukëvilit. Për herë të parë gjatë kësaj kohe vihet në dyshim edhe saktësia e biografisë së Pukëvilit.
Si për çdo figurë tjetër të së kaluarës shqiptare barometri më i rëndësishëm ishte edhe në këtë rast qëndrimi i Enver Hoxhës për të. Dhe, sikurse ishte ajo kohë, mjaftonte që rrethi i tij i ngushtë të kapte vlerësimin pozitiv ose negativ të udhëheqësit për aksh figurë, e ky pastaj përhapej valë-valë në gjithë shtetin dhe depërtonte deri në librat e shkollave për fëmijë.

Aq më shumë që Hoxha, edhe pse pak, është prononcuar në disa raste për Aliun dhe kjo mjaftonte për historianë ose shkrimtarë simpatizantë të Aliut që të shkruanin monografi ose romane për të dhe të amplifikonin pikërisht ato që kishte thënë Udhëheqësi.

Por çfarë kishte thënë ai?

Janë disa pasazhe në fjalime të viteve 1961-1964. ثshtë pikërisht koha kur Hoxha ka prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe po modelon për historiografinë shqiptare atë nacionalizëm komunist që shoqëroi izolimin e plotë të vendit nga bota deri në ngjarjet e viteve '90-'91.

Në një fjalim të mbajtur në rrethin e Tepelenës më 27.6.1962 Hoxha thotë për Aliun: "Ai ishte kundër imperatorisë otomane, kundër sulltanit dhe donte që Shqipëria të ishte më vete, e shkëputur nga turqit. Ali Tepelena ishte diplomat, njeri i zgjuar" etj. (sh. vepra 23, Tiranë 1977, f. 350,). Në një fjalim para Byrosë Politike më 2.10.1964 udhëheqësi jep direktiva të sakta se si duhet formuluar historia e popullit shqiptar.

Pasi ndalet gjatë në mënyrën se si duhet paraqitur figura e Skënderbeut, ai vazhdon: "اështja e Ali pashë Tepelenës duhet përcaktuar mirë. Aliu... kur u fut në luftë kundër turqve, kishte për qëllim që vendi të çlirohej prej tyre. Ai kishte mendimin të krijonte një pashallëk shqiptar." (vepra 27, Tiranë 1978, f. 359)

Ky përcaktim në një moment kur duhet botuar një tekst bazë i historisë flet vetë. Ai është e kundërta e gjithë asaj çka na del pas leximit të veprës së Pukëvilit, por jo vetëm e tij, gjithashtu e Liikut, e Hjuzit etj.

Për të gjithë këta autorë Aliu ishte në radhë të parë sundimtar turk i Greqisë dhe i Epirit, natyrisht dhe i Shqipërisë së jugut; armët kundër Ismail apo Hurshid pashës ai i ngriti vetëm kur i mbyllën rrethimin, përpjekjet e tij për të dalë "i pavarur" qenë ato të një ish-sundimtari të kapur pisk, i cili është fuqizuar dhe pasuruar gjithmonë në emër të Portës dhe të Islamit. Kurse Hoxha, në një konceptim diametralisht të kundërt, arrin deri dhe të ngrejë paralelen me Skënderbeun (edhe ky me Skënderbeun një sendërgjim më vete, siç e kemi thënë në vende të tjera):

"Ai u përpoq të bashkonte gjithë vendin në një shtet të vetëm të shkëputur nga Perandoria Turke... Ali Pasha orvatej të krijonte atë që bëri disa shekuj përpara Skënderbeu, që të gjithë shqiptarët të lidheshin së bashku për t'i rezistuar pushtuesit të huaj." ("Shtëpia e kulturës të vlojë si një zgjua bletësh", fjalim i mbajtur në Tepelenë më 27.10.1963, vepra 27, Tiranë 1977, f. 535-536)

ثshtë interesante që Hoxha në disa raste, kur fillon vlerësimet për Aliun thotë "ai ka patur anët e veta pozitive dhe negative" ose "të metat dhe meritat e tij" dhe pastaj ndalet vetëm në anët pozitive. Ne nuk mësojmë prej tij se cilat ishin anët negative të Aliut, nuk dëgjojmë asgjë për rrugën e krimeve dhe intrigave që përdori ai për t'u ngjitur lart në pushtet.

Gjithashtu interesante që në meritat hyjnë sipas Hoxhës edhe dredhia, dinakëria etj. "e gjithë Shqipëria është njohur edhe në botën e jashtme me Ali pashë Tepelenën, i cili ka anë pozitive dhe negative.

Ai ishte kundër imperatorisë otomane, kundër sulltanit... ishte diplomat, njeri i zgjuar etj." (vepra 23, v. i cit.); "Aliu, me zgjuarsinë e tij, donte të zhdukte feudalët e tjerë... Napoleoni i tha gjeneralit të tij që të bashkëpunonte me Aliun, veç dhe të ruhej si fort dinak që ishte" ("Shtëpia e kulturës të vlojë..." v. cit., f. 536).

E. Hoxha vlerëson veçanërisht strategjemën që përdori Aliu kundër Ibrahim pashës së Beratit, kur e akuzoi këtë se donte t'i shiste Vlorën francezëve. Krejt ndryshe e mësojmë historinë nga Pukëvili: kjo ishte një nga intrigat e zakonshme të Aliut për të hequr qafe një rival të vetin, në këtë rast vjehrrin e dyfishtë të djemve të tij.

Le që është e papërfytrueshme që një pasha lokal t'i jepte një fuqie perëndimore një port kaq të rëndësishëm për Perandorinë si Vlorën, të cilën venecianë dhe të tjerë ishin munduar më kot ta merrnin qysh prej pushtimit otoman më 1417. Kurse Hoxha thotë: "Aliu i ra pashait të Beratit, ish-agjent i francezëve, që ta likuidonte." ("Shtëpia e kulturës të vlojë..." v. cit., f. 536).

Në një fjalim menjëherë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, duke hequr një paralele të qartë midis Shqipërisë së fillimshekullit 19 dhe Shqipërisë së viteve 1960, midis veprimit të Aliut dhe veprimit të vet, Hoxha thotë: "Iku ajo kohë kur Ibrahim Pasha i Beratit, të cilin Ali Pashë Tepelena e kishte vënë përpara, i propozonte një gjenerali të Napoleon Bonapartit t'i shiste Vlorën "për 40 aspra", për të shpëtuar kokën" ("Vigjilencën ta kemi në rendin e ditës", fjalim i 14 nëntorit 1961, sh. vepra 22, f. 276, Tiranë 1976).

Si ka mundësi që Hoxha ta marrë për të vërtetë një sajesë të tillë të Aliut për baxhanakun dhe rivalin e tij? Si ka mundësi që ai ta quajë pashanë plak të Beratit, atë njeri të mefshtë dhe të urtë, siç e gjejmë në këtë libër, "ish-agjent" të francezëve?

Kjo e ka përgjigjen në gjithë karrierën e vetë Hoxhës, e cila është e mbushur me rivalë ose vartës që akuzohen si të shitur te Perëndimi ose Moska, si ish-agjentë ose poliagjentë të fuqive të huaja, dhe pastaj likuidohen. Nuk e teprojmë aspak po të themi se Hoxha privatisht dhe gjysmë publikisht e ka admiruar Aliun.

Kemi ndër të tjera një dëshmi gojore të një Zhoa Amazonas, dikur drejtues i partisë marksiste-leniniste të Brazilit që e vizitonte shpesh Shqipërinë në vitet '60-'70: Amazona në një nga këto takime i thotë Hoxhës se shtypi perëndimor e akuzon udhëheqësin komunist për raprezaljet e shumta që ka bërë mbi popullin shqiptar.

Hoxha i përgjigjet: "Ju nuk e njihni temperamentin rebel të shqiptarit. 170 vjet më parë në Shqipërinë e Jugut sundonte Ali Pashë Tepelena, ndërsa në Egjipt Mehmet Ali Pasha, shqiptar dhe ky, nga krahina e Korçës. Ky i fundit i dërgon një letër Ali Pashë Tepelenës, duke e qortuar për vrasjet që kishte bërë në Sul.

Ali Pashë Tepelena i përgjigjet: - ‹Shqiptar ti dhe shqiptar unë, pasha ti dhe pasha unë, Ali ti dhe Ali unë, por kemi një ndryshim. Ti sundon përmbi fellahet, që vret 1 dhe të binden 10.000 të tjerë, kurse unë sundoj përmbi shqiptarë, që vras 100 dhe mezi më binden 10 të tjerë...› Kështu janë shqiptarët, shoku Amazona.

Për hir të idealit komunist, çdo gjë duhet sakrifikuar, bile edhe kapitali më i çmuar që është njeriu" (te libri "Kush ishte Enver Hoxha" nga A. Musta, M. Kokalari, Tiranë 1966, f. 83) Sadoqë kjo dëshmi është gojore dhe me karakter anekdodik, prapë nuk duket e shpikur dhe përputhet me gjithë rastet e tjera kur Hoxha e ka lëvduar Ali Tepelenën publikisht.

Paralelet mes dy sundimtarëve (shprehja më duket e saktë) janë jo të pakta, nganjëherë befasuese kur mban parasysh ndryshimin prej gati 170 vjetësh mes sundimit të njërit dhe të tjetrit.

Karizma, ëmbëlsia në të folur, dinakëria, ngjitja nga vrasja në vrasje, mosngurrimi në likuidimin e rivalëve realë e të supozuar, varfërimi dhe shkatërrimi i elitave, apo më thjesht i njerëzve të pasur ose me autoritet, përdorimi i shpeshtë i intrigës, loja me dy faqe (përzemërsia, ngrohtësia ndaj atij që shpejt do bjerë në humnerë), komunikimi popullor, mbulimi i vendit me spiunë ("vendi i vet mbikëqyret nga një rrjet i tërë paditësish dhe vrasësish" shkruan Pukëvili për Aliun), interesimi për martesat, në përgjithësi për jetën private të nënshtetasve etj. etj.

Interesant është edhe fakti që të dyja sundimet, edhe pashallëku i Aliut, edhe Shqipëria komuniste ishin pa themele të vërteta, ose prej rëre, siç e thotë për pashallëkun e Janinës Liiku: ndërsa i pari legjitimimin e kishte te fermanët e Portës së Lartë, të cilat një ditë u kthyen në të kundërtën, i dyti qëndronte mbi një bazë ideologjike që u lëkund dhe u shemb përfundimisht në fund të viteve 1980.

Pra është e ngjashme shpejtësia e rënies së dy sistemeve të cilët nuk kishin ndonjë mbështetje në popullsi. Edhe ajo që lanë pas dy sundime në thelb personale janë të ngjashme: anarkia, shkatërrimi, dëshpërimi moral.
Por natyrisht nuk mund të shtyhemi më tej, sepse paralelet "shkencore" këtu janë të palejueshme: edhe vetë personazhet kanë një numër dallimesh ku s'vlen të ndalemi.

Po theksojmë vetëm dimensionin heroik-legjendar të Aliut, të cilën admiruesi i vet një shekull e gjysmë më pas nuk e pati: ishin sidomos dy vitet e fundit të rezistencës, mbrojtja edhe me armë në dorë e një plaku 80 e ca vjeçar, siç e gjejmë edhe në librin e Pukëvilit, ajo që i dha përjetësinë, e bëri të hynte edhe në këngët e popullit dhe t'i mbetej kujtimi pavarësisht nga librat. Një guxim e trimëri personale në beteja që nuk gjen paralel te sundimtari komunist, së paku në periudhën e Luftës.

Trajtimi i veçantë që gëzoi Aliu (krahasuar me sundimtarë të tjerë shqiptarë të Perandorisë otomane) në kohën e Shqipërisë komuniste u shpreh si në monumentin e ngritur në Tepelenë, ashtu edhe në një numër monografish e botimesh më të vogla, romanesh e tregimesh që iu kushtuan Aliut, po ashtu edhe në ndalimin e plotë të veprës dokumentare mbi të, në radhë të parë asaj të Pukëvilit.

Karriera e përgjakshme e Ali Tepelenës me mizoritë e shumta, motivi kryesor i ngjitjes së tij: etja për pushtet dhe lakmia për pasuri, u lanë në heshtje, ndërsa pyetja: Ishte satrap që punoi gjithë jetën për rritjen e pushtetit personal, apo burrë shteti që punoi shumë edhe për të mirën e shqiptarëve? anoi qartas nga përcaktimi i dytë. Këtë qëndrim e përforcoi dhe romani popullor i Sabri Godos "Ali pashë Tepelena" (botimi i parë 1970).
Për herë të parë gjatë kësaj kohe vihet në dyshim edhe saktësia e biografisë së Pukëvilit. Në zërin për autorin frëng te Fjalori enciklopedik i vitit 1985 thuhet: "Duke u nisur shpesh nga gojëdhëna të pasakta dhe me paragjykime fetare e politike, nuk pasqyron plotësisht realitetin historik. Përpjekjet e F. Pukëvilit për të nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme."




Gazeta Shekulli
 
Per kohen u quajt bandit
PO ta studiosh sot ai eshte i pari njeri qe me ambicjen e tij kerkoi te kish nje shtet pa vasalitetin e turqise
Dhe pse ambicjet e tij ishin jo te mira per principatat e shqiperise ne ate kohe , idja e bashkimit te ketyre ne nje te vetme e bejen ate te quhet burre shteti
Aq sa kam lexuar per kete burre ( s'jane pak ato qe kam lexuar per te ) atij e keqja i erdhi nga vete shqiptaret
Shqiptare qe hengren kokat e njeri tjetrit ne emer te Turqise
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 20.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 10.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 20.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 2 10.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 5 25.0%
Back
Top