Alba në garë me “Duke pritur Karlotën”

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Alba në garë me “Duke pritur Karlotën”

Alba Malltezi, gazetare dhe pendëkritike e realitetit shqiptar prej më shumë se 10-vjetësh. Nis punën e saj si gazetare e kul
turës në 1994 te “Gazeta Shqiptare” për t’u bërë më pas drejtuese e nismave më të rëndësishme të këtij grupi mediatik që nga BalkanWeb, Radio Rash e NEWS24. Aktulaisht jeton mes Italisë dhe Shqipërisë, duke vazhduar vëzhgimin dhe koordinimin e informacionit në NEWS24 dhe rubrikën e saj “Periferi” në “Gazeta Shqiptare”, rubrikë që është shndërruar në një blog shumë aktiv në Balkanweb. Hera e fundit që e kemi intervistuar ishte në ‘Bluetooth’, pas lindjes së vajzës së saj Karlota, pas martesës me gazetarin italian Carlo Bollino. Ndërsa tani, rasti e sjell ta intervistojmë për një tjetër ngjarje: pjesëmarrja e saj me një pikturë në konkursin që zhvillohet aktualisht në Itali “Premio Terna”, që synon promovimin e artit bashkëkohor, sidomos të piktorëve të rinj.
Alba, kush ju njeh nga afër e di mirë pasionin që keni për pikturën, por për lexuesit besoj kjo anë tjetër e juaja është surprizë. ا’mund të na thoni për pjesëmarrjen në këtë garë mes piktorësh italianë?
Më pëlqeu tema e konkursit. E konsideron pikturën si një art të transmetimit të energjisë dhe kjo është filozofia e pikturës sime. Mendoni, nisa të pikturoj, duke shtrydhur tubeta vaji mbi telajo sipas energjisë që më transmetonin fillimisht debate paradoksale ne Kuvendin e Shqipërisë, apo skandale të tarifave të telefonisë celulare, aq diskriminuese për shqiptarët. Ishte një energji negative dhe “Kuvendi i Shqipërisë” që kam pikturuar unë, nuk e di sa do t’i gëzonte politikanët që e popullonin dhe e popullojnë. Por aspekte të tjera të jetës, për fat, më japin impulse pozitive, ndaj mes tablove kam shumë të tjera, të përmasave të vogla e të mëdha, plot ngjyra e optimizëm; këtë energji pozitive e marr nga shoqëria, familja e shumë prej kolegëve të mi. Vendosa të marr pjesë në konkurs edhe e nxitur nga miq këtu në Itali që prej vitesh merren me organizimin e ekspozitave ndërkombëtare të pikturës bashkëkohore dhe që vlerësojnë shumë pikturën bashkëkohore shqiptare e bërë e njohur me emra të suksesshëm në gadishullin Apenin por dhe në botë, si kosovari Sislej Xhafa apo Anri Sala.
Paraqiteni me një pikturë me emër interesant, “Duke pritur Karlotën”, cila është historia e kësaj pikture dhe e pikturës në përgjithësi që realizoni ju?
Duke vlerësuar idenë e konkursit, mendova të marr pjesë me një pikturë që e realizova në muajin e shtatë-tetë të shtatzanisë sime. Besoj se s’gjen gjëkundi energji më misterioze, të magjishme, emocionuese, se te një grua në pritje të një fëmije. Fillimisht hodha në telajo të zezë dhe vishnje, pasi kështu imagjinoja “shtëpinë” e Karlotës, bebushes sime, e më pas, tabloja u plotësua me copëza ekografie që më ndihmonin të kuptoja se si do të ishte. E kuqja më imponohej nga kurbat kulminante të një gëzimi e energjie spontane të parrëfyeshme. Eshtë vaj mbi kanavacë e përmasave 100x70 dhe foton e saj mund ta shihni dhe në faqen në internet të “Premio Terna”.
Sa i takon pikturës sime, është përgjithësisht informale dhe në fakt më vonë, duke studiuar, mësova që lindja e pikturës bashkëkohore në Europë është quajtur pikërisht kështu nga kritiku i artit, francezi Michel Tapié, andej nga 1952: Informale. Akrilikun e vajin mbi kanavacë, kompensatë, apo dru, shpesh i kombinoj me materiale të varfëra si copa gazete, revistash për të përcjellë një mesazh. Pikturën e shoh si një mjet të jashtëzakonshëm komunikimi dhe përditë e me shumë ndjej dhe kuptoj se piktura bashkëkohore ka një forcë të jashtëzakonshme. E pashë veten papritur shumë afër piktorëve të pas viteve ’50 në Europë, madje rastësisht kam bërë një pikturë të ngjashme shumë në koncept dhe realizim me “Petit object sympathiq” të Jean Fautrier, bërë prej tij në 1958, apo ndonjë tjetër me Gastone Novellin apo Alberto Burrin, prapë andej nga 1958-’59. Këto koinçidenca i kam zbuluar gjithnjë pas studimeve të mëvonshme.
Kuptoj se ju pëlqen dhe realizoni pikturën abstrakte. Në Shqipëri nuk kultivohet shumë, ndoshta nuk kuptohet?
Në Shqipëri ka piktorë të rinj shumë të mirë dhe realizojnë pikturë bashkëkohore të standarteve shumë të larta, mund të përmend Genti Korinin, për shembull, por ka dhe të tjerë me shumë talent. Eshtë e vërtetë që në Shqipëri admirohet akoma piktura kopje e natyrës: peizazhi, natyrat e qeta. Nuk mund t’i heq asnjë presje vlerave të pikturës tradicionale, ne kemi piktorë të jashtëzakonshëm në këtë drejtim, por them se kur të kuptohet forca, energjia, impakti i mrekullueshëm i pikturës bashkëkohore, edhe në Shqipëri do të ketë vend e hapsirë për këtë magji tjetër të mendjes e dorës së njeriut. Më vjen keq që s’realizohet më Bienalja e Tiranës; ishte një vlerë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe një mundësi e mirë për të ndërkombëtarizuar artin e shumë piktorëve shqiptarë që dhe për arsye banale si mungesa e një vize, nuk ballafaqohen me kolegë nëpër botë.
Pra kjo nuk është piktura e parë për ju. Mund të na flisni pak më shumë rreth pikturave që keni realizuar deri tani?
Janë të përmasave dhe të energjive të ndryshme. Eshtë energjia pozitive apo negative ajo që më jep impulset për të pikturuar. Tani për shembull, kam nëpër duar dy tablo, vaj dhe materiale të tjera mbi kompensatë, “Realitet i arnuar” quhen; kriza globale, varfëria e skajshme në një pjesë të madhe të globit dhe padrejtësitë që vazhdojnë të kryhen dhe në vendin tim, nuk mund të më japim impulse pozitive. Ndaj koncepti im apo komunikimi me pikturën time është një pasqyrim realiteti me forma abstrakte dhe të fashuara. Por nuk mungojnë dhe janë të shumta tablotë pozitive që kanë kryesisht në fokus portrete miqsh, momente të kaluara me ta. Një temë që e kam shumë për zemër është dhe mjedisi, lulet. Këtë e kam pasqyruar në dy tablo 70x50 “Vuajtja e luleve”, por dhe në një tjetër të përmasave të mëdha 200x180 “Dashuria e luleve”.
Jeni në garë me shumë piktorë italianë të moshave dhe eksperiencave të ndryshme. Mbi 1000 piktura nuk janë pak. اfarë prisni nga ky kompeticion?
Së pari pjesëmarrja; më gëzon fakti që pas prezantimit të “Duke pritur Karlotën” (Aspettando Carlotta, është piktura e 242 në renditje), shumë piktura të tjera pas meje kanë të njëjtën ide, por me realizime të ndryshme. Ballafaqimi mes artistësh është shumë i rëndësishëm dhe vetëm të shohësh interpretimet e ndryshme që i kanë dhënë konkurrentët në konkurs energjisë së lindjes së një fëmije, të pasuron. Duke përfituar nga kontaktet në Balkanweb do t’u kërkoj shumë lexuesve shqiptarë që ta shikojnë dhe nëse u pëlqen, nëse arrin t’u japë emocion, nëse perceptojnë energjinë misterioze dhe pozitive, që unë mendoj se kam përcjellë le ta votojnë. (qesh)
Po si dhe kur votohet?
Në faqen e internet Premio Terna 01 per l'Arte Contemporanea piktura ime është me numrin 242. Votimet on line nisin nga ora 8.00 e 3 nentorit deri në orën 18.00 të 11 nëntorit 2008. Gati një javë klikime dhe vota mbetet anonim.


Ballkanweb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top