A e hodhi Obama topin në fushë të Muslimanëve?

Status
E mbyllur për postime të tjera.

loyalx

Muslim
Reflektime nga fjalimi i Presidentit Amerikan në Kajro të Egjiptit.

Shkruan: Mr. Sci. Driton Morina



Pas ardhjes në pushtet Presidenti Amerikan Barack Obama u përkushtua që Amerikës ti kthej imazhin e humbur nga paraardhësi i tij, presidenti më injorant gjatë gjithë historisë së këtij vendi, George W. Bush. Për ta rritur këtë synim administrata e re amerikane në mënyrë strategjike planifikoj që presidenti i ri të zhvilloj një turne në Evropë por edhe Lindje të Mesme duke filluar në Turqi e duke përfunduar në Egjipt. Përderisa Bushi prej një stili kauboj përshkruante islamin si destruktiv madje fliste edhe për "islamo-fashizmin", teori të cilën as vet se dinte se çfarë synonte, Obama nga ana tjetër në stil prej strategu duke folur para parlamentit turk me 6 Prill të këtij viti bëri të ditur se "Amerika nuk është dhe kurrë nuk do të jetë në luftë me islamin". (Khalid Amayreh, Muslims to Obama: Now What? Reflections on Obama's Speech to the Muslim World, www.islamonline.net) Edhe pse një thënie mjaft shpresëdhënëse, megjithatë përmes këtij deklarimi preciz Obama shfaqi shkathtësitë e tij intelektuale dhe diplomatike duke lënë të kuptohet se administrata amerikane ka ndryshuar, ngase ai nuk potencoi se Amerika nuk ishte në luftë me islamin por nuk është, që nënkupton se ai nuk fliste për dështimet e paraardhësit të tij.

Sidoqoftë, kulmin e retorikës se tij Obama e arriti gjatë fjalimit të tij prej 55 minutash me 4 Qershor 2009 në Kajro të Egjiptit, fjalim ky i cili u ndoq nga mijëra pjesëmarrës dhe qindra mijëra tele-spektatorë anekënd globit. Me qenë se sipas Shkencës se Menaxhimit të Burimeve Njerëzore sa më i hapur që të jetë njeriu ndaj miteve dhe tabuve të ndryshme aq më i suksesshëm do të jetë ai në zgjidhjen e krizave dhe mundjen e sfidave, Obama duket të ketë ndjekur me përpikëri rregullat e kësaj shkence kështu që gjatë fjalimit të tij ai rrëzoi të gjitha mitet dhe tabutë duke biseduar haptazi rreth pothuajse të gjitha problemeve në mes të Botës Islame dhe Amerikës. Ai madje u duartrokit 42 herë gjatë fjalimit të tij vetëm 55 minutash veçanërisht kur fliste rreth islamit dhe paqes mbarëbotërore.

Pasi që lavdëroj dy institucionet më të famshme të Egjiptit, Universitetin El Az'har dhe atë të Kajros, që e kishin ftuar, Obama përfitoj zemrat e audiencës me një Esselamu Alejkum, për të cilën u duartrokit gjatë, pastaj ai bëri një prezantim të përgjithshëm të problemit duke kritikuar kolonializmin dhe luftën e ftohtë për trajtimin jo të duhur që i bënë muslimanëve dhe duke përshkruar modernizmin dhe globalizmin si ndryshues rrënjësorë që bënë shumë musliman ta shohin perëndimin si armik të traditave islame. Ai bëri të qartë synimin e ardhjes se tij në Kajro, pra kishte ardhur për një fillim të ri në mes të Amerikës dhe Muslimanëve anekënd botës duke u mbështetur në interesa të dyanshme, respekt të dyanshëm dhe mbi faktin se Islami dhe Amerika nuk duhet të konsiderohen si përjashtues të njeri tjetrit por përkundrazi si diçka që ndajnë principe të përbashkëta si drejtësinë, përparimin, tolerancën dhe dinjitetin për mbarë shoqërinë njerëzore. (Remarks by the President on A New Beginning, Cairo University Cairo, Egypt, The White House Office of the Press Secretary, Cairo-Egypt).

Përveç kësaj Presidenti Obama nxori në pah të vërtetat rreth islamit duke pranuar publikisht të arriturat e islamit në aspektin shkencor duke potencuar se muslimanët ishin ata që zhvilluan algjebrën, kompasin, mjetet e lundrimit, mjeshtërinë e penës dhe shtypjes; të kuptuarit për përhapjen e sëmundjeve dhe shërimin e tyre, poezitë e mrekullueshme, kaligrafitë elegante, vendet magjepëse etj. që i hapën rrugën Renesancës dhe Ndriçimit në Evropë, po ashtu në rrafshin edukativ dhe kulturor duke kultivuar një frymë mirëkuptimi dhe tolerance në mesin e njerëzisë. Islami historikisht ka dëshmuar me fjalë dhe vepër mundësitë e tolerancës fetare dhe barazisë racore u shpreh Obama. Për fat të keq këto të arritura të islamit edhe sot e kësaj dite mohohen nga disa vende të muslimanëve duke mos përjashtuar Egjiptin në këtë rast, ku mbahej ky fjalim.

Më pas Presidenti përmendi shtatë çështje më rendësi për të cilat kishte ardhur në Kajro që ti drejtohet audiencës dhe tërë muslimanëve. E para: çështja e ekstremizmit të dhunshëm, e dyta: situata në mes të Izraelit dhe Palestinës, e treta: të drejtat dhe përgjegjësitë e kombeve ndaj armëve bërthamore, e katërta: demokracia, e pesta: liria fetare, e gjashta: të drejtat e femrave, e shtata: zhvillimi ekonomik.

Pothuajse në secilën çështje Presidenti Obama ishte shumë gjeneral duke mos hyrë në specifika dhe detaje. Sa i përket të parës, ai foli mbi dëmet që sollën sulmet e 11 Shtatorit mbi civilet pa i përfillur fare dëmet mbi civil të shkaktuara nga sulmet amerikane qoftë në Afganistan e aq më shumë në Irak. Megjithatë ai bëri të qartë se izolimi i ekstremistëve do të ishte në interes të dy palëve edhe asaj amerikane edhe asaj muslimane, këtu duhet të kihet parasysh se fjalimi i tij mbi këtë çështje nuk le të kuptohet se islami ka ndonjë hise ose mbanë ndonjë përgjegjësi mbi zhvillimet e ekstremizmit të dhunshëm ngase Presidenti para se të flas mbi këtë pikë qartëson se ditë me parë në Ankara ai ka bërë të qartë se Amerika nuk është dhe kurrë nuk do të jetë në luftë me islamin. Pra, duke mos dashur të marrë përgjegjësi për atë që shkaktoi paraardhësi i tij, Obama fjalimin e tij e fokuson në planet e tërheqjes së trupave nga zonat e konfliktit.

Sa i përket çështjes se dytë, Presidenti Obama përshkroi vuajtjet e dy popujve në konflikt, çifutët e dënuar, vrarë e masakruar më se 6 milion anekënd botës, pra më shumë se vet banorët e izraelit sot, siç shprehet Obama, dhe palestinezët e vrarë e të persekutuar për më shumë se 60 vite. Këtu Presidenti në mënyrë diplomatike u mundua ti përvetësoj mendjet e dëgjuesve duke i paraqitur, me fakte siç thotë ai, çifutët si popull i persekutuar dhe se nevoja e tyre për një shtet është domosdoshmëri e kohës. Mirëpo një gjë që domosdoshmërisht do sqarim, e që presidenti nuk i vuri re, është se persekutimi i çifutëve nuk u bë nga palestinezet, as nga arabët e as nga muslimanët, përkundrazi nga vet evropianet. Në anën tjetër Obama kritikoi Hamasin dhe sulmet e tij si sulme mbi civil, të vrazhda dhe më rezultat qorr ndërsa ai nuk përfilli terrorin shtetëror të Izraelit të ushtruar në mënyrë të vazhdueshme ndaj civilëve palestinez duke arritur kulmin me rastet e fundit në Gaza, e tërë kjo njëanshmëri sigurisht për shkak të asaj që Presidenti në fillim të diskutimit të kësaj çështje e quan si "lidhje e pathyeshme" në mes të Amerikës dhe Izraelit. Megjithatë, Obama një gjë e bëri të qartë se "Amerika nuk do t'ia kthej shpinën aspiratave të ligjshme të palestinezeve për dinjitet, mundësi dhe shtet të vetin", gjë që në mënyrë teorike sjell një optimizëm ne vete.

Sa i përket çështjes se tretë, e drejta dhe përgjegjësitë e kombeve ndaj armeve bërthamore, Obama gjithashtu drejtoi gishtin drejtë Iranit dhe sistemit të zhvillimit të armëve bërthamore duke mos prekur fare Izraelin dhe armët te tij. Edhe pse pranoi faktin se asnjë komb nuk duhet të jetë ai që vendos se kush duhet të ketë armë bërthamore e kush jo, Obama vuri në spikamë vetëm anën pozitive të armëve bërthamore ku edhe Irani sipas tij ka të drejtë në shfrytëzimin e kësaj energjie por jo në aspektin ushtarak. Presidenti prapë anashkaloi mikun e 'madh' Izraelin, i cili në një formë apo tjetër jo vetëm që përbën rrezik potencial për tërë Lindjen e Mesme, por disa nga liderët e tij madje shpesh lëshojnë deklarata kërcënuese madje edhe për vet SHBA-të.

Ndërsa sa i përket demokracisë, lirive fetare dhe drejtave të femrës, Obama prapë çmoi lartë të arriturat e islamit në këtë fushë duke potencuar se islami ka ndërtuar një histori përplot tolerancë dhe mirëkuptim ndërfetar. Ai madje potencoi se ne disa vende muslimane femra ka arritur suksese të mëdha madje duke udhehequr edhe me tërë vendin sikur që është rasti me Pakistanin apo Turqinë. Obama u shpreh pro qendrimit të femrës në shtëpi dhe përkushtimit të saj ndaj fëmijëve në qoftë se kjo vendimmarrje rrjedh nga vullneti i saj i lirë dhe pa imponime, gjë që përkon derjtpërsedrejti me parimet islame në këtë fushë. Presidenti madje foli edhe për zhvillimin ekonomik dhe të arriturat e disa vendeve muslimane në veçanti ato të Gjirit (Emirate, Bahrejn, Katar) dhe premtoi se administrata e tij do të shtrij dorën e bashkëpunimit të mëtutjeshëm drejtë zhvillimit bashkëkohor duke i kushtuar rëndësi të veçantë edukimit dhe arsimimit, pra ky shekull sipas tij do të jetë shekulli i edukimit dhe te arriturave arsimore.

Natyrisht se ky fjalim hapi një debat të nxehtë në mes të përkrahësve dhe kundërshtuesve të administartës se re amerikane. Përderisa disa analistë musliman gjykuan se problemet dhe sfidat në mes të Amerikës dhe botës islame nuk zgjidhen me fjalime, retorika, sllogane dhe premtime të parealizuara, nga se fjalime dhe premtime të këtilla kanë bërë edhe presidentët paraprak të SHBA-ve pa ndërmarrë asgjë konkrete në këtë drejtim, nga ana tjetër analistët tjerë menduan se ky mund të jetë një fillim i mbarë për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Kështu Drejtori i Departamentit të Studimeve Islame pranë Universitetit Delaware nga Instituti për Mirëkuptim dhe Politika Sociale, Muqtedar Khan, argumenton se pas fjalimit të Presidentit Obama para Parlamentit Turk në Ankara, Kongresi Amerikan ka qenë duke u përgatitur për tu konfrontuar me Izraelin në rast se Kryeministri i këtij vendi refuzon përkushtime e vendit të tij ndaj procesit të paqes. Gjithashtu Instituti për Gjetjen e Emëruesit të Përbashkët dhe Ndërtimit të Konsensusit (Search for Common Ground and the Consensus Building Institute) nën patronatin e ish Sekretares së Shtetit, Medline Albright, në Shtator 2008 lancoi projektin Ndryshimi i Levizjës: Një Drejtim i Ri rreth Marrëdhenive të SHBA-ve me Botën Islame (Changing Course: A new Direction for US Realtion with the Muslim World, www.USMuslimEngagement.org).

Se këndejmi, që të dy këto fakte dëshmojnë se në një farë forme administrata e Obamës hodhi topin në fushë të muslimanëve, pyetja që parashtron vetveten është se a janë liderët musliman të gatshëm që realisht të veprojnë dhe ti ofrojnë projekte serioze admnistratës se re ashtu që se paku me fakte të argumentohen para opinionit se edhe kjo administratë po përdorëka standardet e dyfishta sikurse paraardhëset e saj; apo se mos ndoshta kjo administratë ka vendosur që seriozisht të bashkëpunoj me muslimanët drejtë relizimit të paqes pasi që ka mësuar dhe pësuar nga gabimet e administratave paraprake.!



Autori është Magjistër i Shkencave Komperative të Religjionit.

www.mesazhi.com
 
Status
E mbyllur për postime të tjera.

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top