Vizion për një Ballkan që punon së bashku

cent

...Lontano

2p1ua.jpg
Edi Rama/kryeministër i Shqipërisë
-Jam vërtet i mbushur me përulje tek gjendem në këtë foltore, në hapat dhe nën hijen e disa prej figurave më të mëdha të historisë, të cilët kanë qëndruar këtu e i kanë dhënë formë botës sonë; në këtë forum që, me gjithë kritikat ndaj OKB-së, është një kujtesë e gjallë se nga e keqja duhet të vijë e mira, se marshi i përparimit përgjatë kohërave fuqizohet nga debati, idetë, bashkëpunimi, argumenti dhe marrëveshja. Shqipëria nuk është fuqi e madhe; është vend i vogël, por me potenciale të jashtëzakonshme. Ka bukuri të spikatur natyrore, njerëz të mirë e mjaft punëtorë. Sfida që kam është të sjell ndryshimin, në mënyrë që ky potencial të mund të përmbushet. Do të duhet kohë. Do të duhen mjaft përpjekje e këmbëngulje e madhe. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Unë, nga ana ime, do t’i shtoj udhëheqësinë. Në të vërtetë, njerëzit në mbarë botën mund të mos dinë aq shumë lidhur me Shqipërinë, por ajo çka besojnë se dinë nuk është e mirë. Industria e filmit nuk është treguar kaq e mirë me ne. Por unë nuk jam naiv. Problemet tona nuk janë të gjitha krijesë e Hollivudit. Disa janë reale e sjellin dëme. Korrupsioni është ai që i shënjon vendet ashtu siç tehu i lë vragë një fytyre të bukur. Ai i ndalon investuesit e ligjshëm të investojnë.

Mban peng përparimin. Nuk i lë njerëzit të besojnë se, dikur, do të ketë drejtësi. Korrupsioni mund e duhet të mposhtet, nëse duam të ndërtojmë ekonominë e shtetin ligjor për të cilin kemi nevojë, të përftojmë investimet që na duhen, ta tërheqim turizmin që meriton peizazhi, trashëgimia dhe populli ynë i ngrohtë e mikpritës. Për ne, Bashkimi Evropian, që përfaqëson projektin më të rëndësishëm politik që bota ka njohur deri më tash, është një tjetër organizëm i tillë...Ne nuk e kemi as kohën e as luksin për t’u përfshirë në projekte që hanë kohë e nuk janë efektive. Duhet të krijojmë një moment të ri në bashkëpunimin rajonal, duke kombinuar me efektivitet objektivat e Strategjisë 2020 për Evropën Juglindore me projektet e Axhendës “Evropa 2020”. Vizioni im për Shqipërinë është, gjithashtu, vizioni i Ballkanit që punon së bashku, duke sfiduar historinë tonë mbushur me aq luftë e konflikte, edhe pse, le ta themi me zë të lartë e krenarë po ashtu, se këto, tashmë, janë luftëra e konflikte të së shkuarës. Dua të ndaj me ju bindjen se marrëveshja e shënuar midis Kosovës dhe Serbisë i dha fill një periudhe të re në rajonin e Evropës Juglindore. Dialogu mes tyre, një akt kuraje e maturie treguar nga Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin mjaft të vlerësuar të Bashkimit Evropian, vendos përballë sfidave secilin vend të rajonit që të mobilizohet në përpjekje për forma të reja e novatore bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Shqipëria është e përkushtuar për paqe e begati në rajon. Kjo është arsyeja përse ne jemi të angazhuar ndaj pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës, e njohur tashmë nga 104 shtete anëtare të OKB-së. Kjo është arsyeja përse Shqipëria iu bën thirrje të gjitha atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Ato jo vetëm do ndihmojnë Kosovën dhe popullin e saj, por do të bashkohen me vendet e tjera që, nëpërmjet njohjes së këtij shteti, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore. Atyre që janë mosbesues iu them: Populli i Kosovës, ashtu si të gjithë popujt që, tashmë, gëzojnë republika të pavarura e të njohura plotësisht pas shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë, meriton njohje të sovraniteti të tij, veçanërisht se ka dëshmuar më shumë se çdo popull i rajonit përkushtimin e padiskutueshëm ndaj të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave, dialogut dhe paqes. Pa këtë përkushtim, do ishte shumë e vështirë që rajoni ynë të përparonte drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kroacia u anëtarësua në BE. Ne presim në radhë.

Po kështu presin edhe Serbia e Kosova. Nuk kam asnjë dyshim se, nëse ne, çdonjëri prej vendeve të rajonit, e zëvendësojmë politikën e ndasisë me politikën e bashkëpunimit, nëse ndërtojmë vlera, bindje dhe politika të përbashkëta, në vend që të kacavirremi pas armiqësive të lashta, mund të dëshmojmë sa shumë kemi ndryshuar e të tregojmë sa shpejt mundemi t’i bëjmë ndryshimet që duhen, për të zënë vendin tonë përkrah kombeve të tjera moderne evropiane. Nuk ka dyshim që kjo kërkon kohë e këmbëngulje. Ky është një angazhim mjaft serioz dhe do të doja të deklaroja këtu se qëllimi im i palëkundur është të eksploroj çdo mundësi për të nisur një debat konstruktiv, për të zhvilluar një dialog real, si dhe për të nxitur një bashkëpunim të ngushtë në çdo aspekt me secilin prej vendeve të rajonit, përfshi Serbinë... Unë kandidova për këtë detyrë nën moton e Rilindjes, por që të gjithë e dimë se fjalët në fushata janë pjesa më e lehtë. Kam besim, por edhe përulësinë e mjaftueshme për të ditur se nuk mund ta bëj këtë i vetëm. Ne kemi nevojë për mbështetje; kemi nevojë që të kemi krah nesh partnerë e miq që kanë vullnetin të jenë pjesë e rrugëtimit tonë drejt ndryshimit. Pjesë nga fjala e mbajtur në OKB.
/Shekulli
 
Titulli: Vizion për një Ballkan që punon së bashku

Kur ishte ne opozite, Rama bojkotoi Kuvendin e Shqiperise pas zgjedhjeve te 2009 per 6 muaj, nuk zgjodhi opoziten parlamentare si cdo opozite ne bote, zgjodhi opoziten e rruges, opoziten e grevave te urise para kryeministrise, opoziten e bllokimit te rrugeve, sulmeve te militanteve ndaj institucioneve, bojkotimin e KQZ. Te gjitha keto, merren parasysh nga nje njeri me dy fara mend ne koke, per te peshuar e gjykuar nje person politik.
Politikani nuk kapet vetem ne fjalet qe nxjerr nga goja per momentin, por matet nga gjithe qendrimet e tij gjate karrieres politike.
 
Back
Top