Vajza e njëmijë e një profesioneve

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Vajza e njëmijë e një profesioneve

ImagePas aventurës radiofonike, Gerta Heta ka provuar dhe shumë të tjera. ثshtë bërë këngëtare, prezantuese televizive dhe regjisore. Këto kohë është bërë edhe zëri zyrtar i një kompanie të madhe celulare. Dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Ndjen se i ka energjitë për t’i bërë të gjitha...



Suadela Balliu



Ditën kur trokiti sërish në dyert e Top Albania Radio-s, ndërsa ecte shkujdesur nëpër labirintet e njohura të Piramidës, teksa përshëndeste teknikët e pultit, regjisorët, ish-kolegët e saj... i dukej se kohët po ktheheshin për së prapthi e po zbrisnin rrëmbimthi përsëri në vitin 1998, atëherë kur ajo s’ishte veçse ajo çapkënia e dashuruar marrëzisht pas atyre studiove dhe mikrofoneve magjike e që u bë e famshme në gjithë Shqipërinë si Gerta e Top Albania-s vetëm prej zërit interesant dhe komunikimit krejt të çlirët me dëgjuesit.

Për pak minuta, aq sa do të zgjaste rrugëtimi nëpër ato korridore, derisa të mbërrinte sërish në studion e regjistrimit, risolli në mendje, në të qindtën e sekondës, gjithë ato vitet kur çdo ditë ngjiste shkallët e radios, ngulej pastaj para mikrofonit për të nisur komunikimin me gjithë botën, deri atje ku mund të mbërrinin valët e emisionit “Një këngë për ty”.

Ishin pikërisht ato kohë të lavdishme që po e risillnin shumë vite më pas, edhe një herë në ato studio. Përsëri për të regjistruar zërin. Por jo më për një emision radiofonik.

Këtë herë Gerta Heta do t’i vendoste kufjet e do t’i afrohej mikrofonit pasi kishte firmosur një kontratë pune me kompaninë celulare “Vodafone”, e cila ka zgjedhur të ketë gjatë një viti, për reklamat e ndryshme promocionale, pikërisht zërin e saj. ا’ka do të thotë se Gerta do të jetë vazhdimisht në ato studio (të paktën aq herë sa do duhet të bëhen regjistrimet e reja) e gjatë gjithë vitit, në të gjitha kanalet televizive e valët radiofonike, thjesht me mesazhet që do të përcjellë me zërin, por pa imazhin e saj. Gjithsesi nuk mund të jetë më ajo Gerta misterioze, kërshëria për të cilën rritej çdo ditë e më shumë, ndërsa zëri që përcillte mesazhet përshëndetëse tek “Një këngë për ty” bëhej gjithnjë e më i dashur. Ajo magji është prishur tashmë që prej ditës kur ajo vendosi të dalë jashtë atyre studiove për të bërë njëmijë e një punë të tjera (edhe këngëtaren, edhe prezantuesen, edhe regjisoren....) prej të cilave, tani, më shumë se kurrë, nuk ka pse të shkëputet.



Nëse “Vodafone” do ta kishte kushtëzuar të merrej me projektet e tjera, s’do ta kishte pranuar kurrsesi kontratën njëvjeçare, sado joshëse të ishte oferta. Gerta është e bindur tashmë se më shumë se gjithçka, në këto kohë ia vlen liria për të bërë disa gjëra njëherazi. “Monotonia më mbyt. Nuk mund ta përballoja dot një punë impenjative. Më pëlqen të jem e lirë, në lëvizje. Prandaj edhe e pranova këtë kontratë. Nuk më duhet të jem atje me orar të caktuar. Mund të bëj ç’të dua, përveçse të mos e jap zërin për reklama të tjera ose dokumentarë”, rrëfen Gerta, duke shtuar më pas se, ndërsa zërin e ka lënë të regjistruar atje në studiot e Top Albania-s, vetë ka nisur menjëherë rrugëtimin drejt bregdetit të Vlorës, për të vijuar me angazhimet e saj si këngëtare. “Kisha një kontratë me “Summer Depo” në Vlorë. Roli i im ishte të gjallëroja publikun. ثshtë një punë me të vërtetë argëtuese ndërsa i drejtohesh publikut: “Hej, ngrini duart, këndoni bashkë me ne... duke shoqëruar tingujt e zgjedhur nga DJ”. Këngët e saj tashmë i njohin të gjithë. E kanë parë të ngjitet në skenë, të shfaqet me klipe të ndryshme, madje ia kanë dëgjuar këngët edhe në internet. “Kam realizuar një këngë në anglisht dhe e kam shkarkuar në “You Tube”. Më bëhet qejfi nga komentet që njerëzit lënë aty, sepse kështu kuptoj se ata e njohin muzikën time.”

Ndërsa flet për këngët e reja që po punon bashkë me vëllain e saj për “Mikrofonin e Artë” e për “Këngën Magjike”, për një videoklip të ri që mund të shfaqet në fund të këtij viti, për një album e për shumë e shumë plane të tjera që i gëlojnë në kokë, duket qartë se sa shumë ia ka zaptuar kohën dhe mendjen pasioni për muzikën e se fama që ka fituar duke lëvizur fort në këtë terren të ri po e josh gjithnjë e më shumë se suksesi i parë i kohëve të radios.



Po kaq duket se vazhdon ta joshë dhe fama televizive. Ndonëse koncertet e verës dhe projektet muzikore kanë qenë të shumta, Gerta nuk ka lënë për asnjë moment jashtë vëmendjes dhe planet e saj të reja për ekranin. Tashmë ia ka njohur vetes gjithë të drejtat për të guxuar me çfarëdolloj formati. Nuk ndihet më aspak ajo Gerta që u mëdysh për ta pranuar ofertën nga kanali “News 24” dhe të largohej përgjithmonë nga Amerika. “Në atë kohë m’u desh të bëja një bilanc të shpejtë nëse do të ishte më mirë të kthehesha në Amerikë dhe të punoja në radio apo të qëndroja në Shqipëri dhe të eksperimentoja në televizion”. Pas fare pak kohe, bilanci i doli pozitiv, ndërsa eksperimenti rezultoi i suksesshëm; një kontratë e gjatë në televizion dhe prezantimi i një emisioni dhe më pas i një spektakli real. “Kur u njoha me pronarin e “News 24” dhe bashkëshorten e tij, u pata thënë ta kishin parasysh edhe emrin tim në listën e prezantueseve të edicionit të ardhshëm te “Kafazi i Artë”. Por disa ditë më vonë ata më telefonuan dhe më ofruan të prezantoja emisionin “Zaire”. Emisioni më njohu me një dozë realiteti ndryshe nga çfarë isha mësuar unë. Aty u prezantova edhe me një gjeneratë tjetër, e cila nuk më kishte njohur më parë. Deri në atë kohë, mua më njihnin vetëm të rinjtë që dëgjonin emisionet për të rinj në radio”.

Pasi ia doli mbanë përvojës së parë, nuk vonoi të vinte edhe ftesa për të cilën Gerta i kishte hyrë botës së televizionit. Prezantuesja e edicionit të pestë të spektaklit “Kafazi i Artë ” do të ishte pikërisht ajo. Si në çdo gjë tjetër, nuk do të mjaftohej me aq. Vendosi të jetë edhe organizatore dhe regjisore e spektaklit. Formula e zgjedhur solli sukses, audienca arriti majat, ndërsa Gerta u shndërrua në personazhin më të njohur dhe më të dashur nga publiku.

“Përveç stresit dhe lodhjes – nuk flija shumë gjatë natës; rrija me orë të tëra para pultit të regjisë – pata mundësi të vija në zbatim ato çfarë kisha mësuar në Amerikë kur studioja për regji televizive”.

Tani që i ka mësuar sekretet e televizionit, edhe synimet i ka më të qarta. “Nëse do të më jepej rasti sërish të drejtoja një spektakël, do zgjidhja ose prezantimin, ose regjinë. T’i bësh të dyja është shumë e lodhshme. Megjithatë, të dyja eksperiencat televizive ishin si një shkollë e vërtetë për mua. Do të më pëlqente të kisha një “Reality Show” timin dhe do të preferoja të isha në rolin e producentes apo regjisores. Por do të kënaqesha edhe me një “Talk show”, nëse nuk do arrija të gjeja mbështetësit e duhur për idenë e parë. Shumë shpejt të gjitha këto ide do t’i paraqes në disa televizione”.

ImageTashmë ajo do të ecë vetëm përpara, pa e kthyer kokën asnjë çast pas. Duke mos iu përkushtuar asnjëherë vetëm një fushe e duke mos u penduar asnjëherë për zgjedhjet e saj. Nuk e ka bërë asnjëherë, por as nuk ka pasur arsye.



Në kohët e para kur u kthye nga Amerika, i dëgjonte prezantueset e radios duke menduar se ai ishte vendi i saj... se duhej të ishte ajo në vend të tyre. E megjithatë ajo nuk u kthye pas. “Nuk jam penduar asnjëherë për zgjedhjet e mia. Kur u ktheva nga Amerika, ata që më njihnin, më ndalonin në rrugë dhe më thoshin: “Përse e le radion? Ti je e prerë për të”, Pse nuk i rikthehesh?”. Mendoj se të gjitha gjërat ndodhin me një qëllim. Po të isha marrë vetëm me radio, nuk do të merresha ndoshta me këngë. Po të mos kthehesha nga Amerika, nuk do ta kisha provuar televizionin... Jam e kënaqur për të gjitha gjërat që kam bërë dhe për ato që kam arritur”.

Gjithsesi, me të gjitha përvojat dhe arritjet në fushat ku ka eksperimentuar, gjithmonë do të ruajë një vend special për radion, dashurinë e saj të parë, ku kishte premtuar se një ditë do të rikthehej patjetër.

Ditën kur i duhej të ngjiste shkallët e Piramidës e të ulej në studion nga ku kishte transmetuar me orë e orë të tëra emisionet e saj radiofonike, Gerta Hetës i dukej se po jetonte edhe një herë ato kohë. Gjithçka ishte njësoj: studioja, teknikët e pultit, mikrofoni, sinjali që shënonte fillimin e regjistrimit. Kishte vetëm një ndryshim: zëri nuk përcillej “on air” te dëgjuesit, te bota që shtrihej deri atje ku mbërrijnë valët e Top Albania-s. Gerta nuk ishte në një transmetim të drejtpërdrejtë, por thjesht në regjistrimin e një mesazhi promocional, që do të përcillej ditë më pas në gjithë kanalet televizive dhe valët radiofonike. Të tjera mesazhe do ta kthejnë sërish në ato studio, derisa një ditë të vendosë të kthehet prej vërteti, për ndonjë emision të sajin, si dikur.







Sommario



“Monotonia më mbyt. Nuk mund ta përballoja dot një punë impenjative. Më pëlqen të jem e lirë, në lëvizje”



“Do të më pëlqente të kisha një “Reality Show” timin dhe do të preferoja të isha në rolin e producentes apo regjisores. Por do të kënaqesha edhe me një “Talk show”, nëse nuk do arrija të gjeja mbështetësit e duhur për idenë e parë”



Gerta po punon një këngë të re me të cilën do të konkurrojë te “Mikrofoni i Artë” dhe një tjetër te “Kënga Magjike”, si dhe për ndonjë videoklip që të mund të transmetohet në kanalet muzikore...



Radioja do të mbetet gjithmonë dashuria e saj e parë dhe premton se një ditë do t’i kthehet patjetër




Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top