Toleranca ndërfetare në Islam sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike

Kresha

A pretty face can never trick me
Nga: Dok. Genti Kruja

Në Kur’an dhe Sunnet (jeta dhe vepra e Profetit Muhamed a.s.) nuk ka gjurmë të ndonjë qëndrimi, që është në kundërshtim me dashurinë, tolerancën ose dialogun në kuptimin për pikëpjekjet me të gjithë.

Edhe kur Profeti Muhamed (a.s.) ishte duke ndërruar jetë tha: “Unë po i lë në besën tuaj Ehli Kitabin (Popujt e Librit, të Krishterët dhe Hebrenjtë)”.[1]

Edhe Umeri, pasuesi i dytë pas Profetit Muhamed (a.s.), si udhëheqës shteti, pati lënë të njëjtin amanet:

“Unë po e lë Popullin e librit që gjendet midis nesh, në besën tuaj. Frikësojuni Zotit në lidhje me ta dhe silluni me drejtësi ndaj tyre”.[2]

Kur’ani gjithashtu shpall: “Pajtimi është më i dobishmi!”[3] Synime dhe ide humane e fisnike janë vetëm ato, të cilat për qëllim final kanë mirëqenien dhe lumturinë e përbashkët të të gjithë njerëzve pa dallim race, kombësie e feje. Këto janë dallime të lindura bashkë me njeriun dhe në to nuk ka asgjë negative. Të jesh ndryshe nga të tjerët nuk është e metë, mëkat as krim dhe askush nuk është përgjegjës për këtë. Urrejtja, e cila buron nga dallimet e tilla, është njëra nga fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit në histori, prej nga lindi dhe racizmi, nazizmi, shovinizmi, etj.

Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes vete dhe jo për të treguar urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e thekson Kur’ani që në fillim të shpalljes së tij:

“O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri – tjetrin.”[4]

اështja e trajtimit të tolerancës ndërfetare dhe e bashkëjetesës ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme është temë themelore dhe e domosdoshme për njerëzit. Të flasësh për çështjen e tolerancës ndërfetare është sikurse të flasësh për jetën në teori dhe në praktikë. Toleranca e një feje është kriter i aftësisë së saj jetësore. Sa më fisnike të jenë dispozitat e një feje, aq më të mëdha do të jenë predispozitat e saj për t’u bërë fe universale, fe e gjinisë njerëzore.

Kur’ani dhe Sunneti (tradita e Profetit Muhamed a.s.), janë burimet kryesore të fesë islame dhe që të dy me normat dhe rregullat e tyre e trajtojnë në mënyrë reale çështjen e tolerancës dhe të lirive fetare.

Në fenë islame nuk mund të imagjinohet teoria pa praktikën në asnjë pikëpamje dhe meqë problematika është me rëndësi teorike dhe praktike, atëherë në vazhdim do të shohim tolerancën islame, si reflektim ideor dhe praktik.

Toleranca në Kur’an

Fillimisht mund të citojmë një ajet kur’anor, që është parim themelor i besimit islam dhe dispozita më madhështore me të cilën theksohet liria e plotë e besimit:

“Nuk ka dhunë në fe.”[5]

Në një vend tjetër, Kur’ani thekson qartë, se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje private, vetjake:

“Thuaj: E Vërteta është nga Zoti juaj, prandaj kush do, le të besojë, kush do, le të mos besojë.”[6]

Vargu i mëposhtëm kur’anor e bën edhe më të qartë parimin e lirisë së besimit, apo të mosbesimit individual.

Thuaj: “O ju mosbesimtarë. Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni. As ju nuk adhuroni atë që adhuroj unë. Unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni. Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time.”[7]

Ky koncept i tolerancës ndaj besimeve të tjera shtrihet edhe më tej dhe Kur’ani përkufizon qartë rolin dhe kufijtë e profetësisë.

Kur’ani i porosit myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, të mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve të tjera:

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi, këshillime, të mira dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë.”[8]

Ose vargu tjetër:

“Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. E përse atëherë t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë.”[9]

Kur’ani, nga myslimanët jo vetëm që kërkon tolerancë, mirëkuptim, sjellje e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por ai shkon edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Judaizmin dhe krishtërimin i njeh si fe monoteiste, fe që kanë librat e tyre të shpallur nga Zoti dhe bashkë me Islamin, që te tre religjionet, i quan fe qiellore, ndërsa hebrenjtë dhe të krishterët, si “Ehlu’l-Kitab” – “Ithtarë të Librit”.

Në një ajet i fton për bashkim me këto fjalë:

“O ithtarë të Librit, ejani të bashkohemi rreth gjërave të përbashkëta edhe për ju, edhe për ne: të adhurojmë vetëm Zotin e mos t’i bëjmë asnjë shok Atij dhe mos ta marrim njëri-tjetrin për Zot, në vend të Perëndisë.”[10]

Në favor të asaj që Kur’ani i njeh popujt e tjerë shkon edhe njohja e profetëve të tyre. Kur’ani në të vërtetë nuk bën kurrfarë dallimi në mes të profetëve, duke filluar prej Ademit (Adamit) nëpërmjet Ibrahimit (Abrahamit) e Musait (Moisiut) e deri tek Muhamedi (a.s.). Ndërsa për Isain (Jezusin) – të birin e Merjemes (Marisë), vërtetues i Teuratit (Toras), thotë:

“Ne dërguam në gjurmët e profetëve – Isain (Jezusin). Dhe ne i dhamë atij Inxhilin (Ungjillin), në të cilin ka udhëzim e dritë, vërtetues i Tevratit (Toras), të cilin e kanë para vetes – udhërrëfim dhe këshillim për ata që i druhen Zotit.”[11]

Kur’ani flet mbi Jezusin (Isain) në mënyra që nuk shprehen as për Muhamedin (a.s.): Jezusi ka lindur nga një e virgjër dhe lindja e tij u lajmërua nga një engjëll. Historia e lajmërimit të lindjes së Jezusit që përmban Kur’ani është mjaft e ngjashme me atë të Ungjillit të Lukës. Sipas Kur’anit, Jezusi predikoi edhe në fëmijëri, kreu mrekulli që fëmijë (siç tregohet në ungjijtë apokrifë) dhe gjatë misionit të tij kreu mrekulli të tjera të mëdha. Ai gjithashtu paratha se do të vinte një profet tjetër me emrin “Ahmed” (më i nderuari) dhe sipas Kur’anit ai nuk vdiq në kryq, por u pranua menjëherë në qiell, për t’u rikthyer në botë në “kohën e fundit” (ahirzaman).

Jezusi është quajtur Abdullah (rob, shërbëtor i Zotit) dhe në Kur’an kalon si “minel mukarrabin” (ai që është afër Zotit).

Kurse Maria (Merjemja) citohet 34 herë në Kur’an, ndërsa në Besëlidhjen e Re, 19 herë. Merjem është e vetmja grua e thirrur me emrin e saj në Kur’an, duke marrë emrin edhe një prej sureve (kapitujve të Kur’anit). Merjemes ngaqë i është dhënë një zbulesë nëpërmjet engjëllit Xhebrail (Gabriel), nga disa myslimanë thuhet që ka pasur edhe mision profetik.

Kur’ani rrëfen paraqitjen në tempull, lajmërimin dhe lindjen e Jezusit, me tregime të ngjashme me ato të ungjijve apokrifë. Merjemja (Maria) ishte pa mëkat dhe me forcë e ruajti virgjërinë e saj. Ajo është quajtur “më e madhja ndër të gjitha gratë”. Në devotshmërinë popullore ndër myslimanë ajo merret si model për të gjitha gratë. Shenjtoret e saj në Damask, Jeruzalem, Efes dhe Deir el Mukaddes në Egjipt, vizitohen shpesh edhe banorët vendas myslimanë dhe ekziston edhe një “agjërim marian”, që mbahet nga gara të cilat presin fëmijët e tyre të parë.[12]

Kur’ani bën thirrje gjithashtu për dialog dhe marrëdhënie të mira me pasuesit e Librit (siç i quan hebrenjtë dhe të krishterët).

“…Disa nga ithtarët e librit janë në të drejtën; ata recitojnë vargjet e librit të Zotit gjatë orëve të natës dhe përulen në adhurim. Ata besojnë në Zotin e në Ditën e Gjykimit. Urdhërojnë për të mirë, ndalojnë të keqen dhe garojnë në kryerjen e veprave të mira. Këta janë ndër të drejtët.”[13]

“…Dhe mes ithtarëve të Librit më pranë do të gjenden ithtarët e librit dhe ata që thonë se janë të krishterë; pasi shumë prej tyre janë priftërinj dhe murgj dhe se ata nuk janë kryelartë.”[14]

“…Në zemrat e tyre, Ne kemi mbjedhë butësi dhe mëshirë…”[15]

Kështu Kur’ani i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit islam. Ai thotë se roli i Profetit është të transmetojë porosinë e Zotit. Profeti nuk është kompetent ta detyrojë dikë, as nuk është përgjegjës për pranimin ose mospranimin e fesë që ai predikon.

Kur’ani gjithashtu lavdëron njerëzimin për ngjyrat, gjuhët dhe besimet e ndryshme, i lavdëron ata që janë të ndryshëm, por që bëjnë gara për vepra të mira. Prandaj, lirisht mund të themi se Kur’ani konfirmon se krijimi nga Zoti është i mundshëm vetëm si krijim dallimesh! Kur’ani pohon se, shpërblimi i Zotit do t’i përfshijë të gjithë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Në këtë kuptim duhet të përkujtojmë gjithmonë vargun kur’anor, i cili thotë:

“Ata që kanë besuar, por edhe ata që janë hebrenj, të krishterë dhe sabi’inët* – që i kanë besuar Zotit dhe botës tjetër dhe kanë bërë vepra të mira, do të shpërblehen nga Zoti i tyre, për ata nuk do të ketë as frikë, as pikëllim.”[16]



Toleranca në traditën profetike

Një prej shembujve më interesant i tolerancës së Profetit Muhamed (a.s.), është statuti i privilegjeve të të krishterëve, dhënë nga Profeti për murgjërit e Manastirit të Shën Katerinës.

Në vitin 628, Profeti Muhamed (a.s.) garantoi një Statut privilegjesh për murgjërit e Manastirit të Shën Katerinës në Malin Sinai. Ai përbëhej nga disa klauzola të cilat mbulonin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu tema të tilla si, mbrojtja e të krishterëve, liria e adhurimit dhe lëvizjes, liria për të caktuar gjykatësit e tyre dhe për të patur dhe mbajtur pronat e tyre, përjashtimi nga shërbimi ushtarak dhe e drejta e mbrojtjes në kohë lufte.

“Ky është një mesazh nga Muhammed ibn Abdullah, si një pakt për ata që mbajnë Krishtërimin, pranë dhe larg, ne jemi me ta.

Me të vërtetë unë, shërbëtorët, ndihmuesit dhe ndjekësit e mi, i mbrojnë ata, sepse të krishterët janë qytetarët e mi; dhe për Allah, unë jam gjithmonë kundër çdo gjëje që i dëshpëron ata.

Asnjë lloj detyrimi nuk duhet të ketë mbi ta.

As gjykatësit e tyre nuk do të hiqen nga puna dhe as murgjërit e tyre nga manastiret e tyre.

Asnjë nuk lejohet që të shkatërrojë një shtëpi të besimit të tyre, ta dëmtojë atë, apo të marrë ndonjë gjë nga ajo për tek shtëpitë e myslimanëve.

Në qoftë se ndonjë merr ndonjë nga këto, ai do të shkelë paktin e Zotit dhe nuk i bindet profetit të Tij. Me të vërtetë, ata janë aleatët e mi dhe kanë statutin tim të sigurt kundër gjithçkaje që ata urrejnë.

Asnjë nuk do t’i detyrojë ata që të udhëtojnë apo t’i obligojë për luftë. Myslimanët duhet të luftojnë për ta.

Në qoftë se një femër e krishterë martohet me një mysliman, kjo nuk duhet të ndodhë pa aprovimin e saj. Ajo nuk duhet të ndalohet të vizitojë kishën e saj për t’u lutur. Kishat e tyre duhet të respektohen. Atyre nuk duhet t’u ndalohet riparimi i tyre, as shenjtërimi i pakteve të tyre.


Asnjë njeri nga ummeti (bashkësia myslimane) nuk duhet të shkelë këtë pakt…”[17]

Ky statut i privilegjeve ka qenë nderuar dhe zbatuar me besim të plotë nga gjithë myslimanët nëpër shekuj dhe nëpër të gjithë tokat ku ata sunduan.

Profeti Muhamed (a.s.), si komentator legjitim i Kur’anit, i shpjegoi më gjerësisht parimet dhe idealet kur’anore, për tolerancën dhe lirinë e besimit dhe me shembullin e vet vuri në jetë dhe i bëri traditë praktike edhe për brezat pasardhës.

Duke i quajtur hebrenjtë dhe të krishterët “Dhimijj” “të mbrojturit”, d.m.th. ata që shteti islam e ka për detyrë t’i mbrojë, Profeti tha:

“Kush torturon një dhimijj, unë jam armik i tij dhe atë armiqësi do ta shfaq edhe në Ditën e Gjykimit”.

Në një letër që ua dërgon hebrenjve dhe të krishterëve të Nexhranit, Profeti thotë:

“Nexhrani dhe fqinjësia e tij, nga Zoti dhe profeti i Tij Muhamed e kanë të mbrojtur – pasurinë e tyre, kishat e tyre dhe gjithçka që kanë në pronësi”.[18]

Fjalimi i njohur lamtumirës i Profetit i ka përmbledhur mësimet islame për veprimet e qarta e të drejta ndaj njerëzve, më vonë ajo do të bëhet një deklaratë e paprecedentë për të drejtat e njeriut. Gjatë kohës së Haxhit të fundit (Pelegrinazhit islam) dhe pak para se të ndërronte jetë Profeti tha:

“O njerëz, dëgjoni ç‘do t’ju them, sepse nuk e di se a do të takohemi në këtë vend pas këtij viti.

Me të vërtetë, gjaku juaj, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend. O ju njerëz, ju keni një Krijues dhe një të parë. Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, e Ademi është prej dheut. Nuk është i pranueshëm kurrfarë dallimi në mes jush. Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit! I bardhi nuk është më i mirë se i ziu, as i ziu më i mirë se i bardhi. E vetmja gjë e rëndësishme është devotshmëria personale…

Jini të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra në mes vete. Mbështeteni njëri-tjetrin sikurse tullat dhe ashtu mbajeni të fortë ndërtesën e bashkësisë suaj.

Bëhuni të drejtë dhe ruajeni shpirtin tuaj nga padrejtësia e dhuna.

Mos mbillni urrejtje, veç dashuri…”.[19]

Janë pikërisht këto fjalë që themelojnë kushtetutën islame e cila ndalon gjakmarrjen, racizmin, padrejtësinë dhe dhunën.

Ndërsa se si është zhvilluar kjo tolerancë praktikisht, mund të përmenden dy shembuj nga jeta e Profetit Muhamed:

Shembulli i parë: Në zenitin e fuqisë së tij, në kohën kur ushtarët e tij ngadhënjimtarë hynë në Mekë si çlirimtarë, në vendin ku ai dhe pasuesit e tij, njëzet vjet me radhë pësuan tortura dhe u detyruan të braktisin atë vend, Muhamedi (a.s.), ndonëse i fuqishëm si një prijës, me butësinë dhe mirësinë e tij, qëndroi pranë Qabes. Me mijëra shpata të zhveshura ishin duke pritur hakmarrjen mbi kurejshët (idhujtarët) dhe duke i shikuar armiqtë më të këqij të islamit, Ebu Sufjanin dhe gruan e tij Hindin, të cilët masakruan trupin e Hamzait, xhaxhait të Profetit, duke ia përtypur mëlçinë e tij, ishin duke shikuar Ikrimen, të birin e Ebu Xhehlit dhe Safvanin dhe… pikërisht atëherë Muhamedi (a.s.) i pyeti:

“O kurejshë! ا’mendoni se do t’ju bëjmë juve sot?” Ata të gjithë e njihnin shëmbëlltyrën dydimensionale të Muhamedit (Isain-Jezusin e mëshirshëm dhe hidhërimin e pezmatuar të Musait). Ata panë mëshirën në sytë e tij dhe iu përgjigjën: “Ti je vëllai ynë i madh”. Atëherë me një zë plotë falje dhe mirësi të ngrohtë ai u tha: “Shkoni! Të gjithë jeni të lirë!”

Rasti i dytë: Një delegacion i të krishterëve të Nexhranit kishte shkuar në Medine dhe atje kishte zhvilluar diskutime të gjata me Profetin në xhami. Gjatë kohës së takimit të tyre, të krishterët kërkuan pushim për kryerjen e riteve të tyre fetare, por nuk dinin se ku mund t’i kryenin ato. Muhamedi (a.s.) e kuptoi shqetësimin e tyre dhe i ftoi të kryejnë shërbesën e tyre fetare në xhami, në njërin nga vendet më të shenjta të Islamit. Ky është një shembull i tolerancës, zemërgjerësisë dhe mirëkuptimit, i ofrimit të vendit të shenjtë për lutje, i cili në të ardhmen do të bëhet normë e sjelljes islame.[20]

Këtë praktikë të Muhamedit (a.s.) do ta ndjekin më vonë edhe kalifët dhe drejtuesit e parë myslimanë pas vdekjes së tij, të cilët në pajtim me dispozitat e Sheriatit dhe porosive profetike do të japin shembuj të shumtë të tolerancës fetare.

Ebu Bekri, kalifi i parë, pason shembullin e Muhamedit (a.s.) në fushën e tolerancës, marrëdhënieve ndërnjerëzore e humanitetit, madje edhe në kohën e luftës. Ai porositi Usame ibnu Zejdin, para se të nisej për Siri, të sillej njerëzishëm me të nënshtruarit, t’i linte të qetë në kënaqësitë e begative të tyre.

“Mos i shkelni zotimet tuaja, mos përdorni hipokrizitë, mos e teproni në të drejtat tuaja. Mos i gjymtoni kufomat, mos i digjni të mbjellat, mos flijoni as dash, as deve, që të ushqeheni ju. Nëse në rrugë takoni priftërinj, murgj ose fetarë që soditin, i lini të lirë dhe mos i shqetësoni.”[21]

Pas Ebu Bekrit në krye të shtetit islam do të vijë kalifi Umer bin Hatab, i cili konsiderohet ndër udhëheqësit më të denjë në historinë islame dhe simbol i zbatimit të drejtësisë dhe tolerancës.

Në dokumentet që Umeri u kishte dhënë banorëve të qytetit të Jeruzalemit, Elionit dhe qyteteve tjera, u kishte garantuar të drejtën e lirisë personale, paprekshmërinë e pronës, paprekshmërinë e kishave, të tempujve, të manastireve, etj.

Ky prijës i madh edhe para se të vdiste nuk harroi ta këshillojë trashëgimtarin e vet për sjelljen e mirë ndaj jomyslimanëve, që jetonin në shtetin mysliman. Në këtë testament ai kërkoi që me jomyslimanët të veprohet drejt dhe sipas dispozitave të së drejtës së Sheriatit.

Kjo frymë e tolerancës do të vazhdonte gjatë gjithë historisë së kulturës dhe të qytetërimit islam. Në të gjitha periudhat e zhvillimit do të përsëritej shpirti tolerant i Profetit dhe i kalifëve, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik.

Tetëdhjetë vjet pas vdekjes së Profetit, myslimanët kishin ngritur një shtet të fuqishëm, i cili shtrihej që nga kufiri indian, nëpër Azi dhe Afrikë, përgjatë brigjeve jugore të Mesdheut e deri në Oqeanin Atlantik në Andaluzi, shkruan shkrimtari Lion Fojhtvanger, në romanin e tij “اifuti i Toledos”. Ai theksonte:

“Zotërinjtë e rinj sollën me vete një kulturë të pasur dhe e kthyen atë vend në më të bukurin, në më të rregulluarin dhe në më të popullarizuarin e Evropës.

Myslimanët u treguan të butë ndaj të mundurve. Për të krishterët e tyre ata përkthyen Ungjillin arabisht. Hebrenjve të shumtë… u dhanë barazi qytetare. Nën pushtetin e islamit, hebrenjtë në Spanjë bënin një jetë të lumtur e të kamur si kurrë ndonjëherë më parë…”
[22]

Edhe në jetën familjare kemi shembullin e martesës së Profetit me Safijen, e cila ishte nga një familje hebreje. Profeti i thotë asaj, që askush s’të detyron të pranosh Islamin, por nëse zgjedh Allahun dhe Profetin e Tij, unë të marr për bashkëshorte. Dhe ajo zgjedh Islamin dhe bëhet gruaja e Profetit. E kur e tallen disa si bija e hebreut, kur e mori vesh Profeti i tha asaj: “Pse nuk i the atyre, babai im është Musai (Moisiu) dhe xhaxhai Haruni (Aroni)?”[23] Ashtu është edhe rasti i Rejhanes, një nga bashkëshortet e Profetit, e cila rridhte nga një familje hebreje, si dhe Maria, një grua egjiptiane, që rridhte nga një familje e krishterë.



Marrëveshja e Hudejbijes

Në vitin e gjashtë të emigrimit të tij, Profeti Muhamed (a.s.) i pati dhënë fjalën t’i dërgonte në Mekë për umre (vizitë në Qabe) sahabet (shokët të tij), që ndodheshin në një tendosje të plotë metafizike. Profeti mori me vete rreth 1.400 shokë dhe u nis për rrugë.

Kurejshët ishin të vendosur t’i pengonin myslimanët të futeshin në Mekë edhe sikur për këtë t’u duhej të përdornin armët dhe ashtu vepruan. Ushtria e tyre kishte pushtuar kullotën Beladin. Një njësit prej dyqind vetash nën komandën e Halid bin Velidit dhe Ikrime bin Ebu Xhehlit kishte përparuar dhe kishin zaptuar zonën.

Në pamje të parë, aktet e marrëveshjes dukeshin krejt në dëm të myslimanëve, por duke u nisur nga përfundimi, Kur’ani e përshkruante këtë si një fitore.

Suhejli (përfaqësuesi i mekasve) do ta quante sukses të madh të vetin çdo lëshim që do të shkëpuste nga Profeti Muhamed, prandaj nuk druhej të ngrinte edhe çështjet më të vogla.

Për shembull, ai qysh në fillim e kundërshtoi fjalinë me të cilën fillonte marrëveshja: “Bismil-lahi Rrahmani Rrahim” (me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit). Ai nguli këmbë të shkruhej: “Bismike’ll-llahumme” (me emrin e Zotit tonë). Profeti Muhamed (a.s.) e pranoi.

Kundërshtimi i dytë i Suhejles ishte për atributin “Resulullah” (i dërguari i Allahut). Ai tha: “Po të kishim pranuar ne, se ti je i dërguari i Allahut, s’do të ishte nevoja për një marrëveshje të tillë!” Profeti i tha Aliut (r.a.), që po bënte punën e shkruesit, ta fshinte fjalën “Resulullah” dhe të shkruante “Muhammed bin Abdil-lah” (Muhamedi i biri i Abdullahut). Pas një ngurrimi, Aliu e bëri ndryshimin.

Pothuajse të gjitha aktet e marrëveshjes u bënë shkak për debate të gjata. Suhejli thoshte se, po të mos shkruhej siç donte ai, nuk do të hidhte firmën në marrëveshje, kurse Profeti, duke u nisur nga rezultatet e mëdha që do të sillte ajo marrëveshje, për shumicën e kërkesave të Suhejles thoshte “Po”!

Kështu Profeti Muhamed (a.s.) arriti që me anë të tolerimit në disa pika dhe kërkesa të mekasve, të mund të hapte rrugën për një paqe të qëndrueshme. Megjithëse për shumicën e myslimanëve, nenet e kësaj marrëveshjeje ishin diskriminuese, Profeti arriti të shikonte përtej horizonteve drejt së ardhmes. Po të vërejmë me kujdes, Profeti toleron në disa pika mjaft të rëndësishme për myslimanët; pranon që atë vit të mos bëhej umreja, gjë që pranohej me vështirësi nga shokët e tij, të cilët për një kohë kaluan tronditje shpirtërore.

Një pikë tjetër mjaft e vështirë për besimtarët, do të ishte se nëse dikush do të kërkonte të largohej nga Meka për në Medinë, nuk do të lejohej, kurse, po qe se dikush do të kërkonte të largohej nga Medina për në Mekë, nuk do të pengohej. Kjo do të thoshte që mekasit myslimanë apo jo, që do iknin në Medine, do t’u ktheheshin prapë kurejshve.

Me këtë sjellje Profeti i tregoi botës në kohën kur nuk njihej toleranca dhe as mëshira, apo lëshime të tjera të shikojnë ngjarjet me syrin e të gjithëve.

Siç shihet, në pamje të parë, të gjitha aktet e marrëveshjes dukeshin në dëm të myslimanëve. Sidomos akti që parashikonte ekstradimin e myslimanëve te kurejshët, i lëndonte shumë shokët e Profetit!

Kurse në fakt me paqen e Hudejbijes, garantohej që, për dhjetë vjet, kurejshët nuk do të përbënin shqetësim për myslimanët. Kjo periudhë dhjetëvjeçare kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për myslimanët.

Një tjetër përfitim për anën e myslimanëve ishte se ata u njohën me Islamin në paqe. Kështu marrëveshja e Hudejbijes siguroi vajtje-ardhjet e dyanshme mes Mekës dhe Medinës. Gjer në paqen e Hudejbijes nuk kishte komunikim mes dy anëve. Por kur u lidh paqja, filluan vajtje-ardhjet nga të dy anët. Jeta në Medinë i magjepste ata. Prandaj Hudejbija ishte një triumf para triumfit të Mekës!

Si rrjedhojë e kësaj paqeje, të gjitha fiset dhe tributë filluan ta pranonin se Profeti dhe qytet-shteti që përfaqësonte ai, zotëronin mundësitë për të bërë marrëveshje me tërë personat, apo entet politiko-ekonomike përreth. Ashtu siç ndodh sot që, kur themelohet një shtet i ri, ka nevojë të njihet zyrtarisht nga shtetet e tjerë, për rrjedhojë, të fitojë legjitimitet të cilin e përdor në vijim, si referencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu dhe duke lidhur marrëveshjen e Hudejbijes, Profeti siguronte njohjen e myslimanëve dhe të shtetit të tyre. Në qoftë se i njihnin kurejshët, pse të mos i njihnin edhe fiset e tjera? Kështu aktet e njohjes ndoqën njëri-tjetrin!

Janë këto dhe shumë shembuj të tjerë që karakterizojnë Islamin, si fe të paqes, tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit. Sikur bota islame sot, t’i jepte rëndësi dijes dhe diturisë, duke u nisur nga fjala e parë e Kur’anit “Ikra” (Lexo) dhe shumë ajeteve dhe haditheve që flasin për diturinë, do ta jetonin dhe përjetonin Islamin ashtu siç është në realitet, duke bërë të mundur që të gjithë jomyslimanët dhe mbarë bota të shohin fytyrën e vërtetë të Islamit, atë që u munduam të sqaronim në këtë artikull.

_____________________________________________________________________________________


[1] Ebu Davud, Imarat, 33; Muttaki el-Hindi, Kenzu’l-Ummal, IV, 362.

[2] Jahja bin Adem, Kitabu’l-Haraxh, 54.

[3] Kur’an, en-Nisa, 4, 128.

[4] Kur’an, Huxhurat, 13.

[5] Kur’an, El-Bekare, 256.

[6] Kur’an, El-Kehf, 29.

[7] Kur’an, El-Kafirun, 1-6.

[8] Kur’an, En-Nahël, 125.

[9] Kur’an, Junus, 99.

[10] Kur’an, Ali Imran, 64.

[11] Kur’an, El-Maide, 46-47.

[12] Michel, Th., Për të kuptuar kristianizmin: Një i krishterë i paraqet myslimanëve fenë e tij, isg edizioni, pa vit botimi, Tiranë, f. 43-45.

[13] Kur’an, al Imran, 3: 113, 114.

[14] Kur’an, el Maideh, 5: 82.

[15] Kur’an, el Hadid, 57: 27.

* Një sekt judeo-kristian.

[16] Kur’an, El-Bekare, 62.

[17] Kruja, Genti, “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, Prizmi, Tiranë, 2008: 116; Zahur, Dr. A.;Hak, Dr. Z., gazeta Drita Islame.

[18] Grup autorësh, libri “Simpoziumi Ndërkombëtar-Profeti Muhamed-Mëshira dhe dashuria universale”, Botimet KMSH, Tiranë, 2007: 109.

[19] Ramiq, Dr. J., “Hutbe të zgjedhura të Muhamedit (s.a.s.)”, Botimet KMSH, Tiranë, 2008: 100.

[20] KMSH, libri “Simpoziumi Ndërkombëtar-Profeti Muhamed-Mëshira dhe dashuria universale”, Botimet KMSH, Tiranë, 2007: 109.

[21] Kruja, Genti, “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, Prizmi, Tiranë, 2008: 96.

[22] Po aty, 97; shih: Fojhtvanger, L., “اifuti i Toledos”, përkth. Robert Shvarc, Tiranë, 1962.

[23] Canan, Prof. Dr. Ibrahim, Diyalogun dini ve tarihi temelleri, Isik, Stamboll, 2006: 121.





//zaninalte
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top