Tirana përkohësisht në krye, Artur Lekbello pranë stolit

cent

...Lontano
1o9fli.jpg
Dy kualifikueset në Grupin E të kuqezinjve ia kanë lënë vendin sërish kampionatit kombëtar. Emocionet e përziera, pozitive dhe negative, që prodhoi kombëtarja ia lënë “skenën” tashmë skuadrave tona, sipas kategorive përkatëse. Kështu, me ndeshjen Teuta-Tirana, që u luajt në stadiumin “Niko Dovana” dhe përfundoi në barazimin 1-1, startoi edhe java e 3-të e Kategorisë Superiore. Një 90-minutësh me dy tablo, me vendësit më këmbëngulës e superiorë në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë dominoi në tërësi formacioni bardheblu. Nga një gol në secilën pjesë, debutime trajnerësh e lojtarësh (Begeja, Limani dhe Fabio Hoxha), “zhvirgjërim” i Tiranës dhe Ilion Likës, që pësuan golin e parë në këtë kampionat, dërguan në fund të vërshëllimës së kryesorit Lorenc Jemini nga një pikë në llogarinë e secilës skuadër. Tirana ndalet kësisoji me një barazim pas dy fitoresh radhazi, ndërsa “djemtë e detit” nuk arrijnë ta kryejnë të plotë autokritikën e disfatës së thellë pararendëse në Gjirokastër. Durrsakët luanin sfidën e parë në këtë kampionat para tifozëve të vet, pas dy transfertash radhazi, ndërkohë që bardheblutë gjendeshin mes dy angazhimesh këtë fundjavë, ndeshjes së kampionatit dhe caktimit të trajnerit të ri. Orët e fundit përflitet se Artur Lekbello, ish-futbollist i kësaj skuadre dhe i ekipit kombëtar, prej vitesh i vendosur në Greqi, do të jetë pasuesi i Hulian Rubios në stolin e 24 herë kampionëve të vendit, por për këtë gjë mësohet se nuk ka ende një emërues të përbashkët mes anëtarëve të bordit drejtues të Tiranës.

Teuta-Tirana 1-1
Golat: Deliallisi 5′ / Ahmataj 64′
Teuta: Rizvani, Sakaj, Sheta, Jakupi (Hoxha 68′), Marku, Deliallisi (Dosti 81′), Tairi, Veliaj, Nika (Mancaku 71′), Hyshmeri, Xhafaj: Trajner: G.Begeja
Tirana: I.Lika, Sina, Dushku, Pisha, Ahmataj, Mucollari (Karabeci 46′), Taku, Morina (F.Hoxha 74′), G.Lika, Duro (Limani 57′), اota. Trajner: A.Tafaj
Gjyqtar: Lorenc Jemini
Kartonë të verdhë: Tairi / Sina, Dushku


Pjesa e parë Minuta e 5-të e ndeshjes është drithëruese për miqtë. Ansi Nika humbet një rast të artë për të shënuar dhe zhbllokuar rezultatin. Përballë Ilion Likës së mposhtur, shkodrani nuk e shtyn dot topin në rrjetë. Deliallisi, një minutë më pas, merr përsipër të godasë vetë, pasi kishte asistuar shkodranin Nika 60 sekonda më herët, duke shënuar një gol mjaft të bukur. Portieri bardheblu dorëzohet për herë të parë në këtë kampionat, ndërsa Teuta e sheh veten në epërsi mjaft shpejt. Goli vetëm sa e përforcon edhe më shumë këmbënguljen durrsake, që duket tepër e vendosur për të marrë maksimumin ndaj një kundërshtari të hutuar disi në fillim, që kërkon të reagojë më së shumti në mënyrë individuale me anë të Klodian Duros dhe Gilman Likës. Pas kalimit të cerekorëshit të parë të ndeshjes, kryeqytetasit fitojnë terren, sidomos në mesfushë, duke iu afruar rrezikshëm portës së Rizvanit. Cota, në majën e sulmit, që ka edhe ndihmën e sulmuesit të ri Morina, autorit të një dopiete ndaj Shkumbinit, nuk arrijnë të finalizojnë në rastet e paraqitura. Bien ë sy një qasje e re e Teutës tashmë, që përmes kundërsulmit kërkon ta zërë në befasi kundërshtarin. Vendësit arrijnë të dalin rrufeshëm, më dy-tri pasime deri në zonën e Ilion Likës, por Xhafaj shpërdoron edhe raste ideale, sikurse ishte ai i minutës së 22-të. Inspiruesi i lojës së durrsakëve në mesfushë është i riu Deliallisi, që shënoi edhe golin për të tijtë, ndërkohë që mbetet “jashtë funksioni” në tërësi Veliaj, një fantazist i spikatur në të shkuarën. Interesantë janë duelet në fundore mes Morinës dhe Jakupit, apo mes të riut Marku me Gilman Likën. Nëse mbrojtësi veteran ia del me sukses ndaj të riut bardheblu, vuan Marku përballë shkodranit të talentuar të bardhebluve, krah në të cilin spostohet e tërë manovra ofensive e kryeqytetasve. Minuta e 30-të vë përballë Rizvanit sulmuesin Cota, që godet rreptë në pozicion ballor, por portieri durrsak i thotë sërish “jo” golit në kuadratin e tij. Pavarësisht se shpenzon shumë energji, është më tepër në zotërim të topit, nuk ka shpejhtësi loja e 24 herë kampionëve të vendit, sidomos në fazën sulmuese është e lexueshme dhe shumë pak e rrezikshme për katërshen e prapavijës bregdetare. Për pasojë, pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të Teutës, falë atij goli të hershëm të Deliallisit. Fitore e merituar, gjithsesi për të besuarit e Begejës, që mund të kishin realizuar edhe herë tjetër, ndërsa Tirana luajti në “boshësi”, apo si të thuash me veten, por pa qenë konkrete e ngacmuese serioze e kuadratit vendës.
Pjesa e dytë Nis me një zëvendësim në radhët e bardhebluve. Trajneri provizor, Alban Tafaj, vendos të hedhë në mesfushë Karabecin, në vend të Mucollarit, në përpjekje për të rregulluar dicka në “kullën e regjisë” bardheblu. Tirana ka nevojë për fantazi e kreativitet në ndërtimin e aksioneve, zgjidhje të cilën Tafaj beson ta gjejë përmes Karabecit. Megjithatë, janë sërish durrsakët që kanë iniciativën në rrezikshmërinë para portës së Ilion Likës, teksa në minutën e 55-të duhej t’i kishin dyfishuar shifrat me anë të Ansi Nikës. Shkodrani gabon në një pozicion tepër të volitshëm, duke e mbajtur Tiranën ende në lojë. Dyfishimi i shifrave, cka kërkohet me ngulm nga Begeja në stolin durrsak, do t’i kishte mbyllur llogaritë. Nuk funksionon mirë mekanizmi taktik te bardheblutë, ndaj Tafaj bën edhe ndërhyrjen e dytë në formacion. Në minutën e 57-të del nga loja Klodian Duro për t’u zëvendësuar nga kosovari Mensur Limani. Një debutues ky te 24 herë kampionët e vendit, të cilët nuk arrijnë në asnjë moment të ftillojnë si duhet lojën e tyre dhe të rrisin kredencialet për të barazuar rezultatin. Kjo mefshtësi e kryeqytetasve u vjen në ndihmë durrsakëve, që me anë të Tairit krijojnë një “digë” në mesfushë, ndërkohë që furnizojnë dendur me asiste Xhafajn, i cili duket në një ditë të errët. Në një situatë të tillë shpërdorimesh të “djemve të detit” hyn në fuqi ligji i pashkruar në futboll: po nuk shënove do ta pësosh. Në minutën e 64-t, pas një asksioni me shumë stacione të miqve, topi gjen këmbët e Ahmatajt, i ardhur nga mbrojtja e tij, që nuk heziton të përmbyllë me një goditje “vdekjeprurëse” për Rizavanin, duke i barazuar shifrat. Ndeshja rihapet, me kryeqytetasit tashmë më të konsoliduar psikologjikisht, që tentojnë ta mbajnë në pozita pritëse Teutën, duke ushtruar presing në gjysmëfushën e saj. Dëmtohet edhe mbrojtësi Jakupi për vendësit, menjëherë pas pësimit të golit të barazimit, duke detyruar Begejën të bëjë një zëvendësim të detyruar. Ka vend për Hoxhën në mbrojtjen durrsake, që detyrohet t’i përvgeshë mirë mëngët karshi ofensivës së intensifikuar të bardhebluve. Nuk mund ta linte më tepër në fushën e lojës trajneri Nikën, që ka shpërdoruar mjaft raste, ndaj në vend të tij aktivizon veteranin Mancaku. Kanë mbetur 20 minuta lojë në dispozicion të lojtarit të njohur durrsak për të bërë dicka më shumë në repartin e përparmë të tij, në kërkim të fitores së mundshme. Të njëjtën lëvizje kryen edhe Tafaj në anën tjetër, teksa mundëson debutimin e Fabio Hoxhës me bardheblutë, i cili hyn në vend të Morinës. Duket qartë se të dyja palët tentojnë golin e epërsisë, sepse kërkojnë medoemos maksimumin në këtë 90-minutësh, por kjo dëshirë mbetet e parealizuar, sepse golat e Deliallisit dhe të Ahmatajt mbetën të pandryshuar, duke ndarë nga një pikë mes të dyja skuadrave. Tirana ka tashmë 7 pikë dhe merr kreun, të paktën për 24 orë, derisa të luajë Skënderbeu ndaj Byloisit në Vlorë, ndërsa Teuta ka në llogarinë e vet 4 pikë pas tri javësh kampionat.

Lekbello pranë stolit, vjen në Shqipëri
Tirana dje ka qenë shumë e angazhuar. Në një kohë që ekipi luante në fushë, nga krahu tjetër ka pasur lëvizje jo pak të rëndësishme rreth stolit bardheblu. Gjatë orëve të fundit u përfol se Artur Lekbello do të ishte zëvendësi i Rubios, por duket se këtu ekziston një ngërç, pasi drejtuesit dhe anëtarët e bordit nuk janë në një mëndje. Mësohet se ish-mbrojtësi i Tiranës, njëherësh edhe i Kombëtares sonë, dje ka mbërritur në Shqipëri. Kujtojmë që ai prej vitesh jetonte në Greqi, atje ku edhe ishte trajner moshash tek Arisi i Selanikut. Kreditet e tij për ta zënë këtë post janë të mëdha pasi, nëse zgjidhja e trajnerit të ri bëhet me vota, një numër i konsiderueshëm anëtarësh e preferojnë. Vetë administratori Tagani, i pyetur nëse është zyrtarizuar apo jo si trajner Lekbello, shkurtimisht tha: “Unë nuk jam në dijeni. Në rast se emërohet trajneri, besoj se do të informohesha, pasi duhet të firmos. Në bisedime ndoshta mund të jenë, por që të jetë bërë zyrtare kjo lëvizje, këtë ua garantoj që nuk ka ndodhur. Madje, edhe vetë jam habitur kur dëgjova se trajneri i ri i skuadrës bardheblu është caktuar dhe unë nuk isha në dijeni”.


Sfidat e tjera të javës 3-të
257ovht.jpg
E ndarë në katër ditë, ky “stacion” i fillimkampionatit premton të dhurojë emocione dhe suprpriza. Kjo për shkak se të dy kryesuesit me pikë të plota, Skënderbeu dhe Tirana, luajnë në transferta, një rast optimal ky për të dëshmuar vijueshmërinë pozitive dhe për t’u rikonfirmuar si “violina të para”. Kampionët në fuqi ndoshta do ta kenë disi më të lehtë ndaj Bylisit, sepse do të luajnë në fushën asnjanëse të Vlorës, për faktin se stadium i Ballshit ka qenë në rikonstruksion dhe nuk është ende. Trajneri Mirel Josa ka pasur një start mjaft pozitiv me juglindorët, ndaj do të tentojë ta ruajë vijueshmërinë e deritanishme. Me mjaft probleme dëmtimesh në mbrojtje, repart të cilin duhet të riformatojë nga e para në javën e tretë, me sulmuesin Plaku që ka pësuar një dëmtim në stërvitje, por besohet të jetë gati deri orën e ndeshjes, Skënderbeu nuk do ta ketë të lehtë me mallakastriotët. Këta të fundit e treguan fytyrën e tyre të vërtetë edhe ndaj Flamurtarit pretendent, po në fushë asnjanëse, atë të Beratit, ndaj duket se kanë fituar “imunitet” në këtë drejtim.
“Ora e së vërtetës” duket se është për Vllazninë dhe Kukësin, dy skuadra të mirëfinancuara dhe të përforcuara ndjeshëm me lojtarë cilësorë, por që deri më tani kanë zhgënjyer. Kuqeblutë i presin bluzinjtë befasues e plot ambicie të Nevil Dedes në fushën e vet, por pa praninë e tifozëve, ndërsa verilindorët e Armando Cungut udhëtojnë në Fier. “Laku” sa vjen e shtrëngohet për stafin teknik të debutuesve në Superiore, ndaj produkti që do të marrin nga përballja me Apoloninë duket se do të thotë shumë gjëra edhe në këtë drejtim. Nevoja për pikë duket alarmante edhe te bardhejeshilët e Gjokës, ndaj ky 90-minutësh mbart në vetvete pritshmëri të mëdha.
Në Peqin, në një stadium të zbrazur, Besa duket se do ta ketë disi më të lehtë për ta ndëshkuar Shkumbinin vendës. Ky i fundit është paraqitur jokompetitiv në dy javët e para të kampionatit, cka e tregojnë edhe humbjet që ka “korrur”. Duke qenë pa asnjë pikë në renditje, Shkumbini i Maganit ka përpara vetes vetëm një alternativë: fitoren. Në të kundërt situata bëhet edhe më kritike në planin psikologjik, ndonëse kampionati është në hapat e para dhe mundësitë për të rikuperuar ekzistojnë. Verdhezinjtë e Ilir Dajës shkojnë plot besim dhe oreks në këtë transfertë. Pasi arritën t’i merrnin një barazim Lacit në startin e garës, mundën bindshëm (3-0) edhe Tomorin në shtëpi, kavajasit duket sikur janë “pa frena”. Me një grup solid dhe të përbërë nga elementë potencialë, Besa nuk i trembet askujt. As Shkumbinit, aq më tepër që në mungesë të tifozërisë së zjarrtë peqinase duket se i ka shanset ta “kalojë lumin pa u lagur” edhe kësaj here.
Tomori është i dënuar të fitojë, ashtu sikurse Flamurtari. Situata për të dyja palët është vërtet kritike. Nëse beratasit e shohin veten pa asnjë pikë, nuk qëndrojnë më lart në këtë aspekt edhe vlonjatët. Pika që erdhi pas barazimit 1-1 ndaj Bylisit është fare pak për pretendimet maksimale të kuqezinjve. Rubio dhe Flamurtari rikthehen shpejt në stadiumin e Beratit, aty ku vlonjatët luajtën ndeshjen e javës së parë me Bylisin, ndërkohë që Rubio, në rolin e trajnerit-spektator përcolli fitoren 1-0 të Tiranës. Kjo do të thotë se njohja dhe ambientimi i bregdetarëve me “mejdanin” është i plotë. Se sa do të jetë në gjendje ta superojë këtë fakt skuadra vendëse, por edhe mungesën e tifozëve në stadium, pas dënimit të dhënë nga Disiplina, mbetet për t’u parë të dielën. Për momentin, nuk do shumë mend të thuhet se Tomori e ka nisur keq kampionatin dhe kalendari i javës së tretë nuk i vjen në ndihmë për t’u rehabilituar.
Të hënën përmbyll javën e tretë të Superiores ndeshja “derbi” mes Lacit dhe Kastriotit. Presidenti kurbinas, Pashk Laska, duke dashur të ruajë fushën e stadiumit të tij, ka guxuar disi në zhvendosjen e përballjes në fushë asnjanëse, pikërisht në atë të Kavajës. Një plus ky për krutanët, që e shohin veten në “valenca” të njëjta me bardhezinjtë. Të dyja formacionet kanë nga 4 pikë në klasifikim, falë një fitoreje dhe një barazimi në dy javët e para të garës, ndërkohë që të besuarit e Stavri Nicës bënë surprizën më të madhe në sfidën pararendëse, teksa shokuan brenda në Vlorë Flamurtarin, duke e mundur atë 1-0. Kjo do të thotë se në planin psikologjik kurbinasit janë “top”, ndërsa krutanët kanë harmonizuar e sinkronizuar vetveten në kohë rekord, pas problemeve të shumta që shfaqën gjatë verës (me lëvizjet në presidencë dhe largimet e shumta të lojtarëve).
/panorama-sport
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top