Terrorizmi, të shihen imamët që predikojnë në xhami jashtë Komunitetit Mysliman

cent

...Lontano
Ngjarjet e ditëve të fundit në Francë ritheksuan nevojën e luftës së përbashkët kundër terrorizmit. Por sa i rrezikuar është vendi ynë për të rënë “pre” i sulmeve të mundshme terroriste? Cilat janë masat që duhen marrë me qëllim parandalimin apo mos lejimin e individëve që mund të bëhen shkaktarë të sulmeve terroriste. Sotiraq Hroni, specialist i çështjeve të Sigurisë Kombëtare dhe njëkohësisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon se sa i rrezikuar është vendi ynë nga sulmet terroriste dhe çfarë masash duhet të marrë qeveria për parandalimin e tyr. Sipas Hronit, një komunikim i ndërsjelltë, me qëllim dhënien e informacionit mes qeverisë dhe shoqërisë civile, do të ishte mjaft frytdhënëse në procesin e parandalimit të terrorizmit.

Zoti Hroni cili është një gjykim i juaji në lidhje me sulmet e fundit terroriste në Francë?

Akti terrorist në Francë, në fakt, solli në vëmendje edhe një herë tjetër një problematikë që ka ekzistuar, të paktën dekadën e fundit, në lidhje me problemin e ekstremizmit dhe te akteve te terrorizmit. Përtej reagimit të parë, mendoj se për këtë çështje ka shumë gjëra për t’u parë dhe për t’u vlerësuar në këndvështrime të ndryshme. Përpjekjet për të luftuar dhe përballur me terrorizmin duhen parë në mënyrë më integrale dhe jo thjesht në një drejtim të caktuar si për shembull një problematikë që lidhet vetëm me agjencitë e zbatimit të ligjit, vetëm me çështjen e shërbimeve inteligjente dhe të sigurisë, por shumë më gjerë se kaq. Mendoj se trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me ekstremizmin dhe me terrorizmin, përpos të tjerave, lidhet edhe me komunitete apo grupime individësh shoqërisht të margjinalizuar, që politikat ndaj tyre duhen parë në mënyrë më të matur, më të studiuar nga ana e qeverive të vendeve të ndryshme. Në këtë drejtim secili vend, në bazë të problematikës që ka, mendoj se duhet të nxjerrë mësime, prandaj, përpara se te deklarohemi, përpara se të bëjmë publike qëndrime konkrete , në mënyrë të veçantë autoritetet e vendi dhe vendimmarrja, duhet të drejtohet nga evidencat konkrete, nga gjendja faktologjike që ekziston në secilin vend. Kjo është një çështje që ngërthen shumë problematika, dhe çdo vend ka veçoritë e veta, që janë ndikuar nga një sërë faktorësh si historik, traditës, kushteve ekonomike e të tjera. Kështu, edhe veçori të veçanta paraqesin edhe realitetet që mund të duken si afër, pra unë mendoj se realiteti me fqinjët tanë ndryshon nga ai i Shqipërisë.

Sa e rrezikuar është Shqipëria nga ky faktor?

Ne si organizatë jemi duke punuar për një studim në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, po përgatitemi të nxjerrim një raport kombëtar, të pavarur, për të bërë një vlerësim të situatës për çështje që kanë të bëjnë me ekstremizmin në vendin tonë. Shqipëria nuk është e imunizuar nga kjo situatë kërcënuese globale. Por që këtu nuk ka vend, besoj, për panik. Bile çdo deklaratë jo fort e menduar ndoshta mund të mos japë efektin e dëshiruar, sikundër ka shumë për të bërë për të njohur realitetin mirë dhe për të ndërmarrë masat e duhura për t’u përballuar me situata që tashmë nuk quhen të reja për aq kohë sa ka një numër jo të vogël shqiptarësh që marrin pjesë në luftën e Sirisë e gjetkë. Prandaj sa më e ndjeshme të jetë shoqëria, si kundër edhe sa më e vetëdijshme qeveria për punën që duhet të bëjë në këtë drejtim, aq më nën kontroll mbahet situata. Kërkohet një bashkërendim midis institucioneve të ndryshme në nivel qendror, por edhe vendor. Kërkohet një qasje më përfshirëse, sikundër edhe politika efektive që adresojnë problematikën.

Pak kohë më parë ministria e Mbrojtjes u shpreh se për shkak se vendi ynë është pjesë e NATO-s automatikisht është nën kërcënimin e sulmeve terroriste. Sa ndikim ka anëtarësimi në NATO tek mundësia e sulmeve terroriste?

Apriori mund të thuhet që kjo është një deklaratë e drejtë pasi nga struktura të ndryshme terroriste NATO-ja shihet si një institucion armik e për shkak të kësaj, Shqipëria, tashmë, në asnjë rast, nuk mund të quhet si e përjashtuar nga mundësia e ndonjë akti terrorist. Por gjithsesi, deri më tani, jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani ka qenë zona më pak e prekur nga aktet terroriste, por rritja e numrit të personave që kanë shkuar për të luftuar në Siri etj, tregon se situata edhe këtu po ndryshon. Tashmë ka filluar një ndjeshmëri në rritje edhe nga aktorë globalë që ndikojnë në politikën ballkanike, të sensibilizojnë me qëllim që institucionet dhe shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë politika konkrete dhe të integruara ndaj përballjes me këto fenomene. Dy muaj më parë një konferencë e tillë u mbajt në Slloveni nën organizimin e BE-së dhe të SHBA-ve. Pjesë e saj ishin aktorë të shoqërisë civile, institucione të zbatimit të ligjit, institucione të inteligjencës, institucioneve te besimit islam, përfaqësues te institucioneve arsimor nga çdo vend i Ballkanit perëndimor. Pra përbërja e pjesëmarrësve të çdo vendi në këtë konferencë ishte e tillë që tregonte se në lidhje me këtë temë duhet të nisemi nga një qasje gjithëpërfshirëse. Përballja me këtë problematikë nuk duhet të jetë e tillë që të orientohet nga eliminimi i pasojave të aktive terroriste, por thellësisht një përballje proaktive parandaluese të këtyre institucioneve mbështetur në një njohje sa më të gjerë të problematikës. Sikundër kërkon një vizion të tillë që qasja parandaluese të kalojë përtej këtij grupimi social, që të shkojë deri tek komunitetet vendore, që gjithçka të arrihet së bashku me përfshirjen e qytetarëve.

Më konkretisht çfarë hapash duhen ndërmarrë?

Ndoshta nevojitet një raport studimor konkret për të parë se ku qëndrojnë institucione të ndryshme publike në lidhje me këtë problematikë, në nivel kombëtar apo vendor. Ndoshta margjinalizimi ekonomik ose varfëria ka bërë që të kemi situata të ndryshme ku shkohet deri në veprim anti-social. Po kështu, në periudha jo të shkurtra të tranzicionit, shteti kishte humbur kontrollin edhe në drejtim të aktivitetit fondamentalist të fondacioneve të ndryshme që sponsorizonin një arsimim fetar. Sikundër edhe mungesa e politikave të mbështetjes sociale në zona të ndryshme të margjinalizuara të vendit kanë krijuar terren për këto dukuri. Por, gjithsesi duhen analiza edhe më të thelluara. Ajo që duhet bërë më mirë është zhvillimi i politikave të ndryshme të institucioneve në nivel kombëtar, por edhe vendor. Një çështje tjetër është edhe rritja e nivelit të interaktivitetit apo bashkëpunimit të policisë me qytetarët. Mendoj se duhet shumë punë, që termi “polici në komunitet” të mos duket si atraktive, si diçka që lidhet me një aktivitet të policisë me shkollat. Më është dhënë rasti në dhjetëvjeçarin e fundit të marr pjesë në shumë konferenca të nivelit të lartë ku, sekretarja për Sigurinë Kombëtare të SHBA-ve apo të Kanadasë, apo ministra të ndryshëm evropian që kur flasin për luftën kundër terrorizmit i bëjnë një referencë shumë të ndjeshme policimit në komunitet. Pra një komunikim të tillë të ndërsjellë mes strukturave shtetërore dhe qytetarëve me qëllim informimin dhe parandalimin e kriminalitetit dhe këtyre fenomeneve. Pra duhet një bashkëpunim mbarë shoqëror për të bashkëvepruar. Marrja e informacionit nuk është çështje vetëm e institucioneve apo e teknologjisë por shume më e gjerë, mbarëshoqërore. Pra, nisur nga sa më sipër unë nuk kam parë ndonjë strategji të caktuar nga ana e qeverisë. Për sa i përket vendit tonë duhet bërë një analizë më konkrete për të marrë masat e duhura. Po përmend një shembull që kam hasur shpesh nga shumë diskurse publike që komuniteti mysliman, nuk ka fonde për të paguar imamë të ndryshëm që predikojnë në xhami të ndryshme, dhe për këtë shkak ata mund të ndodhë që të paguhen nga grupime të ndryshme të huaja, duke kaluar nën influenca të pakontrolluara. Në këtë drejtim mendoj se ka gjëra për t’u parë dhe kjo është shumë evidente.

A keni ju një informacion nëse shteti jonë ka marrë masa konkrete në lidhje me këtë çështje?

Në dijeninë time nuk besoj se ka politika që të adresojnë këto probleme si të tilla, me përjashtim të institucioneve të zbatimit të ligjit si të policisë apo të shërbimeve inteligjente që kanë sektorë të veçantë pune. Por që edhe këto mund të qendrojnë jo të integruara me pjesë të tjera të institucione publike apo jo publike në adresimin e problematikës, në mënyrë të veçantë për sa i përket eliminimit të shkaqeve dhe burimeve të këtyre fenomeneve.

Bashkëpunimi fqinjësor dhe rajonal i rëndësishëm Absolutisht që është shumë e rëndësishme që duhet të ketë bashkëpunim rajonal. Bashkëpunimi është vetëm një fjalë ndërsa realizimi i tij është më i rëndësishëm. Arritja në një bashkëpunim efikas është çështje besueshmërie ndaj institucioneve. Doja të theksoja se sa më të besueshme dhe sa me profesionale të jenë institucionet e sigurisë, aq më efikas do të jetë bashkëpunimi rajonal. Një element i rëndësishëm në këtë lloj bashkëpunimi është ndarja e informacionit. Ndarja e informacionit të klasifikuar do të thotë besueshmëri. Por besoj se ka ende shumë për t’u bërë në lidhje me një bashkëpunim në fushën e sigurisë me qëllim ndarjen e informacioneve të klasifikuara dhe rritjen e efikasitetit të veprimit ndaj burimit të këtyre dukurive. Ka vende të Ballkanit që kanë një ndërveprim efikas, por ka edhe vende për të cilat duhet më shumë punë. Për shembull, vendi ynë mund të punojë mirë me Kosovën, por niveli i bashkëpunimeve me Serbinë është në nivel shumë të ulët.
/Shekulli
 
Back
Top