Tempujt “mëkatarë”

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Ben Andoni
Të vetmet objekte kulti që i mbijetuan viteve të socializmit ishin ato që kategorizoheshin si monument kulture. Sot, ato gëlojnë në të gjithë vendin, madje në vende jo të duhura. Shumë syresh vërtetë janë në trojet e dikurshme, por jo rrallë u ndërtuan mu në mes t’lulishteve dhe hapësirave publike. Në kryeqytet, në pak qindra metra katror, në vend të lulishteve historike dhe hapësirave publike, kemi xhami, katedrale, tyrbe, teqe etj. Paçka pretendimeve të drejta të klerit, qeveria shqiptare e dy krahëve politikë duhej t’i shpëtonte disi kompleksit të tepruar ndaj religjionit...

Tirana e shekullit XXI ka aguar me një mpleksje të tillë objektesh kulti të katër religjioneve, saqë ka të ngjarë të përbëjë një prej qyteteve me dendurinë më të madhe të objekteve klerikale në botë. Si zakonisht, të etur për ekstreme, shqiptarët nga vendi i vetëm ateist i botës, shkuan në një drejtim krejt tjetër. Të gjitha kultet fetare në vend, përveç bektashinjve (që për shkak të dogmës së tyre, duhet të prehen larg qendrave), kanë marrë territore të tëra në qendra qyteti, rëndom mbi hapësira publike (dikur lulishte ose sheshe lojërash). Që do të thotë se p.sh. në pak qindra metra katror në Tiranë kemi tre xhami (bashkë me të renë) dy katedrale, kisha, teqe, tyrbe, aqsa shtangesh. Ndoshta inercia lidhet me vitin 1967, kohë kur religjionet në Shqipëri morën dërrmën përfundimtare nga shteti i vetëm ateist i Botës. Ishte koha kur vetëm një i çartur do mund të mendonte se ato do të mund të riktheheshin sërish me shkëlqimin e dikurshëm. Paçka se atëkohë, ato ishin tkurrur në atë nivel, saqë të vinte keq për perfomancën, hierarkinë dhe grigjën e tyre që ishte larguar pak nga pak. Ky trend, pjellë e politikës së shtetit-parti pas Luftës së Dytë Botërore, nuk u mjaftua me kaq. U mori dalëngadalë shkollat bazike, u preu financimet, u kufizoi shkollimet e jashtme, u zvogëloi pronat e me radhë. Megjithatë problemi i tyre me ndërtesat, të shprehemi qendrore, ishte i kahershëm. Të gjitha religjionet i kishin parashtruar interesat e tyre për zgjerim qysh në vitet ’30. Por, qëllimit ia arritën vetëm dy kishat kristiane. Kurse myslimanët, edhe pse u përpoqën, nuk mundën të ndërtonin një xhami të madhe, ashtu si edhe bektashinjtë mbetën me teqen e tyre të vogël në periferinë e Tiranës.


Në fakt, një mënyrë disiplinimi e tyre, mund të kish qenë llogaritja e ngrehinave të kërkuara në hartimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues, që në vitet e pushtimit italian bazohej në parametra të legjislacionit të tyre modern. E Shqipëria mund të përfitonte pasi ishte pjesë e kurorës së Savojës. E ashtuquajtura Zyrë Qendrore e Edilicjes dhe Urbanistikës në krye të së cilës u vu arkitekti i ri fiorentin Gherardo Bosio me një përvojë projektimi në Afrikën Orientale mund t’i jepte një zgjidhje me oportune dhe më të disiplinuar oreksit të religjioneve shqiptare. Kjo s’ndodhi edhe pse falë tij kemi Piazza “Littorion” (sheshi “Nënë Tereza” sot), që mbajti meshën e Papës Françeskut.

Rikthimi
Rikthimi i trojeve dhe lejet për ndërtimet e katedraleve dhe xhamijave ishte një nga rebuset më të vështira të qeverive demokratike dhe një nga aktet e para të kthesës politike të Shqipërisë. Rikthimi, po ku? Ekuacioni, që duhej të zgjidhnin politikanët shqiptarë, s’ishte aspak i lehtë. Kuptohet se ata i ranë shkurt. U bënë qejfin të gjithëve. اështja e sotme, që lidhet me trojet, ku janë ngritur objektet e kultit nis prej nga viti 1991, kohë kur zyrtarët e shtetit shqiptar u gjendën para kërkesës për të dhënë leje për ndërtimet e kultit. Atëkohë, kur u lejuan, ishte normale që të katër religjionet të kërkonin veç objekteve të zakonshme të kishin edhe një objekt në rang republike. Kjo përpjekje kish filluar në kohën e Zogut, kur të katër kultet i ribënë, nisën ose planifikuan nga një objekt kulti kryesor në Tiranë. Të vetmit, bektashinjtë nuk e kishin shumë problem. Iu rikthyen Kodrave të Tiranës, atje ku dikur ishte një teqe e vockël, që shërbente edhe si seli e kryegjyshatës Botërore. Komuniteti mysliman nuk arriti edhe pse e kishte në ide dhe nevojë një objekt të tillë. Katedralja katolike moderne u ngrit në Rrugën e Kavajës. Kurse grigja ortodokse i kryente shërbesat në katedralen, ku sot ngrihet Hotel “Tirana”.


Kleri katolik
Pas rënies së komunizimit, nuk mund t’mjaftonin gjithsesi. Në vitin 1991, përpjekjet e para realisht të forta për zgjerimin erdhën prej komunitetit katolik. Kisha katolike ia doli, kuptohet pas disa vitesh, që veç objektit të saj te Rr.Kavajës, të kërkonte një më të madh dhe plus kësaj të kishte pranë edhe selinë e duhur të arqipeshkvit, sipas rangut që i takonte. Vendi u gjet më mirë sesa mendohej. Ai u përfundua tek ish-Pallati i Pionerëve, që më parë kishte qenë pronë e Toptanasve, por edhe kishte shërbyer si rezidencë e Zogut. Kërkesa dhe leja ishin aq precise dhe të kujdesshme, por edhe diplomatike, saqë nuk mund të kundërshtoheshin. Jo thjesht në justifikimet para fëmijëve, që në Shqipëri nuk është se ka aq shumë kujdes, por për pronarët e vërtetë. اështja u zgjidh, në kurriz të njërës prej hapësirave që edukoi breza të tërë fëmijësh. Goja iu mbyll shpejt kritikëve prej ngarkesës së madhe emocionale, që përcjell hierarkia e veprimeve të klerit katolik.
...“Bana gadi shpejt çka i kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë time gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji korpiral dhe nji kryq. Kur mbrrijta ndër vorre, Marku solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtroje, mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë të improvizueme. Para 300 vetve të ndodhun ndër varreza, për nji Meshë të pasigurt, ma tepër për lutje e divocjone personale tue pastrue barna e tue përkdhelë banesën prej dheut nga ku do të ngjallemi nji ditë me të dashtunit dhe të paret tonë” kujton në varrezat e Rrmajit në Shkodër, Dom Simon Jubani teksa mbante meshën e parë pas ndalimit të fesë në 4 nëntor (Muaj më parë). Jo shumë larg, komunitetet e tjera do të mbanin shërbesat e tyre, për ta futur vendin në një hulli normale. Kjo s’mjaftonte, edhe pse pushteti do t’u njihte edhe legjitimitetin e munguar prej dekadash. Ani, s’ishte aq e lehtë. Në Shkodër katedralen e kishin kthyer në Pallat Sporti të Lojrave me dorë, kurse në Tiranë myslimanët kishin xhami të tëra të prishura, komunitetit kristian i mungonin në inventar kisha të tëra të rrënuara dhe dervishëve po ashtu, u kishin përcëlluar teqe pafund. Në këtë hulli, kisha katolike ishte komode, pasi e kishte ngrehinën e saj te Rruga e Kavajës! E megjithatë, katedralja u re u arrit të bëhet në fund të vitit 2001, si ndër më impozantet në vend. Emri i saj ngjall kujtimin e Apostullit Pal si ungjillizuesin e parë të trojeve shqiptare, mu në vitin 52 pas Krishtit. Në librat e shenjtë, në letrën drejtuar romakëve, Shën Pali deklaron se “.. ka çuar fjalën e shenjtë deri në Iliri.” Në brendësi të Katedrales ndodhet monumenti i Nënë Terezës dhe i Gjon Palit të Dytë. Pa asnjë mëdyshje katedralja e Shën Palit, për nga stili arkitektonik, ishte më modernia. Pjesa ballore ruan formën e kapelës, që mban ipeshkvi me kryqin në majë. E ndërtuar në 2002, tek ajo mbizotëron elementi dru dhe bardhësia. Ajo që e bën të veçantë nga ndërtimi është hapësira e pamatë që shfaqet pas altarit, në një mur tejet të lartë, në të cilin qëndron i varur Jezu Krishti në kryq, në një pozicion tejet të përkorë. Hapësira e Pallatit të Pionerëve kishte dhënë shpirt...

Ortodoksit dhe...
Pak qindra metra më tutje, komuniteti ortodoks kishte kohë, që bënte përpjekjen e vet vetmitare. Piketat ishin hedhur në një nga lulishtet më të bukura të Tiranës, që ishte pranë ish-ministrisë së Mbrojtjes, por që vitet e tranzicionit e kishin kthyer në një vend plot me kioska dhe tepër të pavlerë. Ishte pikë takimi i drogaxhinjve të rinj, por edhe një nga vend-takimet sekret të homoseksualëve. Duhej pak më shumë vullnet, që kjo lulishte të shpëtohej. Thjesht, nëse bashkia e qytetit do gjente gjuhën me pushtetin qendror, Tirana do kishte një mjedis të gjelbër më shumë. Si për ironi, vetëm pak metra më tutje gjendet selia e Partisë Socialiste, paraardhësit e të cilëve i telendisën dhe i shkatërruan, ndërsa zyrtarët e ditës, që mund të gjenin në këtë rast një zgjidhje më elegante nuk u ndjenë. Njësoj dhe myslimanët, prej vitesh po hallakateshin në probleme pa fund për një pronë të tyre. Duket se fati i bashkoi në një ditë të dy komunitetet dhe vendimi për ngritjen e objekteve kryesore të tyre u mor në të njëjtën ditë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, kërkoi me ngulm dhe ia arriti të merrte qendrën e kryeqytetit, në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua po më 1967. Ndërsa kisha ortodokse, nga ana e saj, e bleu truallin dhe punoj menjëherë për paraqitjen e projektit, që të merrej leja e ndërtimit nga KRT-ja e Bashkisë së Tiranës, komuniteti mysliman vuajti shumë. Së pari nga përçarjet brenda dhe pastaj nga mosgjetja e gjuhës me pushtetin. Gjithsesi ortodoksit pas 8 vjetësh punime sollën një nga katedralet më të mëdha në Ballkan.
Me një sipërfaqe të truallit rreth 5 mijë metra katror, ku vetë kisha zinte plot 1660 metra katror, përurimi përkoi me 20-vjetorin e Anastas Janullatos, si Kryepeshkop në Shqipëri, njërit prej personazheve më të përfolura të çerekshekullit të fundit në vend...Lulishtja tani i përket historisë.


...myslimanët
Njësoj me reagimin e komunitetit ortodoks ishte edhe prona e dhënë për komunitetin mysliman në ndërtimin e xhamisë pranë Kuvendit. Ajo ishte te Namazgjaja, një vend që përkonte me një nga fushat më karakteristike të Tiranës, ku dihet se myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Disa nga pemët, që gjenden ende aty, shërbejnë si dëshmitarë për lashtësinë e saj. Mes komunitetit të tyre, ka zëra patetikë që shkruajnë se ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe ishte caktuar atje nga Sulejman Pasha, që ndërtoi xhaminë me të njëjtin emër dhe që banorët autoktonë të Tiranës e njihnin si “Xhamia e Vjetër”. Ky objekt nuk ekziston më. Për të qenë afër të vërtetës, shqetësimi i komunitetit mysliman daton që nga viti 1938, kur edhe është bërë kërkesa për një xhami të madhe, pasi besimtarët i kryenin, si edhe vazhdojnë t’i kryejnë ritet e tyre fetare në rrugë, në shi e në mes të vapës përvëluese. Edhe pse Tirana në vitet ’30 numëronte 27 xhami vetëm në qytet, sërish Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në vitin 1938 kërkonte ndërtimin e një xhamie të madhe, e cila mendohej të ndërtohej në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë. Më në fund, myslimanët e arritën qëllimin vetëm në vitin 2013, kur inauguruan punimet e xhamisë, që u stopuan pas shumë problematikave. Kjo zgjati pak muaj, pasi kreu i ri i myslimanëve shqiptarë mori në dorë përfundimisht lejen nga kryeministri Edi Rama, që tashmë ua la vetë në vullnetin e tyre ekzekutimin e projektit. Llamarinat që e rrethojnë sot na tregojnë se kemi në inventar edhe në një lulishte më pak...


... Bektashinjtë
Ata i kanë soditur të gjitha nga larg. Në kongresin e tyre të parë kombëtar, që u mbajt në Prishtë të Skraparit në janar 1922, bektashinjtë e shpallën veten të divorcuar përfundimisht nga Turqia. Shteti turk ua ktheu me elegancë duke i ndaluar të gjitha tarikatet e dervishëve në Turqi. Ndaj, në vjeshtën e vitit 1925, bektashinjtë turq e shpërngulën selinë e tyre botërore dhe e prunë në Tiranë. U vendosën larg në një bashkësi, që sot gjendet afër Shkozës. Edhe ata, megjithëse e patën më mirë me komunistët, për shkak të marrëdhënies së Shqipërisë me disa vende, ku dervishët kishin pushtet, viti 1967 rezultoi fatal dhe për ta. E morën veten më 27 janar 1991, kohë kur në Tiranë u ngrit një komitet i përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë së bektashinjve. Ndryshe nga të tjerët, ata u morrën me qeverisjen e punëve të tyre. Teqeja dhe, njëkohësisht, selia botërore në Tiranë, u rihapën më 22 mars 1991 me rastin e Nevruzit. Për të treguar se funksiononin edhe institucionalisht, kongresi VI kombëtar i bektashinjve u mbajt në korrik 1993. Ata kanë nisur një konstruksion të madh të teqesë së tyre, që vazhdon sot e kësaj dite, dhe Kryegjyshi Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka marrë garanci për mbështetje prej kryeministrit Rama për ta mbaruar objektin gjigand, i cili përmban një sallë pritjesh, një sallë kongresesh dhe një sallë faljesh për të gjithë besimtarët. Projekti, në mjediset e jashtme, përfshin edhe sipërfaqe të gjelbra, një shatërvan, sipërfaqja e brendshme e të cilit ndërthuret me hapësira të mbjella me lule të ndryshme. Një oaz, në varfërinë e zonës së ish-Poligrafikut, që po zgjerohet pak e nga pak dhe po zë një hapësirë shumë të madhe, e cila kontraston frikshëm. Për bektashinjtë ka edhe një simbolikë ky vend, pasi është tyrbja e parë që është prishur nga komunizmi dhe e vetmja gjë që ruhet nga ajo kohë është një selvi që, sipas Baba Edmond Brahimajt, i rezistoi komunizmit.


Në vend të epilogut
Megjithë respektin për komunitetet fetare në vend, një element që të trishton është se të gjitha objektet e kultit, përveç atij bektashian (nuk mund t’i thuash gjë se ka qendrën në Shqipëri), në ndërtimet e tyre as nuk i ruajnë fare kanonet e objekteve fetare vendase. ثshtë e vërtetë se të dy katedralet janë zgjidhur në mënyrë shumë moderne, por ato nuk kanë asnjë lidhje me objektet e kultit kristian në vendin tonë. Po kështu mund të thuash dhe me xhaminë e re, që nuk i ngjan tipologjisë klasike të xhamisë, që gjendet në Shqipëri.
Një element që i bashkon sërish është madhësia e frikshme e tyre. Edhe pse e justifikojnë me mbledhjet e komuniteteve të tyre në rastet e festave, nuk mund t’u kujtosh se hapësira dhe vëllimi ka lidhje disi edhe me devocionin e komuniteteve. Sa më të devotshëm të jenë besimtarët shqiptarë, aq duhet të bëheshin dhe ato. Kjo çalon disi.
Por, nga ana tjetër, problem janë edhe financimet e tyre. Duhet të ishin vetë besimtarët shqiptarë, që të hidhnin para për to dhe jo të pritej nga donacione dhe ndihma të huaja. Në një farë mënyre donacioni tregon edhe atributet dhe përkushtimet e komuniteteve.
...
Tirana e dikurshme ishte e këndshme me ato objekte që ishin. Katedralen, xhamitë, tyrbe, teqenë, pak më tutje katedralen katolike. E sotmja mund të ishte disi më e kursyer.
Në një farë mënyre, qendra e një kryeqyteti, është fytyra e vërtetë e qytetit, por edhe pasqyra më e drejtë për vendin, një kartë që kryeministri Edi Rama, e luajti shumë bukur si Ministër i Kulturës në vitet 1998-2000, kur ai filloi projektin “Kthimi në identitet” për qendrën e Tiranës dhe që e ndihu, të katapultohej në zgjedhjet vendore të vitit 2000. Kartë, që ai, paraardhësit dhe pasardhësi i tij, nuk e ruajtën dot për fytyrën e Tiranës sonë. Tirana jonë sërish ka dhënë, pa marrë pas asgjë...

Revista Java
 
Back
Top