Shteti që vret me dorën e Ninos nga Aleksandra Bogdani

Konstandin Xhuvani mund të kishte qenë një “figlio d’arte”. Por në Shqipëri, miti i të fortit frymëzon më shumë. Ndaj djali i dy artistëve të njohur, nëna e të cilit edhe deputete, nisi ta jetonte si në film, realitetin e mbushur me armë, drogë e alkool, më parë se fati i tij të vulosej përfundimisht me autorësinë e pesë vrasjeve.

Masakra e së martës në rrugën e Elbasanit qe një tjetër lojë e djalit të pabindur dhe të pandëshkuar. “Nuk mbaj mend asgjë”-iu kthye ai prokurorëve që po i kumtonin akuzën e papërballueshme në realitet. I falur njëherë nga drejtësia dhe i përkëdhelur shpesh nga policia, pas andrallave që shkaktonte gjithnjë llucë i dehur dhe i armatosur, Konstandini që shokët e thërrisnin “Nino” thjesht po bënte lojë. Një lojë makabër, para së cilës të gjithë mbyllën sytë edhe kur pasojat ishin të paralajmëruara.

Përplasja e parë serioze e tij me drejtësinë fillon në shkurt të vitit 2011, kur Kostandini asokohe 22 vjeç vrau shokun e tij. Por sistemi i shtroi rrugën drejt një krimi edhe më të rëndë. Faktet janë aty dhe bëjnë me faj policë, prokurorë e gjykatës. Ishin ata që e lejuan të shkrepte armën për së dyti, duke marrë në mënyrë të pakuptimtë 4 jetë njerëzish.

Nino në fakt iu kish rrëfyer fare hapur se në ç’ujëra të trazuara jetonte. Në dëshminë e tij pas vrasjes së parë, dehja përmendet shpesh si burim konfliktesh me djemtë e lagjes. Kishte shkuar në Brryl, blerë për 500 euro një pistoletë e në momentin më të parë, nuk u mat dy herë për ta shkrepur. Pa asnjë tronditje përballë shokut me kokën e hapur nga plumbi, ai u kujdes të merrte arratinë, bashkë me armët e krimit. U dorëzua me zor nga familja në polici në maj të 2011, përmes një serie negociatash “të efektshme”, që u pasuan nga një vendim qesharak i gjykatës së Tiranës.

U dënua me dy vjet burg për një jetë të vrarë, më pak se sa dënohen fëmijët e “të panjohurve” që kapen me armë pa leje. Debati rreth dënimit të tij zgjati pak ditë dhe u shua si dhjetëra çështje të ngjashme në këtë vend. Ministri i Drejtësisë së kohës, Eduard Halimi nisi një inspektim për gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes, por askush nuk u ndëshkua në fund. E gjithë “fushata” u përdor për të akuzuar ish-kryeprokuroren Ina Rama se kishte favorizuar djalin e deputetes socialiste dhe palët e lanë me kaq historinë e Kostandinit.

Ai vetë doli shpejt nga burgu me një pasion edhe më të madh për andralla të papërgjegjshme. Raportet konfidenciale të policisë tregojnë se Xhuvani e kalonte shumicën e kohës mes Tepelenës dhe Gjirokastrës, duke u kthyer kështu në një problem për policinë lokale. Por kur emri i tij doli mes të kërkuarve të Lazaratit që kishin qëlluar me armë policinë, nëna e tij nxitoi ta shpëtonte edhe një tjetër herë, duke e nxjerrë para Kuvendit në ditët e ethshme të operacionit.

Një tjetër dokument tregon se Konstandin Xhuvani ishte shpallur në kërkim më herët, për kanosje dhe qitje në ajër në mes të Gjirokastrës. Por policia dhe prokuroria, edhe në këtë rast e mbyllën një sy për këtë “enfant terrible” të deputetes socialiste.

Nëse policia dhe drejtësia do të funksiononin sipas parimit: “të gjithë të barabartë para ligjit”, me siguri Xhuvani do të gjendej në qeli mëngjesin e 4 Nëntorit. Por këta regjisorë të kapitulluar i lanë në dorë një pistoletë dhe e hodhën drejt aktit final të vrasjes, që ishte projektuar skenë pas skene në jetën mes filmit dhe realitetit të Konstandin Xhuvanit.


Reporter.al
 
Back
Top