SHBA dhe Rusia, pikëpamje të kundërta për Sirinë

Gjenerali amerikan sugjeron zgjidhje politike, ndërsa Putin apelon hapur për të përkrahur Assadin

John AllenPër të dërguarin e posaçëm të SHBA në koalicionin global në luftën kundër IS-it, gjeneralin në pension të Marinës, John Allen, vetëm një zgjidhje politike dhe jo një fitore ushtarake mund t’i japë fund konfliktit pothuajse pesëvjeçar në Siri dhe krizës së refugjatëve.

E pikëpamja e tij duket se është në kundërshti të plotë me atë të Kremlinit zyrtar. Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, Allen tha se kur e ishte marrë postin aktual një vit më parë nuk ishte i sigurt që Iraku do t’i mbijetonte avancimit të Shtetit Islamik. Megjithatë, gjatë muajve pasues, siç u shpreh ai, ka pasur përparim të dukshëm në shumë aspekte. “Por në thelb, pa një platformë dhe pa një zgjidhje politike të këtij konflikti, pavarësisht se çfarë do të bëjmë ushtarakisht, nuk do ta zgjidhim krizë”, citohet të ketë thënë Allen.



Kriza vjen nga Assadi

Një tjetër njohës i mirë i problematikave në rajon, ish-ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford, këmbënguli në një intervistë tjetër televizive se kriza humanitare nuk po vjen nga territoret që mbahen nga IS-i, por si rezultat i përdorimit të armëve kimike dhe bombave-fuçi nga regjimi i Presidentit Bashar al-Assad. “Pikërisht këto të fundit janë arsyeja e zbrazjes së qyteteve të tjera. Gjysma e Sirisë është zhvendosur. Gjysma e popullatës nuk jeton më në shtëpitë e saj”, kujtoi ai. Ford tërhoqi vërejtjen se administrata e presidentit Barack Obama është përqendruar tek IS-i dhe jo te fajtori i vërtetë i krizës, qeveria e Assadit. Në sytë e ish-diplomatit amerikan, brutaliteti i regjimit të Assadit po nxit rekrutimet në radhët e Shtetit Islamik. Raportet e shërbimeve amerikane të zbulimit tregojnë se IS-i i zëvendëson të gjithë luftëtarët e vrarë nga bombardimet e koalicionit me të rinj sirianë të zemëruar nga dhuna e regjimit.



Putin del hapur pro Assadit

Por, Presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Damaskun, pavarësisht shqetësimeve mbi rolin e vendit të tij në luftën civile të Sirisë. Putin madje i nxiti dhe shtetet e tjera t’i bashkohen Moskës në nismën e saj për të dërguar atje asistencë ushtarake dhe teknike. Më herët, duke mos i fshehur më shqetësimet e tij mbi veprimet e fundit të Moskës, Uashingtoni u shpreh i bindur se ushtria ruse po përpiqet në ngritjen e një baze operative në perëndim të Sirisë. Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, deklaroi se ka të dhëna që ditët e fundit, Rusia ka zhvendosur trupa dhe pajisje në një zonë pranë Latakias, ku ndodhet një bazë ajrore.
Qyteti-port në brigjet e vendit që lagen nga Deti Mesdhe, është nën kontrollin e forcave të Presidentit Bashar al Assad, aleat i ngushtë i Moskës.

(c)Gazeta Shqip
 
Titulli: SHBA dhe Rusia, pikëpamje të kundërta për Sirinë

Dy shtetet, nga fajtoret kryesore per gjendjen e popullit sirian.
 
Back
Top