Refugjatët, Asselborn: Kriza mund të çojë në shpërbërjen e BE-së

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Emigrantët

Me afrimin e dimrit, Bashkimi Europian paralajmëron mbi rrezikun e një katastrofe humanitare


refugjatet_1-320x180.jpg


refugjatet_1“Pesha e krizës së emigrantëve mund të jetë tepër e madhe për shpatullat e Bashkimit Europian. BE-ja rrezikon shpërbërjen”.
Kështu deklaroi dje ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt nëse blloku nuk do të arrijë të ruajë solidaritetin e të zgjidhë ngërçin si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve të tij.
Komentet e Asselborn i referohen vendimit të disa anëtarëve të Bashkimit Europian për ashpërsimin e kontrolleve në kufijtë e tyre, çka i rëndon barrën e refugjatëve shteteve të tjera. Politikani nuk përjashton mundësinë që një pjesë e këtyre vendeve të zgjedhin t’i mbyllin kufijtë e tyre krejtësisht, e në rast se diçka e tillë ndodh vërtet, atëherë ky do të jetë fundi i zonës Schengen dhe lëvizjes së lirë, një prej të drejtave më të rëndësishme të ofruara qytetarëve të BE-së. Asselborn është tepër i zymtë në parashikimet që bën. Sipas tij, gjendja është vërtet kritike.
“Mund të kemi vetëm disa muaj kohë në dispozicion për ta zgjidhur këtë situatë, në të kundërt le të kuptohet skenari, BE-ja shkon në kolaps”, tha ai. “Deutsche Welle” madje, duke cituar fjalët e Asselborn shkon deri aty sa të përmendë dhe mundësinë e një lufte. Disa ekspertë, megjithatë nuk pajtohen me propozimin e tij që zgjidhja e situatës është shpërbërja e Europës.
Në këndvështrimin e tyre, situata nuk mund të zhbllokohet duke shpallur frikën, por duke frenuar në mënyrë radikale emigrimin masiv drejt BE-së. Argumenti i dhënë në mbështetje të këtyre pohimeve është se ai që kërkon të shpëtojë kohezionin europian, duhet të kujdeset që BE-ja të rifitojë kontrollin mbi emigrimin, çka nuk nënkupton ndalimin e pranimit të refugjatëve, por dikton kufizimin e qartë të tij.

Stina e ftohtë, kërcënim për refugjatët

Me afrimin e dimrit, Bashkimi Europian paralajmëron mbi rrezikun e një katastrofe humanitare për dhjetëra mijë refugjatë. Vendet e bllokut janë nën presionin të mbajnë premtimet e bëra, në një kohë kur fluksi i të ardhurve sa vjen e rritet. Rënia e temperaturave nuk e ka frenuar dyndjen e refugjatëve në Europë.
Mbi 770 mijë vetë kanë mbërritur në BE nga deti këtë vit dhe mijëra të tjerë priten, shumica si përherë nga dy vendet e Lindjes së Mesme të munduara prej konflikteve, Siria dhe Iraku. Ministrat e Brendshëm të bllokut u mblodhën të hënën në Bruksel për të diskutuar si do të veprohet në vazhdim. Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut, u shpreh: “Bashkimi Europian duhet të bëjë çmos për të shmangur katastrofën tani që dimri është pranë. Ne nuk mund t’i lëmë njerëzit të vdesin nga i ftohti në Ballkan”.

Masat, tepër të ngadalta

Ministri i Brendshëm gjerman, De Maiziere, tha në Bruksel se blloku thjesht po tregohet tepër i ngadaltë përballë vërshimit të refugjatëve, ndërsa homologu i tij francez, Bernard Cazeneuve, u shpreh se BE-ja nuk mund të marrë në mënyrë sistematike vendime urgjente dhe pastaj të kërkojë kohë për vënien e tyre në jetë. Mijëra emigrantë të sistemuar përkohësisht në çadra në disa shtete ballkanike kanë nevojë urgjente për akomodim më të mirë.
Udhëtimit sfilitës të refugjatëve në rrugën e ndjekur drejt veriut të Europës, tashmë i shtohen edhe kushtet ekstreme të motit. Gjatë ditës, temperaturat vazhdojnë të jenë të pranueshme, por natën, në kufirin mes Gjermanisë dhe Austrisë, ato bien deri nën 0 gradë. Anëtarët e BE-së kanë rënë dakord për një sërë masash që duhet të ndihmojnë në përballimin e krizës, por kritikët vërejnë se implementimi i tyre është tepër i ngadaltë.
 
Back
Top