Policia që mbron standardin e shqipes!

LeVoyageur

Once upon a time...
Duhej t`u merrej jeta katër njerëzve, që ne të merrnim vesh se në kupolën e Policisë së Shtetit në kohën e PD-së, meraku për shqipen e pastër e të kulluar, qenkesh pjesë e skrupulozitetit në detyrë. Ligji edhe mund të shkelet nga “rojtarët e ligjit”, makar dhe mund të lësh kokën nga kjo, por që cënohet gjuha jonë, asaj së cilës aq bukur i këndoi Naimi e rilindasit e tjerë, jo! Kurrë jo!

Nuk mund të cënohet ajo gjuhë, për të cilën u angazhuan më vonë me dhjetra e qindra akademikë gjuhëtarë, të cilët e standartizuan dhe e unifikuan, për ta patur në variantin e sotëm letrar, si një ndër arritjet më të mëdha mbarëkombëtare, finalizuar në Kongresin Drejtshkrimor të ’72-it. Sakaq, vetëm sot po e mësojmë, falë dhe katër viktimave të 21 janarit, se Policia shqiptare nën Berishën, nuk ishte e angazhuar vetëm në ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve – kjo ishte më e pakta që mund të bënte – por ruante dhe gjuhën tënë, nga mosrespektues të saj, deri dhe bastardues, të cilët, atje ku duhej pika, vinin paturpësisht presjen; aty ku fjala duhej me të madhe, çmendurisht ishte me të vogël; atje ku duhej kryeradhë, as që ndiqej ky rregull, e ndërkohë, në mënyrën më të pashpirt, arrihej deri dhe tek ngatërrimi i kohës së foljeve dhe rasave të emrit.

Jo, kështu nuk mund të vazhdohej më. Siç e kuptojmë dhe nga ish-kryepolici Burgaj gjatë dëshmisë së tij në Prokurori lidhur me moszbatimin e urdhër-arresteve të Prokurorisë, një ditë pas vrasjeve më 21 janar nga ana e Gardës, gjëja më kryesore në ato momente, ishte pikërisht mbrojtja me çdo kusht e gjuhës nga shkelës të rregullave të saj në drejtshkrim. Ashtu, me laps në dorë, duke u orientuar nga… jo, jo nga ligji, por nga ‘Rregullat e Drejtshkrimit Shqip’, botim i Akademisë së Shkencave – që siç po mësojmë pra, na paskësh qenë literatura më e preferuar e ish-kupolës së Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme – tek teksti i urdhër-arresteve të Prokurorisë, janë hasur një mal me gabime ortografike e drejtshkrimore, gjë që më pas ka çuar në zhvlerësimin e menjëhershëm të tyre.

E kotë që kryeministri Rama apo ministri i linjës, Tahiri, të rrahin gjoksin për kthimin sipas tyre të policisë në detyrë, derisa askush nuk shqetësohet më se ç`hedhin në letër shqiptarët, e së fjalitë e fjalët e tyre, në shkresurina zyrtare apo qoftë dhe mesazhe dashurie, janë një mish-mash i vërtetë. Nga ana tjetër, ish-drejtuesit e lartë të Policisë nuk kanë pse brengosen nga “heqja e kapeles” prej kësaj qeverie; drejt tyre po vijnë oferta pa fund nga botues të shumtë, për të bërë korrektorin gjuhësor. Vitet do kalojnë, e do vijë patjetër ajo kohë kur dikush të shkruan një dossier, me titull: “Kur policia mbronte standardin e `72-it!”/E.Hoxha

dita
 
Back
Top