Parisi, gati për të zëvendësuar Londrën si qendra e bizneseve

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Parisi, gati për të zëvendësuar Londrën si qendra e bizneseve

Franca po mendon lehtësimin e taksave, në Londër protesta të shumta pro qëndrimit në BE

paris-05.jpg



Me Britaninë e Madhe që ka vendosur të lërë Bashkimin Europian, një nga qytetet që humb më shumë është Londra, i cili ishte zgjedhur nga shumë kompani ndërkombëtare si vendi ku ato kishin investuar dhe ndërtuar zyrat e tyre qendrore. Por në muajt e ardhëm, shumë kompani do të lëvizin, e ato tani po shikojnë për qytete të tjera brenda unionit, ku të transferohen. Një nga alternativat është metropoli gjerman i Frankfurtit, kurse tjetri, Parisi, si dhe Dublini e Amsterdami. Kryeministri i Francës, Manuel Valls, i di mirë mundësitë që do t’i jepen kryeqytetit francez, nëse ai kthehet në qendrën e re financiare të Europës. Në një deklaratë për shtyp dje, ai u shpreh se vota e britanikëve për të dalë nga BE-ja është një mundësi biznesi për metropolin francez.
“Qeveria po punon në përmirësimin e vendeve dhe ofertave tërheqëse të kryeqytetit francez.
Ne jemi duke përgatitur masa të veçanta në aspektin e taksave dhe statusin e të huajve. Kam një mesazh për kompanitë ndërkombëtare: ‘Mirë se vini në Paris, ejani investoni në Francë'”, tha ai.
Londinezët, të cilët me shumicë votuan pro qëndrimit në BE, janë mjaft të shqetësuar nga kjo situatë. Në kryeqytetin anglez po diskutohet mundësia e marrjes së autonomisë nga Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që ata të vazhdojnë të gëzojnë benefitet e mëparshme. Ndërkohë dje, me mijëra vetë u mblodhën përpara ndërtesës së Parlamentit në Londër duke krijuar një det njerëzor në ngjyrat e BE-së, blu dhe të artë. Qëllimi i tyre ishte mbështetja për bllokun europian. “Marshimi për Europën” u organizua nëpërmjet mediave sociale.
Pjesëmarrësit mbanin në duar parulla ku shkruhej “Bremain” dhe “Ne e duam BE-në”. Britanikët votuan më 23 qershor me 52% të votave kundrejt 48% për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Europian. Por një nga nismëtarët e protestës, komediani Mark Thomas thotë se fushata e referendumit nuk u luftua në një nivel shansesh të barabarta.
“Nëse gjërat do të kishin qenë ndryshe, atëherë do ta pranonim rezultatin. Por fushata ka qenë e mbushur me keqinformim dhe njerëzit duhet të bëjnë diçka tani me zhgënjimin e tyre”, u shpreh ai për “The Guardian”.
Protesta tërhoqi edhe kritika në mediat sociale. Disa përdorues në “Twitter” e cilësuan atë “patetike” dhe thjesht një shpërthim zemërimi të atyre që nuk fituan. Forca të shumta policore ishin mobilizuar për të garantuar sigurinë e eventit. Dalja e Britanisë ka trazuar unionin dhe kjo u pa pas gafës së bërë nga presidenti i Komisionit Europian, ndërsa ai dje po uronte Sllovakinë për marrjen e Presidencës së radhës së BE-së.
“Ne duam që gjatë Presidencës britanike…britanike thashë? Kjo po që është shakaja e ditës!”, u shpreh Juncker duke e kthyer në shaka gabimin e tij. Por batuta shfaqi shqetësimin e madh të ngritur në mesin e BE-së pas largimit të ishullit nga gjiri i Brukselit. Megjithatë, ai iu kthye prioriteteve të presidencës së re 6-mujore.
“Ne do të përdorim të gjitha instrumentet dhe mjetet që kemi në dispozicion për tregun e brendshëm, bashkëpunimin dixhital, si dhe kapitalin e përbashkët”, tha presidenti i KE-së. Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka hedhur idenë për të mbajtur një samit jozyrtar në kryeqytetin Bratislavë në muajin shtator, ku udhëheqësit e 27 vendeve do diskutojnë për të ardhmen e unionit.

g.shqip
 
Back
Top