Nuk mjafton të jesh ‘njeri i mirë’: pse morali ka nevojë për Islamin 28 Mars, 2023

Kosovari

Koha

Nuk mjafton të jesh ‘njeri i mirë’: pse morali ka nevojë për Islamin​

28 Mars, 2023


Në këtë ese, ne paraqesim se si:

  • Deklarata Profetike ﷺ se ai ishte dërguar “vetëm për të përsosur tiparet fisnike të karakterit” konfirmon përvojën tonë empirike se megjithëse shtysa etike – dashuria për atë që është e mirë – është e natyrshme për të gjitha qeniet njerëzore, ne kemi nevojë për shpallje hyjnore për ta udhëhequr dhe përsosur atë.
  • Mosmarrëveshjet dhe konfuzioni rreth qëllimit dhe natyrës së karakterit të mirë janë të shfrenuara dhe besimet e gabuara etike kanë frymëzuar të këqijat më të tmerrshme në historinë njerëzore.
  • Moderniteti laik, i cili pretendon se ofron etikë pa shpallje hyjnore, është përpjekur të “kontrabandojë” vlerat fetare, por ka dështuar në sigurimin e kuptimit për individët dhe kufizimin ndaj shfrytëzimit. Kriza e sotme ekologjike është një gjykim i pakundërshtueshëm kundër etikës moderne hegjemoniste të kapitalizmit, laicizmit dhe liberalizmit, dhe alternativa islame nevojitet urgjentisht.
  • Normat e shpallura hyjnisht konfirmohen dhe përmirësohen nga reflektimi racional etik.
  • Të mos pranosh dhe të mos falënderosh Krijuesin është një dështim i madh moral.
Hyrje:

Është gabim të thuash gënjeshtra, të torturosh kafshë dhe të vrasësh ose të lëndosh njerëz të pafajshëm. Është mirë të jesh i sjellshëm dhe bamirës, mirënjohës, guximtar, i durueshëm, i drejtë dhe i mençur. Këto parime quhen etikë ose moral, ndërsa në ligjërimin fetar islam janë të njohura si ‘ahlak’.

Të gjitha kulturat njerëzore njohin tipare dhe virtyte të mira në një formë elementare. Megjithatë, si në situatat e jetës reale ashtu edhe pas reflektimit të mëtejshëm, njerëzit fillojnë të mos pajtohen për atë që është e mirë. Disa i japin përparësi mëshirës mbi drejtësinë ose anasjelltas. Disa predikojnë falje dhe pacifizëm ndaj të gjithëve, madje (ose veçanërisht) ndaj të fuqishmëve. Të tjerë luftojnë për barazi, edhe nëse kjo komprometon lirinë, ose anasjelltas. Të tjerë betohen për parimin e maksimizimit të lumturisë së matshme. Megjithatë të tjerët besojnë vetëm në kënaqësinë e menjëhershme në një botë të pasigurt. Në vend që të na pajis me një ndërtesë të fortë imperativash etike, impulsi i përbashkët etik njerëzor shkrihet në nxehtësinë e diversitetit dhe mosmarrëveshjeve njerëzore në dukje të pafundme. Për t’i komplikuar më tej gjërat, bota nuk është një muze apo një dhomë seminari për diskutim, por një fushë beteje midis së mirës dhe së keqes, dhe kampionët e së keqes gjithmonë kërkojnë të konvertojnë, dominojnë dhe mashtrojnë të tjerët, të shtyrë nga lakmia, krenaria dhe adhurimi i vetvetes, duke korruptuar kështu dëshirat, perceptimin, madje edhe gjuhën tonë duke e emërtuar atë që është e keqe si të mirë dhe të mirën si të keqe. Për të qenë të mirë, pra, nuk kërkon që ne thjesht të bëjmë një zgjedhje intelektuale, por një angazhim dhe luftë për atë që është e vërtetë dhe e mirë.

Sfidat moderne: Imperializmi epistemik dhe ekonomik dhe ndryshimet klimatike

Pyetja shtrohet pafund në një botë laike: A mund të kemi moral pa fe? Sondazhet na tregojnë se përgjigja për këtë pyetje varet nga kush pyetet: për shumicën e njerëzimit, të cilët janë edhe të varfër edhe fetarë, përgjigja është dërrmuese jo; për të pasurit, pakicën e laicizuar, ose ata trushpërlarët nga regjimet agresive laike, përgjigja është zakonisht po. Stilet etike të njerëzve gjithashtu ndryshojnë. Njerëzit më të pasur të veriut global kalojnë më mirë në atë që ne mund ta quajmë morali i korporatës: aftësitë ndërpersonale të nevojshme për të funksionuar në organizatat e krijuara nga njeriu, si të qenit në kohë, tregimi i së vërtetës dhe transparenca (në përputhje me nevojat e një shoqërie menaxheriale), ashtu si popujt tradicionalë ia dalin më mirë në virtytet familjare dhe të përbashkëta si altruizmi, nderimi i lidhjeve prindërore dhe familjare dhe bujaria. Për më tepër, njerëzit që banojnë në rajone të shkatërruara nga kolonializmi dhe urdhrat e dështuar politik dhe ekonomik, ka të ngjarë të kenë kompromentuar sjelljen etike për shkak të besimit të ulët, cinizmit dhe nevojës për mbijetesë. Megjithatë, anketa të tilla rreth etikës fshehin të vërteta thelbësore strukturore. Së pari, sunduesit laikë të botës kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë atë që konsiderohet e mirë dhe perceptimet e masave shpesh formohen nga propaganda. Vetëm një shekull më parë, për shembull, shërbimi ndaj prindërve do të ishte konsideruar botërisht ndër virtytet etike më të rëndësishme në mbarë botën, nga Evropa dhe bota islame në Kinë dhe Indi. Sot, shoqëritë laike, liberale e kanë hequr këtë virtyt, në mos e kanë kthyer në dobësi për individin. Lakmia, në mënyrë të ngjashme, ishte njohur gjithmonë si e keqja më e madhe dhe forma e saj e veçantë, kamata ose interesi, krimi më i urryer, në të gjitha kulturat dhe në të gjithë historinë, derisa kapitalizmi modern filloi ta konsideronte atë si një virtyt dhe një domosdoshmëri. Kjo tregon për një problem më të thellë sesa shfrytëzimi ekonomik dhe pabarazia në rritje: është vetë ndjenja jonë për të drejtën dhe të gabuarën që manipulohet masivisht nga elita. Këtë unë e quaj imperializëm epistemik – kolonizimi i prodhimit, kuptimit dhe vlerave të dijes nga disa institucione kyçe globale. Që nga ngritja e globalizmit në vitet 1980, këto institucione nuk janë më thjesht “perëndimore”, por janë zgjeruar duke përfshirë elitën “globale” ultra të pasur në Jugun global, duke bashkuar duart kundër shumicës së njerëzve kudo.

Debatet rreth etikës dhe ideologjive priren të jenë të pafundme. A ka ndoshta një mënyrë shkencore, empirike për të gjykuar sjelljen e sundimtarëve të suksesshëm të botës, veriut modern, laik, demokratik dhe të pasur global? A duhet vetëm të presim për jetën e përtejme, kur është tepër vonë për të ndryshuar, për të parë se kush kishte të drejtë? Besimi është pjesë e provës, kështu që, në një farë kuptimi, po, por Zoti me mëshirë dërgon sinjale. Nuk është pa ironi që shenja më e madhe e falimentimit moral të stilit të jetesës moderne laike ofrohet nga vetë shkenca moderne empirike: ndryshimet klimatike. Konsideroni këtë shembull. Ka shumë stile prindërimi: tradicional dhe modern, autoritar, i dobët, i prirur ndaj lidhjes ose i disiplinuar. Por imagjinoni sikur prindërit të shesin dhe të konsumojnë të vetmen shtëpi ku fëmijët e tyre mund të jetonin, çdo tullë dhe mobilje, qëllimisht dhe nga lakmia e pamatur, duke i lënë fëmijët e tyre të vegjël të vdesin nga uria, të lypin dhe të ngrijnë në rrugë ndërsa konsumojnë me çdo gjë me pasion. Të gjitha palët mund të bien dakord se ky është një stil prindërimi vërtet i urryer. Stili i jetesës moderne, laike, kapitaliste, na thotë shkenca, ka qenë pikërisht ai lloj prindi për botën. Një breshëri e pafund e punimeve shkencore, librave dhe dokumentarëve jep dëshmi të kolapsit të ardhshëm mjedisor. Si një profesor universiteti, i cili herë pas here mëson etikën mjedisore, unë e filloj kursin me tre fakte për të parë pamjen e madhe:

  1. Që nga Revolucioni Industrial në shekullin XIX, brenda 200 viteve, njerëzit kanë konsumuar pothuajse të gjitha lëndët djegëse fosile që proceseve natyrore iu deshën 200 milionë vjet për t’i depozituar në tokë, dhe indekset e karbonit atmosferik, shpyllëzimi dhe zhdukja e specieve, të gjithë kanë marrë një formë të paqëndrueshme “shkopi hokej” (Një trend statistikor në një grafik të të dhënave të sondazhit në të cilin shumica e rezultateve janë të sheshta dhe më pas befas arrijnë kulmin në një drejtim të pjerrët) brenda kësaj periudhe;
  2. Sipas një vlerësimi konservativ, gati 5% e popullsisë së botës konsumon 35% të burimeve të botës, që do të thotë nëse të gjithë do të jetonim si perëndimorët modernë, 80% e njerëzve në tokë do të kishin nevojë për një planet tjetër, kështu që moderniteti laik është rruga për shfarosjen masive të popujve, rajoneve dhe kulturave të tëra;
  3. Dhe jo, fajtori kryesor nuk është rritja e popullsisë por mënyra e jetesës. Për ta kuptuar këtë, vini re se duke filluar nga viti 1890 popullsia e botës gjatë një shekulli shumëzohet me 4, por përdorimi i ujit me 9, ekonomia botërore me 14 dhe përdorimi i energjisë me 16,5
E gjithë kjo për të thënë se moderniteti laik – kujtojmë se shekulli i XIX është pikërisht koha kur popullatat perëndimore filluan të përqafojnë vlerat moderne – e ka vrarë planetin Tokë. Edhe pse masat e varfra, duke përfshirë shumicën e myslimanëve, të botës po i bëhet presion për t’u modernizuar dhe laicizuar, shkencëtarët dhe studiuesit kryesorë po sugjerojnë, me kaq shumë fjalë, se etika tradicionale, shoqërore dhe altruiste që ata po lënë pas është e nevojshme që njerëzimi të mbijetojë.

Kjo është vetëm historia e humbjes materiale të kësaj toke: ne nuk kemi trajtuar as problemin më të thellë të humbjes së besimit në Zot, krizat shpirtërore dhe psikologjike, vetë kuptimin e jetës dhe mirësisë. Siç premtoi Allahu i Lartësuar në Kuran, të dyja janë të lidhura: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Surja Taha, ajeti 24)

Pyetje etike


Shfryrja e pretendimeve të përparimit modern dhe imperializmit epistemik të botës laike na lejon të vlerësojmë urgjencën e etikës islame. Nuk duhet të jesh mysliman besimtar për të parë nevojën për një alternativë ndaj errësirës së modeleve të sotme hegjemoniste. Si mund të përcaktojmë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar? A janë norma etike, të tilla si ‘vrasja e një personi të pafajshëm është e keqe’ dhe ‘të ndihmosh dikë në nevojë është e mirë’, janë thjesht norma konvencionale që e bëjnë jetën tonë më të lehtë (dhe për rrjedhojë, nuk kanë bazë objektive), ose bazohen në natyrën e vetë gjërave (të tilla që ato mund të njihen vetëm nga arsyeja), apo të caktohen dhe të shpallen në mënyrë arbitrare nga Zoti (dhe për rrjedhojë, të njohura vetëm përmes shpalljes)? Këto quhen pyetje metaetike. Dijetarët myslimanë, siç do të shohim, kanë debatuar mbi këto pyetje dhe kanë adoptuar versione të secilës prej këtyre përgjigjeve, por gjithmonë janë përqendruar rreth shpalljes hyjnore.

Pastaj ka pyetje se si etika është e organizuar në një sistem prioritetesh. Cilat nga shumë sjelljet dhe virtytet e dëshiruara janë më të rëndësishme se të tjerat dhe çfarë bëjmë ne kur ato bien ndesh me njëra-tjetrën? Këtu, të gjithë myslimanët bien dakord për të drejtën e Zotit për të përcaktuar këtë sistem në ligj, ose siç është i njohur termi fetar ‘Sheriat’.

Më fleksibile dhe më të larmishme janë përgjigjet e pyetjeve të pedagogjisë etike, atë që myslimanët e quajnë terbije – edukatë. Cila është mënyra e duhur për të fituar apo mësuar virtytet e dëshiruara: dashuri apo frikë? Edukim nga prindër të dashur pa kushte, apo disiplinë e vështirë nga gardianët diskriminues? Reflektim filozofik i të urtëve, apo këshilla e njerëzve më të suksesshëm dhe më të fuqishëm? Vapa e betejës apo qetësia e bibliotekës?

Megjithatë, më e rëndësishmja nga të gjitha është çështja e qëllimit apo teleologjisë (shpjegimi i dukurive në aspektin e qëllimit që i shërbejnë dhe jo të shkakut nga i cili ato lindin). Cili është qëllimi përfundimtar i jetës, dhe si rrjedhim i sjelljes individuale dhe jetës shoqërore? A është qëllimi për të maksimizuar kënaqësinë dhe lirinë individuale, fuqinë e grupit për hir të dominimit, apo për të kënaqur Zotin? Pavarësisht nga përgjigja e pyetjes së madhe, ata që reflektojnë mbi natyrën e së mirës dhe e kërkojnë atë, ka të ngjarë të jenë njerëz më të mirë dhe më shumë gjasa të arrijnë atë që është e vërtetë dhe e mirë. Duke na bërë qenie njerëzore më të mira, më të bukura, reflektimi etik ka fuqinë të presë edhe propagandën, sektarizmin dhe paragjykimet e kulturave tona të lindjes. Ata që iu kushtuan reflektimit të thellë etik ishin të parët që erdhën në Islam dhe mbetën më të mirët e myslimanëve.

Kjo ese hyrëse mbi etikën islame është një përgjigje ndaj pyetjeve të lartpërmendura në tri pjesë. Së pari, unë paraqes deklaratën kryesore profetike që formon themelin e qasjes së adoptuar në këtë seri. Më tej, unë tregoj se si reflektimi filozofik mbi etikën ka çuar shpesh te burimi i saj, Zoti i Madhëruar, por edhe te kufijtë e racionalitetit dhe nevojës për udhëzim hyjnor. Së fundi, unë tregoj se si Islami jo vetëm që është në harmoni me arsyen, por gjithashtu kërkon që ne të zhvillojmë të kuptuarit racional të sjelljes së mirë si pjesë e udhëzimit të tij holistik.

Kështu e përmblodhi i Dërguari i Allahut ﷺ të gjithë misionin e tij, siç transmetohet nga Ebu Hurejra:

“Unë jam dërguar vetëm për të përsosur tiparet fisnike të karakterit.”

I Dërguari i Allahut ﷺ pohon në këtë deklaratë të mrekullueshme se njerëzit tashmë i njohin dhe posedojnë tiparet fisnike; shpallja ka ardhur vetëm për të plotësuar dhe përsosur këto tipare. Pjesëza “innema” (shprehja e përdorur në fillim të hadithit në arabisht) mund të interpretohet në dy mënyra, dhe të dyja janë të sakta:

  • “Unë nuk kam ardhur për të shpikur, por vetëm për të përsosur karakterin e mirë.”
  • “Unë nuk kam ardhur për asnjë qëllim tjetër, por për të plotësuar tiparet fisnike të karakterit.”
E para do të thotë se qeniet njerëzore shpesh zotërojnë njohuri dhe vlerësim të karakterit të mirë, disa më shumë se të tjerët, madje edhe para qasjes në shpalljen e drejtpërdrejtë. Kjo konfirmohet nga shumë tekste të tjera, si dhe dëshmi racionale dhe vëzhgime empirike. Ky kuptim konfirmohet më tej nga një raport në të cilin Profeti ﷺ vëren në takimin me el-Eshexh Abd el-Kajs, i cili kishte pranuar Islamin: “Ti ke dy tipare që Zoti i do, durimin dhe butësinë.” Duket qartë se ishte inteligjent, burri pyeti: “O i Dërguar i Zotit, a janë këto tipare që unë i praktikoj apo i ka bërë Zoti natyrë timen?” I Dërguari tha: “Përkundrazi, Zoti është Ai që t’i ka dhënë këto tipare”. El-Eshexh thirri me mirënjohje: “Falënderimi i takon Zotit që më dhuroi tipare që i duan Allahu dhe i Dërguari i Tij!” Ky hadith shpjegon më tej se disa veçori u jepen natyrshëm nga Zoti disave më shumë se të tjerëve, dhe të tjerat mund të fitohen nga edukimi dhe trajnimi. Një hadith tjetër thotë: “Njerëzit janë si xeherorët e metalit, më të mirët prej tyre në kohën paraislame janë më të mirët e tyre në Islam, përderisa ata arrijnë të kuptojnë.” Ibn Haxheri, në shpjegimin e tij, tregon tre dimensione të këtij hadithi: karakterin fisnik, që është natyra e qëndrueshme e dhënë nga Zoti (referenca për mineralin e metalit), pranimi i Islamit, mbi të cilin qëndron suksesi përfundimtar, dhe përpjekja për të marrë njohuri për fenë. Më të mirët e njerëzve janë ata që i kanë të treja, por nëse dikush e refuzon Islamin, të gjitha dhuntitë e tjera bëhen të pavlefshme. Me besim, të gjitha dhuntitë natyrore shkëlqejnë edhe më tej në masën që njeriu bën përpjekje për të fituar njohuri dhe kuptim të shpalljes hyjnore. Asgjë nuk është e dobishme për ata që refuzojnë besimin, pa marrë parasysh se sa i lartë është karakteri i tyre dhe sa bamirëse janë veprat e tyre në të kundërtën: “Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.” (Surja Ibrahim, ajeti 18)

Kuptimi i dytë, gjithashtu, është i saktë pasi qëllimi kryesor i misionit të Profetit ﷺ, adhurimi i Krijuesit, është gjithashtu virtyti më i madh, pasi është shprehje mirënjohjeje ndaj Krijuesit dhe njohje e së vërtetës dhe nuk ka padrejtësi më të madhe sesa të refuzosh argumentet e Allahut të Madhërishëm:

“Kush është më keqbërës se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron shpalljet e Tij? Vërtet, keqbërësit nuk do të shpëtojnë.” (Surja El-Enam, ajeti 21)

“Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden shpalljet e Zotit të tij, nuk ua vë veshin atyre? Vërtet, Ne do të hakmerremi ndaj keqbërësve!” (Surja Sexhde, ajeti 22)

Kështu, misioni i tij ﷺ nuk ishte gjë tjetër veçse të përsosë çdo virtyt.

Si përmbledhje, Islami i përsos tiparet morale në tre mënyra:

  • duke u dhënë këtyre virtyteve qëllimin ose teleologjinë e duhur: Allahun e Lartësuar (Kënaqësinë e Tij);
  • duke ofruar një nivel më të lartë dhe të qëndrueshëm të motivimit; dhe
  • duke ofruar kuptimin dhe ekuilibrin e duhur midis vlerave konkurruese përmes Ligjit të shpallur, Sheriatit.
Filozofia dhe kufijtë e saj

Jeta e pashqyrtuar nuk ia vlen të jetohet, tha Sokrati, i cili besohet nga shumë njerëz se ka qenë filozofi i parë etik. Jeta e mirë është një jetë e kaluar në njohjen, dashurinë dhe kërkimin e së mirës morale. Filozofikisht, etika universale (d.m.th., ideja se të gjithë njerëzit kanë disa të drejta) dhe monoteizmi (besimi se të gjithë njerëzit kanë një Zot suprem) përfshijnë fuqimisht njëra-tjetrën. Merrni parasysh deklaratën se “një jetë e pashqyrtuar nuk ia vlen të jetohet”. Vetë është thjesht një pretendim: a nuk ia vlen jeta për fierët, buburrecat apo fluturat? Ajo që e bën të mundur dhe të nevojshme këtë pyetje rreth natyrës dhe qëllimit të jetës është vetë aftësia jonë për të reflektuar, vlerësuar dhe gjykuar. Por nga vjen kjo aftësi? Nga vjen vetë jeta? Sokrati nuk ishte i vetëm; Pjesa më e madhe e filozofisë njerëzore në kohë dhe hapësirë tregon për kërkimin njerëzor për të ditur përgjigjet e këtyre pyetjeve. Por Sokrati dhe të ngjashmit e tij, pavarësisht shkëlqimit të tyre, nuk mund të vazhdonin përtej mendimit të tyre për një Zot, as në adhurimin e një Zoti të vërtetë, as drejt etikës së ekuilibruar e të realizueshme.

Kujtoni se ishte Sokrati ai që sugjeroi, në Republikën e famshme të Platonit, se të gjithë duhet të qeverisen nga një filozof i urtë dhe se gratë dhe fëmijët duhet të jenë pronë e përbashkët dhe jo individë brenda familjeve të tyre, që fëmijët duhet të ndahen që në lindje nga prindërit e tyre dhe vendosen sipas kapaciteteve të tyre natyrore për të mos marrë dashuri të pamerituar, e kështu me radhë, duke propozuar në mënyrë efektive një plan për shoqërinë më raciste dhe pa dashuri që mund të imagjinohet. Si mundi njeriu i njohur si filozofi i parë dhe më i madhi i etikës të arrinte në një përfundim që, nga të gjitha llogaritë, duket më i mjerueshëm dhe joetik? Sepse mendjes njerëzore, edhe në rastin më të mirë, nuk mund t’i besohet të luajë zotin; vetëm Zoti është mbi gabimet. Në fakt, njerëzit e dinë intuitivisht papërsosmërinë e tyre dhe kanë një etje të pashuar për të kërkuar atë që është pafundësisht e mirë dhe e përsosur. Të gjithë ne e kërkojmë Zotin edhe kur nuk e dimë.

Një libër tipik mbi historinë e etikës do t’ju mësojë se disiplina filozofike e etikës ka lindur në Greqinë e lashtë pikërisht për të luftuar me llojet e pyetjeve që kemi renditur më sipër. Por kjo është thjesht një narrativë laike, eurocentrike: njerëzimi nuk ka ekzistuar kurrë pa udhëzim hyjnor dhe rrjedhimisht pa etikë. Allahu krijoi qenien e parë njerëzore me aftësinë për të njohur të drejtën nga e gabuara dhe me imperativin për të ndjekur udhëzimin hyjnor kur ai dërgohet përmes të dërguarve hyjnor. I Plotfuqishmi iu drejtua babait tonë Ademit kështu: “Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.” (Surja Bekare, ajeti 38). Udhëzimi hyjnor, mësojmë, nuk u dërgua rastësisht ose post hoc kur eksperimenti njerëzor shkoi keq, por ishte që në fillim pjesë e planit hyjnor. Duke pasur parasysh këtë, njerëzit nuk kanë jetuar kurrë pa dobinë e udhëheqjes hyjnore. Njerëzit mund të ndahen në dy lloje, megjithatë: ata të bekuar si umeti i Profetit të Fundit ﷺ që kanë qasje të qartë në të në formë të pandryshuar, dhe ata për të cilët udhëzimi ishte harruar përveç në forma të shtrembëruara dhe të pjesshme.

Thelbi i këtij udhëzimi ka qenë gjithmonë njohja e së vërtetës së Një Zoti, adhurimi i vetëm Atij dhe të qënit të mirë me njëri-tjetrin. Logjikisht, i Plotfuqishmi mund ta kishte kufizuar fenë e Tij vetëm në adhurimin e Tij, por nga mëshira dhe urtësia e Tij e përsosur, Ai e ka bërë mirësinë ndaj krijimit pjesë të besimit në Të, e ka vendosur mirësinë ndaj të tjerëve dhe gjithë krijesave në natyrën tonë dhe e ka përforcuar atë përmes udhëzimit të Tij të shpallur nëpërmjet të dërguarve. Por njerëzit harrojnë, si individë dhe si komunitete. Historia njerëzore është e mbushur me cikle të harresës njerëzore dhe kujtesës hyjnore. Me kalimin e kohës, ai udhëzim do të bëhej i zbehtë, i humbur ose i falsifikuar deri në atë pikë sa njerëzit do të binin përsëri në politeizëm dhe shtypje reciproke.

Prandaj, ne duhet të hedhim poshtë trillimin eurocentrik se filozofët grekë të shekullit të gjashtë deri në të katërt para erës sonë shpikën reflektimin etik, sepse është e mundur që filozofët grekë paganë ose ata që ndikuan tek ata të kenë akses në disa mbetje të shpalljes hyjnore në të njëjtën mënyrë si paganë arabë e bënë. Në të njëjtën mënyrë që hunefatë – monoteistët që kërkuan udhëzim hyjnor – ishin në Arabinë pagane para-islame, disa përkthyes dashamirës i klasifikojnë njerëzit si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli si një lloj monoteisti. Dëshmitë historike sugjerojnë se pa denoncuar polilatrinë (adhurimin e shumë perëndive) në praktikë, kërkimi i këtyre filozofëve për të vërtetën i çoi ata drejt monoteizmit konceptual. Filozofët hindu të Upanishadëve, në mënyrë të ngjashme, ndërsa mbetën politratë, kishin bërë gjeste drejt monoteizmit konceptual në të njëjtën mënyrë që arabët paraislamikë ia atribuonin fuqinë përfundimtare Allahut duke justifikuar idhujtarinë. Kjo do të thotë se ose nëpërmjet mbetjeve të udhëzimit hyjnor ose të të menduarit të tyre të virgjër, njerëzit natyrshëm arrijnë të besojnë në një Realitet Përfundimtar, por shpesh nuk mund të përparojnë përtej kësaj pike pa përfitimin e shpalljes hyjnore, duke u shndërruar në mosmarrëveshje dhe konfuzion të pafund. Ne kemi nevojë për shpallje hyjnore për të arritur tek atributet e të Vetmit Krijues dhe mënyra e duhur për të jetuar që është e pranuar nga Vet Allahu i Madhërishëm.

Për të përsëritur, pra, edhe pse arsyeja njerëzore mund të zbulojë të vërtetën e monoteizmit hyjnor dhe të vërtetave etike, ka të ngjarë të gabojë; është më mirë e pajisur, me fjalë të tjera, të njohësh të vërtetën sapo të paraqitet sesa ta njohësh atë plotësisht. Imam Ibn Tejmije e bën këtë duke u thirrur në suren el-Mulk e cila na tregon për jobesimtarët vajtues të cilët do të deklarojnë në jetën e përtejme: “Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” (Surja Mulk, ajeti 10). Por nëse qeniet njerëzore shpesh dështojnë të njohin dhe falënderojnë Krijuesin e tyre, sa më shumë gjasa ka që ata të neglizhojnë të drejtat e krijimit të Tij?

Përvoja jonë bashkëkohore empirike konfirmon të dyja këto vëzhgime: ekzistencën e ndjenjës etike natyrore (fitra) dhe dobësinë e saj. Edhe në jetët tona të hiper-sekularizuara, të mekanizuara artificialisht, të largëta nga natyra dhe joreflektuese, qeniet njerëzore nuk mund t’i shmangen lehtësisht pyetjeve të tilla ‘të mëdha’. Jeta e njeriut është e pamundur pa u përballur me këto çështje dhe zgjedhja jonë është t’i përgjigjemi të vërtetës, ta neglizhojmë atë ose ta mohojmë atë. Kjo bëhet zgjedhja morale themelore nga e cila varet gjithçka tjetër. Megjithatë, ne gjithashtu dëshmojmë se kur udhëhiqet nga elita egoiste dhe jo nga shpallja hyjnore, arsyeja njerëzore degjeneron ose në mosmarrëveshje dhe cinizëm të pafund, në absurditete si ateizmi ose në kulte injorante që imitojnë fenë e vërtetë. Kundër gjykimit kumulativ të të gjitha shoqërive të njohura njerëzore, duke përfshirë shumicën e qenieve njerëzore sot në favor të etikës teiste, një elitë e vogël hegjemonike globale prodhon filozofi dhe kulturë agnostike ose ateiste, duke hedhur poshtë të vërtetën e Zotit, por ende gati për të besuar në tregimet më fantastike si personazhet e tregimit të Alisës në botën e çudirave e të ngjashme.

Pa ligjin hyjnor, asnjë vijë midis së mirës dhe së keqes nuk është mbi kontestimin filozofik. Sjellja homoseksuale ishte parë deri vonë si imoraliteti më i madh në të gjitha kulturat, por tani elita globale ka vendosur të kundërtën. Disa madje kanë marrë guximin për të justifikuar edhe incestin. Jo shumë kohë më parë, eugjenika (praktika ose mbrojtja e përmirësimit të specieve njerëzore duke çiftëzuar në mënyrë selektive njerëz me tipare specifike trashëgimore të dëshirueshme) dhe teoritë raciste të sjelljes njerëzore që justifikonin dominimin e disa racave dhe kriminalizimin e të tjerëve ishin shkenca kryesore. A është vrasja e kafshëve (ose edhe e perimeve) për konsum me të vërtetë e ndryshme nga vrasja e njerëzve për konsum? A është vërtet moralisht ekuivalente vrasja e foshnjave të padëshiruara me vrasje? Siç vuri në dukje filozofi kryesor moral i kohës tonë, Alasdair MacIntyre, një i krishterë, në novatorin e tij “Pas Etikës” (1984):

“Është një tipar dallues i rendit shoqëror dhe kulturor që ne jetojmë se mosmarrëveshjet mbi çështjet qendrore morale janë veçanërisht të pazgjidhshme.”

Arsyeja, pohon ai, është refuzimi nga mendimtarët iluminist i bazës fetare monoteiste të këtyre vlerave dhe zëvendësimi i tij me “moralin laik” me të cilin mund të pajtohej çdo njeri racional. Fillimisht konceptet fetare si shenjtëria e jetës njerëzore, barazia themelore e qenieve njerëzore përpara Zotit, e kështu me radhë, tani ishin jetimë, sepse filozofitë ndërluftuese nuk mund të pajtoheshin në asnjë bazë për to. Të gjitha vlerat në një kulturë të tillë laike varen nga ajo që ndihet mirë apo keq, një teori etike e quajtur emotivizëm. Në një kulturë emotiviste, besimet etike bazohen thjesht në manipulimin e individëve nga njëri-tjetri dhe të të gjithëve nga forcat më të fuqishme të elitave politike dhe kapitalistëve.

Në Deklaratën Fisnike të Pavarësisë së ShBA-së, Thomas Jefferson po thoshte vetëm një gjysmë të vërtetë kur shkroi: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, që ndër to janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.” Këto të vërteta nuk ishin kurrë të vetëkuptueshme, sepse norma në përvojën njerëzore në çdo aspekt është dallimi dhe pabarazia; ideja e barazisë mund të vinte vetëm nga besimi në një shpirt të dhënë nga lart. Sa herë që humbte lidhja me shpalljen hyjnore, njerëzit shpesh jetonin jetë egërsirash.

Si i justifikon parimet morale shoqëria perëndimore e pas-Iluminizmit, e përcaktuar nga filozofia liberale, të cilën MacIntyre e etiketon si emotivë? Përgjigja e një studiuesi kushtetues amerikan është veçanërisht e përshtatshme: një lloj kontrabande intelektuale. Kjo ka shtyrë disa studiues t’i akuzojnë ata për kontrabandë të vlerave etike nga fetë kryesore, sepse ato nuk kanë një justifikim të vlefshëm për të tyren.

Kjo e vërtetë u shpreh më prekës dhe shumë më herët nga romancieri rus Dostojevski, protagonisti i të cilit në “Krim dhe Ndëshkim” (1866) vëren pasojat e këtij besimi të shfaqur në fund të shekullit XIX: “Nëse nuk ka Zot, atëherë gjithçka lejohet”. Në rrëfimin e filozofit gjerman Friedrich Nietzsche, i cili kishte përjetuar vetë pasojat e humbjes së besimit të tij të krishterë, një i çmendur që vëzhgon Evropën e re shpall paraprakisht se çfarë nënkuptonte humbja e besimit në Zotin që do të kapte Evropën:

“Si arritëm të pinim detin? Kush na dha sfungjerin për të fshirë të gjithë horizontin? Çfarë bëmë kur e zgjidhëm këtë tokë nga dielli i saj? … A ka ende ndonjë lart apo poshtë? A nuk jemi të humbur si përmes një hiçi të pafund? … Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Dhe ne e kemi vrarë”.

Me ashpërsi karakteristike, Nietzsche deklaron se kur besimi në Zot tronditet, asgjë nuk është më e kuptueshme; bota morale është shkatërruar edhe pse njerëzit do të vazhdojnë të mbyllin sytë para pasojave të saj. “Atyre nuk u janë verbuar sytë” thotë Zoti i përjetshëm, “por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor” (Surja Haxh, ajeti 46). Zoti është i përjetshëm; ajo që ka vdekur në të vërtetë është kultura që shqipton dhe feston një blasfemi të tillë.

Laicizmi modern si politeizëm vlerash

Një bashkëkohës tjetër dhe shumë më i zakonshëm i Nietzsche dhe themeluesi i shkencës sociale moderne, Max Weber parashikoi karakterin e epokës së ardhshme dhe, edhe si një person laik, nuk mund t’i rezistonte shqetësimit për politeizmin e modernitetit. “Vizioni i tij për ringjalljen politeiste,” shkruan një studiues rreth Weberit, “është më tepër ai i një fragmentimi të pakrahasueshëm të vlerave në një mori metanarrativash alternative, secila prej të cilave pretendon se u përgjigjet të njëjtave pyetje metafizike që feja dhe shkenca u përpoqën t’i përballonin në mënyrat e veta.” E ashtuquajtura “vdekja e Perëndisë” ka rezultuar si në një univers të përhumbur, por edhe në kthimin e perëndive dhe demonëve që “përpiqen të fitojnë pushtet mbi jetën tonë dhe përsëri … rifillojnë luftën e tyre të përjetshme me njëri-tjetrin”. Laicizmi modern, në dukje ateist ose agnostik, është me të vërtetë një lloj politeizmi në shumë mënyra të dukshme. Ndërsa monoteizmi bie në shoqërinë moderne, njerëzit priren të kthehen në injorancën supersticioze të modës së vjetër, siç është gjithnjë e më e dukshme sot. Qeniet njerëzore janë krijuar për të adhuruar dhe kur nuk arrijnë ta njohin dhe adhurojnë Zotin, ata pa ndryshim bien në adhurimin e shumë perëndive, duke përfshirë perënditë e dëshirës dhe fuqisë. Siç deklaron i Plotfuqishmi:

Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh? (Surja Xhathije, ajeti 23)

Pse duhet që zbulesa të drejtojë etikën tonë? Edhe Hitleri kishte etikë!


Fëmijëve myslimanë shpesh u mësohet se sa të tmerrshëm ishin arabët paraislamikë. Ata nuk kishin virtyte shpaguese. Në fund të fundit, varrosja e vajzave të vogla ishte një praktikë normale për ta! Çfarë mund të jetë më keq? Por kjo perspektivë naive na verbon para faktit se vrasja e fëmijëve ishte e zakonshme në shumë shoqëri nën maska të ndryshme; në disa shoqëri politeiste, fëmijët u ofroheshin perëndive si rituale flijimi. Le të lëmë mënjanë faktin tani për tani se vrasja dhe shfrytëzimi i popujve joperëndimorë, jo për t’u parë si një e metë etike, është një veçori e rendit botëror perandorak. Në shoqëritë moderne liberale, ku të drejtat e njeriut adhurohen, shumë mbrojnë të drejta të ngjashme për të vrarë foshnjat e palindura në emër të lirisë seksuale, zgjedhjes ose arsyeve të tjera. Arabët para-islamikë ishin të ndryshëm vetëm për aq sa ishin teknologjikisht prapa dhe duhej të prisnin që fëmijët të lindnin përpara se t’i vrisnin. Si çdo shoqëri, megjithatë, ata kishin shumë virtyte: ata praktikonin dhe vlerësonin bujarinë, kalorësinë, guximin, e kështu me radhë. Megjithatë, të varfërit mes tyre do t’i varrosnin vajzat e tyre të gjalla nga “frika e urisë” (Surja Isra, ajeti 31). Ata mund ta kenë ndjerë individualisht këtë si të gabuar, por atyre u mungonte besimi në paprekshmërinë e jetës së dhënë nga Krijuesi. Shumë shoqëri fisnore dhe pagane, për shembull, nuk i kushtonin shenjtëri jetës njerëzore dhe praktika të tilla si flijimet e fëmijëve, vrasja e të vejave pas vdekjes së burrit dhe e të huajve që hynin në territorin e dikujt ishin të përhapura.

Në përgjithësi, le të imagjinojmë një shkencëtar, i cili nuk preket nga asgjë tjetër veçse argumenti racional, i cili ka pajisur të gjithë tokën me pajisje bërthamore dhe ju jeni asistenti i varfër në anijen e tij kozmike, i tmerruar nga plani, me dëshirën për t’i ofruar atij disa arsye për ta shkatërruar atë. Ju i thoni atij se vrasja e njerëzve të pafajshëm është jashtëzakonisht e tmerrshme dhe ai ju kujton se nuk e kishit problem të shfarosni të gjithë popullsinë e buburecave në kuzhinën tuaj një vit më parë. Si ndryshon jeta e njeriut në tokë nga ‘pushtimi i buburrecave’?

Pyetje të tilla që kanë të bëjnë me vlerën e jetës njerëzore, apo ndonjë vlerë tjetër morale, nuk mund të zgjidhen filozofikisht. Në mungesë të një autoriteti hyjnor, shoqëritë njerëzore mbesin me shumë pak zgjedhje. Teoritë e sotme moderne etike perëndimore, siç u përmend më herët, bazohen në besime dhe koncepte “të kontrabanduara” nga tradita abrahamike – idetë janë kopjuar pa pranuar themelet e tyre. Rreziku i një etike të tillë të pabazë, që noton në ajër si gjethe të thata në një ditë me erë, është i qartë kur dikush shqyrton mizoritë e shekullit XX. Vlerësohet se miliona u vranë nga shtetet moderne, për hir të ideologjive moderne si progresi, marksizmi dhe kolonializmi, në dy luftërat botërore dhe më pas. Në kundërshtim me besimin popullor, shumica e akteve të tmerrshme nuk ndodhin për shkak të mungesës së moralit, por përkundrazi në emër të ndonjë qëllimi të supozuar moral.

Hitleri, për shembull, i konsideruar me të drejtë mishërimi i së keqes në modernitet, u shty të kryente gjenocid për shkak të angazhimit të tij të fortë ndaj besimeve të tij të veçanta morale. E frymëzuar nga ideologjia e Darvinizmit që kishte inkurajuar ateizmin, lëvizja eugjenike u pranua gjerësisht në mesin e intelektualëve dhe shkencëtarëve të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë. Prandaj, Hitleri u përpoq vetëm të çonte në përfundimin e tyre logjik bindjet moralo-shkencore për të cilat intelektualët dhe filozofët e shqetësuar ishin shumë të dobët. Në fakt, nëse nuk do të ishte zemërimi për masakrat e kryera nga nazistët si rezultat i drejtpërdrejtë i besimeve të tilla dhe rritjes së ideve fetare, ide të tilla mund të ishin lehtësisht në modë sot, dhe ka shenja se ato janë në rritje edhe njëherë jo vetëm në Evropë dhe SHBA, por janë përhapur në shtetet e reja të “modernizuara” si Kina dhe India. Ndjekja e një të mire më të madhe etike ishte gjithashtu justifikimi pas transformimit komunist të Maos në Kinë në vitet 1950. Dhjetëra miliona njerëz vdiqën nga uria, e shkaktuar nga dora e njeriut gjatë “Kërcimit të madh përpara”, por një tragjedi e tillë u konsiderua e nevojshme për të arritur një shoqëri më të barabartë ekonomikisht dhe reduktim të varfërisë në të ardhmen. A mund të argumentohet në mënyrë racionale se kjo vrasje masive ishte e gabuar? A nuk e justifikon dominimi global i Kinës dhe popullsia aktuale prej një miliardësh? Pse qëllime të tilla nuk i justifikojnë mjetet?

“Po ISIS?” ju mund të pyesni. Ky grup terrorist, i lindur nga dy dekada lufte dhe sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara, vrau rreth 33,000 njerëz, kryesisht myslimanë në Irak dhe Siri, në fakt na ndihmon ta bëjmë më të qartë mendimin tonë. Veprimet e saj ishin aq të tmerrshme sa që edhe organizata e saj mëmë, Alkaida, e dënoi atë. Pothuajse të gjitha autoritetet myslimane janë pajtuar se veprimet e këtij grupi ishin kundër Sheriatit. Asnjë sistem etik nuk mund të përcaktojë veprimet njerëzore. Ajo që ka rëndësi është se pavarësisht nga arsyet aktuale që motivojnë grupet terroriste si ISIS, të cilat përfshijnë një kombinim të hakmarrjes së brendshme dhe ideologjive moderne, dhe mbi të gjitha, mungesën e një autoriteti fetar islamik të konstituuar siç duhet si një kalif, ajo që ka rëndësi është se muslimanët pranuan në masë të madhe natyrën joislamike të taktikave të këtij grupi. Krahasoni këtë me Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila, kur u pyet për vdekjen e gjysmë milioni fëmijëve si rezultat i drejtpërdrejtë i luftës së ShBA-së dhe sanksioneve kundër Irakut, kushte që janë drejtpërdrejt përgjegjëse për krijimin e ISIS-it, tha me një fytyrë krenare dhe haptazi në televizion: “Ne mendojmë se çmimi ia vlen!” Albright u votua si senatore amerikane menjëherë pas kësaj interviste. Demokracia më e vjetër në botë dhe kampionja e të drejtave të njeriut, me fjalë të tjera, beson se gjysmë milioni fëmijë të pafajshëm myslimanë mund të vriten në mënyrë legjitime për të mbrojtur interesat e saj strategjike. Kjo është historia e gjerë e liberalizmit laik.

Duke thënë se për ata që nuk e njohin Zotin ose një realitet përfundimtar, nuk ka asnjë bazë të shëndoshë për të deklaruar një të mirë morale, unë dhe shumë filozofë që kanë këtë pikëpamje, nuk nënkuptojmë se njerëz të tillë nuk mund të kenë sjellje morale ose të sjellin në mendje filozofinë e moralit. Ndjenja morale, fitra, është e dhënë nga Zoti. Dështimi për të njohur Zotin nuk e eliminon atë; ai thjesht e ngatërron dhe mashtron atë në një mori mënyrash. Shkurtimisht, shtysa etike që kemi të gjithë ne, na drejton të gjithëve në mënyra të ndryshme, por nëse nuk udhëhiqet nga e vërteta e Zotit dhe nuk disiplinohet nga urdhrat e Tij, shpesh i ka shtyrë njerëzit të kryejnë mizori më të mëdha se çdo kafshë që ka kryer ndonjëherë.

Kush mund ta thotë më mirë se ai që i është dhënë fjalimi më elokuent ﷺ: “Unë jam dërguar vetëm për të përsosur tipare fisnike të karakterit.”

Ndjekja e arsyes së shëndoshë (fitra)

Tani le t’i drejtohemi arsyes edhe një herë, por këtë herë arsyes së drejtë që i përgjigjet, në vend që të rebelohet kundër, Zotit, Krijuesit të Gjithësisë.

Gjëja e parë që zbulojmë pas reflektimit dhe duhet të zbulojmë është se vetëm Ai që na dha jetë mund t’i japë vlerë. Nëse kemi absurditetin se nuk ka një burim të tillë dhe jeta është thjesht një aksident i verbër, atëherë nuk mund të ketë asnjë vlerë: nuk ka arsye për të mirën apo të keqen, nuk ka të drejtë dhe të gabuar. E thënë ndryshe, nëse nuk ka Zot, nuk mund të ketë etikë, sepse etika është në thelb një ushtrim i kërkimit të Zotit.

E mira e fundit atëherë është Zoti. Shpallja hyjnore plotëson detajet në këtë linjë të natyrshme arsyetimi. Zoti duke qenë Krijuesi dhe Furnizuesi i gjithë jetës, e vetmja jetë që ia vlen të jetohet është ajo që kërkon Krijuesin. Krijuesi, dhe ky është mesazhi më qendror i të gjitha feve të shpallura, nuk është një forcë e verbër. Larg një energjie pa emër apo realitet inert, Ai e njeh dhe e do krijimin e Tij dhe do atë që është e mirë. Të gjitha veprimet e mira duhet të kërkojnë Zotin, përndryshe nuk mund të jenë të mira.

Jeta ka vlerë dhe morali ekziston, sepse Allahu i Madhëruar e nderoi qenien njerëzore dhe i dha frymën e Tij njeriut për të krijuar jetë.

“Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde” (Surja Hixhr, ajeti 29)

“Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!” (Surja Sad, ajeti 72)

“… së cilës pastaj i dha trajtë dhe i fryu shpirtin e krijuar prej Tij. Ai ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por pak prej jush janë mirënjohës.” (Surja Sexhde, ajeti 9)

Nëse shpirti nuk është gjë tjetër veçse fryma, emaneti dhe dhurata e Zotit, atëherë çfarë tjetër përveç Tij mund ta bëjë atë të lumtur?

A është urdhri i Zotit arbitrar apo racional dhe etik? Sheriati urdhëron mirësi dhe drejtësi

Ligjërimi kuranor i mesazhit të Profetit thekson natyrën e tij racionale, për aq sa Zoti na ka urdhëruar të bëjmë atë që natyra njerëzore e njeh si të drejtë dhe të dobishme. Zoti ka të drejtën absolute të urdhërojë atë që Ai dëshiron, dhe Ai me të vërtetë kishte testuar disa bashkësi të mëparshme me urdhërime që ishin thjesht një provë në vend që të ishin të mira apo të dëshirueshme në vetvete. Urdhëra të tilla u hoqën nga Ligji i përsosur i dhënë Profetit ﷺ, duke e përsosur kështu:

“Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Surja A’raf, ajeti 157)

Ky varg bën deklaratën monumentale se Sheriati i dhënë Profetit ﷺ, standardi i asaj që është e drejtë dhe çfarë është e gabuar para Zotit, është i arritshëm për natyrën njerëzore dhe se norma e tij është heqja e barrëve arbitrare dhe lehtësimi i një jete të mirë.

Ne vërejtëm më herët se dijetarët klasikë myslimanë nuk janë pajtuar nëse të vërtetat etike janë të arritshme për arsyen njerëzore të pandihmuara nga shpallja. Të gjithë studiuesit pajtohen rreth natyrës së arsyeshme dhe të dobishme të urdhrit hyjnor, por kjo mosmarrëveshje teorike është me vend për t’u riprodhuar këtu vetëm për të na ndihmuar të kujtojmë se sa thellë dhe thellësisht studiuesit tanë debatuan filozofinë etike në shërbim të shpalljes së Zotit. Nga katër shkollat teologjike, tre, tradicionalistët, Maturiditë dhe Mu’tezilitë, argumentuan se të vërtetat etike janë të njohura për arsyen njerëzore, ndërsa një, Esharitë, nuk u pajtuan. Esharitë nuk e mohuan se arsyeja njerëzore mund të dijë se çfarë është e dobishme apo e dëmshme, por ata e dallojnë atë nga njohja e asaj që është e mirë apo e keqe në kuptimin e marrjes së shpërblimit ose dënimit nga Allahu në jetën e përtejme. Për të ruajtur plotfuqinë hyjnore, ata mendojnë se nuk ekziston asnjë rend i së mirës apo i së keqes para dhe përveç shpalljes së Zotit, në të cilin Allahu Më i Larti urdhëron dhe ndalon lirisht ashtu siç dëshiron. Të tjerë mendojnë se dija që Allahu e ka vendosur në natyrën njerëzore dhe të arritshme për arsyen njerëzore është në pajtim me normat e shpallura, edhe pse të gjithë pajtohen se në rast mosmarrëveshjeje të perceptuar, normat e shpallura shprehimisht kanë epërsi të padiskutueshme. Dallimi, pra, është konsekuent vetëm në rastet kur shpallja është e heshtur dhe ato detaje janë përtej fushëveprimit të esesë sonë këtu. Mjafton këtu të thuhet se Esharitë, ashtu si Imam Gazaliu, nuk vënë në dyshim se normat juridike islame në formën e Sheriatit janë me të vërtetë të dobishme dhe për rrjedhojë janë racionale. Të gjitha shkollat, pra, në mënyrë efektive bien dakord se Ligji i Allahut është njëkohësisht i dobishëm dhe racional në këtë jetë dhe standardi i suksesit ose dështimit në jetën e përtejme. Shkolla tradicionaliste është përmbledhur fuqishëm nga Imam Ibn Kajimi:

“Vërtet, Sheriati është i themeluar mbi urtësinë dhe mirëqenien për robërit në këtë jetë dhe në botën tjetër. Në tërësinë e saj është drejtësi, mëshirë, dobi dhe urtësi. Çdo çështje që e braktis drejtësinë për tirani, mëshirën për mizori, dobinë për korrupsion dhe urtësinë për marrëzi, nuk është pjesë e Sheriatit edhe nëse është futur në të përmes një interpretimi.”

Kjo do të thotë se edhe përtej urdhrave dhe ndalesave të qarta të Allahut, të cilat kapin thelbin e të gjitha të mirave dhe ndalojnë thelbin e gjithçkaje që është e keqe, ulematë e zgjerojnë kuptimin racional përmes analogjisë dhe duke marrë parasysh qëllimet dhe objektivat e Sheriatit. Kjo është sfera e jurisprudencës, fikhut.

Por edhe përtej fikhut, ka nevojë për trajnimin e qëllimeve dhe zakoneve përmes reflektimit të brendshëm, edukimit (terbijes) dhe pastrimit të brendshëm (tezkije), reformimit të zakoneve dhe vlerësimit racional të veprimeve tona në mënyrë që të zgjerojmë veprat bamirëse që kanë mbetur në fikh si thjesht të rekomanduara ose në heshtje.

Rreth 200 herë, Allahu na urdhëron “të bëjmë vepra të mira” në Kuran pa specifikuar një formë apo grup të caktuar veprimesh. Allahu nuk i kufizon ‘punët e mira’ në kryerjen e një sërë urdhërash ose ritualesh të veçanta adhurimi.

Kurani dhe modeli profetik nuk lënë asnjë dyshim se ne inkurajohemi të jemi të mirë me njërin dhe të gjithë në çdo mënyrë, për të kryer vepra të mira për hir të Zotit pa pritur mirënjohje apo shpërblim të kësaj bote, siç thotë Zoti për të drejtët:

“… Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” (Surja Insan, ajeti 9)

Ajetet e shumta e bëjnë të qartë se veprat e mira nuk kufizohen vetëm tek muslimanët, as nuk kushtëzohen me pranimin e Islamit nga dikush; Kurani flet në mënyrë specifike për bamirësinë dhe mirësinë që u takon prindërve, të afërmve dhe nevojtarëve jobesimtarë. As veprat e mira në Islam nuk kufizohen në dobi të të tjerëve në jetën e përtejme; na kërkohet të japim ngushëllim dhe të tregojmë dhembshuri për ekzistencën e thjeshtë tokësore të njerëzve dhe madje edhe të kafshëve. Zoti është i Mirë dhe i Mëshirshëm dhe e do mirësinë dhe dhembshurinë dhe na shpërblen për çdo veprim të sinqertë që bëjmë, përderisa ajo është në përputhje me udhëzimin profetik.

Me fjalë të tjera, ne si besimtarë duhet të kërkojmë të bëjmë, të duam dhe ta bëjmë zakon të bëjmë gjithçka që është e mirë, duke filluar nga detyrat, por më pas duke shkuar përtej asaj që thuhet shprehimisht në shpalljen hyjnore dhe përtej asaj që gjendet në normat e fikhut. Kjo është pikërisht sfera e shkencës së akhlakut dhe disiplinave përkatëse të pastrimit shpirtëror dhe etik, të cilat do t’i trajtojmë edhe në esetë në vazhdim.

Adhurimi i një Zoti si imperativi i parë etik

Duke iu rikthyer konceptit me të cilin filluam, ne përsërisim se thelbi i veprave të mira që nxit Islami është ndërtuar mbi një themel të pashmangshëm, pa të cilin koncepti i së mirës bëhet jokoherent dhe pa të cilin dashuria e natyrshme njerëzore për drejtësinë dhe mirësia që Zoti vendos në karakterin e të gjithë shërbëtorëve të Tij në forma të ndryshme, të gjitha korruptohen. Ai themel është njohja dhe nënshtrimi ndaj të Vërtetës përfundimtare, Allahut. Kur nuk bazohen në të vërtetën përfundimtare, veprat e mira bëhen thjesht pluhur dhe hi.

“Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.” (Surja Ibrahim, ajeti 18)

Për ta kuptuar këtë, ne duhet të pranojmë se Islami nuk është gjë tjetër veçse gjëja e duhur për t’u bërë përballë Krijuesit. Si i tillë, Islami është një mënyrë jetese thelbësisht morale – ajo që kërkon jo thjesht qetësimin e një hyjnie për përmbushjen e nevojave tona laike, por një përgjigje totale ndaj të vetmit Zot të vërtetë, i cili, në jetën e përtejme, të përjetshme, shpërblen të mirin dhe ndëshkon të ligun. Megjithatë, lidhja e fesë dhe adhurimit me moralin ka humbur në shumë popuj, të kaluar dhe të sotëm, të cilët adhurojnë hyjnitë e tyre dhe kryejnë ushtrime ose rituale shpirtërore jo për arsye morale, si p.sh. pjesëmarrja në të vërtetën dhe shprehja e mirënjohjes, por për të kënaqur nevojat e tyre laike, duke filluar nga dëshirat e lashtë për fëmijë dhe rendimente korrjesh të mira, te shqetësimet moderne për lehtësimin e stresit, qetësinë dhe ekuilibrin. Studiuesit laikë spekulojnë se si tmerri i vdekjes, e panjohura e madhe dhe dëshira njerëzore për të qetësuar forcat e trazuara të natyrës, kanë qenë shtysat kryesore për religjiozitetin gjatë historisë. Në realitet, këto ndjenja janë thjesht shenja dhe përkujtues që Allahu ka vendosur në këtë botë dhe në zemrat tona në formën e një nxitjeje fillestare për përsosmëri dhe përjetësi, që me fjalë të tjera është nxitja për Zotin. Shtrembërimi i kësaj nxitjeje është se si shejtani i çorienton njerëzit, siç bëri me babain tonë Ademin alejhi selam: një premtim i përjetësisë dhe përsosmërisë engjëllore (p.sh., 20:120; 7:20).

“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Surja A’raf, ajeti 20)

“Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” (Surja Taha, ajeti 120)

Kapitulli i parë i Kuranit, surja el-Fatiha, na tregon tre fakte fillestare përpara se t’i drejtohet instinktit tonë për të adhuruar dhe kërkuar ndihmë: se Allahu meriton lavdërim, sepse Ai është më i Mëshirshmi (Er-Rrahman, Er-Rrahim), Furnizuesi i të gjitha krijesave (Rabb); dhe Sunduesi i gjykimit moral përfundimtar (Sunduesi i Ditës së Gjykimit). Vetëm atëherë na mësohet t’ia kushtojmë adhurimin tonë ekskluzivisht Atij dhe t’i drejtohemi askujt përveç Tij për ndihmë, sepse vetëm Ai meriton të adhurohet dhe të lutet. Ideja e së drejtës ose e të vërtetës është një ide thelbësisht morale. Më pas sureja përfundon me një lutje të sinqertë për udhëzim në rrugën e drejtë – përsëri, një koncept moral. Si njerëz, ne kemi nevojë për mbrojtje dhe rehati, por instinkti për t’u ndjerë i sigurt duke siguruar kënaqësinë e Fuqisë Përfundimtare është vendosur në këtë sure midis dy imperativave morale po aq primare. E para është të njohësh madhështinë dhe mirësinë e Krijuesit dhe Sunduesit (bazuar në virtytet e vëzhgimit me mendje të hapur, të vërtetës dhe mirënjohjes), dhe tjetra t’i lutet Atij Sunduesi të Mrekullueshëm për korrektësi dhe udhëzim moral.

Prandaj, Islami para së gjithash ka të bëjë me të vërtetën morale, me të drejtën dhe të gabuarën: njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet dhe të adhurojë vetëm një Zot të vërtetë dhe të ndjekë të Dërguarin e zgjedhur të Zotit. Ndryshe nga botëkuptimi laik që e ka zbrazur botën nga kuptimi dhe bukuria sot, Islami nuk e veçon faktin e ekzistencës nga qëllimi i ekzistencës – këto dy pyetje duhet të bëhen dhe të përgjigjen së bashku. Ndarja e qëllimit dhe faktit të jetës është thelbi i sekularizmit, dhe pasi të dyja ndahen, interesat laike në mënyrë të pashmangshme marrin përsipër dhe manipulojnë qëllimin moral të ekzistencës. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta marrim jetën si të mirëqenë, duke vendosur se si të jetojmë më mirë bazuar në dëshirat dhe opinionet tona, duke e zhvendosur çështjen e qëllimit dhe kuptimit të jetës në privatësinë e shtëpive dhe tempujve tanë. Përkundrazi, ne deklarojmë që në fillim se Krijuesi e krijoi jetën me një qëllim dhe se përmbushja e këtij qëllimi është themeli i të gjitha etikës dhe të vërtetave, publike dhe private.

Atëherë, përse Allahu i lejon ata që e mohojnë Atë, që nga faraonët e Egjiptit të lashtë te Perëndimi kolonialist e deri te fuqitë e sotme globale pafundësisht shfrytëzuese, të lulëzojnë dhe të dominojnë tokën, edhe pse vuajnë besimtarët që qëndrojnë pas të vërtetës së Zotit? Përpara se natyra vërtet imorale e modernitetit të bëhej e dukshme, veçanërisht para Luftës së Parë Botërore, disa autorë myslimanë naivë dhe të frustruar ia atribuan epërsinë ushtarake të Evropës epërsisë së tyre morale. Ky arsyetim disfatist është pa dyshim i rremë. Kurani flet për shumë beteja të tilla. Izraelitët ishin populli i Zotit, të cilët u morën vazhdimisht në detyrë nga duart e fuqive jobesimtare kur ata nuk arritën të mbanin mesazhin e Krijuesit dhe hodhën poshtë pjesë të mësimeve hyjnore që u dukeshin të papërshtatshme.

“Mirëpo ja tek jeni, duke vrarë farefisin tuaj, duke i dëbuar disa syresh nga shtëpitë e veta dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin kundër tyre, fajësisht dhe armiqësisht. Dhe, kur ju vijnë të robëruar, ju i shpëtoni nga robëria me të holla, ndërkohë që me marrëveshje e keni të ndaluar t’i dëboni. Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Surja Bekare, ajeti 85)

Durimi i Zotit është pakrahasueshëm më i madh se i yni, dhe për këtë arsye, Zoti është shumë më i durueshëm me ata që janë të padrejtë ndaj Tij sesa me ata që janë të padrejtë ndaj njëri-tjetrit, edhe pse i pari është mëkat më i madh se i dyti. Ky është kuptimi i thënies së famshme të dijetarëve se “Zoti u jep afat jobesimtarëve që posedojnë virtytin e drejtësisë, por jo atyre që janë besimtarë, por që janë reciprokisht të padrejtë”. Sepse është me vend që ata që zotërojnë udhëzimin e Allahut të merren parasysh në këtë botë për t’i kujtuar ata të zgjohen në detyrën e tyre ndaj Zotit dhe ndaj njerëzimit, dhe që atyre që nuk kanë qasje në mesazhin e Zotit t’u jepet kohë derisa mesazhi të jetë sjellë atyre. Dhe Allahu e di më së miri.

Dr. Ovamir Anjum

Përktheu:
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top