Lufta evolucionare midis njeriut dhe sëmundjeve.


Ndërsa bota po përballet me një pandemi globale, një studim i dhjetëra e mijëra skeleteve të lashtë, ka zbuluar se si trupi i njeriut evoluon për të luftuar sëmundjet, dhe ndërkohë këto të fundit evoluojnë gjithashtu për t’u bërë me kalimin e kohës më pak vdekjeprurëse. Përfundimet e këtij studimi, mund t’u japin ekspertëve më shumë njohuri se si të përballemime sëmundjet në të ardhmen. Studiuesit që kryen studimin, tregojnë se si mikrobet shndërrohen në kopje dhe e sigurojnë mbijetesën duke kaluar në sa më shumë bartës njerëzorë. Por me kalimin e kohës kjo sjellje e zvogëlon shumë ashpërsinë e sëmundjes.

Në fund, mikroorganizmat apo patogjenët e dëmshëm,arrijnë një lloj “armëpushimi” me trupin e njeriut. Lebra, tuberkulozi dhe treponematozat (një grup sëmundjesh përfshirë sifilizin) ishin sëmundjet e analizuara në këtë hulumtim.

Të gjitha këto mund të lënë gjurmë në kocka dhe dhëmbë, dhe falë mbetjeve njerëzore dhe të dhënave mjekësore që janë në dispozicion, ato mund të gjurmohen deri në 200 breza.“Secila prej këtyre 3 sëmundjeve, tregon një rënie të prevalencës që rezulton nga bashkë-adaptimi që është reciprokisht i dobishëm për sëmundjen dhe bartjen e tyre tek njeriu”- thotë antropologu Maciej Henneberg nga Universiteti Flinders në Australi.

“Gjatë 5.000 viteve të fundit, para se të arrinim tek mjekësia moderne, shenjat skeletore të tuberkulozit ishin më pak të zakonshme. Ndërkohë,gjurmët skeletore të lebrës në Evropë u zbehën pas përfundimit të Mesjetës, ndërsa shenjat skeletore të treponematozave në Amerikën e Veriut u zbehën veçanërisht vitet e fundit para kontaktit me evropianët pushtues”- thekson ai.

Studiuesit analizuan 3 studime të mëparshme mbi këto 3 sëmundjeve, që përfshinin gjithsej 69.379 skelete. Në studimet e vëzhguara, moshat e këtyre skeleteve varionin që prej vitit 7250 Para Erës Sonë deri në ditët e sotme. Jo të gjitha këta skelete u përkisnin njerëzve që kanë qenë të prekur nga tuberkulozi, treponematoza apo lebra, dhe jo të gjithë ata që mund të kishin qenë të prekur nga këto këto sëmundje do të kishin shenja fizike në kockat e tyre.

Ndërsa kjo do të thotë se studimi i ri nuk është një meta-analizë e rreptë epidemiologjike, madhësia e kampionit ishte mjaftueshëm e madhe që ekipi të bënte disa spekulime të dobishme. Asnjë nga këto 3 sëmundje nuk e vret menjëherë pritësin e saj njeriun, gjë që i ndihmon patogjenët të jetojnë dhe të përhapen.

Por rënia statistikisht e rëndësishme e prevalencës së tuberkulozit, treponematozave apo lebrës me kalimin e kohës, tregon që ose njerëzit u bënë më imunë, ose që sëmundja u bë më pak e dëmshme.

“Nga perspektiva evolucionare, ka kuptim që një patogjen të shkaktojë më pak dëme tek bartësi nga i cili varet për mbijetesën e tij. Prandaj nivelet e larta të transmetimit, duket të jenë një tipar i përkohshëm evolucionar, që zvogëlohet me kalimin e kohës kur analizojmë lebrën, tuberkulozi dhe sifilizin”- thotë antropologu Tegan Lukas, po nga Universiteti Flinders.

Koronavirusi i Covid-19 është me ne vetëm prej pak kohësh. E megjithatë, tashmë kemi parë që mutacionet e tij synojnë të sigurojnë mbijetesën e tyre për të arritur tek njerëzit e tjerë. Edhe kur vaksinimet ta vënë nën kontroll përhapjen e virusit, ekspertët do të duhet të jenë të vëmendshëm se si do të evoluojë në të ardhmen ky virus.

Studimi i ri është pjesë e fushës në zhvillim të shpejtë të paleopatologjisë, studimit të sëmundjeve të vjetra njerëzore, përmes provave të tilla si skeletet, mbetjet e mumifikuara, dokumentet, letërsia antike dhe arti.“Për shkak të ruajtjes së shenjave patologjike tek skeletet, është e mundur të gjurmohet procesi i bashkë-evolucionit të 3 sëmundjeve kryesore infektive”.

/Bota.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top