Letërsia arbëreshe – si ftesë për (ri)interpretim

Love

βeℓℓe â๓e
Letërsia mbetet pika kulmore brenda kulturës së njohur arbëreshe, e krijuar nga ai komunitet shqiptarësh – të emigruar në disa valë, gjatë shekujve të Mesjetës, në drejtim të viseve jugore të Italisë dhe të vendosur kryesisht në Kalabri e Sicili. Kjo letërsi ka një moshë pothuaj 5-shekullore, aq sa vetë letërsia shqipe dhe nis qysh me autorë të shek. XVI–XVIII (L. Matrënga, J. Varibova, N. Figlia, Gj. Guzzetta, N. Brankati, Gj. Barbaçi etj.) dhe vazhdon të lëvrohet sot e kësaj dite, me emra të njohur poetësh, si K. Xukaro, M. La Luna e të tjerë. Kjo do të thotë se letërsia arbëreshe nuk mbetet thjesht në përmasën e një kujtese apo roli historik të realizuar, të përfunduar. ثshtë vërtet fakt impresionues kjo vijimësi e pandalur kulturore, që vjen gjer më sot. Por, informacioni i dhënë me pikatore në mjaft botime tekstesh rreth kontributit të autorëve të shek. XVI-XVIII, madje i (mos)përfillur ai, si i kufizuar kryesisht brenda kuadratit didaskalik e religjioz; gjithashtu lënia pothuaj në hije e krijimtarisë së shek. XX; doemos kanë krijuar te lexuesi një perceptim fragmentar rreth rolit e statusit të saj.
Por, krahas sasisë, pra njohjes së anës tërësore (vëllimore) të këtij procesi, mbetet sfidë njohja e cilësive që ajo mbart, që do të thotë, shtrohet si detyrë e studiuesit për të depërtuar në vlerësimin e indeve të saj artistikë dhe konceptualë.

Prej botës arbëreshe, letërsia shqipe ka pasur rastin fatlum të ekuilibrojë e të plotësojë vakumet e saj estetike, të krijuara për shkaqe rrethanash historike e kulturore – ku gjendej hapësira shqiptare ballkanike, nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si banorë italo-shqiptarë, arbëreshët ishin gjuhësisht, kulturalisht dhe me botëperceptim të dyfishtë. Me shtysën obsesive për të qenë të pashkëputur me atdheun e të parëve, por dhe me civilizimin e fituar brenda botës latine ku jetonin, ata në fakt u bënë një urë reale lidhëse mes letërsisë shqipe dhe asaj italiane e perëndimore në përgjithësi. Si i tillë, ky komunitet fitoi autoritetin, që, krahas mbartjes së shumëçkaje prej origjinës, të merrte edhe misionin dhënës drejt saj, d.m.th. të kishte atributet mirëfilli të ndikimit për atje nga ku lindi e u shkëput në rrethana të njohura. Pra, ajo ishte bijë e kësaj letërsie, por njëherazi dhe limfë ushqyese e ripërtëritëse (krijuese) për të. Këtë pozitë të dyfishtë e prek qartazi اabej në një nga esetë e tij të vitit 1964, botuar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së De Radës, ku formulimi dikotomik Vatra dhe Bota (pra vetja dhe tjetri, njësia dhe sistemi) përcjell idenë e rolit përvijues (pasurues) e jo kundërshtues që kanë në letërsitë nacionale ndikimet prej letërsive të tjera të zhvilluara. Për të, poezia italo-shqiptare (arbëreshe) është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane; autorët e saj në rrafshin estetik, në themel janë drejtuar nga Perëndimi. Në studimin e gjerë “Romantizmi në Europën Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare” ai parashtron pikëpamjen se romantizmi arbëresh vjen si një model kontribuues e pasurues jo vetëm për letërsinë shqipe, por dhe në raport me romantizmin nacional në letërsitë e popujve ballkanikë, që nuk e patën rastin ta kishin pjesë të tyre natyrale një rrjedhë të tillë letrare perëndimore, siç e kishte letërsia shqipe.

Pra, romantizmi arbëresh, si pjesë integrante e trungut kulturor amtar, vjen dhe me specifikat e romantizmit europiano-perëndimor, pra, me kultin e ndjenjës, të botës së gruas, të pasionit e mallit nëpër ëndërrime, të përjetimeve religjioze e mistike, të pozitës së individit në kontrast me shoqërinë… Si një letërsi që ushqehet nga dy burime kulturore dhe me dy nivele lexuesish, pra krijesë multikulturore e njëherazi multifunksionale, ajo vlerësohet si një krijimtari sui generis, aspak eklektike, por tepër origjinale. Brenda këtij formati, ajo përcillej për në Shqipërinë ballkanike të pushtuar më shumë se vetëm si letërsi, e më shumë se vetëm si kulturë. Ajo shpallej kësisoj si peshë e fortë gravitacionale për të mbajtur gjallë shpirtin e etnosit shqiptar.Këtë oksigjen mbijetese që merrte letërsia shqipe përmes komunitetit arbëresh dhe këtë lloj shansi të bekuar për të pasur një urë lidhëse e një dritare të hapur komunikimi me letërsitë e mëdha të Perëndimit, e kanë vërejtur qysh kohë më parë edhe studiues të tjerë, si Karl Gurakuqi, Justin Rrota, Namik Resuli, R. Petrotta, Ernest Koliqi… Por, pas Luftës së Dytë Botërore, kjo tezë mbeti në mes të rrugës, sigurisht për shkaqe ideologjike. E kjo sepse do të shpalleshin të anatemuara theksimet e vlerave pasuruese që vinin nga bastionet kulturore të Oksidentit – të ashtuquajtur “capitalist” (!) Kjo ka shpurë pastaj deri në inkosekuenca të tilla, sa dhe në disa tekste të historisë së letërsisë shqipe – të ndërtuara mbi kritere kronologjike, arrihet të kapërcehet (devijohet) artificialisht pikërisht ky kriter kronologjik dhe spostohet rendi i autorëve të njohur arbëreshë, si De Rada, Gavril Dara, Santori e të tjerë. Kështu, çmontohet fakti real historik, që romantizmi ynë rilindas fillimet e veta i nis brenda qarkut kulturor italo-shqiptar.

Si një vlerësim mjaft koherent i kësaj letërsie, duhet kujtuar një shkrim i Kadaresë i vitit 1963, i botuar në gazetën “Drita”, me titull: Duke lexuar Milosaon. Megjithëse çuditërisht i pavënë re nga kritika, i vështruar nga horizonti i sotëm, ai përmban formatin e një lloj manifesti letrar. Nisur nga shqyrtimi i një kryevepre të letërsisë arbëreshe, brenda rrjetit të sinjaleve alegorike që formulon në këtë shkrim, Kadare merr shkasin të dëshmojë për vlerat e njimendëta që duhet të përcjellë prej traditës së saj letërsia e re shqipe, si një mision përkundër dogmatizmit asfiksues të realizmit socialist. Ai e vlerëson atë si romanin e parë lirik në vargje në letërsinë shqipe, si bashkëkohëse e denjë me poemat e Bajronit, Lamartinit e Pushkinit. E veçon De Radën si novatorin më të madh, ku errësira, fragmentarizmi dhe nënteksti në poemë janë të kalkuluara artistikisht, si dëshmi tiparesh sintetizmi e universaliteti. E gjithë kjo poemë gjykohet e konceptuar si një megametaforë e dritares së hapur përkundrejt detit, pra, bëhet një vlerësim që përcjell filozofinë e marrëdhënieve dhe kontakteve mes kulturave dhe jo të izolimit e mbylljes, që ishin themeli i socrealizmit. Me argumente, që në fakt ia jepte bujarisht kjo vepër, shkrimtari i ri 27-vjeçar ndërtonte alegorikisht padinë e divorcit estetik me letërsinë zyrtare dhe projektonte modelet natyrale që duhej të ndiqte letërsia bashkëkohëse, gjë që ai vetë e realizoi suksesshëm me veprën e tij.

Por, sidomos letërsia arbëreshe e shek. XVI-XVIII mbetet një hipotekë vlerash të mëdha për letërsinë shqipe, ende e paeksploruar sa dhe si duhet. Me rolin e instituteve, seminareve dhe kolegjeve famoze, sidomos ato në Shën Mitër Korona e Palermo, u formuan një radhë shkrimtarësh e studiuesish, të cilët krijojnë e mbajnë gjallë hallkën lidhëse e vijuese me proceset letrare shqipe të mëvonshme. Kjo është konfirmuar qartazi dhe te vepra e njohur “Shkrimtarët shqiptarë” (1941), por mbetet detyrë e pritshme të ravijëzohet fryma e renesancës, e periudhës së barokut, sensizmit, racionalizmit dhe neoklasicizmit, që ajo letërsi arbëreshe mbarti prej letërsisë italiane në atë shqipe, ku u realizua. Për të vazhduar pastaj me letërsinë arbëreshe të shek. XX, ku mund të hetohen tipare të futurizmit, dekadentizmit, neorealizmit, poezisë së muzgut, hermetizmit e lëvizjeve të tjera letrare, të cilat qarkullonin asokohe në mjediset letrare italiane. Evidentimi i tyre, sigurisht që do të krijonte një profil më kompleks mbi letërsinë shqipe, nga ç’jemi mësuar ta njohim gjer më sot dhe do t’i jepnin asaj më shumë prestigj përfaqësimi, sigurisht real e të merituar. Dhe letërsia arbëreshe do të njihej më mirë për rolin e saj të shquar kontribues e emancipues në mbarë letërsinë shqipe
Gazeta Panorama
Ymer اiraku

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top