Kultura e të folurit - të shprehurit në Islam

Kultura e të folurit - të shprehurit në Islam

Autorë: Adnan Vishi

Nga shumë të mira që Allahu i fail njeriut dhe e dalloi nga të gjitha krijesat tjera është edhe begatia e të shprehurit prej dhuntive më të mëdha që ia fali Allahu xh.sh. njeriut, Allahu xh. Sh. Në Kur’an thotë:

“Rrahmani - Mëshiruesi (Zoti ynë). Ai ia mësoi Kur’anin. E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të shqiptuarit).” (Er-Rrahman: 1-4)

Islami shumë bukur ka sqaruar se si duhet ta shfrytëzojnë njerëzit këtë dhunti të çmuar dhe si t’i bëjnë fjalët e tyre, të cilat i flasin gjatë ditës, rrugë që shpie në mirësinë e dëshiruar e jo në të keqen e vetë-vetës apo edhe të rrethit ku jeton.

Islami i ka kushtuar kujdes të madh çështjes së fjalës dhe mënyrës së artikulimit të tyre, sepse fjalët që dalin nga një person tregojnë esencën e mendjes së tij dhe natyrën e karakterit të tij. Po ashtu, edhe për atë se, metodat e të biseduarit në një bashkësi flasin për shkallën e ngritjes së saj të përgjith-shme dhe nivelin e depërtimit të vlerave në mjedisin e asaj bashkësie. Pra, nga të folurit kuptojmë nivelin e fjalorit në mendje, kapacitetin e mendjes, brendin e personit. Gjuha është mjeti që na tregon se çka kemi n[ brendi dhe kush jemi në thellësi.

Me që të folurit – të shprehurit vjen nëpërmjet gjuhës atëherë këtij organi brenda organizmit tone duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe. Një thënje e urtë thotë: “Fjala është rob i yti deri sa e ke brenda, kur të dali nga goja bëhesh rob i saj”.

Njeriu, para se të flasë, duhet ta pyesë veten: “A ka shkak që të flas?” Nëse gjen shkak për këtë, le të flasë, përndryshe, heshtja është më e preferuar dhe largimi i tij nga fjalët, ku nuk ka nevojë, është vepër e mirë,që ka shpërblim të madh. Abdull-llah Ibën Mes’udi thotë: “Pasha Atë, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, nuk ka mbi sipërfaqe të tokës gjë më të nevojshme për burgim të gjatë se sa gjuha!” /Transmeton Taberaniu/

Abdull-llah Ibën Abbasi [radijAllahu anhu] thotë: “Pesë sende janë më të vlefshme sesa një turrmë kafshësh të shtrenjta:

1. Mos fol për atë që nuk të intereson, sepse kjo është e tepërt dhe nuk je i sigurtë nga mosbërja e mëkatit!

2. Po ashtu, mos fol për atë që të intereson pa ia gjetur fjalës vendin, sepse është turp të flasësh për një çështje që të intereson nëse nuk ia gjen asaj vendin e vet!

3. Mos u fjalos as me një njeri të urtë e as me një mendjelehtë, sepse i urti nuk do të të çmojë, ndërkaq mendjelehti do të të ofendojë!

4. Në mosprani të vëllait tënd, përmende atë për atë gjë për të cilën ti dëshiron që ai të të përmendë ty, dhe mbuloja atij ato, të cilat ti dëshiron që ai të t’i mbulojë ty..!

5. Bëje punën e atij,që shihet se shpërblehet për mirësi e dënohet për mëkat.” /Transmeton Ibën Ebi Dunja/

Muslimani këtë mund ta arrijë vetëm nëse e zotëron gjuhën e vet dhe dominon mbi frenat e saj me fuqi. Kështu, do ta ndalë atë atje ku duhet të heshtet dhe do ta korrigjojë atje ku duhet folur. Ndërkaq, ata të cilëve u prijnë gjuhët e tyre, nuk kontrollohen nga mendja, arsyeja e shëndoshë ato i çojnë në vendshkatërrimin e tyre.

Prej këshillave të Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] drejtuar Ebu Dherrit është edhe kjo: “Duhet që më tepër të heshtësh, sepse kjo e largon shejtanin dhe të ndihmon në fe.” /Transmeton Ahmedi/

Po, gjuha e pa masë është litar i lëshuar në dorën e shejtanit, i cili e kthen njeriun kah të dojë. Andaj, nëse njeriu nuk mund ta kontrollojë veten, goja e tij do të jetë derë për depër-timin e hedhurinave, të cilat do ta ndotin zemrën e tij dhe do të hedhin mbi të perden e letargjisë. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Nuk do të jetë si duhet besimi i njeriut, derisa nuk është si duhet zemra e tij; e nuk do të jetë si duhet zemra e tij, derisa nuk është si duhet gjuha e tij.” /Transmeton Ahmedi/

Periudha e parë e këtij rregullimi është që t’i largojë njeriu duart e veta nga ajo që nuk është punë e tij, si dhe mos ta involvojë veten në atë për të cilën nuk pyetet: “Prej shenjave të besimtarit të mirë është që të mos merret me atë që nuk i hyn në punë.” /Transmeton Tirmidhiu/

Largimi nga gjërat e kota është prej konditave të shpëtimit dhe fakteve të përkryeshmërisë. Këtë (largimin nga gjërat e kota) Kur’ani e ka përmendur në mes dy detyrave obligative islame; namazit dhe zekatit:

“ثshtë e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit. Dhe ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë). Dhe ata të cilët rregullisht e japin zekatin.” (El-Mu’minun: 1-4)

Fjalët e mira dhe të matura u përshtaten të gjithëve, edhe miqve edhe armiqve, dhe japin fryte të këndshme.

Për sa u përket miqve, fjalët e mira e ruajnë dashurinë e tyre dhe e zgjasin miqësinë e tyre, si dhe e pengojnë shejtanin që t’i shkatërrojë lidhjet e tyre dhe t’ua prishë moralin:

“E ti robve të Mi thuaju: Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut.” (El-Isra: 53)

Djalli u rri njerëzve në pusi; ai dëshiron të fusë në mes tyre armiqësi dhe urrejtje, dhe prej një problemi të vogël të bëjë konflikt të përgjakshëm; nuk do ta ndalte rrugën përpara tij asgjë, sikurse fjala e mirë.

Ndërkaq, fjalët e mira me armiqtë e shuajnë armiqësinë e tyre, e thyejnë mllefin e tyre, apo më së paku, fjalët e mira e ndalin zhvillimin e së keqes dhe rritjen e pasojave të saj:


“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fussilet: 34)

Lidhur me të bërit shprehi njerëzve fjalët e buta, sado që të ndryshojë situata e tyre, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Ju nuk mund t’i përfshini të gjithë njerëzit me pasurinë tuaj, andaj, le të jetë ajo që do t’i përfshijë prej jush buzëqeshja dhe sjellja e mirë.” /Transmeton Bezzari/

O Allahu ynë na i shtjello gjuhët tona për të mire dhe për të mbarë!

O Allahu ynë na ndihmo që të flasim vetëm mire

që t’i gëzojmë të tjerët që na ndëgjojnë!

O Allahu ynë mos i bëjë gjuhët

tona që mbjellin

armiqësi, neveri,

shëmti

ndaj fjalës

Tënde!

Allahumme Aamiiiin!

RadioIslame/com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top