Kontroll në xhepat e gjykatësve

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Lorenc Vangjeli
Revista: Java

Edhe pse niveli i pagesës së punonjësve të drejtësisë nuk shkon më shumë se 1000 euro në muaj për ata që ndodhen në majë të piramidës dhe 600 euro në muaj për gjykatësit e shkallës së parë, shumica e tyre kanë një standart jetese të papërligjur.
  • Një nga shenjat më domethënëse: udhëtimet jashtë shtetit. Rreth 150 punonjës të drejtësisë nën vëzhgim, sistemi TIMS kurthi i ngritur për vanitetin e bluzave të zeza. Mes tyre edhe gjykatës që kanë qenë mesatarisht si turistë jashtë shtetit një javë për çdo muaj. 11 të parët përfundojnë në KLD. Fati i të tjerëve përcaktohet në fund të vitit. Flet ministri i drejtësisë Halimi, kryeinspektori Llalla dhe një hetim gazetaresk i revistës JAVA për luksin e atyre që pretendohet se duhet të japin drejtësi. Nga ta, vetëm 7 për qind e gjykatësve janë të pakënaqur nga paga, të tjerët, të lumtur që mund të jetojnë në Shqipëri me vetëm 600 euro në muaj

rama-llalla141_01.jpg


Ditë të zeza për njerëzit e drejtësisë. Një numër i pacaktuar, gjykatës dhe prokurorë, mund të presin edhe jo më shumë se dy-tre muaj për të qenë të shpaguar për “mendjelehtësinë” e tyre: paratë e fituara në mënyrë të pajustifikuar dhe të shpenzuara mbi të ardhurat e tyre, do të jenë kurthi që do të dëshmojë korrupsionin e tyre, mitmarrjen. E gjitha do të ndodhë sipas një skeme fare të thjeshtë: do të kontrollohen, ndër të tjera, edhe hyrje-daljet e tyre nga Shqipëria në sistemin TIMS (një projekt që shënon gjithë lëvizjet e qytetarëve në pikat e kalimit kufitar). Disa burime alternative, zyrtare dhe të rezervuara, e konfirmojnë një fakt të tillë për revistën JAVA. Madje, gati një e katërta e njerëzve të sistemit të drejtësisë, është tashmë nën verifikim për një gjë të tillë.

Perceptimi publik për korrupsionin në sistemin e drejtësisë është pothuaj në kufinj maksimalë dhe pothuaj çdo qytetar beson se dhënia e drejtësisë është një mall që blihet e shkëmbehet me para. Stili dhe standarti i jetesës së shumicës dërmuese të punonjësve të sistemit të drejtësisë, është në shumicën dërmuese të rasteve i pajustifikuar në raport me të ardhurat e tyre. Ato, ndonëse variojnë nga 600 euro deri në 1000 euro në muaj, duket se mjaftojnë që punonjësit e sistemit të drejtësisë, të hyjnë në shtresën e njerëzve të pasur në Shqipëri. Jetesa dhe stili i jetesës së një gjykatësi kryesisht dhe një prokurori disi më pak, është lehtësisht e verifikueshme, qoftë dhe “me sy të lirë”. Makina, banesa, veshjet, shpenzimet dhe udhëtimet jashtë, janë vetëm disa nga treguesit që e diferencojnë këtë shtresë shoqërore nga të tjerat në Shqipëri.

Edhe në rastet kur ILKDP-ja, institucioni që është përgjegjës pëpara ligjit, ka hetuar për ta, për shkak të vakuumeve ligjore, përgjithësisht nuk ja ka dalë të kapë në rrjetë të korruptuarit e sistemit. Ndryshimet e fundit në ligjin për këtë institucion, kanë krijuar hapësirën e nevojshme që nëse ekziston vullneti, ligjor dhe politik, shumë nga njerëzit e sistemit, do të bien pre e grepit të vanitetit të tyre. Duke u nisur nga një e dhënë e thjeshtë: udhëtimet e tyre jashtë shtetit. Ashtu siç mbart dhe një rrezik tjetër, shumë familjar për mjedisin shqiptar të helmuar nga politika: goditjet ndaj të korruptuarve në sistem mund të përdoren dhe mbi bazë politike dhe të jenë të diferencuara e me dy standarte.

ILKDP-ja, hetimi zyrtar

“Janë 150 gjykatës dhe prokurorë të cilët do të verifikohen, veç të tjerash edhe për shpenzimet e bëra për qëllime turizmi, udhëtimet jashtë vendit. Do të verifikohet përputhshmëria mes të ardhurave të tyre të deklaruara dhe shpenzimeve që kanë kryer”, thotë Adriatik Llalla, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Sipas zotit Llalla, ndryshimet në ligjin për funksionimin dhe organizimin e institucionit që ai drejton, i kanë dhënë më shumë hapësirë dhe mundësi ILDKP-së për të pasur më shumë instrumenta kontrolli në dispozicion. “Pas dy apo tre muajsh mund të përpunohen dhe rezultatet e para të hetimit për këta punonjës të drejtësisë”, thotë Llalla për revistën Java. Rezultate të cilat, me të gjitha gjasat do të jenë befasuese.
Llalla nuk pranon të paragjykojë asgjë dhe askënd përpara këtij afati, por thotë se më pas, për subjektet për të cilat do të ketë dyshime të arsyeshme se kanë fshehur pasurinë apo nuk kanë mundur të shpjegojnë shpenzimet e tyre në raport me të ardhurat, fillimisht do të komunikohet me KLD-në për masa administrative ndaj gjykatësve dhe më pas, do të vijohet edhe me kërkesë në prokurori për ndjekje penale ndaj tyre.

Deri më tani, përgjithësisht hetimet e kryera mbi pasuritë e njerëzve të sistemit të drejtësisë, kanë përfunduar me “kompromis”. Ata kanë rezultuar qytetarë “me fat” që kanë përfituar me shumicë dhurata nga të afërm, kanë siguruar “borxhe” pa interes nga familjarë apo dhe që banojnë në banesa luksoze të cilat janë në emër të të tretëve. Edhe në rastet e hetimit penal, në ato pak raste që kanë mundur të kalojnë pragun e prokurorisë, hetimet janë mbyllur për shkak “të mungesës së elementëve të veprës penale” apo edhe në gjykatë. “Gjyqësori vepron si një koorporatë”, denonconte plot pezm kohë më parë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, një realitet që shumëkush e sheh, shumëkush e njeh, por pakkush mundtte ta ndryshonte.

Reforma në drejtësi, një togfjalësh që përmendet shumë shpesh në diskursin politik vendas, sa herë që bëhet fjalë për integrimin apo dhe thjesht dhe vetëm nevojën për të ndryshuar për së mbari sistemin e drejtësisë, ka pasur një armik të pandryshueshëm: mungesën e vullnetit politik për të bërë një reformë reale në sistem.

KLD-ja, filtri i parë

Pothuaj një vit më parë, ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu tentoi të bëjë të njëjtën gjë. Të njëjtin hetim. Me të njëjtat mjete. Me sistemin TIMS dhe nëpërmjet këtij sistemi, Spahiu kërkoi të verifikonte lëvizjet e gjykatësve ‘për turizëm”. Mbas verifikimeve që inspektorët e KLD-së bënë për këto lëvizje jashtë shtetit të gjykatësve, dolën në dritë të dhëna mjaft të rënda: ndër ta kishte gjykatës të cilët kishin lëvizur shumë shpesh jashtë shtetit, dhe madje, edhe nga ata që në ditët që rezultonin se ndodheshin jashtë Shqipërisë, kishin firmosur vendime sikur ndodheshin në sallën e gjyqit. Gjashtë të tillë, gjykatës në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Kavajë ishin rastet ekstreme që ranë në sy.
Shkelja e tyre e përbashkët rezultoi të ishte fatale. Në datat që presupozohej se ndodheshin në krye të detyrës dhe të veshur me togën e zezë të gjykatësit, pra në datën që ata kishin dhënë drejtësi në emër të ligjit, sistemi TIMS vërtetonte se ata ndodheshin realisht jashtë shtetit. Duke bërë pazar, pazare apo thjesht për kënaqësi.

Në dosjen e inspektorëve të KLD-së ishin dhe pesë gjykatës të tjerë, por që nuk u bënë publikë. Më pas, me jetëgjatësinë jo më shumë se tre ditë të çudisë, këto dosje u lanë në harresë. Edhe mbas më shumë se një viti, KLD-ja nuk ka marrë në shqyrtim asnjë nga këto dosje. Më së paku, këto 11 gjykatës – të parët e një grupi që pritet të shumëfishohet - janë përgjegjës për fallsifikim të dokumentave shtetërore dhe shpërdorim të detyrës.

Ministri Halimi

Të martën, ministri i drejtësisë Eduard Halimi paralajmëroi se janë vënë në lëvizje një numër dosjesh për procedim disiplinor të gjyqtarëve, të cilat, sipas tij, “...flinin në KLD... që prej dy vjetësh” mbasi kishte përfunduar inspektimi për ta nga KLD-ja. Ministri Halimi refuzoi të komentojë më gjatë mbi këtë detaj për revistën JAVA, por një burim i mirëinformuar nga ministria e drejtësisë, nga drejtoria e inspektimit në këtë digaster, pohon se: “Janë rreth 11 dosje të tilla. Janë dosje me emrat e 11 gjyqtarëve që kanë firmosur vendime në ditët që kanë qenë jashtë shtetit. Gjashtë nga to janë shpallur më parë, pesë të tjera ishin fshehur për arsye që nuk di t’i them”, thotë burimi në kushtet e anonimatit.
“Jemi të vendosur që gjyqtarët, të cilët kryejnë shkelje, t’i përballin me ligjin dhe Kushtetutën”, deklaroi të martën në një aktivitet të organizuar me mbështetjen e ambasadës britanike ministri Halimi.

Burimi i rezervuar nga ministria e drejtësisë konfirmon burimet alternative të cituara nga revista. Ai pohon se ndonëse sipas ligjit, ministria nuk mund t’i hyjë thelbit të vendimeve të dhëna nga gjykatësit, në bashkëpunim me ILKDP-në, mund të verifikohen indirekt akuzat për korrupsion në sistemin e drejtësisë.
“Hetimi në sistemin TIMS për hyrje-daljet e punonjësve të sistemit të drejtësisë, është një mjet i tërthortë që mund të afrojë provë për akuzën për korrupsion për shumë nga ta. Eshtë një mënyrë për të vënë gishtin në këtë plagë.
Siç është dhe kontrolli i të ardhurave dhe shpenzimeve prej tyre. Një gjykatës që shkon me furgon dhe një tjetër që lëviz me nje Mercedes, prodhim i viteve të fundit, nuk janë njëlloj. Ai gjykatës që lëviz jashtë shtetit më shpesh sesa një qytetar tjetër që shkon nga Tirana në Durrës, patjetër që vetafron një indicie që nuk mund të anashkalohet”,
thotë një nga inspektorët e ministrisë së drejtësisë për revistën Java pa dashur të bëjë publik emrin e tij.

Tek agjensia, tek agjensia

Revista Java gjithashtu ka kryer një hetim empirik: ka kontaktuar në katër agjensi ajrore në Tiranë dhe ka marrë në mënyrë informale një listë me 9 gjykatës të gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Ndër ta ka pasur edhe të tillë që kanë udhëtuar jashtë shtetit me një frekuencë deri në tre herë në muaj. “Destinacionet e tyre më të shpeshta kanë qenë Italia dhe Austria. Ditët e nisjes nga Rinasi kanë qenë kryesisht të premtet dhe kthimi të dielën”, dëshmon një burim i rezervuar nga një agjensi ajrore në afërsi të ish-Bllokut.
“Janë nga klientët më të rregullt dhe që paguajnë gjithmonë Cash”, thotë punonjësja e kësaj agjensie, në kushte anonimati.

“Kampioni” i verifikuar i nëntë gjykatësve ka pasur një qëndrim mesatar jashtë shtetit prej një jave në muaj. Dhe kështu në çdo muaj të vitit. Pjesa e pushimeve verore, leja e tyre është rreth një muaj, shpenzohet kryesisht jashtë shtetit dhe destinacionet më të preferuara janë Spanja, Franca, Dubai, Italia, por nuk mungon as Turqia e Greqia. Duke nisur me shpenzimet për biletat dhe duke konsideruar që gjykatësit kanë udhëtuar vetëm (në të gjitha rastet e verifikuara kanë qenë çift) dhe që jashtë shtetit nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë, mund të llogaritet që ata kanë konsumuar një buxhet minimal prej rreth 1500 eurosh në muaj. Por 1500 euro vetëm në rastin kur turistët me togë të zezë janë ushqyer me ajër dhe kanë fjetur me ajër mbi kokë, pra, nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë për ushqim e fjetje.
Megjithatë, edhe vetëm kjo shifër, e krahasuar me rrogën e tyre të rendit nga 600 deri në 1000 euro, dëshmon se individë të tillë kanë burime të tjera të ardhurash. Qoftë dhe vetëm kjo e dhënë do të mjaftonte që të paralajmëronte ditë të zymta për gjykatës dhe prokurorë, të cilët e kanë kthyer sistemin në një marrëdhënie të deformuar: e drejta është ajo çka i paguhet paguesit më të lartë! Një marrëdhënie që e ka provuar në kurriz dhe xhep pothuaj cilido qytetar shqiptar që ka vënë këmbët në gjykata.
Ka shanse të ndëshkohen gjykatësit? Shanset ekzistojnë vetëm nëse do të kuptohet realisht ajo që shpesh thuhet me hipokrizi: të korruptuarit nuk kanë parti politike, por i luten vetëm një shenjti, parave dhe vetëm nëse do të ketë vullnet të qartë politik për të luftuar korrupsionin. Kjo është një provë me peshë guri për shumicën e sotme, kjo do të jetë një gur prove për shumicën e nesërme, cilado qoftë. Sepse është verifikuar tashmë në këto 20 vjet: segmente të qenësishme të drejtësisë në Shqipëri nuk kanë qenë thjesht pushtet i katërt, por shërbyes i parë i shumicës që qeveris. Dje i të majtëve, sot i të djathtëve. Nesër? Mbetet të verifikohet!

Gjyqtarët, “Një në katër i korruptuar”

Të paktën këtë gjë e mendojnë vetë gjyqtarët për njëri-tjetrin. Një sondazh për gjyqësorin, i plotësuar nga vetë gjykatësit, jep të dhëna dramatike, për aq sa mund të jenë të sakta, për gjendjen në sistemin e drejtësisë.
45 gjykatës në një kampion prej 177 togash të zeza, e kanë shkruar me dorën e tyre një konstatim të tillë. Sondazhi i kryer nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë dhe Ambasada Britanike në Tiranë, u shtri në 14 gjykata të shkallës së parë në vend. Rreth 60 për qind e të pyeturve, e konsideruan korrupsionin në sistem thjesht si perceptim të publikut, ndërsa 18 për qind të gjykatësve, mendonin se sistemi nuk është i korruptuar apo me mungesë integriteti.
Dy shifra të tjera, ato që kanë të bëjnë me moshën e gjykatësve, përgjithësisht të rinj dhe shkollimin e tyre, e bëjnë situatën edhe më të rëndë e të projektuar edhe në të ardhmen si të tillë. Drejtësi në Shqipëri japin gjykatës në moshë të re, 38 për qind e tyre janë deri në moshën 40 vjeç, dhe mbi gjysma e tyre vijnë nga shkolla e magjistraturës.
Që do të thotë, se edhe të rinjtë, edhe gjykatësit më të kualifikuar në vend, janë pre e korrupsionit.

Një e treta e gjithë gjykatësve pranuan se në vendimet e tyre kanë ndërhyrë faktorë të jashtëm. Nga pushteti, deputetë, zyrtarë të pushtetit qendror e lokal, zyrtarë të presidencës e avokatë.
Kjo shifër shkon në 40 për qind tek ata që kanë pranuar se u është afruar ofertë për ndikim nga persona të tjerë. E meqënëse në Shqipëri, është kthyer në rit pagesa e rryshfetit, edhe vetë gjykatësit pranuan se ata kanë paguar një të tillë. Një e treta e tyre, për ironi të fatit, kanë paguar para për shërbimin mjekësor dhe shërbime publike.

Por qershia mbi tortë mbetet raporti që gjykatësit kanë me pagën e tyre. 72 për qind e tyre janë të kënaqur ta shtyjnë muajin me vetëm 600 euro rrogë dhe vetëm 7 për qind, e konsiderojnë të ulët këtë pagesë.
Ka qenë një anekdodë e vjetër që tregohej gjithmonë me sukses në Tiranë për doganierin e çuditur kur mësoi se për punën që kryente, edhe paguhej në bordero. Dhe ky i gjykatësve dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, është pikërisht ky rast anekdotik. Japin drejtësi në këmbim të rrogës që marrin në bordero, por jetojnë si biznesmenë që nuk i prek kurrë kriza ekonomike.
Madje edhe pa paguar taksa. Të paktën deri më tani.

Ndoshta tani ka ardhur koha që edhe ata të paguajnë.
 
Titulli: Kontroll në xhepat e gjykatësve

Llalla u betua siç e do "zakoni" per luften kunder krimit nga ana Prokurorise dhe zbardhjen e dosjeve qe kan zen pluhur dhe une s'kam par asnje ndryshim qe kur ka marr "çelsat" e zyres se Kryeprokurorise.
Kemi Gjykatesa qe japin vendime e gjykime te paprecedente si ai i 21 Janarit apo i Gerdecit. Mos te flasim per proçeset e Dajtit qe i paguajn qytetaret.

Per Kryeprokurorin tashme mund te shprehemi qe esht i kapur per " fyti" nga njerzit e Politikes,dhe kur ky Istitucion nuk esht i Pavarur kemi te bejm me mungesen e pilastrit kryesor te Demokracise!
 
Back
Top