Karburantët nëpër pallate, duhet një ligj që t’i ndalojë

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Laura Stefa

karburant1.jpg


Ndalohet pirja e duhanit, ndërsa celulari duhet të fiket. Ky është një prej lajmërimeve që pothuajse e gjen në çdo pikë të furnizimit me karburant, por pavarësisht kësaj duket se askush nuk e zbaton. E nëse pirja e duhanit është disi më e kontrolluar në këto raste, askush nuk e fik celularin vetëm se do të furnizojë makinën me karburant. Ndoshta askush nuk e merr me mend se kjo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja fatale, ndërsa fakti se këto pika të shitjes me pakicë ndodhen shumë afër qendrave të banuara apo shkollave e bën edhe më alarmante situatën. Në fakt, ato i gjen kudo, në çdo lagje, vend e pavend, kanë zënë edhe lulishtet nëpër oborret e pallateve, ka edhe pranë shkollave, por fuqia ligjore e ka të pamundur t’i ndalojë ato. Jo vetëm se mungon vullneti, por në pikë të parë sepse nuk ka një ligj apo akt normativ për t’i reduktuar apo seleksionuar, të paktën afër qendrave të banuara. Për t’i ndaluar nuk bëhet fjalë. Mjaftojnë një sërë dokumentesh për kushtet teknike, dhe gjithkush mund të marrë licencën e të ushtojë aktivitetin. Mjafton të ketë gjetur një vend për ta ngritur atë, ndërkohë që qytetarët janë të ekspozuar në çdo moment ndaj një rreziku shpërthimi, por jo vetëm. Prania e tyre shkakton edhe dëme me efekte afatmesme, të cilat në ditët e përditshme nuk vihen re, por që në formë sistematike dëmtojnë shëndetin e personave përreth.

Rreziku
Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, pikat e karburantit ofrojnë tre produkte: naftën, benzinën dhe gazin e lëngshëm, ndërkohë që në mënyrë të paevitueshme në kohën e mbushjeve të serbatorëve të makinës në rastin e benzinës ka çlirime avujsh që përmbajnë benzen, ksilen, etil benzeni, etj. Ata shpjegojnë se të gjitha këto gazra përmbajnë fluror, i cili me rritjen e temperaturës së ambientit ka një shkallë avullimi më të lartë. Sipas tyre, nëse përmbajta e tyre në ajrin e mikroambientit në këto momente, arrin në një kufi të caktuar përzierje, shkëndija më e vogël jep shpërthim. Gjithashtu, rrezatimi i celularit në këto pika mund të shkaktojë zjarr. Kjo duhet të nxitë nevojën që të paktën në pikat e karburanteve që ndodhen nëpër lagje, të fiket celulari.

Shëndeti
Rritje e sëmundshmërisë tek pleqtë dhe fëmijët si dhe rënie e imunitetit. Këto janë disa nga pasojat që shkakton në shëndet prania e pikave të karburanteve pranë zonave të banuara. Kryesisht problemet janë tek rrugët e frymëmarrjes dhe zemra. Kjo, pasi lënda e grimcuar kalon nëpërmjet mushkërive të njeriut, duke shkaktuar kancer apo zvogëlim të përhershëm të kapacitetit të mushkërive. Sërish këto pasoja të rënda në shëndetin e njeriut të bëjnë të reflektosh mbi nevojën emergjente për një ligj që të përcaktojë me detaje se ku dhe si duhet të ngrihen këto pika.

Ligji
Në fakt ligji Nr.8450, i datës 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre” është kujdesur në detaje për të sanksionuar mënyrën e furnizimit të pikave të karburantit të shitjes me pakicë. Në asnjë rresht të tij nuk gjen qoftë edhe një saktësim të vogël për ndërtimin e tyre. Ndoshta i vetmi nen që mbron qytetarët është detyrimi për ekspozimin e cilësisë së karburanteve, që gjithsesi nuk i mbron ata nga dëmet që shkaktohen në shëndet. Pozitiv është fakti se parashikohen një sërë gjobash për kushtet teknike, të cilat nëse nuk zbatohen ndëshkohen, të paktën në letër. Kjo “detyron” pronarët e këtyre pikave të ruajnë disa standarde të nevojshme për të evituar rreziqet e mëvonshme për pikat e shitjes me pakicë të karburanteve. Gjobat variojnë nga 50 000 lekë deri në 100000 lekë, por kanë të bëjnë gjithmonë për kushtet, jo me pozicionimin e tyre. Sipas Inspektoriatit Qendror Teknik, kushtet janë përmirësuar, e megjithatë janë kapur një sërë shkeljesh, ndërsa janë pezulluar 58 licenca për shkak se nuk plotësoheshin kushtet teknike. Të dhënat flasin se situata është e papranueshme. Sidomos po të kemi parasysh se Shqipëria nuk është një nga ato vende që zbaton me përpikëri ligjin. Ndoshta është momenti, duke konsideruar edhe ndërrimin e pushteteve, për rishikimin e këtij ligji. Politikanët e sapoardhur duhet të reflektojnë më tepër për këtë rrezik dhe duhet të bëjnë menjëherë ndryshimet e nevojshme. Këto pika duhet të hiqen nga zonat e banuara dhe shkollat, ndërsa duhet të ndalohet ndërtimi i mëtejshëm i tyre. Ka ardhur koha, që në Shqipëri ato të shihen vetëm nëpër daljet e qyteteve, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet perëndimore.
Gazeta Fenix
 
Back
Top