Jetët tona në shitje: Pse tregu s’duhet të ndërhyjë tek morali i një shoqërie

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues

Jetët tona në shitje: Pse tregu s’duhet të ndërhyjë tek morali i një shoqërie​

Nga Michael J.Sandel

“The Atlantic”


Ka disa gjëra që s’mund të blihen me para. Edhe pse sot kanë mbetur shumë pak të tilla.

Kjo pasi sot është në shitje pothuajse gjithçka. Le të marrim disa shembuj.

Një qeli moderne: 90 dollarë nata. Në Santa Ana, Kaliforni, dhe disa qytete të tjera në Shtetet e Bashkuara, kriminelët jo shumë të dhunshëm mund të paguajnë për një qeli të pastër dhe të qetë, ku nuk shqetësohen nga të burgosurit e tjerë.

Qasja në korsitë e rezervuara për shoferët që udhëtojnë vetëm: 8 dollarë. Mineapolisi, San Diego, Hjuston, Siatëll dhe qytete të tjera të Amerikës, janë përpjekur që ta reduktojnë trafikun duke lejuar udhëtarët e vetëm të kalojnë në korsitë e veçanta, ku tarifat ndryshojnë në bazë të trafikut.

Shërbimet e një nëne surrogate indiane: 8 mijë dollarë. Çiftet perëndimore që kërkojnë mitra me qira, po fokusohen gjithnjë e më shumë tek India, ku çmimet janë më pak sesa një e treta e atyre në SHBA.

E drejta për të emetuar 1 ton dioksid karboni në atmosferë: 10.5 dollarë. Bashkimi Evropian drejton aktualisht një treg të emetimeve të karbonit, që u jep mundësinë kompanive të blejnë dhe shesin të drejtën për të ndotur.

E drejta për të emigruar në Shtetet e Bashkuara: 500 mijë dollarë. Të huajt që investojnë 500.000 dollarë, dhe hapin të paktën 10 vende pune me kohë të plotë në një zonë me papunësi të lartë, kanë të drejtën të fitojnë të drejtën e banimit të përhershëm në SHBA.

Jo të gjithë mund t’i përballojnë këto gjëra. Por sot ka shumë mënyra të reja për të fituar para. Kështu, nëse keni nevojë të bëni para shtesë, ja ku janë disa alternativa origjinale:

Marrja me qira e ballit të dikujt për të shfaqur një reklamë komerciale:10 mijë dollarë.Në Utah, SHBA, një nënë beqare që kishte nevojë për para për të paguar studimet e të birit, mori 10.000 dollarë nga një kazino në internet, për të bërë tatuazh të përhershëm në ballin e saj adresën e internetit të kazinosë.

Të jesh një kavie njerëzore në testet e ilaçeve për një kompani farmaceutike:7500 dollarë. Pagesa mund të ndryshojë në varësi të invazivitetit të procedurave të përdorura për testimin e efekteve të barnave, dhe shqetësimin e shkaktuar prej tyre.

Angazhimi si mercenar në luftimet në Somali apo Afganistan për një kompani ushtarake private:deri në 1mijë dollarë në ditë. Paga ndryshon në bazë të kualifikimeve, përvojës dhe kombësisë.

Zënia e radhës për një natë në Kapitol Hill, për t’i mbajtur vendin një lobisti që dëshiron të marrë pjesë në një seancë dëgjimore në Kongres:15-20 dollarë në orë. Disa kompani e ofrojnë këtë shërbim, duke punësuar edhe njerëzit e pastrehë.

Lexoni një libër në këmbim të pagesës:2 dollarë. Për të promovuar leximin, shkollat paguajnë fëmijët për çdo libër që lexojnë.

Zgjedhje e qëllimshme

Ne jetojmë në një epokë, ku thuajse çdo gjë mund të blihet dhe shitet. Gjatë 3 dekadave të fundit, tregjet – dhe vlerat e tregut -e kanë sunduar jetën tonë si kurrë më parë. Por ne nuk arritëm në këtë gjendje përmes një zgjedhje të jo të qëllimshme, përkundrazi. Pas Luftës së Ftohtë, tregjet dhe teoritë e tregut gëzonin një prestigj të padiskutueshëm.

Asnjë sistem tjetër i organizimit të prodhimit dhe i shpërndarjes së mallrave, nuk është dëshmuar aq efektiv në krijimin e pasurisë dhe mirëqenies. Por, teksa një numër në rritje vendesh adoptuan mekanizmat e tregut për funksionimin e ekonomisë, po ndodhte diçka tjetër.

Vlerat e tregut, morën një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëri, dhe ekonomia u bë një domen perandorak. Sot logjika e blerjes dhe shitjes, nuk zbatohet më vetëm për të mirat materiale, por dikton jetën e njerëzve në tërësinë e saj, dhe në një masë gjithnjë e më të madhe.

Vitet para krizës së 2008-ës, ishin një epokë e ekzaltimit të besimit tek tregje dhe e lehtësimit të rregulloreve, një epokë e triumfalizmit të tregut. Kjo periudhë nisi në fillim të viteve 1980, kur Ronald Regan dhe Margaret Theçër shpallën besimin e tyre se tregjet, dhe jo qeveritë, mbanin në dorë çelësat e mirëqenies dhe lirisë.

Ky besim vazhdoi në vitet 1990 me mendimin liberal të Bill Klintonit dhe Toni Blerit. Por sot ky besim po lëkundet. Kriza ka ngjallur jo vetëm dyshime mbi aftësinë e tregjeve për tashpërndarë në mënyrë efikase rrezikun. Ajo ka krijuar perceptimin e përhapur të distancimit të tregjeve nga morali, dhe nevojën për t’i afruar ato në një farë mënyre.

Por nuk është e qartë se çfarë do të thotë e gjithë kjo, apo çfarë duhet të bëjmë. Disa argumentojnë se dobësia morale në zemër të triumfalizmit të tregut u shkaktua nga lakmia, e cila çoi në marrjen në sy të rreziqeve të mëdha.

Sipas këtij këndvështrimi, zgjidhja është të frenohet lakmia, të kërkohet më shumë integritet dhe llogaridhënie nga bankierët e Wall Street, dhe miratimi i rregullave të arsyeshme për të parandaluar përsëritjen e krizës së 2008-ës. Por kjo është në rastin më të mirë një diagnozë e pjesshme.

Është sigurisht e vërtetë që lakmia luajti një rol në krizë, por në lojë është diçka më e madhe . Ndryshimi më i madh i 30 viteve të fundit nuk ka qenë rritja e lakmisë, por shtrirja e tregjeve dhe e vlerave të tregut në sfera të jetës që tradicionalisht udhëhiqen nga norma të ndryshme.

Një shoqëri ku gjithçka është në shitje, duhet të na shqetësojë seriozisht për 2 arsye. E para ka të bëjë me pabarazinë, dhe tjetra me korrupsionin. Le të shqyrtojmë së pari pabarazinë. Në një shoqëri ku gjithçka është në shitje, jeta është më e vështirë për ata që zotërojnë mjete modeste.

Sa më shumë gjëra që mund të blejnë paratë, aq më shumë kanë rëndësi paratë (ose mungesa e tyre). Nëse avantazhi i vetëm i pasurisë do të ishte aftësia për të blerë jahte, makina sportive dhe pushime ekskluzive, pabarazitë e të ardhurave dhe pasurisë do të kishin më pak rëndësi se sa kanë sot.

Por ndërsa paratë blejnë gjithnjë e më shumë gjëra, shpërndarja e të ardhurave dhe e pasurisë po merr një rol shumë më të rëndësishëm. Arsyeja e dytë pse duhet të hezitojmë të nxjerrim gjithçka në shitje, është më komplekse. Problemi nuk qëndron tek pabarazia dhe barazia, por tek efektet gërryese të tregjeve.

Vendosja e një çmimi për gjërat që kanë rëndësi në jetë, mund t’i korruptojë ato. Pasi tregjet nuk shpërndajnë vetëm mallra, por shprehin dhe promovojnë qëndrime të caktuara ndaj mallrave që tregtohen. Kështu pagimi i fëmijëve për të lexuar libra, mund t’i motivojë ata të lexojnë më shumë, por ndërkohë mund t’i mësojë ata ta shohin leximin si një punë, dhe jo si një burim kënaqësie të brendshme.

Nga ana tjetër punësimi i mercenarëve të huaj për të zhvilluar luftërat tona, mund të shpëtojë jetën e qytetarëve tanë, por ndërkohë mund të komprometojë kuptimin e shtetësisë. Shpesh, ekonomistët supozojnë se tregjet janë inerte, domethënë se nuk kanë pasoja për mallrat që shkëmbejnë.

Por kjo nuk është e vërtetë. Tregjet lënë gjurmët e tyre. Vlerat e tregut, përjashtojnë ndonjëherë vlera të tjera që mund të ia vlen të merren parasysh. Shembulli më i dukshëm është njeriu. Skllavëria është e tmerrshme,pasi ajo i trajton njerëzit si një mall që shitet dhe blihet në një ankand. Ky trajtim, nuk i konsideron qeniet njerëzore si njerëz që meritojnë dinjitet dhe respekt, por si mjete fitimi dhe objekte që duhen përdorur. Kjo është e vërtetë edhe në raste të tjera.

Rëndësia e moralit

Debati i madh që i mungon sot politikës, është ai i rolit dhe shtrirjes së tregjeve. Duam një ekonomi tregu apo një shoqëri tregu? Çfarë roli duhet të luajnë tregjet në jetën publike dhe në marrëdhëniet personale? Si mund të vendosim se cilat mallra do të blihen dhe shiten, dhe cilat do të rregullohen nga vlera jo të tregut?

Në mënyrën e vet, logjika e tregut e zbraz jetën publike nga argumenti moral. Një pjesë e joshjes që kanë tregjet, është se ato nuk gjykojnë preferencat që kënaqin. Nëse dikush është i gatshëm të paguajë për seksin apo për një veshkë, dhe një i rritur e pranon këtë, pyetja evetme që bën ekonomisti është:”Me çfarë çmimi?”.

Tregjet nuk qortojnë, ato nuk bëjnë dallime midis preferencave të lavdërueshme dhe të neveritshme. Një debat mbi kufijtë moralë të tregjeve, mund të na lejojë si shoqëri, që të vendosim se ku janë dhe ku nuk duhet të jenë tregjet të dobishme për të mirën e përbashkët.
B:bota.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top