Homeri

CoNNecT

Administrator
Letërsia klasike greke fillon me dy poemat e mëdha epike, me "Iliadën" dhe "Odisenë" që bota antike mendonte se i ka krijuar Homeri, edhe pse për të nuk dinte pothuaj asgjë. Për shumë qytete greke është thënë se janë vendlindja e poetit. Duke u nisur nga veçoritë gjuhësore të poemave, shkenca ka pranuar si më të mundshëm Smirnën, qytet kolonial grek në Azinë e Vogël (Izmiri i sotëm në Turqi).
Për Homerin mendohet të ketë jetuar aty nga shekuli IX para erës së re. Babai i histografisë greke, Herodoti (shek. V p.e.r.) thotë se Hesiodi ka një mendim tjetër që sjell Homerin në shekullin VIII para erës së re. Në këngën VI të "Iliadës" poeti flet për rrëmbimin e Helenës nga Paridi. Në këngën V ku tregohen bëmat e heroit grek Domerdit, thuhet se ai "rroku një shkëmb të madh hata, dy burra që jetojnë sot prej vendit s'mund ta luajnë". Kjo dhe të tjera tregojnë se Homeri flet për kohë dhe ngjarje të hershme, të kënduara para tij, nga aedë dhe rapsodë, emrat historike të të cilëve kanë humbur në mjegullat e kohëve dhe shpesh janë veshur me petkun e fantazisë dhe të legjendës me këngët e tij magjepse kafshët e egra, ujërat i bënte të ndalonin rrjedhën e tyre dhe popullin ti shkonte pas. Në gurrën e pasur të këngëve të lashta të krijuara në shekuj, njomi buzët e saj muza e poetit, që me "Iliadën" dhe "Odisenë" i ngriti përmendore jo vetëm heroizmit, por edhe bukurisë së artit popullor, që humbi në errësirën e shekujve dhe u ringjall në këto dy poema.
Nuk ka asnjë dyshim se përpara Homerit ka gjalluar një letërsi e pasur gojore, me këngë e himne të ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bëmave të tyre. Për këtë flasin dy poemat e mëdha, vlerat e larta artistike të të cilave dëshmojnë qartë se ato janë jo fillimi, por mbarimi i përkryer i një proçesi të gjatë letrar, Përpunimin përfundimtar të "Iliadës" dhe "Odisesë" në gjendjen që i njohim sot, shumica e studiuesve e çojnë në shekujt VIII-VII. Për Homerin ka mendime të ndryshme si:
I vetmi krijues i dy poemave "Iliada" dhe "Odisea";
Një nga autorët e mundshëm midis shumë të tjerëve që kanë vënë dorë mbi to;
Njeri që nuk ka ekzistuar, por që ky emër ka mbetur simbol i poezisë epike etj. etj.
Të gjitha këto kanë krijuar atë që quhet çështje homerike që nis me shek. III p.e.r. e vazhdon deri në ditët tona.
Homeri i ngjan një mali të lartë, maja e të cilit vazhdon të jetë e mbushur me mjerull. Vendi ku janë krijuar poemat homerike është Joma; gjuha e tyre është dialekti jonian i
përzier me elemente të dialektit eolian dhe më pak të dialekteve të tjerë.
Në "Iliadën" dhe në "Odisenë", përveç shtresimeve gjuhësore ka edhe shtresime kohore,
që fillojnë nga periudha para qytetërimit të Mikenës dhe mbarojnë afërsisht në shekullin IX para erës së re. Kjo i ka shtyrë shumë studiues të mendojnë se në tekstin e poemave janë futur një numër i madh shtojcash nga rapsodë të veçantë, që kanë dashur tu përshtaten shijeve dhe gjendjes shpirtërore të dëgjuesëve të tyre. Ka shumë të ngjarë që rapsoditë ose këngët që kanë pasur në themel të tyre ciklin Trojan të gojëdhënave popullore të përpunuara nga shumë breza rapsodësh, të kenë shërbyer si bazë për hartimin e poemave homerike aty nga shekulli IX.
 
Iliada

Subjekti i dy poemave homerike "Iliada" dhe "Odisea" është nxjerrë nga cikli i legjendave heroike mbi luftën e Trojës, ndërmjet grekëve dhe trojanëve. Sipas gojëdhënës, princi Trojan Paridi rrëmben gruan e mbretit të Spartës, Menelau, Helenën e bukur (1). Për tu hakmarrë dhe për të larë këtë dhunë që iu bë njërit prej mbretërve të saj, u ngrit në këmbë tërë Greqia. Menelau dhe vëllai i tij Agamemnoni, mbret i Mikenës, mblodhen një ushtri të madhe nën komandën e përgjithshme të Agamemenonit. Për dhjetë vjet rresht qëndroi e nuk u dha Troja e rrethuar nga armiqtë. Vetëm me anën e dredhisë, të fshehur në kalin e drunjtë, luftëtarët grekë mundën më në fund të futeshin në qytet. Troja u dogj e u rrënua nga themelet, kurse Helena iu kthye të shoqit.
Këto ngjarje nuk përmenden në "Iliadë" jepen skena të veçanta vetëm Brenda 51 ditëve të fundit të luftës së gjatë dhjetëvjeçare rreth mureve të Trojës. Në qendër të poemës është zemërimi i Akilit, që është tërhequr nga lufta dhe qëndron i veçuar në shtatoren e tij, sepse Agamemnoni i ka rrëmbyer atij skllaven e bukur Brisedë që heroi e donte aq shumë. Kjo poemë e gjatë prej 15696 vargjesh, që në dy vargjet e para na fut menjëherë në temë:
Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit
Që shumë hidhrime e hobe akejve u solli…

Momenti i zemërimit është fillimi që end pëlhurën e gjerë të luftimeve të ashpra ndërmjet akejve dhe trojanëve dhe që përcakton fatin e tyre. Zeusi i thotë Tetidës, se trojanët do të fillojnë sa kohë që Akili, biri i saj do të qëndrojë i tërhequr nga fusha e luftës. Trojanet, të udhëhequr nga kryetrimi i tyre Hektori, zmbrapsin njëri pas tjetrit sulmet e akejve, të cilët gati sa si hedhin në det dhe su vënë zjarrin anijeve të tyre. Por sukseset e trojanëve në luftë nuk janë kaq të lehta. Në këngët e tjera të "Iliadës" tregohen heroizmat e prijësave akej si Diomedi, Ajaks Telamoni, Menelau, Odiseu etj. Gjithësesi kjo nuk e ndryshon rrjedhën e luftimeve.
Akili, i shqetësuar nga epërsia e trojanëve në fushën e luftës, pranon që miku i tij Patrokili të njgeshë armët e tij dhe të dalë t'u presë hovin trojanëve. Por s'shkon shumë dhe vritet nga Hektori. Akili pikëllohet nga humbja e mikut të tij më të dashur dhe si një re e zezë lëshohet dhe bën kërdinë në njësitë trojane. Ata që i shpëtojnë dorës së tij gjakatare, mbyllen Brenda mureve të kalasë. Vetëm Hektori mbetet tani përballë Akilit.
Njerëz e perëndi janë ngritur peshë e shikojnë teatrin e dylutimit që përfundon më në fund me vrasjen e Hektorit. Por ende Akili s'e ka shuar etjen e hakmarrjes, prandaj trupin e Hektorit të vrarë e lidh pas qerres së tij dhe e heq zvarrë egërsisht nëpër pluhur e baltë. Duke u shkaktuar kështu një pikëllim të thellë prindërve dhe luftëtarëve trojane.
Pas tërë këtyre ngjarjeve plot mizori e gjak, një notë thellësisht njerëzore do të përshkorjë tani këngën e XXIV, që i jep fund "Iliadës". Mbreti plak i Trojës, Pirami, vjen në shtatoren e Akilit dhe i lutet ti kthejë trupin e të birit. Akili preket nga lutjet e thekshme të plakut fatkeq, që qëndron i gjunjëzuar në këmbët e tij. E merr përdore, e ngre, dhe të dy së bashku qajnë për fatkeqësinë që iu bien njerëzve mbi krye nga zotat e pamëshirshëm.
Luftën e përgjakshme që bënë grekët për të plackitur Trojën aty nga fundi i shek. XII, fantasia e poetit e ka shndërruar në një luftë për tu hakmarrë e për të vënë në vend nderin e tyre të cënuar nga Paridi që rrëmbeu Helenën. U krijua kështu një dramë epike, e thurrur në vargje, që është dramë e fuqishme njerëzore, plot pasione; dashuri dhe urrejtje, gëzime e hidhërime, humbje e fitore.
Te Homeri cdo gjë kthehet në poezi, edhe kur ai u këndon luftimeve të përgjakshme, edhe kur i këndon ndarjes së dhimbshme të Hektorit nga e shoqja dhe i biri, kur vajton heronjtë e rënë në luftë ose kur përshkruan agimin me gishta trëndafili, natyrën e bukur ku poeti sheh madhështinë e mistershme të gjithësisë. Nuk është më Zeusi zot i saj, por poeti, vështrimit të të cilit nuk i shpëton asgjë, as hyjnitë në qiell, as njerëzit në tokë.
Homeri është poeti më i madh dhe i pari që thurri një tragjedi, - ka thënë filozofi i lashtë grek Platoni.
Poemat homerike janë ndërtuar me mjeshtëri të rrallë nga pikëpamja e thurrjes së ngjarjeve. Kompozicioni në "Iliadë" është i thjeshtë. Filli i tregimit ecën përpara dhe drejt. Ku më i shpejtë dhe ku më i ngadalësuar nga episode të dorës së dytë, që lidhen me episodin kryesor, me mërinë e Akilit. Kjo veçori e shtjellimit të ngjarjeve, që në stilistikë quhet vonesë, është karakteristikë e mënyrës epike të të treguarit.
"Iliada" është më e thjeshtë, ka me pak vonsa ose digresione se sa "Odisea". Kompozicioni i secilës poemë kushtëzohet nga përmbajtja e saj. "Odisea" ka një thurrje më interesante e më të koklavitur. Këtu veprimi fillon nga mesi, kurse për ngjarjet e mëparëshme njihemi nga tregimi i vetë Odiseut te mbreti Alkino i Feakëve.
Por talenti i madh i poetit duket, sidomos në krijimin e karaktereve, të cilët janë sa të shumtë, aq edhe të ndyrshëm nga njëri-tjetri.
Karakteret e personazheve që dalin më në pah në "Iliadë", janë të fuqishëm e si të derdhur në Bronx. Mbi të gjithë heronjtë, ngrihet si një piramidë e lartë dhe shquhet nga të tjerët për guxim dhe heroizëm, Akili. Edhe pse vdekja i qëndron vazhdimisht mbi krye ai nuk tutet, por lëshohet me vërtik si një shqiponjë dhe e mbyt në gjak fushën e përleshjes. Akili është ideali i epokës homerike.
Ky hero. Kaq i rreptë dhe gjakatar në luftë ka një zemër të ndjeshme e bujare. Ai qan si fëmjë kur shikon në këmbët e tij plakun Priam që i lutet ti kthejë trupin e të birit.
Midis luftëtarëve trojanë, Hektori është heroi që i përgjigjet më tepër Akilit për nga guximi e trimëria. Ai u prin trojanëve dhe hidhet aty ku rreziku është më i madh, i frymëzuar nga dashuria e pakufishme për atdheun. Si figur¨r letrare, Hektori është më i plotë se Akili, është personazhi me simpatik e më i dashur i "Iliadës". Në ndryshim nga Akili, Hektori është treguar në rrethana të ndryshme, në të cilat ai zbulon virtytet e tij të larta. Ai është jo vetëm trimi më i çartur ndërmjet të gjithë luftëtarëve trojanë, por edhe i matur, i përmbajtur e tepër njerëzor; baba i dhembshur dhe bashkëshort besnik e i dashur, mik i çiltër për shokët e fort i ndjeshëm ndaj halleve dhe fatkeqësive të të tjerëve, Në vajtimet e saj mbi trupin e heroit të vrarë nga dora mizore e Akilit, Helena shpreh ndjenjat më të bukura për të, dhe disa nga tiparet e tij si urtësinë e maturinë. Përkundrazi kur ndonjëri nga kunetërit, ose kunatat << … o e nderuara vjehërr/ mua më përbuztë ndër këto saraje/ … ti urtë e butë njerzishëm i qortoje…>>
Mbreti i Argosit dhe i Mikenës, Agamemnoni është tipi i sundimtarit kryeneç dhe despot, por edhe trim, si Menelau, Diomendi, Ajaksi e shumë luftëtarë të tjerë akej…
Paridi shkaktari i luftës së Trojës, është një djalosh i bukur mendjelehtë, "mashtrues grash", siç e quan i vëllai, Hektori. Ai është qitës i shquar me shigjetë, herë i guximshëm e herë frikacak.
Një vend të veçantë zënë në poemë figurat e grave, e sidomos Helena. Në vizatimin e saj, Homeri është treguar artist i madh dhe njohës i thellë i shpirtit njerëzor.
Helena është në poemë simbol i bukurisë së përsosur hyjnore. Dikur e rrëmbyer nga pasioni i dashurisë, tani e ndien veten fajtore ndaj dhe përjeton një dramë të rëndë në ndërgjegjjen e saj. Në një bisedë me të vjehrrin, plakun Priam, ajo i shpreh me dhembje pendimin që e bren.
Përveç kësaj , ajo e ndien se Paridi, për të cilin sakrifikoi cdo gjë dhe i përgjigjej idealit të saj, tregohet frikacak përballë Menelaut dhe Helena nis ta neveritë, por e plotfuqishmja Afërditë, hyjneshë e dashurisë, e hedh përsëri në krahët e tij.
Homeri nuk na e përshkruan drejtëpërsërdrejti bukurinë e Helenës, por na e jep vetëm efektin që shkakton ajo në shpirtin e atij që e sheh. Pleqtë trojanë, që rrinë dhe kundrojnë nga bedenat e kalasë së Trojës, kur panë Helenën që po vinte s'larku/ sa shpejt nën zë mes tyre zun' të thoshin:/ Nuk duhen sharë, për besë trojanë e akej,/ që për këtë grua hoqën aq mundime/ vite me radhë; me të vërtetë përqaset/ për bukuri me zonjat perëndesha.
Ndryshe nga Helena, Andromaka, gruaja e Hektorit, është mishërim i besnikërisë bashkëshortore. Nga faqet më të bukura e më prekëse të "Iliadës", ku tregohen virtytet e saj të larta morale si grua, nënë, bijë, janë skenat e ndarjes nga i shoqi, Hektori, dhe vajtimi plot dhembje e gjëmë mbi trupin e tij të vrarë.
Në galerinë e figurave të personazheve ka edhe shumë të tjerë që kanë rolin e tyre e të gjithë së bashku plotësojnë tablonë e gjerë të dramës së madhe që luhet rreth mureve të Trojës.
Një vend më vete zënë figurat e hyjnive, të cilat janë ndarë edhe ata në dy kampe. Ata lëvizin nga qielli në tokë dhe kryejnë veprime çudibërëse. Por forcë lëvizëse e ngjarjeve janë luftëtarët, të cilët me heroizimin e sakrificat e tyre përcaktojnë fatin e luftës. Mbi të gjithë hyjnitë e Olimpit qëndron Zeusi i plotfuqishëm. Ashtu si njerëzit edhe ata kanë sërën e tyre, disa qëndrojnë më lart, disa me ulët, Zeusin e nderojnë edhe e kanë frikë edhe njerëz edhe hyjni. Poeti, fuqinë e Zeusit e ka dhënë me vargje shumë të bukura.
Ai… vërenjti të zezat vetulla, e në kokë të pavdekshme leshrat hyjnore si dallgë iu lëkundën, të madhit mbret; sa u drodh i tërë Olimipi.
Homeri në poezinë e tij ka mundur të gërshetojë botën fantastike të hyjnive me botën reale njerzore, të mbinatyrëshmen me të natyrshmen. Cdo gjë në poemat homerike tingëllon e besueshme. Dhe kjo i bën ato vepra të një bukurie të rrallë dhe të një arti të fuqishëm realist.
Të njohura, sidomos në "Iliadë", janë similituadat dhe krahahsimet, të cilat për nga bukuria dhe forca e tyre, është bërë zakon të quhen "krahasime homerike". Stili epik i "Iliadës" përmes të cilit heronjtë, madje dhe sendet duhet të bëhen sa më të afërta e në të njëjtën kohë sa më monumentale, kërkon përdorimin e epiteteve të shumtë. Kështu Akili cilësohet hyjnori, këmbëshpejti, Atena sykaltra, Odise mendtaku, Menela zemëradhi, Hektor lavdimadhi, i ndritëshmi, Paridi mashtrues grash, Helenë krahëbardha. Herë mendjezeza, Prijam gojëmbli, Ares gjakatari; Eos (Agimi) gishtatrëndafili etj.
Për Zeusin, që ka në duart e tij pushtetin mbi njerezit e perëndisë ka shumë epitete si shungullues, rrufehedhës, stuhishpërthyes; mizor, etj.
 
Titulli: Homeri

Iliada (kënga I)

Kënga I

Këtu poeti i drejtohet muzës së poezisë, të këndojë mërinë e Akilit, të cilin e ka fyer Agamemnoni, duke i marrë me përdhunë skllaven Briseide.

Këndo, hyjneshë, mërin e Akil Pelidit
që shumë hidhërime e kobe akejve u solli…

Në vargjet mëposhtëm shohim grindjen midis dy prijësave;

Ia priti atij kryeprijsi Agamemnoni:
"më kot po rrekesh, o Akil hyjnori,
ndonëse dinak, të më mashtrosh me profka,
nuk ma hedh dot, dhe as që do me bindesh .
Sa mirë t'ka ënda të mbash plaçkën tënde,
por nuk ke gajle se mbes unë pa timen,
dhe me urdhëruake të heq dorë prej sajë.
Mirë pra, por danajt (2) zemërgjerë do m'japin
një tjetër vashë, pas qejfit do t'ma zgjedhin,
e asaj që kam të mos i lejë gjë mangut.
E po s'ma dhanë, do t'ia rrëmbej me dhunë
vashën Ajaksit ose Laertiadit,
ja madje tënden. Të pëlcasë nga inati
cilidoqoftë, kur në shtator t'i futem.
Mjaft kaq, për këtë tjetër herë do flasim.

Nga fjalët që akili i thotë më poshtë Agamemnonit, kuptohet qartë se lufta bëhet për plaçkë e grabitje:

Zymtë e shikoi Akil këmbëshpejti e i foli:
"o dhelpërak, me paturpësi i mbuluar,
po kush nga akejt është gati që t'u bindet
urdhërave të tu, e luan për ty nga vendi,
o rrëmben armët të luftojnë me burra?
Këtu s'kam ardhur të luftoj pse urreva
trimat trojanë, pse faj ata s'më kishin,
as kuaj, asgjë ata kurrë s'na grabitën,
e askurrë nga Ftia (3), me banorë e dendur
e tokë pjellore, drithë nuk na plaçkitën,
se ne me ta kemi ndërmjet shumë male
veshur me pyje e detin shungullues.
Por t'erdhëm pas, o faqezi pa cipë
për t'mirën tënde, që në vend të çonim
nderin e Atridit Menela ndër teukër,
gjithnjë për ty, o turiqen, por t'gjitha
këto ti i shkel dhe i përbuz me urrejtje,
dhe më kanosesh të më heqësh dore
frytin e djersës derdhur ndër beteja,
t'vetmin shërbim që më dhuruan akejt.
Sa herë që akej dërrmojnë qytete teukër (4),
unë kurrë nuk marr baras me ty fitime,
sido që barra e kësaj lufte t'egër
krahëve të mi më fort se askujt u bie.
E kur mes nesh ne bëjmë ndarjen e plaçkave,
ty të përket më e madhja e mua më e vogla,
po prapseprapë unë kthehem i kënaqur
tek anijet, i lodhur prej luftimit

Kënga II

Agamemnoni, para se të fillojë luftën kundër trojanëve, kërkon të njohë gjendjen shpirtërore të luftëtarëve:

Nëntë vjet të Zeusit (5) tani shkuan e vanë,
n'anije tona s'mbet dërrasë pa u kalbur,
litar pa u grirë, e ndërkaq nuset tona,
fëmijët e mitur, rrinë duke na pritur
në vatrat tona, e kurrë në krye s'po i dalim
synimit tonë që gjer këtu na solli.
Ngrehuni t'gjithë e fjalës sime bindjuni,
t'ikim me anije n'atdheun tonë të dashur,
trojën vigane kurrë nuk do ta mposhtim".
Si foli ashtu, të gjithë u prekën n'zemër,
parzmat u rrëqethën, kur dëgjuan vendimin:
u lëkund mbledhja si të largtat dallgë
në det t'ikarjes, kur Veriu e Juga
me retë e Zeusit çohen peshë furishëm.
si atëherë kur rrëmbimthi suferina
fryn mbi arnajat mbjellur me të lashta,
kallinjtë e artë me kokë përposh rrëzohen,
ashtu në mbledhje u lëkund moria,
me ulërima u turrën drejt anijeve,
e nën këmbë pluhuri u ngrit mbi log si reja.
N'anije u kapnë duke nxituar shokët e fill u vunë në det për t'i lëshuar
pastruan shtrezet, e përposh anijeve
hoqën mbështetëset; gjer në qiell ushtonte
vigma e atyre që n'atdhe po ktheheshin.

Në këto e sipër ndërhyn hyjnesha Hera, armike e betuar e janëve.

Dhe ajo ditë - kundër vendimit t'afatit-
do t'kishte ardhur për danjatë të ktheheshin,
sikur Athinës mos t'i fliste Hera;
"bijtë e pamposhtëm e Zeusit të stuhishëm,
qysh drejt shtëpive e trojeve të tyre,
ikin akejt për shpinë të detit t'gjerë?
Si po ia lemë Priamit e trojëve
lavdinë e Helenës, për hir të së cilës
larg mëmëdheut mijëra të rinj argejas
në fushë të Trojës jetën dhanë? Cfarë pret,
zbrit fill te danajt me parzmake çeliku,
me fjalë lutuese zbute gjithsecilin,
dhe asnjë barkë me kiç e bash sqepkrrufe
mos e lejo të rrahë shtigjet e detit"
foli, e sykaltra fjalën dysh s'ia bëri,
vetimë u dergj prej kreshtave t'Olimpit (6)
ia behu vrik te anijet e vrullshme akeje.
Në këmbë të shtangur Odiseun e gjeti,
atë burrë dinak e t'urtë si Zeusi i egër.
Për varkë të tij të murme me shumë rrema
s'kish gajle fare, por ia ngrinte zemrën
një brengë e rëndë, e pranë duke iu qasur,
atij i foli Athina sykaltra;
"laertid hyjnori, Odise dinaku,
kështu pa nder n'atdheun tuaj po ktheheni?
Qysh po ia lini Piramit dhe trojëve
lavdinë e Helenës, për hir të së cilës
në fushë të Trojës mijëra akej dhanë jetën
larg mëmëdheut, e tash të shkojnë gjakhupës?
Pra, ngrehu e rend mes turmave akeje
as mos ngurro, me fjalë mikluese zbuti,
ushtarët ndali, e mos i lër të hedhin
asnjë anije përmbi valë të detit".

Odiseu, me të dëgjuar këto fjalë, i sulmon luftëtarët me të shara e kërcënime, derisa i detyron të kthehen:


Kur shihte kënd nga turma e britur,
i vinte pas, me skepëter e godiste
rendte duke e sharë: - Mor torro, mshoji vendit,
dhe bindju verbtas urdhrave të të tjerëve
që ke mbi vete, o burracak i ndyrë,
që s'vlen për luftë as për këshill një pare.
Mos vallë secili kërkon mbret të bëhet?
Nuk venë mbarë punët me shumë sundimtarë;
sundues të jetë një, mbret një, veç ai, të cilit
skeptrin e ligjet ia dha Zeusi i mençur".

Një skenë me shumë interes është ajo e luftëtarit Tersit, i cili ngre zërin e proteston kundër prijësave grekë që kërkojnë të grabitin e të pasurohen me anë të luftës.
……………………………..

Ndenjur të gjithë ndër vende t'veta u ulën,
e veç Tersiti llafazan gërthiste:
"përse ankohesh, o Atrid (7), na thuaj,
më tjetër ç'do? A si ke plot shatorret
me tunxh e vasha si perri të bukura,
që ne, akejt, më parë për ty i zgjdhim,
sa herë pushtojmë kështjella dhe qytete?
A mos lakmon edhe më ar, e mbase
pret këtu ndonjë teukër kuajshalues
të sjellë shpërblesë nga Ilioni (8) për të birin
zënë rob nga unë o nga një ake tjetër.
Apo lakmon grua të re prapë ndoshta
t'bësh dashuri me të në ndonjë qoshe,
qysh nuk ke turp si mbret me qafë të marrësh
për qejfin tënd djemat akej? Ju , o danaj,
qenki të ulët, të panderë, jo burra,
por gra të liga; drejt shtëpive tona
ti kthejmë anijet dhe këtë ta lëmë vetëm
këtu në Trojë të gëzojë pre e plaçka,
e ta provojë nëse atij armët tona
i vlejnë a jo. Tani ky edhe Akilit,
që është më trim, i bëri dhunë të poshtër,
i rrëmbeu vashën dhe e mban për vete.
…………………….
Kështu e shau Tersiti Agamemnonin.
fill para i doli Odise hyjnori,
zymtë e shikoi dhe fjalë të rënda i foli:
"tersit, mbyll gojën, llafazan i prapët,
ti i vetmi dashke të vesh në lojë mbretër.
E kush se, ti nga gjithë akejt që Atridëve
u erdhën pas te muret e Ilionit,
ti më frikaci. Ndaj, o gojëlëshuar,
ndyrë duke sharë mos u bjer ndesh sunduesve,
e mos fut spica për t'u ktyer n'atdhe.



Iliada (kënga III - V)

Duke filluar nga Kënga III fillojnë luftimet. Trojanët, të udhehequr nga Hektori, sulmojnë akejt. Këtu tregohet luftimi ndërmjet Menelaut dhe Paridit, i cili mezi shpëton nga vdekja.
Në këngën IV bëhet një armëpushim, të cilin e prish aleati i trojanëve, Pandari që plagos me shigjetë Menelaun.
Në këngën V tregohen heroizmat e Diomedit, i cili plagos heroin trojan Enean, dhe vret shumë trojanë.
Në këngën VI grekët kanë epërsi në luftë. Me interes është skena ku tregohet motivi i rinjohjes, i përhapur në poezinë gojore të shumë popujve: heroi ake Diomedi e ndërpet dyluftimin me kudërshtarin e tij Glaukun, kur merr vesh se etërit e tyre paskëshin qenë të lidhur me miqësi. Midis episodeve të tjera, në këtë këngë happen disa nga faqet më të bukura të "Iliadës", si ajo ku tregohet skena e ndarjes së Hektorit nga e shoqja,
Andromaka, dhe i biri, Astianaksi.

Iliada (kënga VI)

Kënga VI

ثshtë nga këngët më të bukura për nga fryma dramatike që e përshkon, nga lirizmi në shprehjen e ndjenjave të dashurisë bashkoshortore dhe në përgjithësi nga atmosfera e krijuar me mjeshtëri në pasqyrimin e një lumturie plot frikë e dhembje.
Helena e ndjen veten të penduar për gjiçka të kobshme që po ndodh në Trojë. Cmon lart Hektorin për virtytet e tij, për kujdesin dhe dhembsurinë që ai tregon ndaj saj:


E me fjalë t'ëmbla iu suall Helena:
"Kunat i mirë i mua të poshtrës bushtër
dhe të urryer. Oh! Atë ditë që nëna
posa me lindi të më kishte flakur
nga prehri i saj, duhia e rreptë e erës
të më përplaste pas shkëmbinjve a dallgët
e detit shungulluese të më përpinin,
sesa të ndodhin gjithë këto mynxyra.
Por meqë zotat kanë punë të liga
kështu i shestuan, unë të kisha t'paktën
një burrë më trim e që në shpirt të ndiente
turp e mëri si burrat. Ky s'ka zemër
as shpirt kreshnik e as që do të ketë në t'ardhmen,
e shpejt besoj se ka për ti larë gjynahet.
Por ti kunat, urdhëro në këtë fron ulu,
se ty më fort po ta ndrydh shpirtin brenga
për sherrin e mua bushtrës, e për fajin
e Lek Paridit, se të dyve Zeusi
këtë fat të zi na e preu (9), e turpi ynë
do të këndohet në brezinë e ardhshme."
Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi:
"Mos m'u lut t'ulem, moj Helenë fisnike,
nuk mund të rri dot, se po më digjet shpirti
me padurim t'u shkoj në ndihmë trojanve
shumë të brengosur për mungesën time.
Por tunde këtë (10), që të nxitojë dhe vetë
e të më zejë pa dalë jashtë prej qytetit,
unë po shkoj vrik deri në shtëpinë time,
me njerëzit t'piqem dhe me gruan e dashur,
e me voglushin, e nuk di a kthehem
ndër ta prapë gjallë,apo e shkrojtën zotat
nga duart e akejve shpejt të bie i vdekur".
kështu tha, e jashtë tarogzëtundësi doli,
e fluturim n'pallat të vet u ngjit.
Por nuk e gjeti Andromakë krahëbardhën,
së bashku me djalin e saj dhe mendeshën,
si drita e veshur në pirg kishte hipur,
ku duke qarë dhe rënkuar rrinte.
E kur Hektori shkretë shtëpinë e gjeti,
u ndal te pragu e pyeti shërbëtorët:
"O shërbëtorë, thomëni të drejtën,
ku do ketë shkuar Andromakë krahbardha,
që nga shtëpia paska dalë, tregomëni;
a mos ka vajtur ndër kunata t'hijshme,
apo n'faltore e Athinë Palladës (11),
atje ku zonjat Teukre kaçurrele
kërkojnë t'ia zbusin mërinë zonjës s'ndritur"?
…………………………………………….


Mbasi e ka kërkuar gjithandej, Hektori më në fund e gjen Andromakën, e cila

Lot duke derdhur iu qas burrit pranë,
për dore e kapi dhe i tha me emër:
"Gjithë ky guxim, o i shkretë, do të hajë kokën.
Si s'ke pak dhembje për tënd bir fërishte
e as për mua korbën, që pa ty së shpejti
do mbesë e ve, pse përmi ty mbarë danajt
do të vërsulen për ta shuar jetën.
Si t'rroj pa ty? Për mua më mirë do të ishte
t'hyj gjallë në dhè. Kur të vdesë ora jote,
asnjë shpresë jetën s'do ma ngrohë, veç brengat.
Babën s'e kam as zonjën nënë të ndritur,
të mjerin babë ma vrau Akil Hyjnori…
……………………………….

… Veç ti m'ke mbetur,
Hektor, veç ty të kam babë e nënë t'nderuar,
të kam vëlla e burrë në lule t'moshës,
prandaj, tani për mua që je gjithçka
rri këtu n'pirg, jetim mos e lër djalin
As mua të ve (12).
……………………………..

Ia priti i madhi Hektor tarogzëtundësi;
"Të rri këtu fort ma do zemra, o grua,
por mua turpi më zë nga trojanët
dhe gratë trojane hijerëndë të veshura,
ti dredhoj luftës e t'rri larg si i dobëti.
Jo, këtë gjë shpirti nuk ma do, pse u mësova
gjithnjë të jem kreshnik në krye të trojsve,
t'u prij në luftra për të mbrojtur babën
dhe lavdinë time. Pse mirë ma ndien zemra
do vijë një ditë Ilioni i shenjtë do shuhet
dhe Priami e kombi i tij në luftra i regjur.
Por unë nuk ndiej aq hidhërim për teukër,
as për Hekubën, as për mbret Priamin,
as për vëllezër, që burrërisht në pluhur
do bien të vrarë nga duart e gjakshme armik,
sa ndiej për ty kur një ake i ngjeshur
me parzmak tunxhi, ty me sy t'përlotur,
do të rrëmbejë mizori lirinë tënde.
Ndoshta në Arg (13) nën urdhra të një zonje
për të do bësh në avlimend pëlhurë,
do mbushësh ujë në gurrat e Meseidës
ja Hipërisë me detyrim, nga halli.
Kur ty t'përlotur një ditë do të shohin,
ndokush ka për të thënë: Je gruaja e Hektorit,
që ish kryetrimi i trojëve kuajshalues,
kur rreth Ilionit u bë lufta e gjakshme,
kështu dikur ka për të thënë ndokush;
ty më keq brengat do ta coptojne zemrën,
për t'ët shoq malli më fort do të shtohet,
pse robërinë veç ai ty do ta zbonte,
por mua më mirë nën dhè më mbuloftë mortja
se të ndiej klithmat e robërisë tënde…"
Si foli ashtu, Hektori lavdimadhi
duart i shtriu nga biri i vet, por foshnja
ktheu kokën prapa duke qarë e bërtitur,
e u kap për gjiri të mendeshë belhollës,
fatziu i trembur, duke parë të atin
veshur me tunxh dhe kreshtën krifëkali,
që i tundej tmerrshëm në majë të targozës,
buzëqeshi i ati e nëna e tij e ndritur.
Hektor kreshniku shpejt nga koka hoqi
kaskën vetuese dhe në tokë e uli,
dhe atëherë grykas loçkën e vet mori
e puthi ëmbël e ndër duar e tundi,
dhe iu lut Zeusit e hyjnive tjera;
"O ati Zeus, dhe zota tjerë, ju bëfshi
që edhe im bir të ndahet n'shenjë ndër teukër
si unë, e trim i fortë e i plotëfuqishëm
n'Ilion sundoftë, e kur nga lufta t'kthehet
ngarkuar me plaçka larë në gjak t'armikut
të thotë ndokush: "më trim se i ati doli!"
për të ngahera gëzoftë zemra e nënës",
si foli ashtu , në krahë të gruas së dashur
foshnjën e lëshoi: në gji plot erë të këndshme
e mori e ëma buzagaz mes lotëve,
sa kur e pa u ngashërye i shoqi,
ëmbël me dorë e përkëdheli e i foli:
"O e gjorë, për mua mos u pikëllo tepër,
se asnjeri kundër dëshireë s'fatit
s'më gremis mua në skëterrë, dhe askush,
si i dobti e i forti, nuk shpëton nga vdekja,
po e ka të shkruar që nga çasti i lindjes.
Por tani nisu në shtëpi dhe merru
me punët tua në pëlhurë e furkë,
dhe jepu e urdhër grave të shikojnë
punët e shtëpisë. Kurse punët e luftës
na i lini neve, burrave, që u lindëm
brenda n'Ilion, e mbi të gjithë mua të parit."
foli,e prej toke Hektor kreshniku mori
vetuesen kaskë me kreshtën krifëkali (14)
dhe e mira grua, u nis pa zë nga shpia,
e herë pas here e kthente kokën prapa
duke dënesë e derdhur lot si reja.
E fill arriti në pallat t'Hektorit,
dhe atje Brenda gjeti shërbëtoret,
menjëherë vajin ua coi peshë të gjithave,
dhe për së gjalli e vajtuan Hektorin,
pse nuk besonin t'kthehet prapë nga lufta,
t'u shpëtojë duarve dhe mërisë s'akejve.
 
Titulli: Iliada

Iliada (kënga VII - XXIV)


Në Këngën VII fitorja nis t'u buzëqeshë trojanëve, Ajaksi, me trimi pas Akilit, hyn në dyluftim me Hektorin, por i zë nata dhe dyluftimi ndërpritet.


Në Këngën VIII Zeusi ndihmon trojanët, të cilët u sjellin humbje të madhe akejve.


Në Këngën IX, Agamemnoni, duke parë humbjen e rëndë të ushtrisë së tij, e kupton gabimin ndaj Akilit, dhe dërgon një këshillë luftëtarësh me influencë për t'u pajtuar me të e për ta lutur të marrë pjesë në luftime kundrejt dhuratave shumë të çmuara. Por Akili nuk epet dhe dërgata e Agamemnonit kthehet pa asnjë përfundim.


Në Këngën X, natën shkojnë për zbulim në kampin e trojaneve, kthehen përsëri në kampin e tyre.


Në Këngën XI, Agamemnoni, i ndihmuar nga luftëtarë të tjerë kryen heroizma. Por trojanët i zmbrapsin me trimëri sulmet e grekëve. Agamemnoni, Diomedi, Odiseu e të tjerë plagosen dhe largohen nga fusha e luftës.


Në Këngën XII dhe XIII tregohen fitoret e trojanëve me Hektorin në krye, që i detyrojnë akejt të mbyllen në kampin e tyre dhe gati sa s'u vënë zjarrin anijeve akeje. Fshehurazi nga Zeusi, akejt i ndihmon hyu i detit. Poseidoni, një nga perënditë më të mëdhenj të Olimpit.


Në Këngën XIV, Hyjnesha Hera e magjeps të shoqin, Zeusin me hiret e saj dhe e vë në gjumë për t'u lënë dorë të lirë hyjnive të tjerë, të ndihmojnë akejt.


Në Këngën XV, Zeusi, mbasi zgjohet dhe kujtohet për lojën dinamike të Herës, i urdhëron të gjithë perënditë ta ndërpresin ndihmën dhënë akejve, çka u jep dorë trojanve të fitojnë epërsi.
Në Këngën XVI, Akili, i tronditur nga kjo situatë e dhembshme, e lejon mikun e tij të shtrenjtë, Patrokilin, të hyjë në luftime, pa i jep edhe armët e tij të mrekullueshme.


Në Këngën e XVII, trojanet, Patrokilin të ngjeshur me ato armë, e marrin për akilin dhe frikësohen. Kundër tij hyn në luftë Hektori dhe dyluftimi mbaron me vrasjen e Patroklit.


Në Këngën XVIII Hektori i merr Patrokiit mburojën e Akilit, dhe rreh të marrë kufomën e tij, por atë e mbrojnë me trimëri akejt.


Në Këngën XIX tregohet se si Hefesti pas një dite pune, i bëri gati armët, të cilat ia çoi Akilit e ëma.


Në Këngën XX Akili, i pikëlluar nga vrasja e Patroklit, fymëzohet me një mëri të tërbuar ndaj Hektorit, dhe e shuan mërinë e parë. Hynë në luftë me armët e reja.


Në këngën XXI Akili bën kërdinë në radhët e trojanëve dhe kërkon Hektorin të hakmerret, por ky me këshillën e mbrojtësit të tij të flaktë, hyut Apollon, i shmanget luftimit me kryetrimin e akejve. Trojanët s'gjejnë vend ku të futen dhe tërhiqen per t'i shpëtuar vdekjes.


Në Këngën XXII Hektori i mbetur vetëm në fushën e luftës, hyn në dyluftim me Akilin, i cili e vret dhe zvarrit trupin e tij rreth mureve të Trojës.


Në Këngën XXIII përshkruhet varrimi me nderime të mëdha i Patroklit.
Kënga XXIV, një nga më të bukurat e "Iliadës", shpalos një botë të tërë ndjenjash dhe emocionesh. Priami plak i lutet Akilit, t'i kthejë trupin e të birit, Hektorit. Ai i prekur, pranon dhe u jep kohë trojanëve ta varrosin trimin e tyre me nderimet që i takojnë.
 
Titulli: Iliada

Iliada (kënga XXII)

Këtu është pika më kulmore e herozimit të Akilit dhe Hektorit në dyluftim me njëri - tjetrin. Vetë perënditë zbresin dhe përzihen në teatrin e luftës.


E, kur dy burrat ballë për ballë u sulën,
i pari i madhi Hektor tarogzëtundësi
nisi dhe foli: "Më, o Akil, s'do t'iki,
siç ika parthi, kur tri herë përqark
i rashë qytetit madhështor të Priamit,
e as guxova turrin tënd ta prisja.
Tani ballë teje s'më veton më syri,
ja do të vras, ja shpirtin ma ke shkulur.
por ne më parë të bëjmë një bè, o zotat
dorzanë besnikë tani dëshmues t'i thërresim,
të ruajmë këtë besë qe në po vemë mes nesh.
në qoftë se Zeusi do më japë fitoren
e unë ty shpirtin do ta marr, betohem
ty përdhunisht s'do ta shëmtoj kufomën:
armët e ndjera do t'i zhvesh prej shtatit
dhe trupin tënd do t'ua kthej akejve.
Por që edhe ti keshtu do bësh, m'jep fjalën".
Zymtë e shikoi Akil këmbëshpejti e i foli:
"Hektor i urryer, mos më fol për kushte,
pse besë nuk lidh luani me njeriun,
as ujku e qengji nuk bëjnë paqe mes tyre,
po i sajojnë kobe gjithnjë njeri - tjetrit.
Kështu ne të dy kurrë miq nuk do të bëhemi,
as njeri - tjetrit besë nuk do t'i japim,
pa rënë vdekur njëri prej të dyve
me gjak të vet të ngopë mizorin Ares.
…………………………..
Kështu ai foli e, duke vringëlluar
ushtë hijegjatën, kundër tij e flaku"
dhe Hektori i nditur, që sytë nuk ia ndante,
e lakoi trupin dhe mezdraku (15) tunxhi
i kaloi sipër dhe në tokë u ngul.
Tinëz Hektorit, vrik Athinë Pallada
prej toke e ngriti e ia dorzoi Akilit,
"T'shkoi huq, Akil, - ia pret kreshniku i Trojës, -
pra, riskun tim ende ty Zeus Kronioni
zbuluar s'ta paska siç më the përpara.
Këto s'janë tjetër veç dredhi e profka
që ti përdor veç me qëllim t'më trembësh
të le në harresë trimërinë e forcën.
Mua, duke ikur, s'më sheh dot dhe heshtën
s'ma ngul pas shpine. Rrasma, pra, po munde,
drejt n'kraharor dhe do ta pres si burrat
tani dredhoi heshtës sime tunxhi,
e thënçin zotat krejt në trup ta marrësh,
se më e lehtë lufta për trojanë do bëhej;
në vrafsha ty, që je më i madhi kob (16)".
Kështu ai foli e, duke vringëlluar
ushtën hijegjatën, gabimisht s'e hodhi,
në mes ia ngjithi shqytin te Pelidit,
por patërshanën larg e prapsoi shqyti.
U shtang Hektori prej mërisë e tmerrit,
e u drodh kur heshta huq i shkau nga dora,
pse tjetër shtizë prej frashëri nuk kishte.
…………………………
"Medet ja zotat tani më thërresin
ndër thonjtë të vdekjes…
………………………….
Mortjen e zezë nuk e kemi larg, po qaset
dhe s'kam shpëtim. Shumë kohë e shpirt me deshën
Zeusi dhe i biri Feb largshigjetuesi
dhe dikur, besa, gjithnje zot më dilnin.
Tash ora e zezë të ma marrë shpirtin erdhi,
por unë pa luftë e pa lavdi nuk vritem,
dhe do të kryej një punë të denjë kreshnike,
që brez pas brezi, ta kujtojnë njerëzia".
Si foli ashtu, pallën si arëza e nxori,
që e madhe, e rëndë në rrip të mezit varej.
kular kukzuar iu vërvit Akilit
*Porsi shqiponja që prej t'eprash maja
zbret në lëndinë thikë permes resh të zeza,
për të rrëmbyer ndonjë lepur t'frikshëm
a qengj të njomë. Ashtu u turr Hektori,
duke lëkundur t'mprehtën pallë si arëza,
Po atij rrëmbyeshëm iu vërvit dhe Akili,
që zema i digjej nga tërbim i egër,
gjoksin përpara ia mbulonte shqyti
mjeshtërisht punuar, dhe valë-valë i dukej
kaska vëtuese katër rrathësh tunxhi
me katër kreshta ari vezulluese,
që në majë pranë e pranë vendosi Hefesti.
si yll i mbrëmjes që shkëlqen më i bukuri
në mes të natës ndër yjet e qiellit,
ashtu vetonte maja e heshtës tunxhi,
që dora e fortë e Akilit vringëllonte,
duke shartuar zi për Hektor divin,
dhe hulumbtonte trupin e tij t'hijshëm
ku mund t'ia hapte plagën vdekjeprurëse.
Armët e bukura tunxhi, që Priamidi (17)
ia kish rrëmbyer kurmit të Patroklit,
kur përdhunisht këtij ia shkuli shpiritn,
shtatin vigan ia mbronin përveç grykës,
ku ndahej qafa me të gjërat shpatulla,
e ku më hollë se askund është filli i jetës
mu aty Akili heshtën krejt ia rrasi,
e n'zverk pas qafe i doli maja e heshtës.
Arma mizore tejzaat ia këputi
përveç skërfyellit, dhe ende i mbeti
një fije zëri sa t'i fliste Akilit.
Gjunjët iu shkrehën dhe u plandos në pluhur.


Prekëse e plot ndjenja njerëzore është lutja e Hektorit për t'ia kthyer trupin babait të tij dhe nënës, por Akili shfryn egërsisht mërinë e tij.

Duke dhënë shpirt Hektor kreshniku i foli:
"Pashë jetën tënde, t'lëshoj bè e t'lutem,
pashë këta gjunjë e prindët që të linden,
mos ma lër trupin pranë galeve akeje
ta coptojnë larot, por prano shpërblesat
që baba im e zonja nëna ime
me ar e tuxh sa t'lypësh do të japin,
po kurmin tim prapë kthema në shtëpi,
që me nderime përmbi stivë të zjarrit
të djegin teukrët bashkë me nusen teukre".
Zymtë e shikoi Akil këmbëshpejti e tha:
"Mos me qit bè, qen i paftyrë, për prindër,
as për këta gjunjë që po m'i rrok. Përkundra,
ngaqë m'ke ndezur me tërbim e urrejtje,
të ngopur s'kam me çark të ta grij mishin
e të ha gjallë për kobe që m'punove,
………………………………
Me shpirt ndër dhëmbë, ia priti Hektor kreshniku
"Mirë po të njoh tani që t'shoh nga afër,
dhe bindja ime nuk më ka mashturar,
pse si fytyrën, mizor paske shpirtin.
Por ta dish mirë që zotat një ditë gjakun
do të ma marrin, kur Paridi e Apoli
ty përdhunisht kanë për ta shkulur shpirtin
te Portat Skee, ndonëse je trim i çartur".
Dhe , duke folur, e mbështolli vdekja,
e prej gjymtyrëve, pasi i doli shpirti,
fluturoi nga Hadi duke qarë me dhimbje
fatin e zi dhe burrërinë që humbi
në lule t'motit. Dhe Akil hyjnori
atij i foli tashmë për së vdekuri:
"Vdis ti njëherë, pa unë do ta pres mortjen,
kur ta çojë Zeusi e zotat e pavdekshëm".
Tërbimi i Akilit ende nuk është shuar. Ai e lidh kufomën e Hektorit pas qerres së tij dhe e zvarrit në pluhur e baltë duke e dhunuar dhe përçudnuar mizorisht.
Këtu Akili është më pak madhështor dhe më pak fisnik nga ç'ishte kur mungesa e tij në luftime i bënte trojanët të shpalosnin tërë trimërinë e tyre. Në mërinë dhe urrejtjen e tij ai nuk njeh kufi, as edhe ligjet e shenjta të vdekjes.Në ndryshim nga ai, figura tragjike e Hektorit që po jep shpirt dhe lutet, rritet në sytë tanë dhe bëhet ku e ku më e dashur, ashtu e mbështjellë me nderimin dhe dhembjen e të gjithëve




Iliada (kënga XXIV)
Kënga XXIV


Në këtë këngë një atmosferë thellësisht njerëzore krijon shqetësim ndërmjet perëndive dhe veçanërisht te njerëzit më të dashur të Hektorit të vrarë, për fatin e tij të mëtejshëm.
Kënga me vajet dhe fillimin na njeh me mbarimin e cremonive që u bënë për varrimin e Patroklit dhe me gjendjen e rëndë psikologjike të Akilit, të cilit s'i hiqet nga mendja vdekja e mikut të tij.


………………………….
kur i kujtohej, rrëke i rridhnin lotët,
Vendi s'e zinte dhe herë në brinjë sillej,
herë në brinjë tjetër, tash përmbys, tash prapët.
pastaj flakrim në këmbë prej shtatit ngrihej
e gjatë bregdetit endej si i shkalluar.
e, posa shkrepte drita e parë e Agimit
mbi valë e brigje, kuajt e shpejtë i mprehtë,
e prapa qerrit lidhte Hektor Priamidin,
dhe zvarrë e hiqte tri herë rreth muranës
se Menetiadit (18). Pastaj kthehej rishtas
brenda në çadër për të prehur shtatin,
duke lënë t'vrarin shtrirë me fytyrë n'pluhur.

Zeusi, i pezmatuar nga kjo pamje e dhembshme, dërgon Tetidën (19), tek i biri, Akili, t'i thotë t'i kthejë Priamit trupin e të birit. Po në këtë kohë niset dhe Priami dhe shkon tek Akili, të cilin mundohet ta zbutë duke i kujtuar të atin.
1) Sipas legjendës, në një dasme hyjnish, hyjnesha e grindjes nga zemërimi që nuk e kishin ftuar, hodhi në mes të dasmës një mollë të artë me mbishkrimin "Më të bukurës". Nisi sherri midis tri hyjneshave; Afërditës, Herës e Atenës, për të ndarë se kujt i takonte molla. Për të zgjidhur grindjen, ato iu drejtuan princit Trojan, Paridit, i cili i joshur nga premtimi i Afërditës se do t'i jepte gruan më të bukur në botë, Helenën, ia dha mollen Afërditës. Këndej ka mbetur shprehja "molla e sherrit".
 
Titulli: Iliada

Shpjegimet e numrave ne kllapa (2). etc...



2) Danajt janë grekët. Danaj, akej, përdoren rëndom në poemë, për të shënuar grekët.


3) Vend në Greqi.


4) Teukrët janë trojanët.


5) Zeusi është kreu i gjithë hyjnive.


6) Mali i Olimpit, selia e perëndive.


7) Atrid, është biri i Atreut, pra, Agamemnoni.


8) Ilioni është Troja.


9) Helena mendon se ishte e thënë nga Zeusi që ajo dhe Paridi të binin në dashuri.


10) ثshtë fjala për Paridin, i cili i ka kthyer krahët luftës, sepse është i pushtuar nga pasioni i dashurisë.


11) Athinë - Pallada; një nga hyjneshat më të nderuara të Greqisë. Ishte mbrojtëse e qyteteve, e shkencës, e familjes, e besnikërisë bashkëshortore etj. Ajo mban gjithmonë anën e grekëve. Kujtoni legjendën e mollës së grindjes.
12) Andromaka, gruaja e Hektorit, është symbol i virtytit dhe i dashurisë bashkëshortore. Në fjalët e saj gati në të lutur ndjehet parandjenja e fatit të trishtuar që e pret. Pas vdekjes së Hektorit ajo u bë skllave e Neoptolemit, djalit të Akilit.


13) Arg - qytet në Peloponez

.
14) Kaskë që ka në majë lejle kali.


15) Maja e heshtës ose e ushtës.


16) Fatkeqësi: Hektori ishte kob për grekët.
*Shiko dy krahasimet në këto pesë vargje. Vini rè focën dhe bukurinë e tyre të përftuara nga fjalë të zgjedhura nga natyra e gjallë dhe dukuritë qiellore.


17) Priamidi - djali i Priamit, Hektori.


18) Biri i Menet-it, Patrokli.


19) Tetida, hyjneshë e detit, nëna e Akilit.


20) Ares ose Marsi, hyu i luftës.


21) Akili në rreth 70 vargje tregon historinë e fatit të Niobës, e cila kishte 6 djem e 6 vajza. Me që i mburrej Letos, e cila kishte vetëm dy fëmijë, Apollonin dhe Artemisën, këta i vrasin të 12 fëmijët e Niobës, të cilën Zeusi, nga mëshira e shndërroi në shkëmb, nga rrodhën lotët e saj në formën e një burimi.


22) Vajtojcat.
23) ثshtë për t'u vënë rè se një mënyrë e tillë vajtimi ka ekzistuar dhe në viset e Shqipërisë jugore. Të vdekurin e vajtonin vajtojcat profesioniste në kor, të cilat i shoqëronin pastaj gratë e shtëpisë.
 
[h=3]Mbi librin[/h]
"Odiseja" u krijua, ndoshta, rreth shekullit të tetë para Krishtit. Në 12110 vargjet e saj, ajo u tregon aventurat e rrezikshme të Odisesë (të quajtur Uliks në latinisht), hero grek dhe mbret i Itakës, në Greqinë Perëndimore. Pas rënies së Trojës, Odiseja detyrohet të endet për dhjetë vjet derisa kthehet në shtëpi te gruaja e tij, Penelopa, në Itakë.

Ndryshe nga "Iliada", ngjarjet e së cilës janë vendosur kryesisht në Trojë dhe tregohen me një narracion të drejtë, "Odiseja" ka shumë ndryshime të skenës dhe një subjekt kompleks. Skenat e saj variojnë nga Troja në Egjipt, në Arikën e Veriut, Peloponez, Itakë dhe Mesdheun Perëndimor.

Narracioni fillon, kronologjikisht, afër fundit të historisë, dhe ngjarjet e mëparshme shpalosen në poemë më vonë (njëlloj si në teknikën moderne të rikthimit). "Odiseja" është një nga historitë më të mëdha të të gjitha hohërave. Ka pasur një ndikim të fortë në letërsinë europiane të mëvonshme, veçanërisht në epikën e Rilindjes (shekulli i XIV - XVl).

Sipas skemës së Homerit për "Odisenë", u zhvillua një praktikë standarde e fillimit të një vepre epike me një ngjarje nga mesi ose fundi i historisë. Ngarjet e mëparshme tregohen më pas në një moment të përshtatshëm gjatë rrëfimit. Një ekzemplar i mrekullueshëm i shekullit të XX - të, me temë nga Odiseja, është romani "Uliksi" i shkrimtarit irlandez Xhejms Xhojsi.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top