Harry Martinson, shënime për vajzën pa emër

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Harry Martinson, shënime për vajzën pa emër

vajza.jpg


Dhjetë vjet më parë, para asaj të marte, ai dëgjonte rrëfimin e saj në një lokal të thjeshtë të Stokholmit. Duart e saj lëviznin lehtë fletët e librit, teksa i fliste për poezitë e tij. Kur askush nuk mund të besonte në blloqet e vogla të mbushura me shënime dhe vargje, të djaloshit që sapo kishte lënë jetën e tij deteve, ajo e shihte atë si një poet.

Shëtisnin bashkë rrugëve të ndriçuara të qytetit, duke folur për vargjet dhe librat e së ardhmes. Ai nuk mund ta prekte atë. Flokët e drejta të zeza që i binin nën qafë, as t’i lëvizte lehtë shallin. Bisedat e bënin aq të largët, sa Harry Martinson thjesht zhytej mbrëmjeve në ëndërrime.

Të nesërmen ndodhte e njëjta gjë. Takimet në barin e zhurmshëm, leximi i vargjeve dhe shëtitja nën dritën e hënës. Kjo, derisa një ditë ai nuk e pa më. Nuk e kërkoi i bindur se muret që ajo i kishte vendosur aq lehtë, ishin të vështira për t’u shembur nga një 20-vjeçar. Tashmë dhjetë vjet më vonë, ai pret me padurim ardhjen e saj.

Në apartament ka ndezur qirinj, ndërsa një dridhje e lehtë i ndihet nën lëkurë. Tashmë ai është një poet. Poezitë e tij lexohen kudo, dhe për të kritika suedeze ka nisur të shkruajë.

Ajo, silueta e së cilës i është orvatur shpesh mbi fletë, tashmë është shfaqur sërish në jetën e tij, ashtu e largët me fustanin e saj të zi. Qëndron e heshtur bri tij në divanin e madh, duke folur për ato çka lexuar, derisa duart e tij e prekin ndryshe, dhe u deshën pak, shumë pak, që gjithë ai mur i ndërtuar në vite, të humbte nën dritën e qirinjve.



burri.jpg


Ajo vinte çdo të martë. Bisedat për poezinë u shndërruan në një vallëzim modern trupash, i zhytur në heshtje, pasi ajo nuk mund të fliste më. Harry Martinson, një nga reformatorët më të rëndësishëm të poezisë suedeze të shekullit XX, të martave hedh një varg për vajzën pa emër në bllokun e tij.

Pavarësisht ku ajo është, ai vazhdon ta sjellë afër, përmes një rreshti si për të justifikuar pafuqinë e tij për ta mbajtur. E marta ishte dita më e bukur se të gjitha perëndimet që kishte parë nga bordi i anijes, që zhyteshin në det. Harry Martinson, lindi në Nyteboda, Blekinge më 6 maj, 1904.

Në moshë të vogël ai humbi të dy prindërit dhe u birësua nga një familje që jetonte në një fshat të Suedisë. Në moshën 16-vjeçare u arratis nga familja dhe do t’i kalonte disa vite duke udhëtuar në bordin e një anijeje, që ndalonte në Brazil apo Indi.

Disa vjet më vonë, problemet me mushkëritë e detyruan të vendosej në breg në Suedi, ku jetoi për disa kohë si endacak pa asnjë punë të qëndrueshme. Në moshën 21-vjeçare në qytetin e Malmos ai u arrestua si endacak. Në vitin 1929 ai do të debutonte për herë të parë si poet. Bashkë me Artur Lundkvist, Gustav Sandgren, Erik Asklund dhe Josef Kjellgren ata do të sillnin një frymë moderne në poezinë suedeze.

Poezia e Martinson ishte një përzierje mes ndjesive të natyrës dhe ato njerëzore. Martinson shkruante poezi si një tregim. Nëse lexoje vargjet e tij ishte sikur kishe para një gjendje të natyrës. Suksesi i tij do të vinte në vitin 1935 me botimin e autobiografisë “Lulëzimi i manaferrave”. Libri u përkthye në më shumë se 30 gjuhë. Gjatë gjithë jetës së tij, Harry shkroi kujtime.

Fëmijëria e vështirë, dhe rinia jo e lehtë e bënin atë të kujtonte pasazhe që e kishin vënë jo pak herë përballë situatave jo të lehta. Kishte takuar njerëz dhe kishte prekur ngjarje që nuk do të mund t’i shihte nëse do të kishte bërë një jetë normale, në kolegj apo universitet. Në vitin 1928-1940 ai martohet me gazetaren Moa Martinson. Ata u takuan në një darkë shtruar nga një revistë letrare.

Kur darka mbaroi ata i premtuan njëri-tjetrit se do të mbanin kontakte përmes letrave. Moa ishte e martuar dhe lidhja me Harryn do ta bënte të shoqin të vriste veten, pasi nuk donte ta humbte atë. Takimet e fshehta, udhëtimet nga një qytet në tjetrin për të parë njëri-tjetrin, do ta bënin Harryn t’i kushtonte një cikël të tërë poezish kësaj gruaje.

Lidhja me Martinson do ta shtynte Moan drejt shkrimit. Kështu nisi të shkruante tregimet e para që më pas do të ktheheshin në romane. Lidhja e tyre nisi krisjet e para pas problemeve nervore të Moas, pas një aborti. Harry nuk ia fali asnjëherë faktin që ajo ia mohoi të drejtën për të pasur një fëmijë. Pas ndarjes me Moan, ai u njoh me Ingrid Lindcrantz me të cilën lidhi kurorë në vitin 1942.

Nga kjo martesë ai pati dy vajza. Nga kjo martesë duket sikur më në fund poeti i deteve kishte gjetur paqen, dhe mund t’i përkushtohej vetëm të shkruarit. Një nga librat më të njohur të Martinson është “Aniara”, e cila përfshin 103 poezi që flasin për udhëtimin e një anije kozmike me 8000 njerëz që më parë shpëtuan nga një fatkeqësi bërthamore e cila shkatërroi Tokën.

Ndër veprat e tij të rëndësishme, ka edhe një tregim me temë udhëtimin, Lamtumirë Cape (1933), dhe romani Nisja (1948). Në vitin 1949 ai u zgjodh anëtar i Akademisë Suedeze dhe në vitin 1974 u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi, bashkë me poetin Eyvind Johnson, me motivacionin “për shkrimet e tij të cilat pasqyrojnë universin në një pikë vesë”. Marrja e këtij çmimi solli debate, pasi në atë vit kandidatët për të marrë këtë çmim ishin shkrimtarët Graham Greene, Saul Bellow dhe Vladimir Nabokov.

Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për poetin, të cilit i duhej të lexonte kritikat në shtyp, që shpesh i çonin në mendje dhe idenë e vetëvrasjes. Në vitin 2004, Suedia festoi 100-vjetorin e lindjes së poetit. Martinson ndërroi jetë më 11 shkurt 1978.

(gazeta-Shqip.com)
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top