Frika (e arsyeshme) e Izraelit dhe e hebrenjve

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Pierluigi Battista

A do të ndiheshit të qetë nëse kush është betuar se do ta asgjësojë vendin tuaj me bombë bërthamore do të merrte lejen për ta ndërtuar një të tillë, edhe pse dalëngadalë? Po sikur t’ju thoshin se jeni kundërshtues të tepruar, vetëm sepse kështu iu leverdis atyre që kanë premtuar se do t’ju fshinë herët a vonë nga hartat gjeografike?

Ja, kështu ndihet shteti i Izraelit: të fuqishmit e tokës po festojnë, ndërkohë që momenti i katastrofës po afrohet. Dhe madje ju thonë edhe se jeni të ekzagjeruar dhe paranojakë. E thonë ata që nisin të tmerrohen sapo shohin një flamur të ISIS-it të valëvitet me qindra kilometra larg.

Irani khomeinist, Irani i ajatollahëve dhe i mullahëve që janë në pushtet, e do armën përfundimtare për ta asgjësuar Izraelin dhe për t’i dëbuar hebrenjtë që e ndotin dhe e prishin tokën e shenjtë të islamit.

Nuk është një projekt i fshehtë, nuk është fryt i paranojës izraelite, i luftëndjellësve që shpikin armiq imagjinarë për të arritur qëllimet e tyre mizore: është një program i hapur, i shfaqur, i lëvduar, i argumentuar, i mbështetur nga një lexim fundamentalist dhe cinik i teksteve të shenjta.

Antihebraizmi është një tipar dallues i integralizmit që ka marrë pushtetin në Teheran, jo ndonjë shpikje propagandistike, apo ndonjë mburrje prej të fortësh. Ajo copëz mikroskopike toke që quhet shteti i Izraelit është obsesioni i shteteve gjigante që e rrethojnë Izraelin me një lumë armiqësish.

اështja palestineze nuk ka të bëjë fare. Asnjë vend arab nuk i ka ndihmuar palestinezët që ndërtonin një shtet autonom dhe të pavarur nga ’48-a në ’67-n sipas kufijve të përcaktuar nga OKB-ja, me një rezolutë të cilën Izraeli e pranoi, ndërsa vendet arabe e refuzuan.

Dhe Irani i revolucionit khomenist, që nuk është një vend arab, por që ka kontribuar fort për islamizimin e një konflikti që ka humbur tashmë çdo gjurmë nacionalizmi laik me qëllim pavarësinë dhe emancipimin e territoreve të pushtuara në ’67-n nga Izraeli, ka gjithnjë objektivin e ndërtimit të armës përfundimtare për ta fshirë “skandalin zionist” nga faqja e dheut. Komuniteti ndërkombëtar e ka pasur gjithnjë të qartë.

Ndaj dhe u vendosën sanksionet. Të gjithë e dinin se uraniumi i pasuruar i Iranit në duart e antisemitëve nuk kishte një qëllim paqësor. Të gjithë e dinin se centrifugat për ta bërë këtë fshiheshin për t’ua ndaluar blitzeve izraelite që të ndërhynin dhe pjesës tjetër të botës që të kontrollonte se çfarë po grumbullohej në zemër të maleve të paarritshme, të padukshme, të cilat mund t’i shpëtonin çdo inspektimi.

Sot po vendoset, me një marrëveshje që duhet të përsoset deri në qershor por që tashmë është përcaktuar qartë në kornizat e saj kryesore, se uraniumi i pasuruar i Iranit nuk do të ndalet, por vetëm do të frenohet. Do të zhbëhen vetëm ca impiante, do të ngadalësohen shumë ritmet, por nuk do t’i jepet fund programit bërthamor për qëllime luftarake.

I thanë Izraelit: atyre që duan të të shkatërrojnë me armën përfundimtare, u kemi vënë si kusht që t’i bëjnë gjërat dalëngadalë. Shkatërrimi nuk është shmangur, por vetëm sa është shtyrë për ca kohë. Ndërkohë, heqja e sanksioneve do të sjellë përfitime për shkëmbimet ekonomike ndërkombëtare. Izraeli të dorëzohet dhe të mos e pengojë këtë “marrëveshje paqeje” spektakolare.

Por ja që të fiksuar, kokëfortë, të pakënaqshëm, plangprishës, izraelitët e terrorizuar që votuan sërish për Netanjahun (si ka mundësi, mos janë çmendur gjë?), guxojnë madje të kenë edhe frikë. Por sikurse thonë ndjekësit e ekuilibrit të përkryer, kur e ka Izraeli, përse t’i ndalohet edhe Iranit të paturit e bombës bërthamore?

Vetëm se arma bërthamore në epokën e Luftës së Ftohtë qe një mesazh frenues, jo agresiv: shiko se po guxove ta përdorësh, përdorimi që do të bëjmë ne si raprezalje do t’iu shkërmoqë në çast. Ndërsa ajo e Iranit ka vetëm një mesazh agresiv: mos kemi treguar gjë se i druhemi vdekjes, ne që kemi dërguar kopshte me fëmijë për t’u vrarë gjatë luftës së ajatollahëve kundër Sadam Huseinit?

Nga ana tjetër, bomba e Izraelit është qartazi – as armiqtë më të përbetuar s’do mund ta mohonin – një mburojë mbrojtëse dhe me thënë të drejtën, është e vështirë të mendohet se ndokush në Jerusalem po projekton që ta kthejë Teheranin në një Hiroshimë të re. Ndërsa preteksti iranian për bombën bërthamore është një i tërë me projektin për ta asgjësuar Izraelin. E ka frikën Netanjahu që në Izrael kanë frikë?

Qeveria izraelite duhej të merrte pjesë në negociata me një shtet që nuk ka aspak ndër mend ta njohë Izraelin? Janë të gjithë kundërshtues të tepruar në Jerusalem? Madje pretendojnë edhe që t’iu njihet e drejta për të ekzistuar, këta ekstremistë./
Corriere della Sera
 
Back
Top