Franca përjeton përmbytje apokaliptike, 16 të vdekur

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Reshje të dendura shiu kanë goditur edhe rivierën franceze, në kufi me Italinë

permbytje-france_1.jpg


Stuhi të fuqishme dhe përmbytje kanë përfshirë juglindjen e Francës, duke lënë të paktën 16 persona të vdekur dhe tre të tjerë të zhdukur.

Ngjarja, sipas zyrtarëve francezë, vijon të jetë e rënduar që prej mbrëmjes së të shtunës. Tre të moshuar janë mbytur, kur shtëpia e tyre e azilit, pranë qytetit Antibes, u përmbyt nga vërshimet e ujit.
Disa të tjerë ndërruan jetë të bllokuar brenda makinave të tyre nëpër tunele dhe parkingjet e nëntokës, për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Presidenti francez, François Hollande, ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit dhe shprehu “solidaritetin e kombit me viktimat”. Së bashku me ministrin e Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ai ka vizituar rajonet e prekura prej përmbytjeve.
Reshje të dendura shiu kanë goditur edhe rivierën franceze, që shtrihet në brigjet e Mesdheut dhe kufizohet me Italinë, gjatë pasdites së të shtunës.
Qyteti i Nisës përllogaritet të ketë pasur 10% të mesatares vjetore të reshjeve të shiut vetëm gjatë dy ditëve të fundit. Lumi “Brague” doli nga shtrati, duke përmbytur me ujërat e tij dy fshatra fqinje dhe qytetet. Pamjet e publikuara nëpër mediat sociale tregojnë sasi të mëdha uji edhe nëpër rrugët e Kanës.
“Disa automjete kanë përfunduar në det”, tha kryebashkiaku Davis Lisnard. “Kemi shpëtuar shumë njerëz dhe duhet të mbetemi vigjilentë ndaj grabitjeve të mundshme.” “Kemi kaluar këto dy ditë një situatë apokaliptike, të cilën nuk e kishim përjetuar kurrë më parë”, shkruan në “Twitter”, Eric Ciotti, president i departamentit të Alpes-Maritimes.
Rreth 27 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Në Kanë, gjithashtu u përmbyt edhe stacioni i trenit, që shkaktoi ndërprerjen e transportit hekurudhor, ndërsa makinat notonin nëpër rrugët e përmbytura të qytetit. Parkingu i makinave të pallatit të festivaleve, ku mbahet çdo vit festivali i filmit, po ashtu u përmbyt. Vërshimet shkaktuan mbylljen e autostradës lokale dhe i lanë mijëra banorë pa energji elektrike.
Në Nice, një ndeshje e rëndësishme futbolli u la në mes, ndërsa qindra njerëz u bllokuan gjatë natës në një sallë koncertesh, pasi ndoqën koncertin e këngëtarit legjendar të rokut francez, Johnny Hallyday.
Përmbytjet janë bërë tashmë të përvitshme në kontinentin europian, por kryesisht kanë vuajtur pjesët qendrore të tij, duke prekur vende që lagen nga lumenj të tillë të rëndësishëm si Danubi, duke shkaktuar vazhdimisht dëme materiale, por këtë radhë përmbytjet në Francë kishin karakter tjetër dhe shkaktuan një numër viktimash të cilësuar të madh nga ekspertët, duke kursyer kritikat ndaj shërbimeve të emergjencave civile, për të mos sabotuar punën e tyre, e cila ka nevojë për solidaritet dhe mbështetje, sikurse theksoi Presidenti francez, Hollande.
G.shqip
 
Titulli: Franca përjeton përmbytje apokaliptike, 16 të vdekur

Pune e madhe, ne bote vdesin me mijra njerez ne lufte cdo dite dhe askush nuk e permend, ketu u permbyt perendimi Evropes, vdiqen 16 vete e u bo nami...!
 
Back
Top