Fleckenstein dhe Kukan flasin në prag të vendimit të KE për Shqipërinë

Komisioni Evropian pritet të publikojë zyrtarisht të mërkurën vendimin lidhur me rekomandimin lidhur me çeljen e bisedimeve mes BE dhe Shqipërisë. Në prag të dhënies së këtij vendimi, dy eurodeputetë që kane ndjekur prej vitesh ecurinë e Shqipërisë dhe raportet me BE-në, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan flasin ekskluzivisht për Televizionin Publik Shqiptar.
Intervistat e realizuara nga Arta Tozaj në Bruksel, zbardhin qendrimet politike të eurodeputetëve për Reformën në Drejtësi, akuzat e opozitës për drogën, për zgjedhjet e ardhshme dhe vendimin e pritshëm të Komisionit.
Z. Kukan dhe z. Fleckenstein, ju po merreni me Shqipërinë prej kaq kohësh. Prej vitesh na thuhet se zgjedhjet, gjyqësori, prej një viti edhe i ashtuquajturi “ligj i dekriminalizimit”, etj janë shumë të rëndësishme për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Si pozicionoheni tani, duke marrë parasysh se Komisioni Europian pritet të publikojë një rekomandim të kushtëzuar për Shqipërinë?
Knut Fleckenshtajn: Unë mendoj se tani do të jetë një rekomandim, i pakushtezuar mbi kushtin që këto të gjitha duhet të nisin të zbatohen tani dhe që ne të kemi edhe një këndvështrim me të qartë mbi procesin e vetting-ut (verifikimit). Kur kjo të bëhet e qartë dhe vendi të tregojë se po nis zbatimin, atëhere mendoj se pa takime të tjera e mbledhje këshilli, negociatat e anëtarësimit do të nisin, shumë shpejt.
Eduard Kukan: Ne do të shohim shumë shpejt raportin e progresit dhe mendoj po ashtu se do të ketë lajme pozitive për Shqipërinë. Me situatën që egziston tani brenda vendit, nuk mund të presim për një rekomandim të prerë qartë, me datën egzakte të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit. Unë nuk mendoj se do të ndodhë kështu. Do të ketë kushtëzime të përfshira, sepse Komisioni Europian kërkon të shohë se si po ecet me Reformën e Drejtësisë, nëse shkon gjithçka në rregull, pasi të jetë shprehur vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Zgjedhjet do të jenë me të vërtetë një test shumë i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri. Prandaj, për të patur një rekomandim të qartë, ne duhet të informohemi e të shohim se si është realisht situata në Shqipëri. Për momentin, është në levizje, është në proces. Por pa parë rezultatet, se deri tani nuk i kemi parë, vështire të pritet një rekomandim i qartë e i prerë nga raporti i progresit.
Reforma zgjedhore u përgezua nga BE në 2013, solli ndryshim pushteti dhe statusin kandidat, një vit me pas. Në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe, Reforma e Drejtësisë përmendet nga ju si ndryshimi më i rëndësishëm historik, që pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Ku mungojnë rezultatet? Te ligji i dekriminalizimit, apo te kërcënimi i mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme?
Eduard Kukan: Përsa i takon ligjit të dekriminalizimit, ne po dëgjojmë se është zbatuar dhe se ka disa rezultate mbi këtë ligj. Shembulli më i mirë për këtë do të jenë zgjedhjet. Nëse do të përfshihen, ose jo, njerëz me të dhëna kriminale në të kaluaren, tek listat e kandidatëve. Unë nuk do të isha shumë kritik ndaj Shqipërisë për ligjin e dekriminalizimit.
Përsa i takon Reformës në Drejtësi, keni të drejtë, do të qëndrojë aty për një kohë të gjatë. Por, nëse zbatohet tani, me formën që sugjerohet, kjo do të ndryshojë tërësisht Shqipërinë. Do të ndryshojë shoqërinë shqipëtare. Gjithësecilin. Do të jetë një situatë komplet tjetër. Për këtë arsye, është fantastike që ligjet u miratuan. Por, tani i gjithë procesi është në pritje, ka ndaluar. Tani, ne presim kohën kur ato të zbatohen në realitet. Kjo është e domosdoshme që të shihet.
Knut Fleckenshtajn: Jo,jo,jo. Atëhere, për këtë kemi këndvështrime të ndryshme. Nëse ne do të presim derisa gjithçka të zbatohet, kjo do të thotë “eja të shihemi pas nja 2 vjet%sh”, apo diçka ngjashme. Duhet të nisi zbatimi, po. Por me pas, pa thënë atë çfarë kemi biseduar ne përpara miratimit të Reformës në Drejtësi, negociatat duhet të nisin dhe përderisa çelen të parat kapitujt 23 e 24, ne do të vazhdojme të merremi me këtë çështje. Por, mbase ky ishte një keqkuptim.
Eduard Kukan: Jo jo. Nuk kemi keqkuptime bashkë.
Dua të shtoj gjithashtu se nuk është e rëndësishme për Komisionin Europian që të presë derisa gjithçka të zbatohet, sigurisht. Eshtë e vërtetë se është një proces mjaft i gjatë. Por na nevojitet të shohim se proçesi ka nisur, se ka përpjekje të besueshme nga qeveria e me pas mund të caktohet data për të nisur negociatat e për të vazhduar.
Sa të shqetësuar jeni nga mundësia e përdorimit të drogës për financime elektorale, siç përmend opozita?
Eduard Kukan: Po jam i shqetësuar. Këto çështje, përpara, ishin mjaft të thella, të zakonshme, të rrënjosura praktikisht në Shqipëri dhe ne do të dëshironim të shihnim se këto gjëra kanë mbaruar: blerja e votës, frikësimi i votuesit, shfrytëzimi i postit publik, përdorimi i privilegjeve të zyrave të politikanëve. Prandaj për të patur besueshmëri për zgjedhje të lira e të ndershme, nevojitet që këto gjëra të mos përsëriten.
Knut Fleckenshtajn: Nuk kam shqetsime! Veç një gjë! Ne duhet të kemi një tablo të qartë mbi situatën e drogës. Ka vështrime të ndryshme mbi situatën dhe opozita na kujton gjithmonë se situata është shumë më keq nga çfarë thotë qeveria. Prandaj, duhet t’i hedhim një sy, të paktën e të flasim me miqtë tanë italianë që po merren me këtë çështje. Se dyti, nëse zgjedhjet shkojnë mbarë, atëhere mendoj se, pavarësisht se e di se ka një listë detyrash, jemi në rrugën e duhur.
Kur prisni ju që BE të përgjigjet ndaj propozimit të KE-së për Shqipërinë?
Eduard Kukan: Nëse Komisioni del me rekomandim pozitiv jam i bindur se Parlamenti do ta mbështestë.
Knut Fleckenshtajn: Jam i sigurtë se Këshilli do ta mbështesë gjithashtu, pasi ne bëmë premtime të qarta dhe duhet t’u qëndrojmë atyre.
Eduard Kukan: Kur ju jepni, duhet të japim edhe ne, përndryshe humbasim besueshmërinë.

ZATHUR
 
Back
Top