Familja “mjeku” e Mirditës

Love

βeℓℓe â๓e
Një histori qindravjeçare pak e njohur

Në gjurmë të aristokracisë së maleve. Përsimoni, “Shtëpia e Parë” e Kthellës

NDUE DEDAJ


Dede-Mjeku-ne-moshte-te-re-foto-qendrore-e-shkrimit-221x320.jpg


Mbiemri “Mjeku” nuk është i panjohur në Shqipëri, ai më së shumti lidhet me praninë e ndonjë shëruesi popullor, që i ka dhënë emrin e profesionit krejt fisit, ashtu siç kemi dhe “Mjeshtri”, “Kovaçi”, “Mullisi” etj. Kurse në rastin e familjes “Mjeku” në Mirditë ka të bëjë me një mjek të mirëfilltë, që kishte kryer studimet në Austri në shekullin e 19-të dhe ishte Pjetër Mjeku (1802-1890), doktori i Princit të Mirditës, Bibë Dodë Pasha.

Por historia nis shumë shekuj më parë…

Njëri nga pinjollët e sotëm të kësaj dere në zë, Dedë Bardhoku (Mjeku), në stilin e të vjetërve, thotë: “Ne jemi Shtëpia e Përsimonit, shtëpi e parë në tre bajrakët e Kthellës. Shtëpi e plakut dhe e bajraktarit, prej kohësh të hershme. I pari i shtëpisë sonë ka qenë Kola i Lleshit…” (Më vonë prijën e bajrakut të Kthellës e morën dy familje të tjera njëherësh, e Gjon Mëlyshit dhe e Bardhok Prengë Bajraktarit të Rrëshenit, i vetmi bajrak në Shqipërinë e Veriut me dy bajraktarë!) ثshtë pra një histori që zor t’i kapet filli, që mund të shkojë deri në kohë të Skënderbeut. Ashtu si të gjitha shtëpitë e para shqiptare që kanë një histori të veten, që meriton të ndriçohet, pasi aty fshihet dhe aristokracia e shqiptarëve të maleve, në Jug e Veri, e fytyrëzuar së pari në këto dyer, e lënë në harresë qëllimisht për vite e vite, mbase prej mentalitetit të barazisë shoqërore. Prija, pleqësitë, kuvendet, qëndresa janë disa nga tiparet e kësaj aristokracie të pashkruar sa duhet. Nuk kanë qenë vetëm Kastriotët, Dukagjinët e dyert e tjera të mëdha historike, por dhe “shtëpitë e para” më të vogla, që nuk u shuan gjatë gjithë Mesjetës, përkundrazi mbijetuan deri në Luftën e Dytë Botërore. Dhe nuk është e rastit që nga këto dyer kanë dalë personazhe ndryshe dhe në kohët e vona, siç do ta vërejmë dhe në këtë shkrim. Një mjek i Lidhjes së Prizrenit, një xhandar i Mbretërisë, një mësues i kohës së komunizmit etj.

Xhuliana-Do%C3%A7i-Mjeku-150x150.jpg
Pjet%C3%ABr-Preng-Bardhoku-Mjeku-150x150.jpg
Lek%C3%AB-Margjini-me-bashk%C3%ABshorten-150x150.jpg
Asllan-Ker%C3%A7iku-dhe-Pjet%C3%ABr-Mjeku-150x150.jpg
Asllan-Ker%C3%A7iku-150x150.jpg


Ecën këto ditë pranvere nëpër kullat e vjetra të Kthellës, dëgjon të moshuarit, që tani rrallëkush ua vë veshin, shfleton letrat e vjetra dhe kupton se ende ka histori që duhen zbuluar. Kisha e Madhe Kthellës në Malaj ka qenë kishë kryesore në këto anë. E kanë vizituar atë dhe mjaft të huaj që nga fillimet e shekullit të 17-të. Me 1905, këta “popuj” vendesh malore i përshkruan në jetën dhe zakonet e tyre inxhinieri austriak, Karl Shtajnmetc, duke mbërritur deri në Selitë e Lurë. Kishte shërbyer mes tyre dhe Dom Pashk Turku (Lalpepaj), i cili ishte Monsinjor, gjë e rrallë asokohe për një prift fshati, pasi këtë titull e mbanin vetëm famullitarët e katedraleve në qytete. Prej tij e meshëtarëve të tjerë, në atë tempull katolik, ishin bërë pagëzime fëmijësh e lidhur kurorë martesash, siç ishin pajtuar dhe shumë gjaqe e bërë kuvende të krahinës. Kisha e Rubikut dhe Kisha e Madhe e Kthellës, shkruan At Donat Kurti, ishin kthyer në qendra të Pavarësisë për trevat e Veriut, nga jepnin e merrnin atdhetarët e flaktë. Kthella, më 8 dhjetor 1912, vetëm pak ditë pas ngjarjes më të madhe kombëtare qysh nga koha e Skënderbeut, me porosi të Dom Nikollë Kaçorrit, nënkryetarit të Qeverisë së Vlorës, organizon një tubim të gjerë festiv kushtuar ngritjes së Flamurit. Ndaj, në 100-vjetorin e Pavarësisë, në murin e kishës së restauruar, nga Bashkia e Rrëshenit, në prani të publikut të ardhur nga e gjithë zona, u vendos një pllakë përkujtimore.

Doktori i Princit të Mirditës, Bibë Dodë Pashës


Nga kjo kishë historike të Kthellës nis dhe udha e pazakontë e një njeriu që më pas do të ishte fort i përmendur në kohën e tij. “Pjetër Llesh Mjeku ishte nxënës i kishës së Malajve dhe për cilësitë e veçanta që kishte e çojnë në shkollë në Shkodër e pastaj në Vjenë në fakultetin e mjekësisë. I pari nga kjo krahinë, e pse jo, ndër mjekët e parë shqiptarë që kishte studiuar në Perëndim. Thuhet se për ta dërguar për studime pati ndikuar dhe Dera e Gjomarkut. Në Austri, ai mësoi gjermanisht e italisht e më vonë dhe turqisht”. Rreth figurës së tij gërshetohet historia me gojëdhënën. Në Shkodër, përpos se mjek i shkodranëve, u bë dhe mjeku i Bibë Dodës, i cili njëherë ishte plagosur dhe u mjekua nga dr. Pjetri. “Asht shërue Pasha i Merditës prej Pjetër Mjekut”, thuhej asokohe ndër mirditorë e malësorë. Dhe fjala mori dhenë. Kaq u desh që atij t’i mvishej mbiemri Mjeku, nga Doçi që e kishte pasur më parë. Baca Dedë, rrëfimet për doktorët e shtëpisë së tij i ka nga të vjetërit e familjes, se doktor Pjetri kishte pasur dhe një djalë, Bardhok Mjekun, i cili mori zanatin e t’et, por ky si mjek popullor. Kështu, “Shtëpia e Mjekut”, mbërriti në dy breza si e tillë. Ka një trashëgimi nga baba te biri. Bib Doda ia trashëgoi princninë e Mirditës të birit, Prengë Bibë Doda, kurse doktori i tij, Pjetër Mjeku bëri të njëjtën gjë, duke ia lënë profesionin djalit.

Dr. Kadri Kërçiku nga Tirana është një emër i nderuar i mjekësisë shqiptare, jo vetëm si dermatolog i mirënjohur, i diplomuar në Vjenë, por dhe se la pas një vepër mjaft të rëndësishme studimore, librin e vëllimshëm “Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shekujve XVI-XX”, botuar me 1962, që ia kishte kushtuar mjekut shkodran legjendë, Frederik Shirokës, i cilësuar si kirurgu më duar të arta. Bardhok Doçi, një tjetër pasardhës i familjes “Mjeku”, pasi ka qëmtuar në këtë libër të vlefshëm e në dokumente të tjera, ka botuar në gazetën “Mirdita” një portret për doktorin e Pashës së Mirditës. Dr. Pjetër Mjeku u vendos në Shkodër rreth vitit 1830. Aty u miqësua me mjekun e njohur shkodran, dr. Kol Ndoja, i cili e mbajti afër. Ky i fundit ishte mjek i dëgjuar në të gjithë Shkodrën dhe vinte nga një familje trashëgimtare në mjekësi. Doktor Kola e mori mjekun e ri mirditor në shtëpinë e tij për vite të tëra, një shtëpi dykatëshe përkarshi bashkisë së vjetër. Dr. Pjetri shpejt u bë i njohur si ustai i tij, prandaj dhe njerëzit zunë ta thërrisnin Pjetër Mjeku dhe ky mbiemër nuk iu hoq gjatë gjithë jetës. Pos të dhënave nga libri i Dr. Kërçikut, autori i artikullit të sipërthënë shkruan se Mëhill Mardeda, me anë të një dokumenti që ka nxjerrë nga arkivat e Stambollit, ka vërtetuar se Pjetër Mjeku rreth viteve 1853-1854 ka marrë pjesë në Frontin e Danubit, Luftën e Krimesë, si mjek dhe luftëtar bashkë me Princin Bibë Dodë Pasha. Ka shërbyer dhe në Kosovë e Stamboll, por dhe në Mal të Zi. Nga gjurmimet që ka bërë dr. Paulin Shqalshi del se ka marrë pjesë dhe në disa kuvende të Mirditës, si në atë të Shën Palit të 27 dhjetorit 1876, me mbi tre mijë vetë nga Mirdita, Kthella Malësia e Lezhës, Dukagjini e Gjakova, ku u vendos kryengritja kundër turkut, por dhe në Kuvendin e Perlatit të vitit 1877, si dhe ka mbështetur Abat Doçin në nismat e tij atdhetare etj. (Shih: Gazeta “Mirdita”, 2003).

Njeriu që nuk u nda nga Ungjilli dhe “Lahuta e Malcisë” dhe pasi u prishën kishat

Dedë Mjeku ka shkruar historikun e familjes së vet. Ka dhe shumë dorëshkrime të tjera, me një kaligrafi të veçantë bukurshkrimi, si të gjithë njerëzit me formim klasik. Kishim dëgjuar për mësues Dedën, si një personazh i veçantë, por rasti e solli që ta njihnim në moshë të shtyrë. Si model i mbijetesës në një regjim të egër politik. Ai nuk zgjodhi pushkën për ta mundur atë, por diturinë dhe lutjen drejtuar Zotit. Dhe bashkë me të mbijetoi dhe emri i derës së tij fisnike. Fati e përpoqi për mirë e për keq, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me shumë personazhe të njohura të politikës shqiptarë të shekullit të 20-të, shpesh aq të largët me njëri-tjetrin si botëkuptim: nga Kapidani i Mirditës, Bajraktari i Oroshit, te Ramiz Alia…

I ka kaluar të 80-at dhe banon në një vilë private në Durrës, fare pranë bregut të detit, gjë që as në ëndërr nuk e kishte çuar. Gjinsi i tij sikur ishte i “prerë” për të rrojtur vetëm në shkrepa malesh. Rrëfimi i këtij “burri zotni” është mjaft interesant dhe të krijon idenë e një disidenti të heshtur. Në vitin 1947, kur ishte vetëm 17-vjeçar, caktohet mësues në Korthpulë të Mirditës. Atje njihet me Dom Zef Oroshin, priftin që vetëm pak vite më vonë u arratis në Amerikë, duke qenë një nga zërat më të fortë kundër komunizmit në emigracionin politik shqiptar. “Lutjen e Krishtit e kam mbajt dhe gjatë 40 viteve mësues”, të befason ai. “Pata gjetur një ungjill të vogël në kishë, që e mbaja gjithmonë me vete fshehur. Ishte një libër i vogël lutjesh sa një pasaportë, që nuk binte në sy. Kam qenë gjithë jetën një besimtar i thekur”. Rri pak dhe shton: “Feja, vetëm feja më ka lartësue shpirtërisht”, thotë njeriu që ka disa fletore të trasha të mbushura me shkrime teologjike, si të jetë një misionar. “I kam shkrue për vete”, thotë. Por nuk është kjo befasia që vjen prej tij. Ai kujton një vegim hyjnor nga fëmijëria e largët: “Sot e 70 vjet më parë jam takue në andërr me Zojën e Bekueme, kur isha i vogël, debatikas në malet e Martaneshit, në kohën e Luftës. Isha i sëmurë dhe Zoja më ka ardhë afër shtratit, e veshur krejt në ar, shndriste sa me të marrë sytë. “اohu se je shërue”, më tha. Prej atëherë më duket se nuk ka kalue aspak kohë!…”

Jo rastësisht po ia sjellim lexuesit këtë profil njerëzor, por dhe për të thënë se sa thellë ishte ngulitur besimi te njeriu. Deda vente dhe vinte me ungjill në gji në kohën kur militantët komunistë thyenin fërgjuret dhe shembnin kishat, gjuanin Zotin me gurë për hava, si të ishin të krisur. Por krahas fesë ishte dhe tradita kulturore. Njerëzit e maleve me të njëjtin zell shqiptonin dhe “Lahutën e Malcisë” të Fishtës, dhe pse ishte një libër i ndaluar e rrezikoje ndjekjen nga Sigurimi i Shtetit, siç ka ndodhur me dhjetëra herë. Edhe personazhi ynë, Dedë Mjeku, e mbante fshehurazi “Lahutën” qysh nga rinia e tij…

Xhandari i Zogut, një jetë mes nacionalistësh dhe komunistësh

Përherë ka pasur njerëz nga Veriu që kanë pasur miqësi në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, si dhe e anasjella, miqësi që nuk u prishën kurrë. Tregohet se si funksionarë të rëndësishëm nga viset jugore, u kishin hequr “litarin” miqve të tyre veriorë, ku kishin bujt në vitet partizane. Edhe familja Mjeku e kishte një miqësi të tillë për kokë, me familjen e Asllan Kërçikut në Tiranë. Dedë Mjeku kujton: “Shkollën e bana në Tiranë tek im ungj, Pjetër Preng Bardhoku, që kishte qenë xhandar pranë Inspektorit Mbretnuer nja 7-8 vjet si roje e tij. Ai ka qenë dhe mësuesi im i parë. Për vete e pati marrë (mësuar) abc-në në vitin 1928 kur ishte ushtar në Tiranë. Më ka mbajt me vete në Fikas të Mulletit në shkollë për 4 vjet. Jetoja në shtëpinë e patriotit Asllan Kërçiku, me familjen e tij, që respektohej shumë në ato anë. Kam qenë nxënës atje nga viti ‘40-‘44. Falë Zotit e ungjit Pjetër u bana njeri me shkollë…” Ky është vetëm një pasazh nga rrëfimi i Dedë Bardhokut (Mjekut) për kushëririn e tij ish-xhandar i Zogut, jeta e të cilit do të ndryshonte rrënjësisht pas Luftës. “Të del përpara buka e dhanme” thonë në Mirditë. Dhe ky xhandar mbretëror ishte sjellë mirë me partizanët. Bënte sikur nuk i shihte tek hynin e dilnin drejtuesit ilegalë të Luftës, Gogo Nushin, i poshter Ballukun, Myslim Pezën etj., të cilët, ashtu si dhe ai, ishin miq të Asllanit. Fundja luftën askush nga shqiptarët nuk e kishte dashur dhe ata në heshtje e kishin gjetur kodin e marrëveshjes në “kurriz” të pushtuesit.

Pjetri më vonë ishte liruar dhe gjendej në shtëpinë e tij. Partizanët, kur e panë veshur me xhaketën e vjetër, e morën me vete në mal dhe nuk dihet si do t’i kishte vajtur fati, nëse aty nuk do të qëllonte një shok i tij xhandar, tashmë partizan. Emri i tij i mirë do ta kthente në shtëpi. Në vitet ’50 deshën ta bënin kulak, por ishte sërish ajo, buka e vjetër, që do ta shpëtonte. Edhe pse kokët kishin ndryshuar, Pjetri ruante fotografinë e fejesës që miku i tij nacionalist, Lekë Margjini, i kishte dërguar në kohë të hershme, paçka se udhëheqësi komunist e kishte fshikulluar. Leka ishte martuar me Luizën, vajzën e Sotir Pecit, kishte qenë kryebashkiak i Korçës, por nuk ishte në anën e partizanëve. Pjetri dhe vajzën e tij, Gjelën, e kishte martuar me Mark Arapin në Selitë, i diplomuar në Itali për oficer, dhe ai një njeri i ndaluar i kohës. Kur filluan të dilnin letrat nga Tirana, për ndihmesën e Pjetrit gjatë Luftës, atëherë dy nga bijtë e tij u anëtarësuan në Parti, por nuk mund të venin te motra e tyre e martuar te “reaksionari”, pos ndonjëherë kur e thyenin rregullin, që në thelb ishte një mosbindje politike…

Ndërkohë, e ruante miqësinë me familjen Kërçiku në Tiranë. Asllan Kërçiku do të vinte në Mirditë te miku i tij i kohëve të vjetra. Ai ishte dora e djathtë e qeverisë. Një djalë i tij mjek, Ramizi, ishte deputet i Kuvendit Popullor. Për Asllanin ishte shkruar një libër nga shkrimtari Skënder Hasa. E kujtonte dhe Enveri ndonjëherë në përvjetorët e Luftës. Por dhe Pjetri i shkruante letra një herë në dy-tri javë mikut tironas të kohëve të vështira. Edhe tash që ata, farkëtuesit e asaj miqësie, nuk rrojnë më, janë bijtë e tyre që venë e vinë te njëri-tjetri për dasma etj.

Kjo ishte historia e burrit nga dera e njohur “Mjeku”, që e çonte jetën mes nacionalistësh dhe komunistësh. Pjetër Prengë Bardhoku, miqësitë e tij nuk i kishte lidhur e zgjidhur sipas midesë së Partisë. Ai ishte një malësor që dinte ta nderonte mikun sipas traditës shqiptare. Mund të duket e habitshme se si një xhandar vazhdonte të ishte i zhbesuar i regjimit komunist deri në fund, edhe kur pasardhësit ishin me partinë. Apo se fjala xhandar kishte qenë sinonimi i së keqes, regjimit, i vetë Zogut, në psikologjinë ideologjike të kohës së monizmit?…

Martesa e Dedës me mbesën e Kapidanit të Mirditës

Dedë Bardhoku u martua me Xhulianën, vajzën e Mark Doçit, që ishte mbesa e Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni. ثshtë një histori më vetë martesa e tyre, që nuk i shpëton as romantizmit. Ai i shkruan një letër vjehrrit të ardhshëm që ta mirëpriste në shtëpi, pasi ai do të kërkonte dorën e vajzës së tij. “Isha nis me u ba mik me të vetëm nga emri i mirë i shtëpisë së vajzës”. Dhe akademisti nga Shebja e priti plot mirësi këtë dhëndër ndryshe. Ai mban mend se vjehrri, pasi e pati dëgjuar i pati thënë në mënyrë të figurshme “Unë e ti flasim një gjuhë”… në të vërtetë një gjuhë e vdekur tashmë në realitetin e ri socialist.

U martuan gjysmëshekulli më parë, në vitin 1963. Ashtu si asnjë dhëndër tjetër i kohës, Deda këndoi vetë këngë me çifteli në dasmën e tij. Këndoi për nusen e re dhe veten. Edhe pse e dinte se me atë martesë ai do ta shkruante përfundimisht fatin e tij si një i penguar, për të huajtur një metaforë nga Kadareja. Nusja do të punonte në kooperativë bujqësore duke ngarkuar kuajt me gurë, dru, bar. Kjo ishte nama e saj. I ati kishte pas kryer studimet e larta ushtarake në Modena të Italisë, kishte qenë antifashist i orëve të para, nga një derë e njohur atdhetare e Kthellës, por asgjë nuk kishte mjaftuar që ai dhe familja e tij të mos persekutohej rëndshëm. Oficerin e lartë të ushtrisë kombëtare shteti e kishte çuar të ruante tufën e dhive të kooperativës. Regjimit komunist po i tepronin njerëzit e arsimuar jashtë shtetit në kohën e Mbretërisë dhe po i vinin përshtat militantët e kohës, shpesh pa asnjë klasë shkollë në ato vite të para. Merret me mend pastaj fati i parathënë i vajzës për të mos e ngritur kryet.

Deda dhe Xhuli mbahen mend si një çift model, paçka se fshati i kishte të ndarë për mort e për dasmë. E kjo për shkak të nuses, që edhe pse kishte një xhaxha komunist që nga koha e Luftës dhe drejtues në disa rrethe të Veriut, Mëhill Doçin, do t’i përfundonin në burg politik dy xhaxhallarët e tjerë, Gjini dhe Ndoi dhe kushëriri i parë, Akili.

Gjatë bisedës me ta aty në shtëpinë e tyre buzë detit, dikush nga të afërmit na thotë se Xhuli ka qenë një bujare e teprueme, kurse ajo ia kthen se bujarinë e ka gjetur tek ata, në shtëpinë e burrit. Nuk mund të ketë një gjuhë tjetër ndër njerëz të tillë, veçse asaj prej fisnikësh, që nuk dinë të ankohen për fatin e djeshëm, por t’i kushtohen të sotmes.

Mësues i paepur i mirditorëve

Deda kishte kryer Normalen e Elbasanit, duke u bërë një nga mësuesit më metodistë të Mirditës. Shërbeu në 15 katunde, Korthpulë, Bulshar, Grykë-Orosh, Mashtërkor, Kullaxhi, Kuzhnen, Kaluer, Arrëz etj. Arsimin e lartë për histori-gjeografi e kreu kur ishte 47 vjeç, pasi i kishte bërë plot 7 vjet lutje Ministrisë së Arsimit për t’iu dhënë e drejta e studimit. Ai ishte një edukator i lindur. U çonte fëmijëve ndonjëherë dhe karamele e llokume në klasë për t’i motivuar dhe në këtë mënyrë. Ka pasur një çifteli, që i binte dhe i këndonte për merak. I mësonte të rinjtë të kërcenin teksa vetë merrte meloditë. “Kam pas këndue me çifteli dhe “Oso Kukën” e Gjergj Fishtës, kujton ai. Asokohe dhe të tjerë e këndonin “Lahutën e Malcisë”, njëlloj siç kishin kënduar këngët e kreshnikëve. “Kur isha mësues në Orosh, në fillim të viteve ’50, takoja çdo të diel bajraktarin Preng Marka Prenga. Ai ishte një gjyqtar i Kanunit, i praktikës së jetës. Ku ngulte ai fjalën, nuk e shkulte kush tjetër. Ishte një njeri i ditur, që i kuptonte e shtjellonte aq mirë punët e popullit e të Mirditës. Por familja e tij u persekutua keq. Djalin, Bardhokun, ia futën në burg politik. Burra të tillë populli i quante burra me vulë dhe donte t’iu ngjante…” Përmend me nderim dhe mësuesit e vjetër të Mirditës: Preng Filopati, Mark Legisi, Pjetër Kadeli, me të cilët kishte qenë në kurs pedagogjik në Shkodër, bashkë me 20 arsimtarë të tjerë që kishin mësuar në Konviktin “Mirdita” të Oroshit, apo më të rinj si Ndue Gjoci, Ndue Tarazhi, Mark Tirta, Nikollë Toma, Bardhok Bardhoku, Ndue Përdoda etj.

Mund të thuhet, po si ndodhte, që dhe të ishe mësues dhe mos të vinin shokët e fshatit në shtëpi, për raste gëzimesh dhe hidhërimesh? Si me thënë, të ishte dhe i lejuar dhe i ndaluar njëherësh? Edhe edukatori brezit të ri, edhe kulak me triskë Fronti në xhep? Ky ishte komunizmi, fija e perit nëpër të cilën duhej të ecje. Deda kishte atë biografi që kishte nga gruaja, por ama kishte pasur dhe dy vëllezër partizanë, Prengën dhe Nduen. Kishte qenë dhe vetë debatikas…

Letra e Ramiz Alisë për të çuar fëmijët në shkollë të lartë

Kol Bardhoku, i kushëriri i Dedës, mësues në gjimnazin e Rrëshenit, thotë: “Gëzimin më të madh e kanë pasur kur u kanë shkue fëmijët në shkollë të lartë. Iu kishin thënë me tallje në fshat se djalit, Leonardit, do t’i jepnin një bursë për nallban… për të mbathur kuajt! Që të mos merrte Medaljen e Artë, ia patën nxjerrë fizkulturën 9…” Nuk ishte thjesht një titull nderi, por sipas ligjit ai që përfitonte atë medalje kishte të drejtën e zgjedhjes së degës më të mirë në universitet. Biografia i ulte ose i ngrinte notat. Po të ishe fëmija i ndonjë sekretari Partie rrethi veje për Juridik, kurse po të ishe i “sëmurë” nga biografia, nuk veje as për zooteknik. Dedë Mjeku, duke parë se djalit të tij nuk po i jepej e drejtë studimi, pasi nga Komiteti i Partisë emrit të tij i bihej vazhdimisht me vizë të kuqe, i shkroi një letër Ramiz Alisë, kreut të shtetit. Aq më tepër që atë vit, me 1986, mbaronte shkollën e mesme dhe vajza, Ermelinda me rezultate shumë të mira, por që do të kishte dhe ajo fatin e të vëllait të mos i lejohej arsimi i lartë. Për habinë, po dhe kënaqësinë e tij e të krejt familjes, përgjigjja erdhi pozitive, madje qortuese për sektarizmin partiak të Mirditës. Ramizi shkruante mbi letrën e mësuesit prind: “ا’është ky qëndrim që mbahet ndaj kësaj kategorie njerëzish?” Udha u hap. Ermelinda shkoi në Ekonomik dhe tani punon ekonomiste në një bankë, kurse Leonardi studio për matematikë, punoi pak kohë mësues, pasi emigroi në Greqi e Itali. Tani jeton në Aosto, ku ma marrë krejt “fisin” e tij atje. Familjarët na thonë se i është njohur diploma e mësuesisë, por ai preferon të punojë si menaxher bulmeti, baxhier. Me djathin e prodhuar nga duar e tij konkurron në panairet më të mira të Europës, përfshi dhe Parisin. Djaloshi i dikurshëm që mbarte me kalë qumështin e dhive në Fushat e Lugjeve, në bjeshkët e Oroshit, që fshati socialist donte ta bënte nallban të fshatit.

Në fund, pak koment mbi familjet me histori

Ndodhi që kjo histori e familjes “Mjeku” nëpër trazimet dhe travlimet e kohëve u shkrua si rastësisht. Por sa familje të tjera shqiptare kanë historitë e tyre, të ndryshme nga njëra-tjetra, por gjithherë fisnike. Do të ishte mirë që të hulumtohej pandarë, si rreth familjeve të famshme, ashtu dhe atyre më pak të njohura. Ato ishin të mbrujtura me tiparet e aristokracisë dhe mundën t’i mbijetonin jo pak revolucionit proletar, kulturor që e shkimi traditën nga rrënjët. Ajo që është për t’u nxjerrë në pah është dhe njëlloj disidence, për të cilën ata kurrë nuk flasin vetë. Dedë Mjeku është një shembull i virtytit në këtë drejtim, krejt ndryshe nga disi ish-kuadro që tani në kujtimet e tyre flasin më së shumti për “disidencën” e tyre… komuniste. Brezat e rinj kanë nevojë për të vërtetën dhe jo për sajesat kallpe të disave, për të mbetur në histori me çdo kusht. Njihet rregulli i artë i saj, për të mos qasur të parët ata që turren t’i zënë derën pa merita. Kurse atyre të tjerëve historia u vete prapa…
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top