E Drejta për tu Respektuar për Jetën Private, Familjen, Shtëpinë dhe Korrespondencën

braziljania

Anëtar i Nderuar
Irena Reso


Në jetën e përditshme takohemi, jetojmë me njerëz të tjerë, me të cilët ndajmë hallet, shqetësimet, gëzimet, shkëmbejmë urime, ngushëllime. Pra jemi pjesëz e asaj që quhet shoqëri, të cilën çdokush nga ne e mbush me mënyrën e tij të të jetuarit dhe punuarit.

Kjo shoqëri, pjesë e së cilës jemi edhe ne vetë, udhëhiqet nga parime të cilat në shekuj kanë marrë forma të ndryshme, duke filluar nga kanunet, ligjet, kodet, pse jo edhe kushtetutat. Të gjitha këto kanë pasqyruar në një formë ose në një tjetër vullnetin e shoqërisë, pra vullnetin e çdo njeriu të thjeshtë, i cili s'mund të shkojë kundër vullnetit të shumicës. Të gjitha këto, në fund të fundit për të rregulluar sa më mirë atë pjesëz të jetës shoqërore, jetën tonë, që është pjesa më e rëndësishme dhe ajo që na intereson mbi çdo gjë.

Për këtë ne ndërtuam shtete, makina që shtypnin njerëz, trekëmbësha, kampe përqëndrimi, e përse? Gjithmonë duke synuar një jetë më të qetë, më të sigurtë. A ia arrijmë gjithmonë? Do thosha jo, dhe ja sepse:

Jeta jonë është e lidhur aq sa s'mund të ndahet me jetën e njerëzve të tjerë, pra me shoqërinë dhe me pjellën e saj, shtetin. Secili prej nesh merr pjesë në atë që quhet jetë shoqërore, por secili prej nesh ka edhe atë që ai e quan jetë private. Këdo që të pyesësh se çfarë kupton ai ose ajo me jetë private do të të përgjigjej me fjali të ndryshme, që pak a shumë po ti përgjithësonim do të dilte një ide e llojit: "jetë private do të thotë pavarësi fizike dhe morale e njeriut, duke përfshirë edhe jetën e tij seksuale".

çdokush ka të drejtë ta jetoje jetën e tij ashtu siç i pëlqen. Asgjë e re në këto që po them. Të gjithëve u pëlqen kjo, por shumica stepen, nuk e jetojnë jetën ashtu siç ju pëlqen. Pse? Shoqëria dhe shteti reagon. Më fuqishëm dhe më dhimbshëm shteti i cili ka polici, burgje. Shteti do të sakrifikonte më mirë dhe pa dhimbje një jetë private sesa të lejonte një shoqëri të "çthurur".

Në këtë mes kundërshtari më potencial i jetës private të njeriut është shteti. Ky shtet qeveriset nga ligjet, ky shtet respekton individin dhe fuqinë e tij. Ky shtet është shndëruar në një shtet të njerëzve që jetojnë në një vend të caktuar, por në momente të caktuara ky shtet mund të bëhet i rrezikshëm. Po atëherë? Kush do ta bënte individin ta perballte fuqinë e shtetit që po ndërhyn në jetën e tij private? Përgjigjja e të gjithëve do të ishte ligji. Cili ligj? Kushtetuta? Kodi Civil apo Penal?

Kushtetuta ka parimet më të përgjithshme që udhëheqin dhe qeverisin jetën e një vendi. Ligjet e tjera marrin jetë prej saj. Jeta private e njeriut është më e shenjta për të, dhe a s'duhet që ajo të shpallet dhe të mbrohet nga ligji themelor i një shteti, Kushtetuta? Kjo gjë do ta bënte më të ndërgjegjshëm shtetin me makinat e tij. Kjo do të ishte një garanci më e madhe për individin dhe jetën e tij private ndaj shtetit.

>>>
 
>>>

Jeta private e individit është shumëformëshe. Ne komunikojme me njerëzit e tjerë me fjalë, gjeste etj. Të gjithë ne duam që ky komunikim, për sa kohë është i fshehtë të mbetet i tillë, dhe askush të mos zbulojë ato gjëra që në jetën tonë private i quajmë të tilla, prandaj duam garanci. Duam që ditari, letra apo çdo gjë tjetër që shkruhet nga ne dhe ka pjesëza nga jeta jonë, të mos lexohet nga të tjerët përderisa ne nuk synojmë një gjë të tillë.

Një pjesë të madhe dhe shumë të rëndësishme të jetës sonë e zë jeta jonë seksuale. çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë seksin që i pëlqen, pasi është jeta e tij dhe e askujt tjetër, por këtu ngre kokë përsëri shoqëria dhe shteti. Morali shoqëror është i pamëshirshëm ndaj atyre që zgjedhin seks të njëjtë me atë që kanë vetë. Ne vetë flasim, shajmë këta njerëz, duke harruar se është jeta e tyre private, se asgjë e keqe s'na vjen prej saj, se ne shohim një rrezik të mundshëm të cilin nuk mund ta motivojmë, se të gjithë ne bëhemi më egoistë se ç'duhet, se të gjithë ne e kemi të shenjtë jetën tonë private, por cënojnë atë të të tjerëve.

Po shteti? Deri vonë në Shqipëri homoseksualizmi dënohej si vepër penale, njëlloj siç dënohej vjedhja, rrahja etj. Përse? A s'janë edhe këta njerëz që duan ta jetojnë jetën e tyre pa u ndërhyrë kush, derisa ata me veprimet e tyre nuk i cënojnë të tjerët? Në këtë drejtim, nuk flitet kurrësesi për tolerancë tonën ndaj këtyre njerëzve, apo tolerim të shtetit, por për mosndërhyrje në jetën e tyre private.

çdokush prej nesh që ka një familje, ka të drejtë të jetoje me të. çdokush prej nesh ka të drejtë që të jetojë me bashkëshortin dhe me fëmijët e tij. Kjo është ajo që shoqëria jonë dhe çdo shoqëri moderne ka dëshiruar në shekuj. A duhet që kjo të shpallet në një ligj themelor si Kushtetuta? Askush veç shtetit do të ndërhynte në jetën e një familjeje, ose askujt veç shtetit do ti binte barra për të garantuar të drejtën e kujtdo për të jetuar së bashku me familjen e tij. Mendoni për një moment ato qindra e mijëra familje refugjatësh shqiptarë të cilët tashmë janë ndarë prej vitesh, ata bashkëshortë që kanë kohë që nuk shohin njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre. Shoqëria është e pafuqishme për të ndihmuar që këta njerëz të jetojnë së bashku me familjet e tyre. Këtu s'mund të flasim veçse për atë që quhet detyrim pozitiv i shtetit, pra shteti të veprojë. Që shteti të veprojë, duhet së pari ai ta ndjejë një detyrim të tillë. Kjo fillimisht duke shpallur ketë të drejtë në një dokument themelor si kushtetuta. Së dyti, i takon shtetit shqiptar të punojë në drejtim të politikës shtetërore, për të arritur një gjë të tillë.

Deri tani folëm për liri dhe të drejta. Deri tani folëm vetëm për të drejtën për të jetuar jetën tonë private në të gjitha anët e saj. Në shoqërinë tonë, mes nesh ka edhe njerëz të cilët nuk i kuptojnë siç duhet të drejtat dhe liritë e tyre, dhe harrojnë se liria e njeriut fillon aty ku mbaron liria e tjetrit. Pra jemi ne, me parimet dhe moralin tonë, që vendosim kufizime mbi liritë dhe të drejtat. Ka njerëz që nuk i kuptojnë siç duhet këto liri dhe të drejta, duke menduar se ato janë absolute. Këta njerëz abuzojnë, duke u kthyer në një rrezik për shoqërinë. Shtetit i duhet të ndërhyjë, për të shmangur një rrezik më të madh, duke shkaktuar një dëm më të vogël, p.sh.duke kufizuar liritë dhe të drejtat e një apo disa individëve, apo duke ndërhyrë në jetën e tyre private.

Në këtë rast individi përballet me shtetin. Shtetit i duhet të ndërhyjë. Në këtë moment shteti bëhet i rrezikshëm. Shumicën e rasteve që shteti ndërhyn në jetën private të individit, mund t'i shkaktojë atij një dëm shumë të madh. Mënyra më e mirë për të shmangur ndërhyrjen abuzive të shtetit, është që ndërhyrja e tij të bëhet në rrethana të paracaktuara mirë dhe për arsye bindëse.

Në radhë të parë, shteti që të ndërhyjë në jetën private të individit duhet që ta bëjë këtë duke u bazuar në ligj. Së dyti, kjo ndërhyrje duhet të jetë e nevojshme për vetë shoqërinë demokratike.

Vetëm me ketë frazë, shtetit do t'i liheshin shumë hapësira, pasi ndërhyrjet e shtetit do të mund të justifikoheshin gjithmonë si të nevojshme për shoqërinë, dhe individi përsëri do të ishte i pambrojtur përballë shtetit. Për këto arsye duhet që ndërhyrja e shtetit të bëhet për motivet më të forta, dhe gjithmonë për ato motive të cilat do të justifikonin ndërhyrjen në gjënë më të shtrenjtë për individin, jetën e tij private.

Të tilla motive do të ishin mbrojtja kombëtare, siguria publike ose mirëqënia ekonomike e vendit, parandalimi i çrregullimit ose krimit, mbrojtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Të gjitha këto motive do të justifikonin ndërhyrjen e shtetit në jetën private të individit, por përsëri këto i lënë vetë shtetit mundësinë për të vlerësuar se kur është një rast i tillë që do të kërkonte ndërhyrjen e shtetit. Në këtë rast do të ishte në interes të secilit prej nesh që në ligjin themelor të shtetit të përmendeshin se kur dhe si duhet të ndërhyjë shteti në jetën private të individit.


zeriyt.com/jurisprudence
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top