As Jezusi, as Muhamedi, as Buda, por Kanuni*

cent

...Lontano
Nexhmedin Spahiu/Publicist

Ajo që na bën të mos kemi një demokraci të konsoliduar nuk është se ne si popull kemi më shumë letranxirës se popujt tjerë. Jo, problemi është te vlerat morale, te qasja e jonë ndaj argumentit. Shqiptarët, si në Kosovë si në Shqipëri, si kudo që janë, respektojnë autoritetin e jo argumentin. Këtë do ta vëreni më qartë nëse shkoni në kullat e Malësisë apo odat e Kosovës. Aty autoriteti më i lartë vihet në ballë të oxhakut, ndërsa të tjerët anash deri tek dera ku ulet ai që ka autoritetin më të vogël në atë ndejë. Kur flitet në kullë apo në odë nuk peshohen fjalët nga cilësia e argumentit, por nga niveli i autoritetit të atij që i shqipton fjalët. Mos mendoni që në thelb puna qëndron më mirë në klubet ku rrinë elitat e Prishtinës dhe Tiranës. Jo më larg se 50, 100 apo 200 vjet, këto elita kanë dalë nga brumi psikologjik që përmenda më lart. Për shqiptarët nuk ka lindur akoma as Buda, as Jezu Krishti e as Muhamedi. Shqiptarët, tek e tuk, bëjnë kryq e bëjnë namaz, por kjo është më tepër një fizkulturë e tyre, se sa një përkushtim ndaj Perëndisë. ثshtë më tepër një aktrim dhe sjellje për t’u dukur si të tjerët se sa përkushtim ndaj Perëndisë. Nënvetëdijen tonë e drejton Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe jo Bibla e Kurani. Prandaj të gjithë rilindësit tanë kishin problem me opinionin. A nuk ankohej për këtë Faik Konica? Po Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e shumë e shumë të tjerë? Sot ata respektohen ngaqë konsiderohen autoritete, por mendimet e tyre prapë se prapë kundërshtohen sapo t’u hiqet emri i autorit si autoritet. Në një shkrim timin gati 2 vjet më parë kisha bashkangjitur një shkrim të Gjergj Fishtës për të dëshmuar se si Gjergj Fishta e ka konceptuar kombin njësoj si unë. Meqë shkrimi i Gjergj Fishtës ishte i gjatë, gazeta, shkrimin tim së bashku me shkrimin e atashuar të Gjergj Fishtës, e botoi në tri vazhdime. Në ditën e parë doli shkrimi im dhe një pjesë e shkrimit të atashuar të Gjergj Fishtës. Në ditën e nesërme e të pasnesërme doli vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës, me emrin tim si autor, ngaqë redaksia e gazetës kishte harruar të shtonte një shënim se ishte vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës të cilin po e citoja. Komentet e lexuesve, që shkrimin e Gjergj Fishtës e pandehnin për timin, ishin katastrofalisht negative. Për të qenë ironia në kulm, disa përdornin autoritetin e Gjergj Fishtës për të sharë mendimet e tija ngaqë shkrimin e tij e pandehnin për timin. Për të ecur përpara duhet që të ndryshojmë këtë qasje. Në kullat e Malësisë, në odat e Kosovës, në shkolla fillore dhe kudo duhet të shkruajmë parulla: Këtu argumenti është mbi autoritetin.

*Titulli është redaksional

/Marrë nga Zëri.info/
 
Back
Top