Antonia Fraser, të duash vetëm një grua

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Antonia Fraser, të duash vetëm një grua

ndr.jpg


Antonia Fraser e ndjeu që kur makina e tij u zhduk tej në rrugë, se kjo histori nuk do të ishte e zakonshme. Xhaketa e tij e bardhë, puroja që mbante në dorë gjatë gjithë mbrëmjes, dhe gota e verës teksa i fliste për filozofinë e bënë gruan ta risillte shpesh në kujtesë gjatë mbrëmjes gjithçka kishte ndodhur në ato dy orë.

Në bibliotekën e madhe në katin e parë të shtëpisë, ajo gjeti disa libra të tij, por që deri në atë moment nuk i kishte shfletuar. Disa ditë më vonë ajo bleu vetë një biletë për në teatër për të parë një shfaqje të shkruar prej tij. Historia e dashurisë mes Antonia Fraser dhe nobelistit Harold Pinter duket sikur nuk ka një fillim dhe fund… Ajo filloi në një festë letrarësh në Londër, dhe vijoi për 33 vite të tjera derisa ai u nda nga jeta.

Shkrimtare, autore e një sërë novelash dhe librash me detektivë, biondja me sytë e kaltër dhe vajza e madhe e Lordit të shtatë Longford, i dha fund martesës me një lord anglez dhe vendosi të jetonte romancën e jetës së saj me Pinter. Dashuria mes tyre nuk ishte vetëm një komunikim trupash, por dhe i mendjes… Kjo lidhje do të kthehej në skandal fillimisht për dramaturgun, i cili ishte i martuar me aktoren Vivienne Merchant.

Kjo tradhti do ta shkatërronte gruan, e cila deri në atë kohë kishte qenë frymëzim për Pinter. Ajo nuk interpretoi më asnjë rol dhe iu dorëzua alkoolit. “Ai nuk do të shkruajë dot më kurrë për një femër siç shkruante për mua”, do të shprehej Merchant. Ajo vdiq dy vjet pas divorcit në moshën 53-vjeçare.

Vite më vonë kritikët mendojnë se Vivienne kishte të drejtë. Asnjë pjesë dramatike që Pinter shkroi më pas nuk kishte brenda portretin e plot të një gruaje… Nuk kishte më një grua në dramat e Pinter, por thjesht personazhe. Komedia e Pinterit “Betrayal” (1978) shpesh konsiderohet si përfaqësuese e kësaj historie dashurie, por në të vërtetë ajo është bazuar në një marrëdhënie që autori kishte pasur shtatë vjet më parë me Joan Bakeëell, një prezantuese televizive. Por lidhja me Antonian do të ishte një tjetër jetë për Pinter.

Në Londrën e atyre viteve ata ishin ndër çiftet më të njohura në botën e artit. “Harold dhe unë i përkisnim të njëjtës klasë. Do ta quaja klasë boheme”, shkruan ajo. Gjithë jetën e saj përkrah tij, ajo e shkroi në një libër, ku shihet kujdesi i një gruaje për të fokusuar në letër çdo ditë… “Harold dhe unë e duam njëri-tjetrin përjetësisht”, shkruan ajo. Para se ai të mbyllte sytë përgjithmonë në spital, më 2008-n pasi sëmundja e kancerit i kishte avancuar, ajo i shtrëngonte dorën teksa i lexonte “Ringjalljen” e Tolstoit.

Ata i premtuan njëri-tjetrit se do të varroseshin pranë njëri-tjetrit në Kensal, varrezat në perëndim të Londrës. Klasiku i dramaturgjisë së viteve ‘900, e përjetoi momentin e tij më të mirë krijues në vitet ‘60-‘70, kur ishte pjesë e gjeneratës së “angry young men”, i të rinjve të zemëruar, që në gjurmët e teatrit të absurdit, të Ionesco, Beckett dhe Adamov kishin revolucionarizuar skenën teatrore.

Teatri në ato kohë përjetonte momente të begata, në të cilën rrëfehej për vetminë e njeriut dhe absurdin e të jetuarit, si dhe denonconte kushtëzimin në të folur. Pinter nuk ishte thjesht dhe vetëm një dramaturg i jashtëzakonshëm, por ai ishte edhe poet, regjisor, si dhe një skenarist mjaft i mirë kinematografik. Në moshën 19-vjeçare, nën pseudonimin David Baron, ai nis të interpretojë si aktor në dramat e Shekspirit, në disa qendra të vogla irlandeze. Kjo eksperiencë, më vonë do të ishte thelbësore për karrierën e tij si dramaturg.

Kritika e kthen vëmendjen nga ai me “The Room” (“Dhoma”, 1957), e cila përfaqëson një vend sigurie dhe mbrojtjeje, por edhe frike e ankthi. Modelet e tij letrare janë Beckett e Kafka dhe gjurmët e tyre janë të ndjeshme në krijimtarinë e tij, në ambientet klaustrofobike, në temat e moskomunikimit, në ndjesitë e të ndjerit i kërcënuar dhe i shtypur, në motivin e heshtjes, që bëhet gjithnjë e më e kuptimtë e më domethënëse se dialogu. Harold Pinter lindi në Londër më 10 tetor në vitin 1930.

“Veprat e para të Harold Pinterit u masakruan prej kritikëve. Me përjashtim të Harold Hobson, të gjithë shkruan se ai ishte një autor ekscentrik, i papranueshëm, i pakuptueshëm dhe që nuk kishte asgjë për të thënë. Sot ndoshta është autori më i përfaqësuar në botë, por siç edhe e ka thënë vetë, “tani jam bërë i kuptueshëm, i pranueshëm, e megjithatë komeditë e mia janë të njëjtat me të parat. Unë nuk kam ndryshuar asnjë batutë”.

Pinter studioi në “Hackney Downs Grammar School” dhe për një kohë të shkurtër edhe në “Royal Academy of Dramatic Art” (RADA). Në moshë të re, publikoi disa poezi dhe nisi të aktrojë në teatër me emrin e artit. Komedia e tij e parë “The Room”, u interpretua për herë të parë nga studentët e Universitetit të Bristolit në vitin 1957. “The Birthday Party” (e shfaqur për herë të parë në vitin 1958) fillimisht nuk u vlerësua, pavarësisht recensës pozitive në gazetën “Sunday Times” shkruar prej kritikut të teatrit, Harold Hobson.

Por suksesi i punës së tij pasardhëse “The Caretaker” (1960), i dha suksesin e shumëpritur. Këto katër komedi, si dhe disa punë të tjera të para si “The Homecoming” (1964), ndonjëherë etiketohen si “komedi e kërcënimit”. Zakonisht ato nisin me një situatë e cila në dukje është e pafajshme dhe që papritmas kthehet absurde dhe kërcënuese, sepse aktorët nisin të sillen në mënyrë të pashpjegueshme si për publikun që i ndjek nga salla ashtu edhe për vetë personazhet.

Ky stil që Pinter zgjedh në krijimet e tij ka bërë që fjalorit anglez t‘i shtohet edhe termi “Pinteresque”. Veprat e Pinterit janë të influencuara së tepërmi edhe nga krijimet e Samuel Beckett dhe shumë shpejt të dy u bënë miq mjaft të mirë. Harold Pinter në vitet ‘70 iu kushtua shumë regjisë. Ai nisi si regjisor i asociuar fillimisht në “Royal National Theatre”. Veprat e tij të cilat i ngjiti në skenë gjatë këtyre viteve, kanë si tendencë të jenë më të shkurtra dhe me argumente më tepër politike duke u shfaqur shpesh si alegori të shtypjes së popullatës si pasojë e politikës.

Ndodhi pikërisht në vitet ‘70 që Pinteri nisi të interesohej edhe për politikë me një orientim drejt së majtës.

Ai vazhdimisht kërkon që të sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik çështje të dhunimit të të drejtave njerëzore. Letra të Pinterit shpesh shfaqen në të përditshmet britanike si “The Guardian” e “The Independent”. Në vitin 1985 Pinter shkoi në Turqi me komediografin amerikan, Arthur Miller, ku u takua me shumë viktima të politikës në vend. Gjatë një ceremonie në ambasadën amerikane të zhvilluar për nder të Miller, në vend që të nderonte pjesëmarrësit me heshtjen e tij, Pinter foli për të gjithë ata njerëz që ishin torturuar me goditje elektrike në organet gjenitale.

E përzunë prej ambasadës (Miller, për ta mbështetur u largua bashkë me të). Eksperienca e Pinterit në Turqi frymëzon komedinë e vitit 1988 “Mountain Language”. Pinter iu kundërvu edhe pushtimit të Afganistanit e Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2005 ai lajmëroi se rreshti së shkruari komedi për t‘iu kushtuar politikës. Në tetorin e vitit 2005, Akademia e Suedisë bën të ditur se Pinter ishte fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë me motivacionin: “Në komeditë e tij ai zbulon atë çka fshihet nën bisedat e përditshme dhe të shtyn të hysh në dhomat e mbyllura të shtypjes politike”.

Në vitin 2006 ai vlerësohet me çmimin “Europa për Teatrin”. Në muajin janar të vitit 2007, Kryeministri francez, Dominic de Villepin, i dorëzon “Legion d‘onore”. Në vitin 2002 i nënshtrohet një kimioterapie për një tumor në ezofag dhe që prej asaj kohe, shëndeti i tij ishte i brishtë.


(gazeta-Shqip.com)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top