Amerikanët, më të interesuarit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

WxP

Staf në FV.AL
Administrata amerikane duket tejet e angazhuar që zgjedhjet në vendin tonë të shkojnë sipas standardeve. Vendi mik dhe aleat, mbështetësi kryesor i anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, tashmë që ka bërë të tilla “dhurata” për kombin shqiptar, pret që vendi të tregojë se ka arritur disa standarde.
Deklaratat e tyre shpesh kanë qenë të ashpra, çka lë të kuptosh se ata nuk janë të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve, por për mënyrën se si do shkohet deri te ky rezultat.
Një seancë dëgjimore e Kongresit Amerikan nxori në pah një problem themelor në vend, rënien e besimit tek sistemi dhe tek standardet. Ndërsa një shkrim i mëvonshëm i gazetës së njohur amerikane, “NY Times” theksonte se, edhe nëse zgjedhjet do të kalojnë në mënyrë paqësore, sërish ka dyshime të forta, nëse çdokush kishte të garantuar votën e lirë.
Pavarësisht se, siç thotë gazeta, kryeministri, Sali Berisha, ka lidhje të forta në Uashington, amerikanët i kanë drejtuar kritikat te mazhoranca, ajo që ka përgjegjësinë kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.




Një zgjidhje e suksesshme e minutës së fundit nuk do shpëtojë imazhin e zgjedhjeve


Nga Alcee L. Hastings*
Bashkëkryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë
4.06.2006


Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar që të mbahen në Shqipëri më 28 qershor, pak a shumë pas tri javësh duke nisur nga sot.
Ka shqetësime se këto zgjedhje nuk do të përmbushin standardet e OSBE. Ne do të dëgjojmë sot panelistët, teksa flasin për këto shqetësime dhe për perspektivën e këtyre zgjedhjeve.
Komisioni i Helsinkit ka qenë në kontakt me ambasadën shqiptare, e cila na ka informuar ne në lidhje me përpjekjet për të trajtuar çështjet zgjedhore.
E para mes këtyre problemeve duket se është çështja e identifikimit të zgjedhësve, dhe numri i madh i votuesve që nuk kanë një pasaportë dhe që nuk kanë marrë akoma një kartë identiteti që do u mundësojë atyre të drejtën për të votuar.
Nuk do të hyj në detaje të mëtejshme për sa u përket këtyre zgjedhjeve. Këtë do ua lë ta bëjnë panelistët tanë.
Megjithatë, dua të shpreh keqardhje për faktin që këto shqetësime zgjedhore vazhdojnë të ekzistojnë dhe të dëmtojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.
Edhe nëse një zgjidhje e minutës së fundit për të korrigjuar gjërat do të jetë e suksesshme, ajo thjesht do të përsërisë modelin shqetësues nga zgjedhjet paraardhëse për mosmarrjen e veprimeve të nevojshme për të bërë diferencën gjatë zgjedhjeve të ardhshme, që planifikohen të mbahen rregullisht çdo katër vjet.
Përfundimisht, dua të them se nuk janë as partitë në pushtet, as ato në opozitë që vuajnë pasojat e plota të këtyre shtyrjeve. Ai që vuan është votuesi.
Një qytetar që ka të drejtën për të votuar për përfaqësuesit e tij në parlament, jo vetëm që ka të drejtën për të bërë këtë dhe duhet respektuar, por qytetari duhet gjithashtu të ketë disa pritshmëri në mënyrë që vota të ketë një domethënie dhe të bëjë diferencën në jetën e tyre.
Edhe nëse gjithçka shkon në rregull më 28 qershor, pa dyshim që duhet bërë shumë për të ndihmuar popullin shqiptar që të ketë besim te sistemi.
Kjo është një pikë shumë e dobët e demokracisë shqiptare.




Withers: Mos u trembni nga presionet për votën, denonconi çdo rast
24.06.2009


“Unë i kërkoj të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën më të çmuar civile, të drejtën për të votuar dhe iu them atyre: Mos kini frikë të votoni!
E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATO-s, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t’i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më. Pra, nëse dikush kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes tuaj, nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë, nëse dikush përpiqet që të vërë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato te vëzhguesit.
Ju kërkojmë që të dini gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA, do të jetë duke ju vëzhguar. Këto praktika që përshkrova më sipër janë praktika të së shkuarës. Ato nuk kanë vend në botën e sotme apo në Shqipërinë e sotme. Prandaj iu them qytetarëve shqiptarë: Vota është e drejta e shenjtë e demokracisë, është privilegji i lirisë. Mos ia lejoni kurrkujt që të marrë këtë të drejtë nga ju. Ndërsa futeni në qendrat e votimit më 28 qershor, mos harroni: Amerika është në krahun tuaj! Amerika ju mbështet! Votoni në paqe, në liri dhe pa frikë!” - tha Withers.




“New York Times”: SHBA mund të turpërohej nga dështimi i zgjedhjeve
24.06.2009


Nëse zgjedhjet do të jenë paqësore, të lira dhe demokratike, analistët dhe diplomatët thonë se kjo do të përcaktojë progresin drejt rehabilitimit ndërkombëtar.
Aplikimi që ka dorëzuar së fundmi Shqipëria për anëtarësim në BE tashmë përballet me një skepticizëm të thellë; blloku është i tejzgjeruar dhe ka frikë që të pranojnë nga dera e pasme anarkinë. Uashingtoni, që ka lobuar shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të ishte thellësisht i turpëruar, nëse zgjedhjet nuk do jenë korrekte.
Pothuajse çdo zgjedhje që pas rënies së komunizmit në vitin 1991 është kontestuar, me humbësit që akuzojnë fituesit për abuzim me votën, madje dhe më keq.
Audrey Glover, drejtuesja e misionit monitorues të OSBE, thekson se pritshmëritë janë të larta kësaj here, për shkak se Brukseli dhe Uashingtoni po vëzhgojnë nga afër.
“Shqipëria ka nevojë të provojë se ka përqafuar standardet demokratike perëndimore”, - thotë ajo. “Nëse nuk shkon mirë procesi, do t’i bëjë gjërat shumë të vështira.”
Shqiptarët mund të jenë sërish në një udhëtim kaotik. Edhe përpara se të mbërrinte ambasadorja Glover, shefi i komisionit të zgjedhjeve, që zgjidhet nga kryeministri, Sali Berisha, u përpoq në mënyrë të pasuksesshme që të bllokonte emërimin e saj.




Nikolla Pano: Dështimi me zgjedhjet do ishte një armë më shumë për armiqtë e shqiptarëve
26.06.2009


Me statusin e saj si anëtare e NATO-s, Shqipërisë i duhet të demonstrojë se e ka merituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të NATO-s që i dhanë asaj anëtarësimin. Ky vendim u mor me pritshmërinë se përparimi i shënuar nga Shqipëria në zhvillimin e institucioneve politike, sundimin e ligjit, zgjerimin e ekonomisë së tregut, si dhe përpjekjet kundër korrupsionit politik dhe ekonomik do të vazhdonin. Një element i rëndësishëm i luftës për zbatimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri do të jetë mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje. Ato duhet të jenë patjetër të lira dhe të ndershme. Jo vetëm integriteti i procesit elektoral shërben për të matur shëndetin e demokracisë politike, por ka rëndësi në këtë aspekt përqindja e votuesve që do të marrin pjesë. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara me ndershmëri dhe me një pjesëmarrje të lartë do të sillnin një provë bindëse lidhur me përparimin që Shqipëria ka bërë drejt demokracisë. Nëse zgjedhjet dalin keq, kjo do të ishte shenjë që do të tregonte se vendi ka nevojë të bëjë më shumë për të ardhur në nivelin e standardeve si anëtar i NATO-s.
Natyrisht, ka patur disa kritikë të vendimit që e pranoi Shqipërinë në NATO, të cilët argumentuan se anëtarësimi i Shqipërisë ishte në thelb një dhuratë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që shqiptarët i dhanë Uashingtonit gjatë luftës në Irak, për faktin se pranuan refugjatët ujgurë, dhe se përgjithësisht ishin simpatizantë të Amerikës. Mendoj se ka edhe faktorë të tjerë që çuan në këtë vendim, por sigurisht që këta kritikë të Shqipërisë, si Serbia për shembull, do të gëzoheshin shumë, nëse Shqipëria, e cila u bë faktor për pavarësinë e Kosovës, do të kritikohej ashpër.

Gazeta: Tema
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top