A po mbarset në Shqipëri një projekt politik i ekstremit të majtë?

LeVoyageur

Once upon a time...
Adrian Thano
Nuk e kanë shfaqur veten plotësisht, madje ende nuk kanë bërë ndonjë sforco të atyre përmasave që teorikisht do kërkonte një ndërmarrje e tillë.

Por është duke marrë formë si mendim politik duke nisur me atë që tani për tani duket si një përpjekje minimale për të testuar opinionin publik, aty ku e nisi dikur edhe Grillo: në web

Internautët, lexuesit e rrjeteve sociale dhe portaleve online janë të ndarë më tresh e më katërsh kur gjykojnë qëndrimet e tyre të fundit; por ndoshta zemërimet dhe moskuptimet vijnë pse ende nuk e kanë kapur dëshirën për t’i dhënë jetë një lëvizjeje politike të ekstremit të majtë në Shqipëri.

Megjithëse janë nga ata që u pëlqen të flenë vonë në mëngjes dhe t’i vëzhgojnë të tjerët nga sipër, nuk e kanë menduar keq. Momenti është i përshtatshëm. Me Berishën që bën për të vjellë dhe Ramën që zhgënjen, me krizën ekonomike dhe kontekstin e përgjithshëm europian, çdo alternativë politike, sidomos e pozicionuar brenda së majtës do e fitonte lehtë së paku interesin fillestar të publikut në Shqipëri.

B.Blushi që dikur u përfol edhe për një projekt të përbashkët politik të ndërprerë nga vdekja e Olldashit, është më i dukshmi në këtë mëtim. Disa analistë në kohë të ndryshme afër dhe larg grupit të Klanit shihen gjithashtu në të njëjtën linjë.

Mes tyre dhe Berishës nuk duket të ketë ndonjë luftë kushedi çfarë, madje nuk ka pse të ketë, të paktën tani për tani. Ndoshta pse me Berishën merren të tjerë. Por edhe pse Berisha paradoksalisht u jep jetë atyre përkundër tij (mjaft që ata të quhen të majtë) pa qenë nevoja të bëjë tjetër veçse të ekzistojë. Nëse e meriton një lapidar, duhet t’ia ngrenë pikërisht tek oborri i PS-së.

E veç kësaj, në të shkuarën Berisha ka qenë me ta (jo drejtpërdrejt por me grupin që i ka ushqyer) më bujar se një kapedan kusarësh që i shkojnë punët grurë.

Ndërsa me Ramën janë të hidhur; më të shpenguar dhe më kurajoz; me gjasa e njohin më mirë se të tjerët dhe veç fetusit të mësipërm politik kanë me njëri tjetrin ato cëc-mëcet e pafundme mes çunash të përkëdhelur të ish-lagjes komuniste të Tiranës.

Blushi është më i dukshmi deri më tani. Jo rastësisht është më i pozicionuari kundër islamit politik, madje e kërkoi pas Parisit me ngulm një protagonizëm qoftë edhe nëpërmjet kërcënimit: ndonjë naiv ra në grackën e tij duke e kryer këtë live në TV.

Dje Blushi ishte akoma më i qartë: Në një shkrim botuar në një portal online ku janë mbledhur ai dhe djemtë e së njëjtës ide shprehte simpati për Syrizën greke madje deklaronte se do votonte për të nëse do ish e mundur.

Një ditë më parë pati nje shkrim të A.Bushatit, i cili thoshte po te njejten gje si Blushi; dmth qe Syriza e Tsiprasit duhet te fitoje, dhe shqiptaret ne Greqi duhet ta votojne ate. Në të njëjtën kohë F.Lubonja flet me admirim te madh per nje parti tjeter ekstremiste ne Itali (5 yjet) te Grillos;

Si ka mundesi qe këta të cilët në vendin e tyre tallen me ekstremizmat e çdo lloji, i ftojnë shqiptaret ne Greqi te votojne per nje parti ekstremiste?! – pyesin të habitur lexuesit që komentojnë poshtë opinioneve.

Pyetja do marrë shpejt një përgjigje. Ajo që ka nisur duke cituar nje shkrimtar si Houellebeq dhe duke shprehur simpati për Tsipras, i ka shanset të marrë një formë më politike se një portal online; për shkak të rrethanave që thamë më lart dhe të tjerave që do krijohen medoemos në të ardhmen e afërt dhe që këta i kanë kapur me mprehtësi.

ثshtë pak ironike që tek grushti lart i Tsiprasit kthehen pikërisht ata që më parë kanë deklaruar që baballaret i kanë vrarë filozofikisht, por ç’rëndësi ka kjo. Në një Shqipëri ku (ndër të tjera) ka ende njerëz që besojnë se Saliu është antikomunisti i parë mjafton të kesh në duar një flamur. Dhe le ta pranojmë që është një ofertë joshëse për një shoqëri e cila nuk beson më tek e ardhmja, përkundrazi po sheh me nostalgji nga e kaluara.

Por për të patur sukses, nuk mjafton të jesh inteligjent. Duhet edhe personalitet. Përgjithësisht mëtuesit politikë në Shqipëri bëjnë pazar kur duhet të luftojnë. Nuk është ky rasti dhe paragjykimet janë të tepërta në këtë fazë. Por megjithëse intelekti nuk u mungon, madje edhe i mbarsur brenda një geni të ekstremit të majtë, pyetja mbetet: A kanë këllqe Blushi dhe miqtë e tij të ngrenë e sidomos të mbajnë në këmbë në Shqipëri nje parti radikale si ajo ne Itali apo nje parti ekstremiste si ajo në Greqi?

Unë nuk e dyshoj qëllimin e tyre, por vullnetin për t’i shkuar në fund, po. Pikë së pari, sepse hë për hë duken edhe këta të izoluar në snobizmin e tyre, njësoj si grupet e tjerë polit-mediatikë të Tiranës së rizhytur në baltë këtë dimër.

Mund edhe të heqin dorë me pengesën e parë; por mundet që shumë të tjerë të nisin ta mendojnë këtë punë si ata nën shenjat e para të një krize të ashpër jo vetëm ekonomike, që ka nisur të shfaqet.

ثshtë me siguri një temë për të cilën do flitet shumë më shpesh në Shqipëri pas kësaj të diele greke jo pak të rëndësishme për “kontinentin e ngrysur që ka harruar të qeshë” siç e quan së fundmi Europën, socialisti Blushi.


dita
 
Back
Top