A ka ardhur koha të kemi Iranin mik dhe Arabinë Saudite armike?

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Michael Axworthy, The Guardian



Përpara shumë vitesh, një njeri i nderuar i brezit të vjetër të “Foreign Office”, Sir Julian Bullard iu tha kandidatëve për t’u bërë diplomatë të rinj se arsyeja më e mirë për të mësuar gjermanishten ishte që të lexonin epigramet e Niçes. Nuk besoj që shumë prej tyre ta kenë marrë për zemër këshillën e tij, por unë të paktën lexova një prej tyre që thotë Wenn du lange in einen Abgrund blickst, blickt der Abgrund auch in dich hinein, e që përkthehet: nëse shikon gjatë në një humnerë, edhe humnera të sheh ty. Një tjetër fjalë që do t’i shkonte përshtat humnerës është padyshim Gjiri.

Gjërat po ndryshojnë në rajonin e Gjirit Persik. Një mbreti i moshuar dhe i sëmurë saudit vdiq dhe u zëvendësua nga vëllai i tij (me nënën tjetër) i moshuar dhe i sëmurë, ndërkohë që rebelët Houthu u duk se arritën një sukses të madh në Jemen. Ndërkohë, një përfaqësi prej më shumë se 20 vendesh – përfshi Britaninë, Amerikën dhe Irakun – kanë rënë në agoni lidhur me faktin se si duhet ta luftojnë Shtetin Islamik (ISIS), me Bagdadin, që kërkon më shumë mbështetje për të luftuar nga aleatët e tij perëndimorë.

Të gjendur përballë kaq shumë ndryshimesh në Lindjen e Mesme, qeveritë perëndimore duket se ndodhen në udhëkryq. Jo shumë kohë më parë, kishim ndërmend të ndërmerrnim një fushatë bombardimesh për të çrrënjosur regjimin e Asadit në Siri. Tani vetëm 18 muaj më pas, vazhdimësia e atij regjimi duket si një domosdoshmëri – edhe pse e pështirë – për politikën perëndimore në rajon, në mënyrë që rreziku më i madh që paraqet ISIS të izolohet apo të eliminohet.

Njëkohësisht edhe qëndrimet tona karshi Iranit kanë ndryshuar gjithashtu, pasi procesi i negociatave për çështjen bërthamore iraniane ka ecur dalëngadalë përpara. U befasova javën e kaluar teksa dëgjoja një koleg të sugjeronte se ideja se Irani ishte një forcë stabiliteti në rajonin e Gjirit Persik është kthyer tashmë në një gjetje të mençur. Por qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar mjaftueshëm për t’i përqafuar iranianët si aleatë në Irak dhe Siri. Kjo është një situatë perverse. Dhe ka ende zëra influencues në SHBA dhe gjetkë, të cilët paralajmërojnë për ekspansionizmin iranian, sikurse bëjnë sauditët për shembull.

Të njëjtat zëra kishin prirje të lavdëronin zellin e pretenduar reformues të Mbretit Abdullah (asgjë nga ato që kam dëgjuar nuk më bën të mendoj se pasardhësi i tij do të jetë edhe më i zellshëm), duke injoruar faktin e parehatshëm se shumica e ekstremizmit dhe terrorizmit islamik më të keq të dy dekadave të fundit është ngritur, përmes financimesh dhe influence fetare, pikërisht nga Arabia Saudite. Në këtë situatë, shteti që ishim mësuar ta shihnim si armikun tonë (Iranin) ka filluar të duket më shumë si një mik i mundshëm, ndërsa shteti që e trajtonim si aleat po duket gjithnjë e më shumë, në mos si armik, si lloji i shokut që e bën të panevojshme të kesh armiq.

Me siguri nuk do të ishte e mençur të prisnim shumë nga një aleancë e mundshme me iranianët për të luftuar ISIS-in. Ne duhet të jemi plotësisht të gatshëm përbri rangut të mundësive që janë hapur nga riqasja në zhvillim e sipër me Iranin; është një prej shenjave të pakta të ndriçuara në një tablo të errët. Por forcat e armatosura të Iranit nuk janë aq të fuqishme sa të tjerat në rajon për sa i takon batalioneve të mëdha. Trupat e Gardës Revolucionare kanë përvojë dhe shumë aftësi, por ka gjasa që ata të mos mund të bëjnë më shumë se sa kanë bërë deri më tani në Irak dhe Siri.

Edhe në rast se do të mund të ndihmojnë, kjo ka gjasa që të mos jetë në dobi të stabilitetit afatgjatë, sepse ndërhyrja e gjerë nga iranianët shiitë në Irak dhe Siri mund ta ndezë edhe më shumë rezistencën e grupeve sunite arabe. اelësi i suksesit kundër ISIS-it duhet të përfshijë nxitjen e vetë sunitëve arabë që ta kundërshtojnë ISIS-in, ashtu sikurse ata kundërshtuan dhe luftuan al-Qaeda-n në Irak në koordinim me të ashtuquajturën dallgën e SHBA-së që prej 2007-s e këtej.

Për fat të keq, mbështetja perëndimore për sunitët arabë dhe marrëdhënia me këta elementë u zvogëlua pas suksesit të kësaj politike dhe kjo është pjesërisht arsyeja përse kemi ISIS-in sot. Rindërtimi i këtyre marrëdhënieve do të jetë i vështirë tani sepse sunitët ndihen të keqtrajtuar nga Perëndimi.

Në artikulimin e politikës sonë në rajon, në rrethanat e ndarjeve të mprehta sektare, është shumë e rëndësishme që angazhimi ynë për stabilitetin të jetë i qartë dhe i pangatërrueshëm, në mënyrë të veçantë angazhimi i çrrënjosjes jo vetëm i ISIS-it dhe al-Qaeda-s, por edhe i shkaqeve që i kanë sjellë ato. Në këtë pikë unë kthehem pas te Bullard dhe te Niçja: edhe Gjiri Persik na shikon, me pak fjalë, tensionet në rajon na kërkojnë që t’i rishqyrtojmë politikat tona.

Stabiliteti në rajonin e Gjirit Persik është ajo që themi se duam dhe shumë analiza dhe komente e marrin këtë si të mirëqenë. Por, a e duam në të vërtetë? Sa shumë e duam? A e duam mjaftueshëm, për shembull, aq sa të rrezikojmë që të ndryshojmë aleatët tanë të shquar përgjatë bregut jugor të Gjirit dhe ta ndryshojmë zotërimin e tyre të armëve që arrihet nëpërmjet shitjesh mjaft fitimprurëse? Sepse kjo është ajo që do të ndodhte në rast se ne do të vëmë dorë në rolin që luajnë disa vende në financimin e grupimeve ekstremiste sunite me radikale dhe destabilizuese, sikurse janë ISIS dhe al-Qaeda.

Shumëkush mund të bjerë dakord se ideologjia ekstremiste sunite e ISIS-it është vetëm një hap larg nga aplikimi i Islamit wahhabi që është në themelet e Arabisë Saudite. ثshtë ky ekstremizëm që po e udhëheq konfliktin e përgjakshëm ndërmjet sunitëve dhe shiitëve dhe shkatërrimi mund të arrijë shkallë të paimagjinueshme gjer tani.

Apo do të vazhdojmë, çfarëdo që të shohim nga dritarja, të llogarisim vetëm interesin tonë kombëtar, në sensin më të ngushtë, që është vetëm që t’iu shesim armë Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit? Do të bëjmë një sy qorr përballë simpative ekstremiste dhe financimeve që burojnë prej tyre dhe që në fakt i lejojnë këto shtete që ta blejnë politikën tonë të jashtme bashkë me armët? Bli një dhe merr një falas.

Zor se Julian Bullard do ta kishte rekomanduar kursin e fundit. Duhet të jetë fare e qartë se mbajtja e njërit krah në një konflikt sektar në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja katastrofale, si për stabilitetin rajonal, ashtu edhe për interesat tona. Por ky duket se është drejtimi i mendimit politik i të paktën disa elementëve të qeverisë aktuale. Nëse Britania, në mënyrë të veçantë, do që të ketë ndopak besueshmëri në të ardhmen në këtë rajon, ajo duhet të jetë e përmbajtur.
 
Titulli: A ka ardhur koha të kemi Iranin mik dhe Arabinë Saudite armike?

Ndoshta e para behet ashtu, e dyta ka qenë ashtu, asgjë e re..... Mirmengjesi, interesi!
 
Back
Top