A ia vlen të jetosh me vlera?

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues

A ia vlen të jetosh me vlera?​

Një shprehje që na qëllon shpesh ta dëgjojmë në biseda mes miqsh, është se në Shqipëri nuk ia del dot nëse do të jetosh me vlera dhe nuk investon tek antivlerat. Shpesh në mënyrë krejt të çuditshme, sinonimet e fjalëve që tregojnë universalisht një karakter të mirë, kthehen në forma talljesh të përdorura në masë. Gjëja më e shpeshtë që dëgjon është se po të jesh i ndershëm, je budalla. Nëse je i mirë, je i lënë. Nëse je modest, je mediokër.
Nga ana tjetër, nëse bën korrupsion dhe i zgjidh punët shpejt, je shumë i shkathët, nëse jo…s’je për Shqipëri… Dhe këtë shprehjen s’je për Shqipëri e dëgjon aq shpesh, sa fillon të mendosh se realisht ndoshta ka ndonjë gjë që s’shkon me ty, që nuk integrohesh dot në promovimin butaforik të antivlerave dhe që këmbëngul kokëfortë se janë vlerat gjëja e duhur ku duhet të investosh për jetën. Modelet e suksesit që na përplasen thuajse dhunshëm me çdo mjet komunikimi e në çdo mënyrë, janë pikërisht ato të antivlerave që ngjisin vrullshëm shkallët e karrierës, famës, pasurisë e gjithë atyre gjërave që në fund të ditës i ëndërrojmë nga pak të gjithë. I kemi shkelur vlerat aq shumë me këmbë sa tashmë po të na pyesin rrezik kemi harruar cilat janë…

Vlerat dhe principet janë pikërisht forma e shoqërisë për të dalluar një sjellje të mirë përkundrejt asaj që konsiderohet si e keqe, për të gjykuar karakterin e një personi apo për të pasur një udhërrëfyes në hapat që hedh që kur zgjohesh në mëngjes. Vlerat dhe principet mund të jenë të ndryshueshme për shkaqe të ndryshme të lidhura me kulturën apo me kohën kur jetojmë, por ka disa vlera universale që nuk besoj do të ndryshojnë asnjëherë në kohë dhe në hapësirë. Integriteti, një fjalë që na duket thuajse e huaj në morinë e dëshmive që dëgjojmë, duket sikur po zhduket dalëngadalë nga fjalori…
1608377019903.png
Ndershmëria, besnikëria, mirësia, besimi, përgjegjshmëria, drejtësia e shumë të tjera diskutohen shpesh si fjalë e vlera që e kanë vendin e shekullin e kaluar dhe patjetër që jo në Shqipëri. E meqë jemi në Shqipëri… falë punës në terren, unë kam njohur dy Shqipëri të ndryshme. Te njëra, ajo që shohim të gjithë më shumë, antivlerat jetohen si vlera e kush jeton brenda këtij rrethi ka mundësi të shumta e sukses thuajse të garantuar.

Në Shqipërinë tjetër, atë për të cilën nuk flitet kund as nëpër tryeza e as nëpër media, njerëzit luftojnë pafund për të jetuar me vlera. Në këtë Shqipërinë tjetër kam patur fatin të njoh njerëz të rrallë, që nuk mendoja se mund të ekzistonin, kam njohur njerëz që kanë vendosur me kokëfortësi të mos shkelin mbi dinjitetin dhe integritetin e tyre si mënyrë për të garantuar suksesin e lehtë, kam njohur njerëz shumë të suskseshëm në fushat e tyre që mes njëqind punëve që kanë, u dedikojnë kohë dhë përkushtim njerëzve në nevojë…
Kam njohur në këtë Shqipërinë tjetër, njerëz që këmbëngulin të përballen me luftën e ashpër, shpesh tallëse dhe shpesh edhe të rrezikshme të vlerave kundër antivlerave dhe këta njerëz janë një frymëzim që nuk mund të kalohet pa u vënë re! Këta njerëz zgjedhin çdo ditë, të jetojnë me vlera, të jenë shpesh edhe shënjestër e luftës pa rregulla të antivlerave e megjithatë qëndrojnë aty, si një frymëzim i rrallë, se PO, ia vlen të jetosh me vlera dhe jo sepse e thonë të tjerët, por sepse ajo që ndërton është realisht e qëndrueshme dhe me vlerë!
Dhe po, këta njerëz ia kanë dalë e sa më shumë prej tyre njoh, aq më shumë kuptoj se nuk janë pak. Ia kanë dalë duke i rezistuar tundimit për pakte të lehta me antivlerat që të përfshijnë në vorbullën e masës që thjesht krijon realitete të rreme suksesesh brenda flluskash sapuni të gënjeshtërta. Në historinë e një nëne që flet me të bijën, mbi dy ujqërit që kemi brenda nesh ajo i thotë se: “Gjithsecili prej nesh ka dy ujqër brenda vetes, njëri është i padrejtë, xheloz, inferior, egoist, mendjemadh, dashakeq, i gënjeshtërt… tjetri është i mirë, me integritet, solidar, është besnik, i drejtë, i përgjegjshëm, dashamirës, empatik, i vertetë…dhe këta të dy…, këta të dy janë gjithë kohës në luftë të ashpër me njëritjetrin…!” Vajza e pyet menjëherë: “Cili prej tyre fiton?” … dhe nëna i përgjigjet: “Ai që ti vendos të ushqesh!”.
Po, edhe në kohën kur ujqërit e antivlerave duken më të fuqishëm se kurrë, ia vlen të ushqesh vlerat dhe mbi të gjitha, ndonëse në rrugë pak më të vështirë e të lodhshme, ia vlen të jetosh me vlera!
Edlira Çepani


Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153
b:revistapsikologji
 
Eh vlerat :(:(
Sot leku i prish njerëzit.
Sot shoh vajza që nuk u bën përshtypje se prishin familje,vetëm që të mbahen nga një mashkull.
Po ashtu shoh meshkuj që nuk u bën përshtypje se po shkatrrojn veten,merren me gjona të pista siesi të bëjn lek shpejt e shpejt.
Por nuk bohet leku shpejt e shpejt:):)
Mendoni për veten,për të ardhmen tuaj.
Sot nuk e njeh kush turpin,sedrën apo rrespektin ndaj vetes.
Ose jam unë e prapambetur ose kam lindur në epokën e gabuar.
 
Qetësinë që ta ofrojnë vlerat nuk e gjen askund tjetër, madje as tek leku jo. Po, është e vështirë, në veçanti të mirëmbahen, por nëse krijon një sistem të brendshëm vleror të rrethuar me parimet, të cilat shërbejnë si gardian të tyre, e ruan qetësinë dhe paqen e brendshme. Mirëpo kjo përveç se e vështirë, ndonjëherë është edhe mjegullinë për shkak të relativizimit të tyre që u bëhet në kohën tonë. Ky relativizim, është fatmirësi që është i dobët për nga argumentimi dhe i pambështetur për nga numri i ithtarëve të tij, por njëkohësisht është fatkeqësi nga aspekti i tundimit që shkakton tek secili që do të jetojë mbi parime të caktuara duke ndërtuar jetën e tij mbi këto vlera universale.
Antivlerat mund të japin një kënaqësi momentale, të afatizuar, por asnjëherë nuk garantojnë një lumturi jetëgjate apo satisfaksion deri në fund. 😊
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top