Vota dhe misioni qytetar i sotëm

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Dita e zgjedhjeve është e vetmja ditë në katër vjet, kur shoqëria dhe individët brenda saj janë pjesë, protagonistë dhe produkt i një ndryshimi të madh emocional, politik e social. Dita nis me ankthin se çfarë do të ndodhë gjatë 12 orëve të ardhshme, vijon me qytetarët që votojnë dhe qytetarë që vëzhgojnë zhvillimet, në mesin e ditës rritet presioni dhe debati rreth asaj që po ndodh, pasdite presioni dhe debatet arrijnë kulmin, kurse në mbrëmje, një pjesë feston me shampanjë, një pjesë bie në trishtim dhe zhgënjim të madh. Asnjë ditë tjetër në katër vjet nuk dhuron më shumë kontraste të tilla, gjendje kundërshtuese dhe nuk përfshin një numër më të madh aktorësh, individë e grupe qytetare, të gjithë objekt dhe subjekt i votimit.
Në të vërtetë, tipari kryesor i ditës së zgjedhjeve është shumë më kompleks dhe gjithëpërfshirës. Qytetarët marrin për 12 orë fatin e tyre në dorë; ata mund të vendosin se cilës platformë, cilit premtim, cilit program do të duhet t'ia besojnë të ardhmen e tyre në katër vitet e ardhshme. Vota e tyre do të bëjë njëherësh bilancin e katër viteve të shkuara, por edhe të projektojë kush do të drejtojë, kush do të qeverisë, cila parti e cili lider politik do të marrë vendime në emër të tyre.
Në kuptimin akademik, dita e zgjedhjeve përbën testin e vërtetë të një demokracie funksionale, një ditë ku qytetarët me votë të lirë e të fshehtë dëshmojnë nivelin e demokracisë, të angazhimit, të përgjegjësisë dhe të pushtetit të tyre kushtetues. Në rreth 1500 ditët e ardhshme ata nuk do të jenë vendimmarrës, por objekt i vendimeve, që të tjerët, ata që mandatohen në votime, do të marrin në emrin e tyre. Për të patur demokraci mjaftojnë që edhe vetëm 1000 qytetarë të shkojnë në votime, por kur pjesëmarrja është e vogël, demokracia bëhet e dobët, sistemi humb vlerat dhe rrezikon që vendi të qeveriset nga pakicat e pakicave.
28 qershori është për Shqipërinë një ditë, ndonëse jo historike, gjithsesi shumë e rëndësishme. Ajo është dita kur ne të gjithë, qytetarë dhe institucione, jemi në provë përpara vetes, përgjegjësisë qytetare, përgjegjësisë ligjore dhe përpara vetë respektit e partneritetit të miqve tanë në SHBA dhe në BE.
Të mësuar me një sistem të gjatë diktatorial, ku vota kundër konsiderohej votë për armikun dhe votuesi kundër, armik i popullit, ne ndjehemi më se të lodhur nga një tranzicion i gjatë, në të cilin pushtetin e ushtruan jo ata që fituan vota përmes rregullave demokratike, por ata që siguruan më shumë vota përmes metodave jo dhe aq demokratike. 28 qershori ka shansin ta ndryshojë këtë traditë. Ajo meriton të jetë një ditë normale, një ditë votimi ku qytetari respektohet, ku vota ushtrohet e lirë, numërohet dhe verdikti i saj pranohet nga të gjitha palët.
Dita e zgjedhjeve nuk mund të jetë e plotë vetëm nga standardet formale të saj, respekti i procedurave teknike dhe administrative. Për sukses kërkohet më shumë, kërkohet përgjegjësi e vendimmarrje e gjerë qytetare. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë bëhet demokracia, më i fortë bëhet sistemi demokratik dhe aq më shumë rritet përgjegjësia e produktit politik ndaj qytetarëve.
Për këtë arsye, 28 qershori është një apel që u duhet drejtuar të gjithëve, atyre që mezi presin të votojnë, atyre që nuk kanë vendosur ende, atyre që ia lënë rastësisë apo atyre që e injorojnë ftesën e votimit.
Të parët kanë 1000 arsye për të votuar, nga besimi tek vlerat e demokracisë deri tek natyra militante e mbështetësve partiakë.
Të dytët janë të dyzuar, sepse nuk e njohin vlerën e votës, nuk kanë besim tek ofertat politike, nuk shohin hapësirë për ndryshim apo nuk besojnë tek vetë sistemi dhe vlera e votës së tyre. Për të gjithë këtë kategori ka një dhe vetëm një përgjigje: pa votën tuaj, pa vullnetin tuaj, ne rrezikojmë që as sot dhe as nesër të mos kemi demokraci të fortë, parti institucionale, programe reale konkurruese apo standarde reale zgjedhore. Nëse zgjedhjet ua besojmë vetëm militantëve fanatikë, atëherë të gjithë, militantët dhe shumica jomilitante, do të jetë në fatin e sundimit të një pakice shumë herë të pandërgjegjshme për pushtetin real të saj.
Të tretët janë produkti i një tranzicioni të dhimbshëm, ku parimet dhe vlerat shpeshherë ia lanë vendin keqqeverisjes e korrupsionit, abuzimit apo nëpërkëmbjes së të drejtave qytetare. Ata kanë frikë, sepse janë mësuar me frikën ndaj regjimeve, qofshin ato diktatoriale, qofshin gjysmëdemokratike. Sot është dita që ata të flasin, të bëhen pjesë e vendimmarrjes, e mposhtjes së pasivitetit, sepse ata duhet ta dinë se vetë politikanët kanë patur e kanë frikë jo nga pavendosmëria, por pikërisht nga vota dhe vendimi i tyre.
Të fundit janë ata që nuk e kuptojnë demokracinë si një proces të dyanshëm qytetar - shoqëri, por të njëanshëm, përfitues apo viktimizues. Një pjesë, gabimisht ngatërron arritjet personale me pavarësinë tërësore ndaj sistemit politik në vend. Përvoja e vendeve të tjera na mëson se vetëm në një shoqëri demokratike qytetarët janë të lirë të ushtrojnë të gjithë talentin, aftësinë dhe lirinë e tyre. Pavarësisht suksesit, ata janë e do të jenë të rrezikuar nëse sistemi politik nuk ofron siguri ligjore, sociale e politike për ta. Thënia e Presidentit Kenedi, "Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd", vlen si këshillë e apel për të gjithë këtë kategori.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që nuk besojnë tek sistemi, nuk besojnë se vota ka pushtet, nuk besojnë tek zgjedhjet. Asnjë sistem nuk lind i përkryer, ai bëhet i përkryer duke u ushtruar, duke u forcuar, duke patur legjitimitet. Këto arrihen vetëm përmes zgjedhjeve dhe dita e votimit është dita e vetme, ku secili qytetar mund të bëhet pjesë e këtij vendimi, i cili nëse jo sot, nëse jo nesër, një ditë do të sigurojë standardet demokratike, tek të cilat këta qytetarë, me të drejtë besojnë.
28 qershori është një ditë, në të cilën të gjithë jemi të barabartë dhe të pushtetshëm, por kjo barazi e pushtet nuk kanë vlerë nëse ne nuk e ushtrojmë këtë pushtet, nuk marrim pjesë në vendimmarrje, nuk kapërcejmë dilemat e momentit për të vendosur një gur tjetër në themelet e një sistemi politik të brishtë, por me të ardhme, siç është sistemi politik në Shqipëri.
Kjo rëndësi nuk mund të cenohet as kur zgjedhjet nuk ofrojnë programe politike bindëse, as kur alternativat e zgjedhjes janë të kufizuara, as kur ndaj nesh ushtrohet presion apo oferta financiare e politike dhe, mbi të gjitha, as kur ne nuk mund të jemi të sigurt se zgjedhjet do të ofrojnë zgjidhjen e dëshiruar të problemeve e shqetësimeve tona. Përkundrazi, të gjitha këto motive duhet të jenë një shtysë më shumë që nesër, gjatë 12 orëve në dispozicion, t'i kushtojmë 5 minuta përgjegjësisë qytetare për të fituar më pas katër vite të drejtë për të folur me zë të lartë, për të monitoruar e kritikuar qeverisjen, për të menduar e punuar për një të ardhshme më të mirë për veten, familjen dhe vendin.
Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top