Tri gratë që po ia bëjnë jetën e vështirë Putinit

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
nemtsova.jpg



rusia-1.jpg


sobchak.jpg


Kundërshtia – Të përndjekura nga “regjimi i Putini-it”, tri femra vendosën të braktisnin Rusinë. E përbashkëta e tyre është se ato janë vajza politikanësh të njohur të kohës kur Bashkimit Sovjetik i erdhi fundi dhe po hidheshin themelet e Rusisë demokratike. Lufta nga larg atdheut ka ngelur forma e vetme për të kundërshtuar politikat e Presidentit Vladimir Putin.

Vendosja e saktë e zyrës së re të Zhanna Nemtsov-as duhet që të mbahet sekret për shkak të kërcënimeve me vdekje që ajo ka marrë në Moskë. Edhe pse ajo tani ndodhet në Bon të Gjermanisë, prapë punonjësit e policisë janë të frikësuar për jetën e 31-vjeçares, vajzës së liderit opozitar rus të vrarë para disa muajsh, Boris Nemtsov. Duke qenë se nuk e ndiente veten të sigurt në kryeqytetin rus, ajo vendosi që ta braktiste atë dhe të strehohej në Gjermani përpara 9 muajsh. Ajo e ka humbur tanimë besimin te hetuesit rusë.

“Unë mendoj se që këtej mund të bëj më shumë presion që të mundësoj që vdekja e tim ati të hetohet siç duhet”, tha Nemtsov, libri i së cilës “Të shkundësh Rusinë” sapo është publikuar në Gjermani. Për më tepër që ajo punon si reportere në gjigantin mediatik gjerman “Deutsche Welle”. Ndërkohë ajo po përpiqet që të shtyjë Këshillin e Europës të përpilojë një raport special për vrasjen e të atit.

Përpara një viti, më 27 shkurt të 2015-s, vrasësit qëlluan me armë liderin opozitar në Kremlin. Plumbat e goditën atë në qafë, mushkëri, zemër dhe mëlçi. Ky sulm tregoi se Rusia nuk është më një vend i sigurt për ata që kritikojnë shtetin dhe nga dora gjakatare nuk do të kursehen as ish-funksionarët e lartë dhe as ish-kryeministrat. Pas vdekjes së Nemtsov-it, frika u përhap te të gjithë opozitarët se ata mund të ishin shënjestra e radhës.

Përveç reporteres 31-vjeçare, edhe 2 gra të tjera u larguan nga Rusia, pak pas vrasjes.

E para është Ksenia Sobchak, vajza e ish-kryebashkiakut të Shën Petërsburgut, Anatoly Sobchak, që dikur ishte mentori në politikë i Vladimir Putinit. Emri i saj dyshohet se është në të njëjtën listë, ku ndodhej edhe ai i Boris Nemtsov-it.


Pastaj është Maria Gaidar, vajza e ekonomistit reformator, Yegor Gaidar, që shërbeu si kryeministër në kohën e Presidentit Boris Yeltsin, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Te të tria këto femra ka një gjë të përbashkët. Baballarët e tyre ishin politikanë të njohur, në kohën kur sistemi komunist ra dhe u hodhën themelet e Rusisë demokratike.

Ato u rritën në familje liberale me shpresën se demokracia do të bëhej pjesë normale e atdheut. Në fillim e shikonin Vladimir Putinin si një udhëheqës shpresëdhënës, por tani e konsiderojnë atë si njeriun që shkatërron demokracinë dhe liritë e të drejtat e njeriut. Tani ato nuk besojnë se idetë e baballarëve të tyre do të mbizotërojnë në të ardhmen e afërt. Ndërsa Sobchak është kthyer në Moskë, Nemtsov dhe Gaidar janë përgatitur për të kaluar shumë vite në arrati.

“Unë personalisht nuk e urrej Putinin, edhe pse babai im u vra gjatë kohës kur ai e drejtonte”, tha Nemtsov. Në 2009, ajo madje shkroi një artikull për të, ku e cilësonte si i fortë, i jashtëzakonshëm dhe i zoti në reformat ekonomike.

Por tani mendimi i saj është kryekëput i kundërt. “Presidenti Putin e ka bërë gjithë median për vete. Ai u ka dhënë mundësi oligarkëve të korruptuar që të përfitojnë nga burimet shtetërore. Ekonomia jonë sa vjen e përkeqësohet, dhe kjo pjesërisht për shkak të politikave të Kremlinit. Shumë prej njerëzve më të zotë po ikin nga Rusia, pikërisht ata njerëz që vendi im ka më shumë nevojë”, tha ajo gjatë një darke në shtëpinë e politikanit gjerman, Gerhart Baum. Ai është pjesë e Partisë Demokratike të lirë dhe në vitet në vitet 1980 ka shërbyer si ministër i Brendshëm.

Ndërkohë 2200 km larg, në qytetin port të Odessa-s në Ukrainë qëndron Maria Gaidar. Edhe ajo jeton në arrati dhe thotë se në Rusi nuk do të shkelë derisa të vijë demokracia. Ajo ka mbajtur detyrën e ministres së Shëndetit dhe Punëve Sociale në provincën Odessa Oblast-it që nga korriku i shkuar. Aty president është Mikail Saakashvili. Nuk ka provokim më të madh për Putinin, sesa një nga njerëzit më intelektualë të vendit zgjedh që të punojë kundër një shteti të konsideruar armik. Për më tepër që edhe Presidenti i provincës, Saakashvili, më parë ka punuar si President i Gjeorgjisë. Në SHBA ai konsiderohet si reformator dhe kampion i demokracisë. Kurse në atdheun e tij akuzohet për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

Media e kontrolluar nga shteti në Rusi e quan Gaidar si tradhtare, ndërkohë që novelisti rus, Eduard Limonov, tha se politikani dhe e gjithë familja e tij duhej të ishin qëlluar.

“Familja ime është mësuar me sulme të tilla”, tha ajo. I ati gjithnjë ka qenë në shënjestër, për shkak të reformave të tij në ekonomi.

Ajo dallohet për veprimet e saj spektakolare. Në 2006, kur pozitat e Putinit vazhdonin të forcoheshin, ajo zbriti nga një urë afër Kremlinit me një shenjë ku shkruhej: “U ktheni njerëzve zgjedhjet e tyre të lira, more bastardë”. Kur në 2008, president i vendit u bë Dmitry Medvedev, Gaidar u infiltrua në këto institucione duke qenë se mbante rolin e deputetes së provincës së Kirov Oblast në Rusinë Qendrore dhe funksionin e saj si ministre e Shëndetit dhe Punëve Sociale.

Qëllimi i saj është që të tregojë se në Ukrainë mund të vendoset demokracia, edhe pse trashëgimia e komunizmit nga Bashkimi Sovjetik dhe shkatërrimi kanë dëmtuar shumë.

Një tjetër ikonë e lëvizjes anti-Putin i parapriu Gaidar në udhëtimin në Odessa. Ksenia Sobchak, gazetare, aktore dhe vajzë e ish-kryebashkiakut të Shën Petërsburgut që i qëndroi besnik Presidentit aktual rus. Verën e shkuar, ajo erdhi në këtë qytet për të intervistuar Saakashvili-in për televizionin opozitar rus “Dozhd”.

E kthyer në Rusi, ajo tani drejton një emision në këtë televizion. Përpara 4 vitesh Dozhd TV, ishte ndër të vetmet kanale që kritikonte hapur Putinin dhe manipulimin e zgjedhjeve. Në një nga emisionet e saj të show-t “Sobchak Live”, në një të mërkurë shkurti, ajo ftoi dy prodhues filmash. Këta të fundit kishin realizuar një film, ku talleshin me manipulimet zgjedhore. Skenari qe i tillë: pas shumë vitesh, qeveria kishte dhënë urdhër që zgjedhjet të mbahen të rregullta. Por si pasojë e zakonit të manipulimit të tyre, për njerëzit qe shumë e vështirë që të zbatonin urdhrin e ri. “Kritika dhe satira duket se lejohen në ditët e sotme në Rusi, për aq gjatë sa nuk sulmohet direkt Putini”, shtoi ajo.

Një logjikë e ngjashme u aplikua edhe në hetimin për vrasjen e opozitarit Nemtsov. Prokuroria ka arrestuar 5 çeçenë, që konsiderohen si autorët kryesorë të ngjarjes. Por familjarët e politikanit të vrarë mendojnë se porositësit e sulmit kanë mbetur të paprekur.

Siç u pa edhe në hetimin e gazetares Anna Politkovskaya në tetor të 2006-s, ka një veçori në qasjen e Kremlinit. Hetimi lejohet të shkojë deri aty, sa nuk u bëhet dëm drejtuesve.

Mashtrimi duket qartë në rastin e Nemtsov. Pas eliminimit të tij, Putini u zhduk për 10 ditë. Shërbimet amerikane raportuan për përplasje brenda drejtuesve. Por mendohet se konflikti qe midis shërbimeve të brendshme ruse dhe liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, drejtuesi despotik i اeçenisë.

Ksenia Sobchak është mjaft kritike edhe për vrasjen e liderit opozitar. “Nuk është Putini ai që e ka dhënë urdhrin për vrasjen. Por është Putini ai që krijoi këtë makinë të tmerrshme dhe humbi kontrollin e saj”.
g.shqip
 
aq shume u tremb sa tha po rri dhe nja ca vite te tjera deri nga 2030 ne pushtet, si dihet e vrasin me snajper keto. :uff:
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top