Të përndjekurit: 10 pikat që kundërshtojmë për ligjin e dëmshpërblimit

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Shoqata e ish-të përndjekurve kërkon shfuqizimin e ligjit për dëmshpërblimin e viteve të burgut. Në një kërkesë dërguar Gjykatës Kushtetuese, ish-të të përndjekuri paraqesin 10 pika të ligjit, që sipas tyre, bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të Drejtën Ndërkombëtare. Llogaritja e viteve të burgut, masa e dëmshpërblimit, përjashtimi nga lista i 4 mijë të pushkatuarve, heqja nga lista e përfitimit e familjarëve dhe koha e gjatjes së dëmshpërblimit, janë pikat kryesore ku mbështesin ankesën e tyre ish-të dënuarit politikë. Ligji i miratuar në vitin 2007 ka nisur zbatimin prej gati 12 muajsh. Aktualisht procesi i dëmshpërblimit është në fazën e verifikimit të dokumenteve që kanë paraqitur ish-të të përndjekurit. Ndërkohë që paratë e para për ish-të dënuarit do të shpërndahen në muajin mars të vitit 2009.
Ankesat e ish-të dënuarve
Ankesa e parë në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve ka të bëjë me heqjen nga lista e përfitimit të familjeve të 4000 të pushkatuarve para vitit 1944. Sipas të dhënave të shoqatës së ish-të dënuarve, ligji i miratuar njeh të drejtën e dëmshpërblimit për familjet e 2000 të pushkatuarve nga sistemi komunist. Ndërsa komisioni i vitit 1993 ka njohur rreth 6000 të ekzekutuar me vdekje nga sistemi komunist. Po ashtu, sipas shoqatës, ligji nuk njeh vuajtjet dhe torturat që u janë bërë në burgje. Konventa Kundër Torturës parashikon njohjen dhe dëmshpërblimin e tyre. Pika e tretë ka të bëjë me masën e dëmshpërblimit. Sipas shoqatës, llogaritja duhet të bëhet edhe për kohën e paraburgimit, e cila nuk është marrë parasysh nga hartuesit e ligjit. Pika e katërt ka të bëjë me afatin e dhënies së parave. Ligji që u miratua një vit më parë nga Parlamenti përcakton tetë vite si afat për dëmshpërblimin e të gjithë ish-të dënuarve politikë. Sipas shoqatës, ky afat është shumë i gjatë dhe duke parë gjendjen e shëndetësore të shumë prej ish-të dënuarave, është e pamundur që shumë prej tyre t'i gëzojnë këto para. Ndërsa pika e pestë për të cilën ish-të dënuarit politikë kërkojnë shfuqizimin e ligjit, është dokumentacioni që kërkohet nga Ministria e Drejtësisë për njohjen e viteve të burgut. Sipas ankesës, procedurat janë shumë të gjata dhe sasia e dokumenteve që duhen mbledhur është e pamundur për familjet që jetojnë në zona të thella malore. Pika e gjashtë që kundërshtohet në ligj ka të bëjë me trashëgimtarët. Ligji i vitit 2007 u njeh të drejtën për të marrë dëmshpërblim vetëm trashëgimtarëve të nivelit të parë, bashkëshorti ose fëmijët. Ndërsa të afërmit e tjerë nuk përfitojnë. Sipas shoqatës, në sistemin komunist kanë vuajtur dhe familjarët e tjerë, motrat apo vëllezërit dhe ata duhet të kenë të drejtë për të marrë dëmshpërblim me ligjin e ri. Pika e shtatë ka të bëjë me shpërblimet që kanë marrë më parë ish-të dënuarit. Sipas ligjit, përfitimet gjatë viteve të mëparshme do të zbriten nga shuma që do të marrin me ligjin e ri. Sipas shoqatës, ky nen është antikushtetues sepse përfitimet që kanë marrë në vitin 1993 kanë qenë për shpërblimin e punës që kanë bërë në kampet e përqendrimit. Tre pikat e tjera të ligjit kanë të bëjnë me afate dhe procedurat që janë ndjekur nga Ministria e Drejtësisë dhe qeveria për zbatimin e ligjit të ri për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë.

Ligji per te perndjekurit politike
Republika e Shqipërisë
Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë
Nr. Prot Tiranë, 2008
Kërkesë
Drejtuar: Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë
Kërkuese: Shoqata e ish- të Burgosurve Politikë të Shqipërisë

Objekti: Kërkohet deklarimi në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i Ligjit nr. 9831, dt.12.11.2007, "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist" dhe mendimi, plotësimi dhe rregullimi i tij.
Baza ligjore: Nenet 15, 18 dhe 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ligji nr.7514, dt.30.09.1991, "Për pafajësinë, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist".
Ligji nr.7748, dt.29.07.1993, "Mbi statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist.
Konventa kundër torturës dhe dënimeve a trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore dhe degraduese.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Bazuar në nenin nr.15 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që mbron të drejtat themelore të njeriut, të cilat "janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme", të drejta që "organet e pushtetit duhet të respektojnë dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre", i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe zbatimin e këtij neni, që nuk është marrë parasysh gjatë hartimit të ligjit nr.9831, dt.12.11.2007, i cili "ndan, dhunon, tjetërson", pjesërisht, të drejtat e shtresës shoqërore të trashëgimtarëve të të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq, për motive politike, nga regjimi komunist. Konkretisht: Numërohen mbi gjashtëmijë të ekzekutuar me gjyq, pa gjyq, për shkaqe politike, nga forcat komuniste, gjatë luftës dhe mbas saj, të cilëve Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr.7514, dt.30.09.1991, ua ka njohur njëzëri pafajësinë dhe të drejtën e dëmshpërblimit e të rehabilitimit. Po ashtu, ata dhe të afërmit e tyre, kanë përfituar statusin e ish të dënuarit dhe të përndjekurit nga sistemi komunist, me ligjin nr.7748, dt.29.07.1993 dhe ndërkohë që këto ligje janë në fuqi, një komision prej tre-katër vetash, i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, i ka dhënë vetes të drejtën që të mos përfillë ose "t'i abrogojë" ato, ndonëse janë të miratuara nga rreth 140 deputetë, secili prej të cilëve përfaqëson të paktën 2000 zgjedhës. Ai komision i ka ndarë të ekzekutuarit në dy pjesë, duke përjashtuar nga e drejta e dëmshpërblimit mbi katërmijë të pushkatuar pa gjyq dhe duke ua njohur atë vetëm rreth dymijë të ekzekutuarve me gjyq midis datave 30.11.1944 dhe 01.10.1991. Ky veprim na duket arbitrar, i kundërligjshëm dhe antikushtetues. Ekzekutimi për motive politike i atyre katërmijë njerëzve, që kanë marrë edhe pafajësinë, është vërtetuar nga një komision trepalësh i caktuar nga qeveria dhe i njohur nga Ministria e Drejtësisë. Ata janë trajtuar si të tjerët, me "letra me vlerë", dhe 200000 lekë, gjatë qeverisjes së parë të po kësaj mazhorance politike. Madje shumë prej tyre janë nderuar edhe si "dëshmorë" e "martirë të demokracisë". Tani ky komision anonim, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të grupit të interesit, i zhvesh ata nga të drejtat e ligjshme, dhe i kthen përsëri në "armiq të popullit". Gjersa dëshmorët e luftës, të rënë nga diktatura fashiste, shumica e të cilëve vrarë pa gjyq, vazhdojnë të nderohen e të trajtohen prej afro 60-vjetësh, përse të mos u njihen të drejtat edhe atyre që ranë nga diktatura komuniste, për një Shqipëri të lirë, demokratike e me vizion perëndimor?! A nuk është kjo një "pabarazi dhe diskriminim për bindjet politike"? (neni nr.18 i Kushtetutës). Heqja nga lista e mbi katërmijë të ekzekutuarve pa gjyq, për motive politike, lë për të dyshuar se është një veprim i qëllimshëm, për "fshehje të krimeve komuniste", gjë që ngarkon me përgjegjësi penale ish ministrin e Drejtësisë, z. Ilir Rusmali dhe komisionin e tij. Me "veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore" të sotme, është shkelur neni 44 i Kushtetutës, i cili garanton "rehabilitimin dhe/ose zhdëmtimin në përputhje me ligjin (nr.7514 dhe 7748) të ish të dënuarve politikë dhe të familjarëve të tyre. Gjithashtu, me ligjin nr.9831, dt.12.11.2007, është anashkaluar e shkelur edhe neni nr.14 i "Konventës kundër torturës dhe dënimeve a trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese "e miratuar dhe e firmosur nga shteti ynë, e cila thotë: "اdo shtet palë, në sistemin e vet juridik, i garanton viktimës së një veprimi torture, të drejtën për të kërkuar reparacion dhe për t'u dëmshpërblyer me drejtësi e në mënyrë të përshtatshme, përfshirë mjetet e nevojshme për riaftësim sa më të shpejtë. Në rast vdekjeje të viktimës si pasojë e një veprimi torture, ata që kanë pasur pasoja prej saj, kanë të drejtë për dëmshpërblim". Siç shihet qartë, ky nen nuk vendos parakushte(me gjyq apo pa gjyq) dhe as që cakton data (para apo pas vitit 1944). Prandaj, diferencimi dhe përjashtimi që kanë bërë hartuesit e ligjit nr.9831, dt.12.11.2007,(neni 4, pika "a"), bie në kundërshtim me këtë konventë evropiane dhe për rrjedhojë edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Masa e dëmshpërblimit për të pushkatuarit, e llogaritur sa tetë vjet burg, është e padrejtë dhe e pabazuar në asnjë ligj, përveçse në hamendjen e ndokujt, që e vlerëson jetën e njeriut antikomunist sa ajo e një kali apo e qeve të parmendës. Ajo, të paktën të ishte llogaritur sa maksimumi i dënimit me burg, (25 vjet), që ishte më pranë dënimit kapital. Afati prej tetë vjetësh, i caktuar nga qeveria për shlyerjen e këtij detyrimi moral e ligjor, është tepër e gjatë po të kemi parasysh moshën dhe problemet shëndetësore të ish të burgosurve dhe të internuarve, shumë prej të cilëve nuk do të arrijnë ta gëzojnë vetë atë dëmshpërblim të shumëpritur. Një kohëzgjatje e tillë nuk gjendet në praktikën e deritanishme të dhënies së dëmshpërblimit për pafajësinë. Ish funksionarëve të lartë të regjimit të kaluar, që u akuzuan për krime komuniste dhe morën "pafajësinë" nga miqtë e tyre gjyqtarë, iu dha një dëmshpërblim i menjëhershëm në të holla, shumë më e madhe se ky që ofron ligji nr.9831 për viktimat e tyre, ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist. Ky ligj nuk ka llogaritur veçmas kohën e paraburgimit të ish të burgosurve politikë, siç përcakton neni 57 i Kodit Penal(një ditë paraburgim, baras me një ditë e gjysmë burg), kur dihet se mjaft prej tyre kanë vuajtur deri në tre vjet ose më shumë, në qelitë e paraburgimit të hetuesisë komuniste. Neni 5 i ligjit 9831 merr si të mirëqena disa nga vendimet gjyqësore të montuara të diktaturës, me akuza false, si "terrorizëm", "minimi i pushtetit popullor", "sabotim" etj., duke ua hequr të drejtën e dëmshpërblimit personave që ligjet e mëparshme(nr.7514 dhe nr.7748) ua kanë njohur. Pra, kemi njëfarë "përplasje ligjesh". Neni 8 i ligjit nr.9831, duke shkelur Kodin Civil, e kufizon të drejtën e trashëgimisë për të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, vetëm në shkallën e parë. Kësisoj i përjashton kategorikisht familjarët dhe të afërmit e tjerë të ish të dënuarit që nuk jeton dhe që nuk ka lënë fëmijë nga kjo e drejtë. Një veprim i tillë bëhet posaçërisht për këtë shtresë shoqërore dhe nuk është tjetër veçse "shkelja e barazisë së shtetasve" (neni 253 i Kodit Penal). Njëkohësisht, ai bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 17) dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku nuk parashikohen kufizime të tilla. Nga ana tjetër, neni 14 i ligjit nr.7748, dt.29.09.1993, "Mbi Statusin...", shprehet qartë se: "Të drejtat pasurore që rrjedhin nga ky status, mund të transferohen te trashëgimtarët, sipas dispozitave të Kodit Civil mbi trashëgiminë". Vëllezërit, motrat, familjarët e tjerë, kanë sakrifikuar shumë për njerëzit e tyre të burgosur e të internuar, kanë ndarë kafshatën me ta dhe kanë vuajtur pasojat e atij regjimi, prandaj përjashtimi i tyre nga e drejta trashëgimore e dëmshpërblimit, është e paligjshme dhe aspak njerëzore. Ky ligj, i përbërë nga 35 nene, është i mbingarkuar me kërkesa burokratike e dokumente, si vendime gjyqësore,, dëshmi penaliteti, vërtetime, certifikata, etj., të cilat krijojë një stërmundim për të moshuarit e të pafuqishmit e shumtë të kësaj shtrese shoqërore, disa prej të cilëve jetojnë në fshatra të thella ose janë jashtë shtetit, në pamundësi për t'i gjetur e plotësuar të gjitha. Siç dihet, dokumentacioni i kërkuar ndodhet pranë organeve shtetërore., pra, ç'kuptim ka që ato të merren nga shteti, për t'ia kthyer përsëri shtetit?! Sipas disa normave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, personat që kanë kaluar trauma e tortura, siç janë viktimat e diktaturës komuniste, presupozohet se nuk janë në gjendje për t'i kërkuar të drejtat e tyre, prandaj për ata duhet të kujdeset vetë shteti. Ligji nr.9831, dt.12.11.2007, ua heq të drejtën e dëmshpërblimit jo vetëm familjarëve të të ekzekutuarve pa gjyq, për motive politike, nga forcat komuniste, para dhe mbas vitit 1944, po edhe të gjithë atyre ish të burgosurve e të internuarve për motive politike, dokumentet e të cilëve nuk gjenden nëpër organet shtetërore (jo për faj të ish të dënuarve), por që janë vërtetuar nga Komisioni Trepalësh dhe që kanë marrë pafajësinë dhe statusin sipas ligjeve përkatëse. Anulimi tërësisht, i të dhënave të atij komisioni të ngritur e të miratuar nga vetë shteti, është një penalizim kolektiv, që i bëhet një numri të madh ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist. Në rast se dyshohet për falsifikime, të veçohen rastet, të gjenden e të dënohen fajtorët; por nuk është as e arsyeshme dhe as e ligjshme që të bëhet një ndëshkim kolektiv, duke përjashtuar të gjithë këtë kategori ish të denuarish politikë, nga e drejta për dëmshpërblim, që u është njohur më parë ligjërisht. Në nenin 6 të ligjit 9831, dt.12.11.2007, thuhet: "Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme". Ky paragraf le shteg për interpretime të ndryshme sepse tek "masa e dëmshpërblimit të përfituar me ligjet e mëparshme", dikush nga Ministria e Financave, llogarit edhe shtëpitë që janë marrë nga një numër ish të dënuarish e të përndjekurish politikë. Por, sipas një ligji dhe vendimi të mëparshëm të Këshillit të Ministrave, ish të burgosurve, të internuarve dhe familjeve të të ekzekutuarve për motive politike, u takonte një shtëpi falas nga shteti. Kjo sepse shteti komunist, mbasi i dënoi, ua mori shtëpitë dhe pasuritë dhe i degdisi për shumë vjet nëpër burgje e kampe përqendrimi. Po tek e fundit, mbas vitit 1990, edhe të gjithë qytetarët që kishin shtëpi shtetërore, i privatizuan ato kundrejt çmimeve simbolike. Me këtë rast, na duhet t'ju kujtojmë ish komunistëve të konvertuar në "demokratë", të cilët eventualisht mund të jenë kamufluar në Ministrinë e Financave e të Drejtësisë si dhe hartuesve të ligjit enverian nr.9831, se në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, gjenden shumë pallate e mijëra apartamente banimi, të ndërtuara me punën prej skllevërish shtetërorë të të burgosurve politikë, të cilat i kanë privatizuar me çmime simbolike dhe i gëzojnë ish oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ish funksionarë partiakë e persekutorë të ndryshëm dhe fare pak njerëz të thjeshtë të popullit. Ndërkohë, me qindra familje ish të burgosurish e të përndjekurish politik, nuk kanë fare shtëpi; dhe shumë të tjera, vazhdojnë të jetojnë në kushte aspak normale, nëpër ish konvikte e kopshte fëmijësh ose nëpër kasolle të improvizuara. Në rast se flitet për "letrat me vlerë", që u dhanë më parë (fati i të cilave tanimë dihet), ato ishin për punën e detyruar dhe të papaguar, por jo për pafajësinë; prandaj edhe janë llogaritur "sa dita e punës e minatorit", në ligjin nr.7748, dt.29.07.1993. Po në atë përllogaritje hyjnë edhe ato 100-200000 lekë, që u dhanë për ata që kishin mbi dhjetë vjet burg dhe për familjarët e të pushkatuarve. Zbritje mund të bëhet vetën në rastet kur është abuzuar, falsifikuar, e përvetësuar dëmshpërblim, shtëpi apo objekte të tjera me vlerë, nga persona që nuk u takonte ose më shumë se sa u takonte. Këto janë të pakta dhe shteti mund t'i zbulojë dhe t'i ndëshkojë kur të dojë. Disa nga këto janë bërë publike dhe nga mediat e shkruara dhe ato televizive. Por, shteti ka heshtur; dhe tani me këtë ligj synon të japë një dënim kolektiv. Për sa parashtruam më sipër, ne na duket se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk përputhet me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe as me Rezolutën e Këshillit Evropian për Dënimin e Krimeve Komuniste, e cila rekomandon korrigjimin e së kaluarës, rivendosjen e drejtësisë, rehabilitimi, dëmshpërblimin dhe integrimin real në shoqëri, të viktimave të atij sistemi çnjerëzor. Prandaj, kërkojmë që ai t;i rikthehet Këshillit të Ministrave, për t'u rishikuar me më shumë vëmendje e përgjegjësi dhe për të bërë amendimet, plotësimet dhe përmirësimet e nevojshme. Shpresojmë në një gjykim dhe vendim të arsyetuar, të bazuar, të drejtë e të pavarur nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Sekretari Kryetar
Nonda Misrasi Tanush Kaso

Adresa: Blloku "V. Shanto"
Pall.8/1Shk.2 Tiranë
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top