Skandalet e shkrimtares libertine, që gjatë martesës zbuloi lezbizmin

Hera

Έτερος εγώ
Skandalet e shkrimtares libertine, që gjatë martesës zbuloi lezbizmin


Koleta s’ka reshtur së ngacmuari fantazinë dhe frymëzimin e shumë autorëve, dhe ç’është më interesantja, shumica femra, shkrimtare e kritike, studiuese arti dhe feministe, të cilat, siç duket, kanë gjetur te shkrimtarja e famshme franceze e shekullit XX diçka nga ideali i tyre femëror, liria dhe përjetimi i plotë i jetës, dashuria me të dashurit e tyre, por dhe liria mes femrave, çka një shoqëri puritane e trondit, por që në kohërat moderne, liria e tyre e fillimit të shekullit XX nuk çudit më.

“Koleta dhe miket e saj” (Colette et les siens), një libër që prej pak kohësh është botuar në Paris nga shkrimtarja e njohur dhe akademikja franceze. Dominique Bona. “Liria sikur rrjedh në venat e tyre”, – shkruan një kritike. Dhe ashtu është. Libri i Bona-s është tregimi i jetës së Koletës dhe mikeshave të saj nga viti 1914 dhe deri në vitin 1954, ku veçanërisht vitet e kohës së “Luftës së Madhe”, (Luftës së Parë Botërore), ku Koleta, e dashuruar me baronin Henry de Jouvenel, jetonte në euforinë dhe ekstazën e saj.

lg.php




kolete.png

Henry niset drejt frontit në luftë dhe asaj i duhet të shkojë fshehurazi të jetojë te banorët e Verdun, ku bëhet një nga luftërat më legjendare, pasi në luftë, grave u ndalohej të shkonin pranë ushtarëve në front. Ndryshe, ç’do të ndodhte nëse i pranonin: luftë apo dashuri?!… Kështu pra, Koleta kthehej në shtëpinë e saj pranë pyllit të Bulonjës (“Bois de Boulogne”) dhe bashkohej pranë vatrës me mikeshat e ngushta të saj, gra libertine, siç ishin Marguerite Moreno, një nga aktoret e famshme të kohës; gazetarja e njohur e reportazheve të luftës, Annie de Pene, (e cila ashtu si Apollinaire, do të vdiste më 1918 nga gripi spanjoll, i cili bëri kërdinë gjatë dhe pas luftës… dhe Musidora, apo Musi i dashur, aktorja dhe balerina e famshme e kabareve parisiene, për të cilën kur isha në Kinostudio kisha një dobësi të veçantë dhe mbaja gjithnjë një revistë franceze me skenat e filmave të saj. Ja pra gratë antikonformiste të kohës së luftës dhe të pasluftës, kohës kur Musi u bë një nga muzat e famshme të surealizmit.

Katër gra me flokë të shkurtra, të prerë si djemtë, veshur me pantallona, që pinin alkool dhe cigare dhe që ndodhte që biseksualiteti të ishte jo i huaj për ato. Madje, ato shijonin dhe shoqërinë e djemve më të rinj si ato, siç ishte dhe dashuria e vetë Koletës me djalin e burrit të saj, Bertrandit, dashuri që të dy do ta vuajnë gjer në fund të jetës së tyre. Ishte pikërisht koha kur Koleta, gjatë një shfaqjeje në “musicholl”, nxori gjinjtë jashtë, për çka policia e ndaloi shfaqjen, edhe pse shtëpitë publike e kishin përmbytur Parisin. Mikeshat më pas u plakën dhe veç vdekja i ndau mes tyre… Në librin tim, “Parisi letrar”, Koletës i kisha kushtuar një kapitull më vete, pasi ky shpirt i lirë ishte një nga shkrimtaret më të mira franceze të shekullit XX, mjaft e pëlqyer dhe në bregun tjetër të Atlantikut… Jeta e Koletës si shkrimtare na kujton pa dyshim jetën e pararendëses së saj, George Sand; Sandit që vishej me pantallona, Sandi libertine me plot histori dashurish, Sandi pasionante dhe e ëmbël, artistja e fjalës dhe e teatrit.

kolete-ciara.png

Dy jetë aq të afërta me njëra-tjetrën për nga ngazëllimet dhe trishtimet, për nga dritat e lavdisë dhe ikjet e tyre për të humbur diku në trishtimin më të madh. Koha e moskuptimit, koha kur ato kërkonin lirinë e tyre të vërtetë. Dhe jo vetëm lirinë e tyre, por të gjysmës tjetër të shoqërisë, asaj feministe. Romani “Claudine en menage” ishte historia e dy grave parisiene, Claudine dhe Rezi, që njihen në një nga sallonet mondane parisiene. Një dashuri femërore, për të cilën Willy dyshoi meqë një ditë ai ndjeu te Koletë një parfum të njohur, parfumin e një prej të dashurave të tij të fshehta, Georgie-Raoul Duval. Që nga ajo ditë, ai e ndjeu se Koletë po largohej gjithnjë e më shumë nga ai, e tërhequr tashmë nga një botë tjetër.

Që më 1907, atëherë kur Koleta iu dha artit tërësisht, ajo shkruante: “Dua të bëj atë që dua. Të luaj pantomimë, teatër, të vallëzoj nudo, nëse të mbathurat më pengojnë plastikën e trupit; dua të shkruaj libra të trishtë dhe libertinë… të kënaq atë që më do dhe t’i jap atij gjithçka kam në këtë jetë: trupin tim rebel, zemrën time aq të butë dhe lirinë time!…”. Ishte lufta e saj për lirinë dhe pavarësinë si femër, si artiste. Ajo kishte kohë që e kishte kuptuar se lidhja e saj me Willy-n ishte tashmë pa vlerë, edhe pse në fakt ishte ai që e kishte futur në botën e spektaklit. Por, megjithatë, ajo hezitonte, si çdo femër e fillimit të shekullit XX.

ciara.png

“Ku të shkoja? Si mund të jetoja? Si mund të ikja?”, – kujtonte ajo më pas këtë periudhë të vështirë të rinisë së saj. Një natë, një mike amerikane e quajtur Natalie Clifford Barney e çoi të shikonin spektaklin e një aktoreje me emër në atë kohë: Mata Harri. Dhe ajo kërcente nudo në skenë! Ideja se ajo ishte një shkrimtare që kishte sukses në publikun e gjerë dhe se publiku nuk e njihte aspak emrin e saj, e mundonte prej kohësh dhe dalëngadalë tek ajo lindi një lloj revolte ndaj Willy-t. Donte ta sfidonte atë, por si? Madje, në kontratat me botuesit, vetëm Willy kishte të drejtë të merrte përqindjet e botimeve që shiteshin, meqë njihej si autori i vetëm i tyre.

Kjo periudhë do të ishte për Koletën një periudhë revolte. E revoltës dhe e zbulimit, ndoshta për ta sfiduar gjer në fund burrin e saj. Kështu, ajo zbuloi një botë të re, botën femërore, atë botë të ndaluar lezbizmi, duke frekuentuar mikesha të reja që do të hynin në jetën e saj si Natalie, Lucie, Eva, një poeteshë melankolike, Renée, apo një nga interpretet, me të cilën filloi të luante shpesh në skenat teatrale, markezja Missy, emri i së cilës ishte Mathilde de Morny. Por një nga lidhjet më të ndjera të saj ishte me një vajzë të re angleze, e quajtur Megy, e cila kishte disa vite që kishte ardhur në Paris dhe i shkruante letra dashurie me një përkushtim të jashtëzakonshëm.
 

Attachments

  • kolete.png
    kolete.png
    266.2 KB · Shikime: 0
  • kolete-ciara.png
    kolete-ciara.png
    470.7 KB · Shikime: 0
  • ciara.png
    ciara.png
    589.4 KB · Shikime: 0
  • kolete.png
    kolete.png
    266.2 KB · Shikime: 0
  • kolete-ciara.png
    kolete-ciara.png
    470.7 KB · Shikime: 0
  • ciara.png
    ciara.png
    589.4 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top